U promovua libri me poezi “Jetë në Uragan” nga nxënësja Eronita Thaçi

Libra

U promovua libri me poezi “Jetë në Uragan” nga nxënësja Eronita Thaçi

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 21:30
Pamje nga promovimi

Në Klinë sot u promovua libri me poezi “Jeta në Uragan” i autores Eronita Thaçi, botim i Shoqatës Kulturore “Jehona e Dukagjinit” në Klinë.

Në promovim folën Imer Pantina, redaktor i librit, i cili ndër të tjera tha se “autorja Eronita Thaçi në këtë fillim të prodhimit të vet letrar që e shpërfaq para lexuesit, vjen duke  detektuar hapësirat e brendshme, shpesh melankolike, për të reflektuar dhe madje, shpeshherë duke monologëzuar, që më pas të nxjerrë anga aty atë zjarrminë motivuese, atë shprehjen poetike që i trumbeton njerëzores. Është ky zjarri motivues që e nxitë një poete të re në moshë, për ta lënë në hapësirën e vet imagjinative që të japë ngjyra bukuria e njerëzimit dhe njëkohësisht, duke kaluar përmes atij “terri” që shpeshherë mveshet socializimi ynë”.

Ndërsa Mahir Morina, lektor i librit, dhe njëherësh udhëheqës i Klubit Letrar “Dritëro Agolli” që funksionon në kuadër të Shoqatës “Jehona e Dukagjinit”, shpalosi  projektet e kësaj shoqate, përkushtimin e saj në përkrahjen e talentëve të rinj.

Promovimi u mbajt në ambientin e Bibliotëkës së Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. U moderua nga profesori Bashkim Hoti, ndërsa, promovimin e përshëndeti drejtori i kësaj shkolle z. Xhafer Bashota dhe profesori Ramë Merlaku.

Në fund të pranishmëve iu drejtua edhe autorja e librit, e cila shpalosi emocionet e saja me rastin e botimit të librit të saj të parë me poezi.

Eronita Thaç, nxënëse e klasës së njëmbëdhjetë, me këtë libër e fillon karrierën e saj si poete.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat