Dashamir Alliu, dje me pushkë e sot me penë....

Libra

Dashamir Alliu, dje me pushkë e sot me penë....

Nga: Zymer Mehani Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 22:29
Kopertina e librit

Dashamir Alliu me analizat, opinionet dhe me reagimet e tij i shëmbëllen një uragani të pandërprerë.

Ky libër me analiza, opinione, reagime është edhe një kontribut i çmueshëm dhe i pamohueshëm i ish-luftëtarit, shkrimtarit, publicistit  dhe veprimtarit të shquar, Dashamir Alliu, dhënë kulturës sonë kombëtare. Po ashtu kjo përmbledhje, veç tjerash është edhe një përpjekje e qëlluar e autorit Alliu për të vënë në pah vlerat dhe rëndësinë e shkrimeve me karakter analitik  për ngjarje të rëndësishme, të cilat ai i ka përjetuar si në luftë, ashtu edhe në paqe.

Pena e tij majeprehtë është sa e butë për miqtë e sinqertë dhe e urtë për të drejtën dhe të vërtetën, po aq e ashpër dhe e pamëshirshme për armiqtë, hipokritët, tradhtarët e maskarenjtë, që s’kanë humanitet, as karakter të shëndoshë, por më shumë u shëmbëllejnë zvarranikëve, ujqërve e hienave, që s’dinë të ngopen me gjak. Pra, pena e këtij autori është po aq e fortë sa edhe arma e tij e luftës. Autori mrekullisht di t’i përdor që të dyjat, sipas nevojës.

Autori Dashamir Alliu në shkrimet e tij është besnik ndaj të vërtetës dhe i pakompromis me mashtruesit, gënjeshtarët dhe labilët. Kur është fjala për vlerat e humanizmit dhe të atdhetarizmit, ky autor përherë e vë në pah shpirtin e tij luftarak prej atdhetarit të denjë. Asnjëherë s’mburret me bëmat e tij gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së, në radhët e të cilës u rreshtua, sapo u dha kushtrimi për mobilizim ushtarak, por po ashtu asnjëherë nuk hesht ndaj intrigantëve, manipulatorëve, gënjeshtarëve etj. etj. të cilët i demaskon me forcën e argumentit dhe me fuqinë e fjalës së vërtetë, që shkrimeve të tij u japin gjallëri dhe vlera të pakontestueshme.

Mbresëlënëse janë shkrimet në formë opinioni, analize a reagimi që autori i bën për epokën e lavdishme të UÇK-së, për individët që lanë gjurmë, siç është simboli i rezistencës sonë kombëtare, bacë Adem Demaçi, pastaj interesant është edhe sqarimi i autorit për enveristët dhe enverizmin te shqiptarët e Kosovës, që dallon plotësisht nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë.

Pena e Dashamir Alliut s’do të harrojë të shkruajë as për plagën që ende kullon në trup të kombit tonë, e cila quhet Çamëria shqiptare, që ende është nën kthetrat e Greqisë shoviniste. Me pietet të lartë, autori do të shkruaj edhe për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së të lavdishme, për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, që janë vlera jonë kombëtare.

Autori nuk do t’i kursejë së kritikuari, demaskuari dhe qortuari as mashtruesit, përfituesit në kurriz dhe në emër të UÇK-së. Po ashtu do t’i demaskojë edhe kolaboracionistët, pacifistët, shqipfolësit etj. etj...që ende kanë nostalgji për ish-Jugosllavinë dhe që mendojnë serbosllavisht, gjithmonë në dëm të interesit kombëtar.

Në shkrimet e tij, autori Dashamir Alliu ka trajtuar tema nga më të ndryshmet, që sot janë aktuale në shoqërinë tonë shqiptare, ku fatkeqësisht në skenë kanë ardhur antivlerat.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat