Gani Mehmetaj sjell para lexuesve librin "Kalorësit e Dardanisë"

Libra

Gani Mehmetaj sjell para lexuesve librin "Kalorësit e Dardanisë"

Më: 11 janar 2019 Në ora: 14:45
Gani Mehmetaj

"Kalorësit e Dardanisë” është libri më i ri i shkrimtarit Gani Mehmetaj, që sot u promovua para lexuesve, shkrimtarëve e studiuesve në Bibliotekën Kombëtare.

Ky është roman me prapavijë historike, që mëton të sjellë para lexuesve historinë dardane përmes 300 kalorësve.

Autori Mehmetaj tha se përmes këtij libri ka synuar që t'u tregojë lexuesve rrënjët dardane. Lidhur me numrin e 300 kalorësve që përmenden në roman, Mehmetaj tha se ky numër simbolizon numrin e 300 ushtarëve me të cilët Skenderbeu e mori Krujën.

Mehmetaj: Jam përpjekur të tregoj rrënjët tona

“Jam përpjekur aq sa kam pasur mundësi që të tregoj se ne kishim rrënjë ne kishim të kaluar, bile një periudhë të së kaluarës së lavdishme. Pikërisht e marr si segment kalorësit e Dardanisë në parahistori dhe në antikën e atëhershme ishin formacioni më i fuqishëm ushtarak në Gadishullin Ilirk, ishin formacion i cili ka marrë pjesë në luftime të ndryshme nga Nishi i sotëm deri në Britani të madhe”, ka thënë Mehmetaj.

Studiuesi i letersisë, Femi Cakolli, tha se në tekstet e Mehmetajt bie në sy projeksioni i ripërtëritjes së vetëdijes nacionale. Cakolli po ashtu tha se antropologjia, gjeografia e hyjësia dardane janë tri elemente që e pasurojnë këtë libër.

Cakolli: Ky roman pasqyron rrënjët tona dardane

“Romani me temë historike “Kalorësit e Dardanisë” zbulon një paralele komperative dhe prototipe përderisa gati të gjitha artefaktet janë marrë nga të huajt në tokat dardane e ilire, ata kanë zhveshur identitetin dhe rrënjët tona, por në anën tjetër, në kohën post moderne po synohet mjaftueshëm që të merret e të shquhet edhe shpirti e fryma dardane në Kosovë”, ka thënë Cakolli.

Kurse redaktori i librit, Shaban Arifaj, stilin përshkrues të Gani Mehmetaj e krahasoi me atë të shkrimtarit Ismail Kadare.

Arifaj: Romani tejkalon parametrat e një romani historik

“Ky roman jo vetëm me ngjarjet por edhe me shkrimin, përmbajtjen dhe stilin tejkalon parametrat e një tregimi historik. Përmbajtja, shtjellimi i ngjarjes dhe përshkrimi i personazheve bëhen sikur autori të ketë qenë prezent në periudhën për të cilën ai bën fjalë”, ka thënë Arifaj.

Rreth librit foli edhe shkrimtari Prend Buzhala, i cili tha se se ky roman është ndër librat e rrallë që trajton si duhet tematikën e lirisë.

Gani Mehmetaj është shkrimtar, dramaturg e gazetar nga Peja. Mehmetaj ligjëron si profesor në Fakultetin e Arteve e njëherësh mban pozitën e drejtorit të Kosovafilm-it qysh prej vitit 2003. Gjatë viteve 1997-1999 ai kishte punuar si redaktor e më pas kryeredaktor në gazetën “Rilindja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat