Rezistojnë edhe mediat në Serbi, shumica nuk e publikojnë Thaçin me uniformë ushtarake

Lajme

Rezistojnë edhe mediat në Serbi, shumica nuk e publikojnë Thaçin me uniformë ushtarake

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 22:00
Hashim Thaçi dhe Rrahman Rama

Vizita e presidentit Thaçi dhe shfaqja e tij me uniformë ushtarake para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari”, një ditë para shndërrimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, ka bërë jehonë në të gjitha mediat serbe.

Agjencia serbe e lajmeve “BETA”, raportimin e së cilës e kanë cituar shumica e mediave kryesore në Beograd, ka cituar presidentin Thaçi të ketë thënë se kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri te momenti i shumëpritur.

“Ky proces po zhvillohet natyrshëm dhe është rezultat i punës dhe përkushtimit tuaj të jashtëzakonshëm. Ju, me mbështetjen e të gjitha qytetarëve të Republikës së Kosovës keni punuar gjatë për themelimin e ushtrisë sonë. Ushtria jonë do të jetë përherë e gatshme për t’i shërbyer paqes në vend, rajon dhe kudo që do të jetë e nevojshme anekënd botës”, raporton BETA për deklaratat e Thaçit para pjesëtarëve të FSK-së, në kazermën “Adem Jashari”.

Ky agjencion serb i lajmeve, shton se Thaçi ka lavdëruar pjesëtarët e FSK-së.

“Rrugëtimi juaj pasqyron rrugëtimin e shtetit tonë. Kemi kapërcyer sfida të shumta deri më sot, por e arritëm qëllimin kryesor. Sot, ju, përfaqësuesit e FSK-së, në mënyrë dinjitoze dhe krenare po e përfaqësoni Kosovën gjithandej botës. Rezultatet tuaja janë të shkëlqyeshme. Po shënoni suksese në garat ndërkombëtare, krah për krah me ushtritë me profesionale dhe më të fuqishme”, ka thënë Thaçi.

I veshur në uniformë të FSK-së, sipas BETA-s, Thaçi porositi se përfshirja e pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve në Forcat e Armatosura të Kosovës dërgon mesazhin më të mirë.

“Kjo tregon vlerat dhe parimet e shoqërisë sonë. Kjo tregon se si komunitetet duhet të jenë të integruara në jetën shoqërore dhe institucionale të një shteti demokratik, në të cilin çdo qytetar përfaqëson vlerë shtesë për shtetin. Andaj u garantoj të gjitha komuniteteve në Kosovë, veçanërisht komunitetit serb, se FSK-ja do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Për shfaqjen e Thaçit me uniformë dhe për deklaratat e tij kanë shkruar Sllobodna Evropa, TV N1, RTS-ja, Novimagazin, Blici serb, Radio Kim dhe media të tjera serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat