Vuçiq: Sonte është krijuar atmosfera se ta shkelësh e ta shkatërrosh Serbinë është mirë

Lajme

Vuçiq: Sonte është krijuar atmosfera se ta shkelësh e ta shkatërrosh Serbinë është mirë

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 21:08
Presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq

(E plotësuar) - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Kosova nuk e ka formuar e vetme ushtrinë, por "i kanë ndihmuar të tjerët dhe se tashmë është e ditur se kush u ndihmoi".

Në një konferencë për medie në Beograd, Vuçiq ka theksuar që pas kërcënimeve disavjeçare është formuar Ushtria e Kosovës dhe sipas tij, “gjithçka që kanë bërë shqiptarët e kanë bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, madje edhe në kundërshtim me Kushtetutën e tyre”.

Vuçiq tha se Serbia ka bërë gjithçka që ka mundur të bëjë për të parandaluar formimin e Ushtrisë së Kosovës, por nuk ia ka arritur qëllimit për shkak se, siç ka thënë ai, “qëllimi i shqiptarëve dhe i aleatëve të tyre ka qenë që ta shkelin Serbinë”.

Megjithatë, ai ka porositur serbët që jetojnë në Kosovë që të jenë të qetë sepse në rast të rrezikimit të tyre, Serbia do t’i mbrojë ata.

“Ndaj çdo tentimi për t’i sulmuar serbët, për t’i shpërngulur, Serbia do të ketë fuqi që t’ju mbrojë. Çdo keqpërdorim i ushtrisë së tyre dhe tentim pë të hyrë aty ku është e ndaluar, bazuar me marrëveshjen që Serbia e ka arritur me NATO-n, pa pëlqimin e banorëve lokal serbë, nuk do të ndodhë. Nuk do të ketë hyrje të formacioneve të armatosura në veri të Kosovës. Në qoftë se ju sulmojnë, Serbia do ta ketë fuqinë që t’ju mbrojë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar që Serbia tashmë ka dërguar kërkesën për mbajtjen e mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe në mënyrë të kujdesshme është duke përcjellë gjithçka që po ndodhë në Kosovë.

***

“Pas shumë e shumë viteve me kërcënime, sot është themeluar zyrtarisht, në mënyrë ilegale e të padrejtë, e ashtuquajtura Ushtri Kosovës”, ka konstatuar sonte, presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq, në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

“Krejt çfarë kanë bërë shqiptarët është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me aktin më të lartë juridik të tyre, Kushtetutën, siç thonë ata të Republikës së Kosovës, dhe e kanë dëshmuar, ashtu sikurse edhe sponsorët e tyre se nuk u bëhet vonë për të drejtën dhe drejtësinë”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se ky është sulm ndaj serbëve dhe sulm haptazi i Republikës së Serbisë.

Presidenti i Serbisë ka theksuar se sonte është krijuar atmosfera se ta shkelësh e ta shkatërrosh Serbinë është mirë.

Vuçiqi i drejtohet kombit serb pas formimit të Ushtrisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do t’i drejtohet popullit serb, sonte me rastin e situatës së krijuar në Kosovë, pasi kjo e fundit me miratimin e tri ligjeve i dha mandat mbrojtës Forcës së vet të Sigurisë.

Ai pritet që të zhvillojë bisedë ne orën 20:00.

Gjatë ditës është raportuar se ai ka qëndruar në një distancë 5 kilometra larg Kosovës.

RTS ka njoftuar se Vuçiqi, njëherësh komandanti suprem i Ushtrisë, ka “vizituar njësitë e ushtrisë serbe në një vend të panjohur”.

Vuçiqi ka thënë se do të vazhdojë të vizitojë pjesëtarët e forcave të armatosura.

Në anën tjetër, Tanjug njofton se ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq, vizitoi sot oficerët e xhandarmërisë në bazën në Lipovica, siç thuhet për t’u bindur për gatishmërinë e tyre luftarake.

“Anëtarët e xhandarmërisë dhe të gjitha njësitë e tjera organizative të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të gatshme të kryejnë të gjitha detyrat që shteti imponon, për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe për të kundërshtuar çdo lloj kërcënimi për stabilitetin e vendit tonë”, theksoi ministri Stefanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat