Lasgush Pogradeci – poeti i lartësive dhe thellësive të pafund të letërsisë shqipe

Libra

Lasgush Pogradeci – poeti i lartësive dhe thellësive të pafund të letërsisë shqipe

Nga: Mikel Gojani Më: 31 janar 2019 Në ora: 11:12
Kopertina e librit

Moikom Zeqom emër shumë i njohur në letrat shqipe. Veprimtaria e tij është e shtrirë në shumë zhanre të letërsisë, po ashtu edhe në shkencë. Ka shkruar libra në poezi, prozë, eseistikë; studime etj. Është krijues dimensional  e me interesa të gjera. Deri tash ka botuar mbi 60 libra me poezi,prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja, si në anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Është autor i tre ekspozitave vetjake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si prietar i post-modernizmit në letrat shqipe.

Një libër që ka zgjuar kureshtjen e lexuesve të shumë, po ashtu edhe të kritikës letrare, që ka botuar kohë më parë shkrimtari dhe studiuesi Zeqo, mban titullin “LASGUSHI I PANJOHUR”, (Sprovë për një lexim të ri), që i  dedikohet poetit dhe lirikut më të shquar të letërsisë shqipe të të gjitha kohërave, Lasgush Pogradecit.

Kush më mirë lajtmotivin e këtij libri studimor për Lasgush Poradecin nuk mund ta prezantojë se sa vetë autori i këtij libri Moikom Zeqo, i cili hedhjes dritë mbi këtë figurë shumëdimensionale, i është qasur me vullnetin dhe përkushtimin më të madh, duke pasur parasysh edhe vetë faktin se  për këtë  poet të lartësive poetike, asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha.

Lasgushi i Panjohur nuk është se bëhet në mënyrë përfundimtare i Njohur

Dyuke vlerësuar figurën dimensionale të poetit dhe lirikut më të shquar të letërsisë shqipe,  studiuesi i jetës dhe veprës së këtij kolosi të poezisë shqipe, M. Zeqo, shprehet se  “Lasgush Poradeci është dhe mbetet një nga lirikët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Ai është Poet i lartësive dhe i thellësirave të Atdheut  të tij Poetik, që nuk është gjë tjetër, veçse sublimimi  i Atdheut  të tij gjeografik, historik, që është  Shqipëria.  Poetika lasgushiane  përbëhet nga letër-kredencialet  e kombit  të tij. Të gjitha përsiatjet  tona, as nuk e ndriçojnë më tepër, por as nuk e mjegullojnë terrshëm  figurën e Poetit.  Lasgushi, metaforikisht  është i Plagosuri i Madh nga Dashuria.  Nuk mund të ketë një Post Scriptum Epilog për Lasgushin. Lasgushi i Panjohur nuk është se bëhet në mënyrë përfundimtare i Njohur. Kjo ka të bëjë në  me pakufishmërinë  e simimotikës letrare, madje  edhe me ambiguitetin  e atributeve të saj. Vepra e tij poetike është  njëkohësisht e mbyllur në strukturën  drejtshkrimore, e mbyllur në caqet përfundimtare të tekstit, por njëkohësisht është e hapur  pafundësisht. Botimi i këtij libri mbështetet  mbi materialet krejtësisht të panjohura më parë, që lidhen me krijimtarinë e Lasgushit, por sidomos  si risi është optika  e një rikonceptimi  të vlerësimeve  më adekuate të Poetikës  Lasgushiane.  Poeti është simantizuar  si Gjeniu i Anijes, por kryemetafora e tij është Nositi, d.m.th. Pelikani, shpend  heraldik i legjendës së  Vetësakrifikimit, që u jep  si ushqim  zogjve  të tij të uritur mishin etrupit të vet. Dhe përfytyrimi tjetër  i  Përjetshëm i Poetit është  qiellorsisht fluturimi i fundit i shtërgut. Liqeni është sarkofagu i tij i kristaltë, por shpirti i tij është përherë kozmoz”, shprehet studiuesi M. Zeqo.

Kjo vepër, kushtuar 30- vjetorit te vdekjes se Lasgushit, dëshmon për një angazhim dhe guxim të madh për të shkruar dhe medituar mbi një nga figurat madhore të letërsisë sonë, të cilin kritika letrare si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë dhe kudo tjetër, Lasgush Poradecin e kanë cilësuar njëri nga talentet më madhore të poezisë, një personalitet i rrallë i kulturës sonë kombëtare

Në jetë, sa herë kujtojmë apo shkruajmë më personalitetin më të shquar të vargut poetik të letërsisë shqipe, Lasgush Poradecit, gjithherë, si vegim drite na përfytyrohet figura e të qenit të tij, e të rilindurit  të tij, bashkë me veprat që ka lënë pas dhe që i njohin lexuesit, por edhe shumë të tjera që akoma nuk kanë pasur fatin të ndriçohen, mirëpo ndodhën në minierën e arkivave të tij.

Me qëllim që edhe sa do pak më shumë për të hedhur dritë mbi këtë figurë të ndritur të letërsisë, artit dhe kulturës sonë, shkrimtari dhe studiuesi i shquar, Moikom Zeqo, ka shkruar këtë libër, të cilin sot e kanë në duar lexuesit, njohësit dhe studiuesit të letërsisë letrare, kryesisht kritika letrare, të cilëve  është ofruar mundësia ta lexojnë dhe studiojnë.

Këtë libër,  autori Zeqo, i kushton kujtimit të Nafije Mema Gushos, gruas së  Lasgushit dhe  dy vajzave të tij, Kostandinës  dhe Marias.

Libri është i ndarë në disa pjesë konceptuale që ndërtojnë një strukturë unikale të këtij libri: Pjesa e parë, “Midis Stillës së historisë dhe karidbës së ëndrrës”; Pjesa e dytë, “Aventura misterioze e jetës”; Pjesa e tretë, “Miti i binjakëve”; Pjesa e katërt, “Luçiferri i përmbysur”; Pjesa e pestë, “Pelikani i vetësakrifikuar  me gjak njeriu”; Pjesa e gjashtë, “Poemologjia “; Pjesa e shtatë, Kaleidoskopii universit”; Pjesa e tetë, “Përkthyesi, karrocieri i qytetërimeve”; Pjesa e nëntë, “Vorbulli i letrave”, Pjesa e dhjetë, “1999, 100-vjetori i lindjes së Lasgushit”; Pjesa e njëmbëdhjetë, “Post scriptum pa epilog”;  Pjesa e  njëmbëdhjetë, “ “Apendix:”Lista pesshme e një biblioteke”, dhe pjesa e fundit, “Nga albumi”.

Në pjesën e parë, “Midis Skillës së historisë dhe karidbës së ëndrrës”, autori Zeqo, shkruan sikur një fjalë paraprake, përmes së cilës shkruan  për figurën, vlerat dhe duke shpalosur kujtime të shumta nga momenti kur ai njihet me Poetin, deri në fundin e jetës së tij.

Është një fakt i qëndrueshëm që të shkruash për një poet me vlera kaq kulminant dhe me dimensione të pakrahasueshme, sa është privilegj, po aq është edhe përgjegjësi. Me këtë konstatim sikur pajtohet edhe studiuesi Zeqo, i cili edhe vetë e pranon se të gërmosh dhe hulumtosh botën letrare dhe poetike të Poetit (të cilin Zeqo nuk mund ta quajë me asnjëherë tjetër përpos të këtij –POETI), do të thotë të hulumtosh në një botë letrare pa limite, një botë të pafund frymëzimi dhe zbulimi të asaj çka ka krijuar dhe çfarë shpreh në botën e tij Poradeci.

Kështu, pra, duke folur për Poradecin, autori sikur e pranon  që për POETIN asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha, asnjëherë artit të tij, poezisë së tij, botës poetike dhe artistike të tij nuk mund t’i vësh pikë! Dhe, me këtë konstatim lirisht mund të pajtohet çdonjëri që lexon këtë vepër monumentale të krijuesit Zeqo, i cili, pra si subjekt merr poetin e dimensioneve të jashtëzakonshme, pa vargut e tij cilit letërsia poetike shqipe me siguri se do të kishte qenë më e varfër.

Pra, kush më mirë do ta përshkruajë vlerat poetike dhe artistike, po ashtu edhe figurën e  Poradecit se sa Zeqo, nuk besoj se do të ketë mundësi ndonjë studiues tjetër ë botës sonë studimore, profesionalizëm, me aq përgjegjësi dhe përkushtim, sa është vështirë të ta përshkruash brenda një studimi, aq më tepër lakonik.

Lasgush Poradeci për mua ka qenë  një nga njerëzit  më të çuditshëm që kam njohur, një nga shkrimtarët  më interesant të të gjitha kohërave”

Një ndjenjë “privilegji”,  studiuesi Zeqo,  për t’iu qasur në mënyrë kaq të mprehtë dhe me një qasje kaq të hollë kësaj figure është se studiuesi Zeqo ka njohur POETIN dhe se një kohë të jetës ka kaluar bashkë, bashkë me të, me familjen e tij, miqtë e tij etj. Sprova e kësaj jete të përbashkët  e Zeqos  me POETIN i ka dhënë kuraje për punë kaq të ngulm, kualitative dhe frytdhënëse.

“Ndaj nuk gaboj aspak kur flas për Lasgushin e Panjohur.

E kam njohur për të gjallë Poetin. Kam biseduar me të. Kam njohur njerëzit e familjes së tij, shokët e tij që ishin gjithashtu personalitete të artit, të kulturës, por edhe të shkencës. Kam dëgjuar vlerësimet e tyre për Poetin. Krijohet kështu në përgjithësi një përshtypje universale, por që nuk mund të jetë në asnjë mënyrë një njohje absolute. Jam i  sigurt që edhe librat e tjerë që do të shkruhen për Poetin nuk kanë për ta bërë atë të njohur  përfundimisht. Por, gjithsesi, studimet janë reflektime dhe nga shekulli në shekull  shpesh krijojnë mitizime për Poetin. Nganjëherë edhe mohimet eksleziastike, apo edhe rikoncentrime më të pranueshmeqë kanë  dhënë  sharmi shkencor, më ekuilibrues, më tipologjik.

Lasgush Poradeci për mua ka qenë  një nga njerëzit  më të çuditshëm që kam njohur, një nga shkrimtarët  më interesant të të gjitha kohërave”, shprehet ndër të tjera studiuesi Zeqo.

Autori Zeqo shpalos shumë kujtime të tij dhe takime që ka pasur me Poetin në Kullën e Poetit në Pogradec, po ashtu edhe në Vilën e tij në Tiranë.

Sikurse në shumë shkrime dhe studime që janë shkruar për Poradecin dhe kudo potencohet miku më i ngushtë i Poetit, Cuci, këtij protagonist të pashmangshëm të Lasgushit, nuk i shmanget as Zeqo, i cili pos shumë ngjarjeve që rrëfen për jetën e POETIT me Cucin, ai me plot emocione, mbase edhe të ligjshme, flet edhe për trandjen e shpirtit të Poetit për “vdekjen” (siç e quan Lasgushi), të Cucit, të cilin e varros në oborrin e vilës së tij.

Studiuesi Zeqo,  sqaron që raportet e tij me Poradecin ishin tepër të thella dhe shumë miqësore, sa nga ai ka mësuar shumëçka  që lidhej me jetën dhe veprën e tij. Poeti i  tregon mikut tim të Zeqos, për përkthimet e tij që i ka bërë poezisë së Bodlerit dhe krijuesve të tjerë të letërsisë botërore;  leximet e tij që iu ka bërë  shkrimtarëve më elitarë të letërsisë europiane e botërore, Pierre Reverdy, Kantit, Shopenhauerit etj., pastaj njohjen dhe miqësitë e tij  me Kutelin, Eqrem Çabejin, Skënder Luarasin (të njohur qysh gjatë studimeve në Graz të Austrisë), pastaj për skulptorin Odise Paskalin dhe,  sipas autorit të librit,  Zeqo, Gjergj Kastrioti –Skënderbeu dhe Naim Frashëri për Poetin ishin gjithçka. Po ashtu autori Zeqo gjatë këtyre takimeve mësoi edhe për raportet e tij me Aleks Budën dhe shumë shkrimtarë, studiues, artistë e personalitete të tjera të jetës letrare, studimore e artistike etj.

Në bisedat e këtyre dy bashkëbiseduesve, të autorit të këtij libri dhe protagonistit, Poradeci, autori mëson gjera që lidheshin edhe me jetën intime tëPoeti. Ai shpalos se gjatë bisedës së tij më Poetin rreth Migjenit, Poeti i sqaron se “poezitë e Migjenit  të botuara në gazetat dhe revistat e kohës  i ka kopjuar me dorën e tij. Më pastaj, sqaron autori Zeqo, tregon se nga këto biseda me Migjenin mëson diçka tejet interesante dhe befasues  se  Poeti Poradeci kishte dashur të martohet më motrën e Migjenit Ollgën, që sipas Poradecet kishte qenë një ajzë tepër inteligjente dhe e bukur, porse ia ishte  “rrëmyer”, “sherraxhiu”, Skënder Luarasi, të cilin e donte dhe e çmonte, mirëpo e quan me këto shprehje shakaje nga ndjenja e respektit që kishte për të dhe ai njihte shumë mirë  seriozitetin e Luarasit.

Në kuadër të rrëfimeve të shumta që shpalos autori nga kujtimet me Poetin, ai po ashtu tregon se  nganjëherë në takimet me Poradecin ka recituar përmendsh poezitë e tij , e sidomos vargje:

“Se s’dashuroja unë e ti,
po dashuronte Dashurija,
një dashuri plot fshehtësi,
me e fshtë se fshehtësia.

Me këtë rast, autori sqaron edhe përçimin e vërejtjes që i adreson Poeti kur ka të bëjë te  vargu “më e fshehtë se fshehtësia”, autori sqaron se në këto vargje  ka bërë një ndryshime dhe vargjet kanë marrë  këtë përmbajtje: Më e fshehtë se fshehtësia…”

Lasgush Poradeci për Moikom Zeqon: Moikomi është me ndjenjë të brendshme  dhe me shumë shprehje  të shkëlqyeshme artistike

Në vijim të këtyre rrëfimeve që shpalos autori, argumenton  se  Poradeci kishte lexuar disa nga librat e tij, dhe sipas tij Poeti kishte lënë të shkruar në ditarin e tij për vlerat e artit dhe letërsisë së  Zeqos. Sipas Zeqos, Lasgushi ndër të tjera kishte shkruar: “Moikomi është me ndjenjë të brendshme  dhe me shumë shprehje të shkëlqyeshme artistike. Pa këtë zotësi  artistike (domethënë estetike), nuk ka shkrimtarë as poetë”, kishte shkruar Lasgushi në ditarin e tij lidhur me vlerat letrare dhe artistike të shkrimtarit M. Zeqo.

Pos shumë evokimeve të tjera të autorit Zeqo me Lasgush Poradecin, si “Legjendën “ e 200 fjalëve”, përmes së cilës protagonist Poradeci sugjeron autorin se poezia mund të shkruhet me dyqind fjalë. “Poezia nuk është te fjalët, poezia është te Poeti. Nëse Poeti në pafundësinë e fjalëve  i zgjedh vetëm dyqind fjalë që të kenë  edhe karakteristikën e vet Poeti, ai ka mundësi më me anë të intuitës dhe të fuqisë së madhe të frymëzimit  të bëjë me këto  dyqind fjalë çudira të vërteta poetike. Këto dyqind fjalë mund të pjellin  njëzet  mijë poezi. Ky është sekreti”,i përgjigjet Poeti autorit Zeqo.

Në vijim të këtij libri, përkatësisht në  pjesën e  dytë “Aventura misterioze e Jetës”, këtu autori Zeqo fokusohet në rrugëtimin jetësor dhe veprimtarinë e poetit Poradeci, duke u fokusuar te dy përmbledhjet e tij poetike, “Vallja e yjeve” (1933) dhe “Ylli i zemrës” (1937), që të dy këto përmbledhje poetike të botuara  në Rumani.  Libri i parë, “Vallja e yjeve”, u botua me ndihmën e Asdrenit, ndërkaq libri i dytë i titulluar, “Ylli i zemrës”,  u botua me ndihmën e Mitrush Kutelit.

Si lajtmotiv të përmbajtjes së këtyre dy përmbledhjeve poetike, autori Zeqo, nxjerr një mendim të studiuesit të letërsisë shqipe, Rombert Elsiet, i cili ndër të tjera shprehet:”Janë vërtet një revolucion në poezinë shqiptare, po aq sa ishte përmbledhja e Migjenit “vargjet e lira”, më saktë thuhet se ato janë  zhvillimi i një personaliteti origjinal që përbën  një shkëlqim meteorik  të viteve ’30 të shekullit XX.”, shprehet Elsie. Në vijim autori i këtij libri jep dis atë dhëna tepër të rëndësishme  për Lasgush Poradecin, pastaj shpalos  një ditar të Poetit, të përgatitur nga vajza e tij Maria Gusho, me ç’rast poeti shënon momente më ekskluzive nga jeta e tij:

“Poradec, e Hënë, 29 shtator 1980. Moikomi më tha se “do të vëmi në Kosovë, në prillin ose maji e ardhmë  (1881). Unë i kam thënë  këto ditë se “kam disa kondita që të vete në Kosovë”. Moikomi më tha se pregatitjet  për vajtjen time në Kosovë  (Prishtinë) janë të gatshme. Po unë nuk e kam fjalën për  “Përgatitjet  që – qenkan gati. Unë kam kondita që të vete në Kosovë”, shprehet Poradeci.. Në këtë pjesë po ashtu kemi edhe pjesë të ditarit për Lasgushit, që ka të bëjë me  Asdrenin, pastaj flet për  Nafijen, bashkëshorten e Poradecit etj.

Raportet e Lasgushit me Çabejin dhe Kutelin iu qëndrojnë kohërave

Pjesë mjaft interesante paraqet edhe pjesa e tretë në vijim të këtij libri i titulluar “Miti i Binjakëve”. Në këtë pjesë të këtij libri, autori Zeqo,  përpos shumë gjerave  që shpalos, të cilatlidhen me jetën e Lasgushit, në fokus, përkatësisht,  nxjerr në sipërfaqe  raportet e  Lasgush Poradecit me  Eqrem Çabejin, njëherësh edhe me Mitrush Kutelin,me të cilët Lasgushin e lidhin shumë gjera që i kanë qëndruar dhe do t’u qëndrojnë  pambarimisht kohërave. Kështu që,  autori,  dëshmon që miqësia midis Lasgushit dhe Çabejit  ka qenë e pazakontë, dhe sipas tij kjo dëshmohet përmes fotografive të shumta që kanë realizuar bashkërisht, fotografi këto që  ishin dhe mbeten të pazëvendësueshme. Dhe këto fotografi portretizojnë  dy figura pothuajse të binjakëzuar, sepse  përpos miqësisë së  thellë që kishin ata  visheshin me  rroba të njëjta, kapele të njëjta mbanin në kokë etj. Po ashtu,  letrat  brenda harkut  kohor të 25 vjetëve  midis tyre janë tepër të çuditshme  dhe me plot intimitet shoqëror.

Një ndjenjë e tillë e  një miqësie të pafundshme vërehet edhe tek raportet e Lasgushit me Kutelin (Dh. Paskon). Edhe korrespodencat midis këtyre dy kolosëve të letërsisë sonë kanë qenë të vazhdueshme dhe janë përshkuar me larushi temash dhe motivesh, të ngërthyera me mendime dhe emocione në dimensionin kohor.  Sipas autorit kjo korrespodencë ka filluar në vitin 1928 dhe vazhdon drejt në fund të vitit 1944. Dhe sipas autorit, “subjektet kryesore  të korrespondencës  kanë një karakter fundamental për të mundësuar se si bashkëpunimi midis Lasgushit dhe Mitrushit është i pazëvendësueshëm në rrafshin e botimit tipografik të dy librave kryevepra të Poetit: “Ylli i zemrës” dhe “Vallja e yjeve”.  Prandaj,  në këtë pikë Mitrushi  dëshmohet si një mik i pashembullt, i përkushtuar, sakrifikues deri në fund. Ai e adhuron Lasgushin de ka ndjenjën më të lartë të respektit. Ndërkaq, sa i përket  figurës së  E. Koliqit, Lasgushi ka qenë më i përmbajtur  në vërejtjet kundërvënëse në raport me Kutelin, sepse, sipas tij,  Kuteli është më luftarak, më i papërmbajtur, madje edhe më i qartë. Në këtë proces të njohjes  dhe kundërthënieve urrejtëse  ndaj Koliqit shumëfishohen atëherë kur ai bëhet zyrtar i lartë i Qeverisë së fashizmit në Shqipëri dhe me këtë rast  ai shkrojti një poezi kundër Koliqit, e cila poezi u botua  në vitin 1988 dhe nuk besohet se Koliqi do ta ketë lexuar këtë poezi  për së gjalli, ngase  ndërkohë ai kishte vdekur.

Nga ditari i Lasgushit mësojmë  se më 10 maj 1967 Mitrush Kuteli kishte vdekur dhe Lasgushi i shoqëruar nga doktor  Misto (Themiskol Marko), shkoi te varrezat në Tiranë,  ku mbërriti në orën 6 pa 15 minuta. Sipas Lasgushit,  aty ishin kurorat, më saktë 7 kurora. Lasgushi shënon mbi shkrimet e kurorave, dy kurora ishin zyrtare nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”,

Lasgushi ka shkruar për rrëfimet e Kutelit, konkretisht për librin “Net Shqiptare”. Këto tregime kishin tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe se ishin tregime që ishin botuar në mërgim. Dhe sipas Lasgushit, Kuteli e rindërton  tipin e përgjithshëm të  iluzionit. Lasgushi mendon se Kuteli si prozator ka një vend të veçantë në letërsinë shqipe edhe kundrejt novelistëve, në radhë të parë të atyre të Veriut.

Kjo substancë e këtyre raporteve në mes  Lasgushit dhe  Kutelit tëhollohen në një rasti që lidhej me natyrën private, ku Kuteli si reaksion i  atyre raporteve të krijuara  fillon të  shkruajë në mënyrë tendencioze për  poezinë e Lasgushit, duke e quajtur edhe “dekadent”. Megjithatë, Lasgushi nuk iu kundërvihet atyre, sepse sipas tij ishte jo korrektësi  t’i kundërvihet një miku të shtrenjtë, siç e kishte pasur Kutelin. Mirëpo,  Lasgushi nuk është në gjendje që ta fut në “thumb” shokun e tij, Dh. Paskon.

Pjesa vijuese e këtij libri titulluar “Luçiferri i përmbysur”, ka të bëjë rreth doktoraturës së  Lasgush Poradecit, më 1933 në Fakultetin Filozofik të Grazit, me ç’rast Lasgushi si udhëheqës ka pasur  dr. Adolf Zouner dhe dr. Fridirich Schur. Kjo tezë e doktoraturës është shkruar në gjermanisht, ka edhe citime në gjuhë frënge, rumanishte dhe latinishte. Ndërkaq në vitin 2009  doktoratura është  përkthyer nga origjinali në gjermanisht nga Koço Bendo, ndërsa është redaktuar nga Afrim Koçi.

Doktoratura ka të bëjë  me profilin jetësor dhe të veprimtarinë letrare të poetit më të shquar rumun, Emineskut, i  cili në poetikën e tij krijuese pasqyron  shpirtin  e kombit të tij rumun, poet ky që njëherësh  njihet edhe si reformator i madh i artit  poetik dhe i vetë letërsisë rumune.

Një vazhdim të kësaj pjese po ashtu kemi edhe  esetë e shkruara të Lasgushit për  poetët e mëdhenj të letërsisë shqipe, Naim Frashërin dhe Gjergj Fishtën. Naimin duke e personifikuar  si “symbol i gjallë i lindjes dhe rilindjes  së kombit”, ndërsa për Fishtën Lasgushi mendon  se lirika e Fishtës “qëndron  shumë lartë dhe shumë thellë, nuk shtrihet as gjerë, as gjatë, ajo domethënë ëështë thjeshtësisht frymëzim. Një vepër që ka frymëzim, që ka tronditje shpirtërore, është lirikë vetvetiu”, shprehet Lasgushi.

Pjesa  e pestë e  titulluar, “ Pelikani i  vetësakirfikuar me gjak njeriu”, është nga pjesët më të rëndësishëm të studimit të Zeqos. Zeqo ndalet këtu te  koncepti i vëllimit poetik “Vallja e Yjeve, libri i parë  i Lasgushit, një libër me shumë bujë; nj libër i sistemuar në cikle  përmbajtjesore, “duke krijuar një llojkozmogonie poetike”. Sipas autori, poezia  e parë është “Zog i Qiejve”, brenda të cilës poezi ngërthehet një varg  shumë befasues dhe tepër shpërthyes dhe një “sfidë të papërballueshme”

“Këng’ e lasht’ më pëlqeu aq fare pak..”

Dhe sipas Zeqos,   Lasgushi është i vetëdijshëm, në historinë e letërsisë shqipe,   përpara tij ai kërkon të  thotë diçka të re dhe se “nga fundi i vetvetes do të këndojë një  mall të ri”.  Është shumë mahnitëse kur Lasgushi shkruan vargje me një thellësi të pafund në aspektin motivor, njëherësh edhe  të një arritje të lartë natyrshmërie poetike. Kjo arritje e poetit që befason cilindo lexues kur merr parasysh që këto vargje i ka shkruar në moshën  22 vjeç, duke thithur edhe “lartësirat qiellore”:

H! Ç’të zotëroi Drita! Ç’të përshkoj një gas i ri!
Se të ndjellë një Frymë - e largë tej nëpër paanësi!...
Nër paanësi të ndrijnë yjt’ e ndezur varg-e varg;
Ti me mall të paqetar fluturon  larg-elarg…

Dhe sipas autorit Zeqo, në vegimin poetik të Lasgushit  poezia është një “Lajmës Qiellues”.

Në vijim të këtij libri Zeqo potencon edhe poezi të shumta që ngërthejnë karakteristika të veçanta dhe vlera shumëdimensionale, sinë aspektin ideor, njëherësh edhe në atë esteto-artistik etj.

“Nata është për gjithë  planetin, por për Lasgushin e përvëluar  nga malli është “Nata Shqiptare”.

“Një shqiponjë –e arratisur  fluturon në Mal-të-Thatë-
Futet zemra djaloshare mund në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta ra… u dogj … e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…

Por tashi:
Dyke nisur udhëtimin mespër-mes nër Shqipëri,

Drini plak e i përmallshmë  po mburon prej Shëndaumi…

Poezitë e shkruara të Lasgushit  që i kushtohen liqenit të Ohrit, autori Zeqo i vlerëson si “varg me perla”. Natën e përshkruan me  shumë vuajtje,  ndërsa agimin me “një gëzim të ri shpirtëror.

Pra ja! Pra ja! Se dita ndezi,
Se fund’ i  ujit vetëtiti,
Se posi lajmëtar-mëngjenzi,
Del zogu – i bardh’ i një nositi…

Autori Zeqo në vijim i vlerëson lart disa poezi të tjera  të një frymë  mjaft peizazhiste dhe nga më të bukurat në letërsinë shqipe, si poezinë  “Korrik”, “Zog Hardhushi”,  “Mabrim Vjeshte“ Dimri” etj.  Po ashtu,  në vijimësi autori veçon edhe  tjera ciklike, si “Lundra dhe Flamuri”, Gjeiu i Anijes, “Vdekja e Nositi”, ku Nositi personifikohet me vetë Lasgushi. Në imagjinatën e Lasgushit Nositi  është sakrifica  e përjetshme. Autori sqaron se  “Motivi i Nositit nuk tingëllon  aq një rrëfim apo ilustrim  për figurën e Krishtit. Nositi është vetë Lasgushi.  Ai nuk ka as ndrojtje, madje asnjë hipokrizi  dhe formalizëm hieretik, për të nguruar, për të dyshuar, për këtë identifikim. Identifikimi nuk vjen nga Nositi. Identifikimi vjen nga  Lagushi  te Nositi”, shprehet autori Zeqo.

“Me zjarr ju flas.,, me zjarr…
më gjithin tim kam hapur varr…
që t’i jap shpresë –edhe t’j-a marr…

Un’ ik liqerit zemërak
fatlum dhe’i pastër si zambak,
po zemra ime kullon gjak…

Sipas studiuesit M. Zeqo, poezia “Vdekja e Nositit” është poezia më simbolike në gjithë poezinë e letërsisë  shqipe.

Në vijim studiuesi Zeqo,  i  potencon edhe  disa  cikle të këtij libri, si “Vallja e Qiellit”, “Vallja e Dherit”, “Vallja e Yjeve”, “Vallja e Përjetësisë”,  “Vallja e Vdekjes”. Ndërkaq ,  ciklet e librit të dytë “Ylli i Zemrës”, veçon ciklet, si “Zemra e Qiellit”, “Zemra e Dherit”, “Zemra e jetës”, “Zemra e Përjetësisë”, “Zemra e Vdekjes”.

Në vazhdën e këtij studimi autori Zeqo prezanton edhe disa  poezi pak të njohura të  Lasgushit, si “Vajtimi i Engjëllit”, “Zemërimi Jonë”, “Vesa dhe loti”, “Zotit Gjakim” etj.

Te kapitulli vijues, “Poemologjia”, vërehet një frymë filozofie, ku takojmë emra filozofësh,   si Sokratin, të cilin Lasgushi e adhuronte pa masë, pastaj Thoma Akuinin, Fridrih Nicenë, Heraklitin etj. Sokrati ishte filozofi dhe mendja më e ndritur e Lsgushit. Sipas tij Sokrati konsiderohet  një reformator i madh i filozofisë, sepse, sipas tij përcaktoi moralin, drejtësinë, ligjshmërinë “për t’u shërbyer  njeriut, fisit njerëzor pa dallim, tërë përbërësve të kolektivit shoqëror”.

Jo moral ëë  shfrytëzon,
asa Moral që rrjep e zhvat,
po që i vlen vetëm njeriut
Ah! Sa bukur, o sokrat!

Lasgushi përmes  shëmbëlltyrës  së  filozofit të njohur, Sokratit, hedh poshtë, anatemon zotëritë politeist, ithujtarinë etj.

Autorinuk lë anësh as filozofë të tjerë, si Civeronin, Heraklitin, Platonin  etj. Shumë ka farë lexohet nga Lasgushi për filozofët dhe filozofinë, vërejmë që kemi të bëjmë me një poet që vërtetë njihte mirë shkencën e filozofisë dhe  filozofët qysh nga kohërat mesjetare dhe deri në kohëte vonshme.

Ndër poetet më të adhuruar të letërsisë shqiptare, Lasgushi admironte shkrimtarin e Rilindjes Kombëtare Naim Frashërin, vargun e të cilit e vlerëson me një natyrshmëri të thellë  poetike dhe vlera të mirëfillta ideore.

Lasgushi i ka kushtuar dy poema  të cilat janë të  frymëzuara nga figura e poetit të madh dhe “bilbilit të gjuhës shqipe”, Naim Frashërit. Asnjë nga poetët e letërsisë shqipe  nuk kanë arritur që t’i zënë vlerat e Lagushit në këtë përkushtim, ku  “atdhedashuria, përfytyrimi kozmik, idenëikandeshente krijojnë dika më të fuqishme se sa bronzi i monumenteve”.  Në poemën e parë të quajtur  “Naimi”, na “një tis baladik. Naimi shfaqet ë nga ai sheshi i purpurt i Qerbelasë, i sakrificës titanike dhe konceptuale në shekuj, duke i rënë durasë, mes trimërive atërgjyshërore, që kumtojnë  rreth e qark. Një zë i përmallshëm e sjellë në dritë e mendimi ku Naimi:

Ndj fërfërllon si yll me flakë
prej shkretëtirës së  harrimit”.

Në vijim kemi një shkrim të Skënder Luarasit për Lagush Poradecin, i cili shkruan  dhe ngreh lart verat poetike të  këtij liriku të papërsëritshëm të letërsisë shqipe. Te analiza që autori i  bën poema  “Makadeva”, të L.Poradecir, autori Zeqo,  këtë poemë e vlerëson si  njërën nga poemat më të çuditshme  dhemë të pakrahasueshme  për dashurinë në letrat shqipe. Sipas autorit, duke e shpjeguar shprehjen Kamadeva, ai sqaron që Kamadeva  është emri i  Hyjit të Dashurisë në mitologjinë  indiane, sikurse që Eros që është në mitologjinë greke. Autori sqaron që poema është  një lirikë e fuqishme. “Dashuria në vetvete është subjekt i subjekteve. Pra, një subjekt i padukshëm  në dukshmërinë e vargjeve. Është drama dashurore , ose tragjedia  erotike e poet  me të dashurën e tij tokësore ose të përfytyruar.  Është një dashuri përvëluese  kur të dashuruarit vërtite rreth njëri-tjetrit me “dëshpërim në sy dhe me shpirt të ndritur”. E dashura  është akretipi i të gjitha të dashurave”, shprehet autori Zeqo.

Më çfaqi përandej
Sa yj që jemi,
sa vazha që ju ndjej
Naj vini e veni.

Ndaj derthni pa përgjërim
dyke kundruar,
m’a tundni shpirtin tim 
të ngashëruar…

Pikturat e Lasgushit shpalosin një botë të veçantë artistike, me një natyrshmëri shumë të thellë

Te pjesa e shtatë, “Kleidoskopi i universit”, autori i  monografisë,  Moikom Zeqo, i qaset botës artistike të Lasgushit Poradecit. Kështu,  Poradecin e prezanton si një mjeshtër të rrallë të botës artistike. Autori shpjegon se  koleksioni i pikturave të Lasgushit  është ruajtur  për shumë vjet në arkivin  e familjes, mirëpo një pjesë e tablove me ngjyra  të  pikturave të Lasgushit kanë humbur, duke u humbur çdo shpresën  se do të gjenden.

Pikturat e Lasgushit shpalosin një botë të veçantë artistike, me një natyrshmëri shumë të thellë me tablo që gërshetojnë shumëçka, që preokupon botën artistike të  tij. Lasgushi pikturon mrekullitë  magjepsëse dhe tepër atraktive me gjithë tablotë dhe sfondet shumëngjyrësh të  liqenit dhe botës natyrore që rrethon;  buzë atij liqeni piktural rrjedh pothuaj i gjithë frymëzimi i tij letrar, por edhe artistik, pelikanët, sidomos Nositin, por edhe portrete të miqve të tij, si të Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit), Asdrenit, vëllait të tij  Pandeli Gushos, Portret vajze me folke të mbledhur”, “Portret i  Aleks Çaçit”, “Eçrem Çabej duke pirë cigare”,  “Portret vjershëtorit  Zef Skiroi”, “Autoportret”, “Naim Frashëri”,  “Portret femre ne Greqi”,  “Portret i Asdreni”,  “Kambanorja e Shën Mërisë Voskopojë”, “Portret i Krishtit” dhe shumë peizazhe dhe portrete.

Kontributi i Lasgushit edhe në botën letrare të përkthimeve është i frytshëm dhe tejet i rëndësishëm. Vlerat e tij në këtë fushë autori Zeqo i prezanton te pjesa e tetë, “Përkthyesi, karrocieri i qytetërimeve”. Në këtë pjesë autori shpalos botën e përkthimeve të  Lasgush Poradecit, duke përkthyer krijimet letrare dhe poetike të emrave elitarë të letërsisë botërore, si poezitë e  Reobert Bërnsit;  krijimtarinë poetike  të poetit të njohur autriak, Nikolans  Lenau  (1802-1850), , poezitë e poetit të famshëm gjerman, Bertold Breht,  etj.

Në pjesën vijuese  të titulluar “Vorbulli i letrave”, autori Zeqo na i prezanton disa letërkëmbime të  Lasgush Poradecit me disa personalitete të letrave dhe artit  të kohës, si me Dr. Nobert Jaklin, Asdrenin,  Odise Paskalin, Tefta Tashkon e të tjerë.

Në pjesën e dhjetë, që mban titullin “1999-100-vjetori I lindjes së Lasgush Poradecit”, autori Zeqo pasqyron  organizimin e Konferencës  Shkencore kushtuar 100-vjetorit të lindjes Lasgush Poradecit. Me këtë rast, autori prezanton Kumtesën e tij tematike, e cila  ngërthen çështje shumë interesante dhe tepër të rëndësishme që lidhen me figurën dhe veprimtarinë letrare,  poetike dhe artistike të Lasgush Poradecit. Në këtë kontekst, autori Zeqo jep sqarimin  se kumtesat  e kësaj konference shkencore  janë botuar  edhe si vëllim  më vete  në revista “Muzeumologjike”, viti 2000.

Lasgush Poradeci është Poet i Jetës!

Në vijim kemi  një shkrim tematik nga Dhimitër  Shuteriqi, “Kroi i fshatit tonë”, e ç’rast Shuteriqi  e bën një analizë tepër të thukët vargjeve të kësaj poezie  dhe përshkruan edhe ngjarje të tjera  që i përkojnë  atyre viteve dhe kohërave  kur shkrimtari ka shkruar këto vargje.  Në vijim nga studiuesi, Sedik Bejko, kemi  Shënime për artin e Lasgushit; një breës  nga Fasli Haliti që mban titullin, “Jo vetëm lirikë”; Dhori Qiriazi prezantohet  me një shkrim që man titullin, “Përsëri një shënim për Lasgushin”; Lida Miraj Zeqo, një shkrim tjetër, “Kujtime për  Poetin”;  nga Ervin Tahiri, shkrimin “Lasgushi” etj.

Pjesa e XI, “Post Scriptum pa epilog”, ngërthen një shkrim të një thellësie të pafund për nga përçimi i shumë gjera që lidhen me Lasgushin dhe mesazhet shumë të rëndësishme dhe tepër  me interes shumëdimensional do t’u shërbejnë brezave-lexues të ardhshëm, por edhe kritikës dhe studiuesve të letërsisë shqipe,  të cilët  do të kenë kureshtjen të merren me artin dhe vargun poetic të lirikut më të madh të të gjitha kohërave, Lasgush Poradecit.

Mendimin e eksploatova edhe nga studiuesi dhe eruditi i kohërave tona, nga autori i këtij libri, Moikom Zeqo, i cili në fund ndër të tjera edhe vetë shprehet: “

“Lasgush Poradeci është Poet i Jetës!

Lasgush Poradeci është dhe do të mbetet një nga lirikët  shqiptarë më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Të gjitha përsiatjet tona, as nuk e ndriçojnë  më tepër, po as nuk e mjegullojnë terrshëm figurën e tij.

Lasgushi metaforikisht është i Plagosuri i Madh nga dashuria”, shprehet studiuesi Zeqo.

Pjesa e XII-të,“Apendix:Lista e pjesshme e një biblioteke”, ku autori i librit Zeqo ka bërë në evidencë të librave që ndodhen  prej kohësh në bibliotekën e Lasgush Poradecit,  për të cilën bibliotekë dhe arkivin që gjendet aty, sot kujdesen me shumë përkushtim dy vajzat e Lasgushit, Marija dhe Kostandina.

Pjesa e fundit është konceptuar me titullin “Nga Albumi”, ku autori ka zgjedhura  piktura nga bota artistike e Lasgush Poradecit,

Kështu, krejt në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri  “Lasgushi i  panjohur”, i autorit Moikom Zeqo, është një libër me vlera shumëdimensionale, i  cili edhe më tepër ka begatuar figurën dhe veprimtarinë poetike dhe artistike të këtij kolosi të madh të letërsisë  shqipe; ka pasuruar edhe më shumë (meqenëse po e përsërisim edhe një herë se për Lasgushin asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha), megjithatë Zeqo me këtë vepër monografike e ka lënë një vlerë të pazëvendësueshme për figurën e kësaj kolane të letërsisë dhe artit  shqip, por edhe të letërsisë shqipe përgjithësisht.

Prandaj, figura dhe vepra poetike dhe artistike e Lasgush Poradecit do të rrojë sa të rrojë poezia, arti dhe kultura kombëtare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat