Vargje me plotë pikëllim, dhembje e mallëngjim

Libra

Vargje me plotë pikëllim, dhembje e mallëngjim

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 10:36
Nexhat Halimi “ a vuan më pse nuk vuan”, shtëpia botuese “fad” prishtinë, 2018

“ a vuan më pse nuk vuan

a të dhemb më pse s’të dhemb

a digjesh pse s’digjesh “

Me këtë përkushtin Nexhat Halimi e hap librin “ a vuan më pse nuk vuan” që është libër me poezi përkushtuese   për nënën e tij me rastin e shkuarjes në amshim.

Nexhat Halimi është poet me talent të rrallë e kulturë të gjerë, që trajton një gamë  të gjerë temash, motivesh, idesh e preokupimesh tematike.

Figura e nënës është mjaft e shpeshtë  në krijimtarinë poetike  të poetëve të ndryshëm. Mirëpo te Nexhat Halimi portreti i nënës  pasqyrohet në një libër të tërë i cili është i konceptuar në  42 poezi apo njësi poetike dhe që të gjitha i kushtohen nënës së poetit. Përmes vargjeve të tij Halimi paraqet figurën e nënës së tij, një nënë tipike shqiptare. Këto poezi janë krijime të veçanta për jetën dhe vdekjen e që janë plotë pikëllim, dhembje e mallëngjim.

“ unë bima e gjakut tënd mitik nënë

marr frymë gjithnjë te molla e kuqe

e vdes në kokrra dheu në dumnicë ”

Përmes figurës së nënës që është një nënë  e zakonshme  por përmes vargjeve ajo ngritët në një krijesë mitike, nga një kohë në një kohë tjetër. Autori ka evokuar gjithë historinë  e nënës e që përmes saj evokohet gjithë historia e nënës shqiptare me të gjitha vuajtjet dhe sakrificat e kohës.

Këto evokime kujtimesh  autori Halimi i sjell përmes vargjeve  të bukura, kuptimisht të plota  e gjuhësisht të rrjedhshme e elokuente, ku asgjë nuk duket e tepërt si dhe asgjë nuk ka lëshuar pa thënë, gjithë atë që ndjen për nënën e tij tashmë të ndjerë.

Dhembja dhe pikëllimi për nënën është edhe më i thellë ngase ajo ka ndërruar jetë  larg vendlindjes.

“ krejtë çfarë të mbeti në amerikë qe hiç

qe veç ‘ i lule e thjeshtë e plastikës

ja pse provoje kaq vjet të ikje nga vetmia “

Nëpërmes vargjeve të tij autori kujton shumë ngjarje të kaluara bashkë më nënën, vuajtjet e asaj kohe, jetën në fshat që  nuk ishte aspak e lehtë.

Në shtratin e gjerë të vargjeve  të këtij libri rrjedh edhe dashuria  e autorit për vendlindjen e tij Dumnicën që tashmë ka pësuar shumë ndryshime nga koha kur ai ka jetuar aty.

“ dumnica e vrej ka trup e tjetër fytyrë

as rosujërat as vigu i muharremit asgjë

as një e vetmja gjë s’është e njëjtë

dumnica është shpirti lot i ngrirë nën qerpik’

…………………………………..

dumnica natyrisht është mekam i gjithësisë “

Autori evokon kujtime kur ishte nxënës  në fshatin Dumnicë dhe kur e përfundonte orarin ditor të mësimit në luadhe mblidhte lule xheneti dhe ia dërgonte nënës në shtëpi  që ajo pastaj në tufa i fuste në gota me ujë dhe ato lule e mbushnin shtëpinë me aromë të këndshme. Tash nuk i mbledh ato  lule ngase nuk ka kujt t`ia dërgoj, nëna nuk është më  të thithë atë aromë të këndshme të luleve të xhenetit të mbledhura në luadhet e dumnicës.

Autori në mënyrë sintetike  rrëfen jetën e nënës që në të kaluarën nuk është aspak jetë e lehtë. Vuajtjet dhe sakrificat qofshin fizike apo shpirtërore  nuk kanë qenë  të lehta por megjithatë  nëna ka arritur ta përmbush idealin, vazhdimësinë e jetës.

Nga poezia në poezi shumëfishohet dhembja për mungesën e nënës, e këtë e përjeton thellë autori ku ndër tjera në vargjet e tij shprehet :

 “ pse s` do të vish me shprehi

 të më prekësh në netët e acarta

 a i kam këmbët të ftohta

 të më mishërosh me besim ”

Autori e ka vështirë të pajtohet me këtë të vërtetë që ka ndodh, pra me vdekjen e nënës. Ai këtë e ndjen rëndë shpirtërisht por i duhet të pajtohet me realitetin ngase gjërat nuk mund të kthehen më prapa, por dhembja është e madhe.

“ ai që lind vdes më përmend zëri yt i çelur

është fare kot të ndërroj diçka aty është kot

e lë zemrën te ti e ik rrugës së shkelur “

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat