Poeti që nuk bën kompromis me të keqen

Libra

Poeti që nuk bën kompromis me të keqen

Nga: Nuri Dragoj Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 09:42
Kopertina e librit

Poeti Petrit Malushi, fisnik në paraqitje, i qetë, i matur dhe me mendim të pjekur, serioz në atë që thotë dhe bën, dashamirës e kritikë njëkohësisht, është vizionarë dhe kërkues në çdo hap të jetës. Të tillë e shohim në kafe kur ulemi me të, i tillë është në shkollë, gjatë mësimit me nxënës të vet. Nuk di të përdorë fjalë banale. Madje ndihet keq kur flasin me gjuhë të tillë nxënësit apo koegët e vet, në punë, kafe apo rrugë qoftë. Beson në krijimin e një shoqërie ideale, beson te dashuria vëllazërore midis njerëzve, në njohjen dhe vlerësimin e meritave, në virtytet e tyre, beson te paanësia, të ndjenjat e mrekullueshme universale, te vlerësimi i specialistëve apo zyrtarëve në bazë të dijeve, talentit, në atë që mund ta bëjnë falë aftësive të tyre. Me këto cilësi e shohim Petritin dhe në librin e tij të fundit “Gjurmë jete”, i cili përshkohet nga dashuria për vendin, dhimbja për gjerat që nuk shkojnë si duhet, dëshpërimi për vuajtjet e njerëzve për shkak të pushtetarëve të paaftë e të korruptuar, përparësia që i jepet paditurisë dhe dhunës, ikja e të rinjëve pa ditur se ku etj.

Janë 100 poezi, 100 mesazhe për të shmangur të keqen, apo këshilla për të përqafuar më të mirën. Që në poezinë e parë autori shtron një shqetësim të madh, që ka të bëjë me gjuhën shqipe. Poeti Malushi bën apel për ta ruajtur dhe pasuruar atë, kudo që jetojnë e ponojnë shqiptarët. Për autorin, të gjithë njerëzit e kësaj toke i përkasin popullit shqiptar, duke shprehur edhe dhimbjen, nga fakti që nuk mungojnë rastet kur: Pjella të vet / Ia ndëshkojnë / Të vdekur e të gjallë.

Në poezinë e titulluar “Metamorfozë”, Malushi kritikon varësinë e njeriut nga politika, robotizimin e tij, duke bërë gjithçka që i thotë prijësi. Kjo ndodh sepse poetët e duan lirinë më shumë se kushdo tjetër, ndonëse ajo është përherë e munguar, kudo, në shtete apo kontinente të ndryshme. Për lirinë poeti bën gjithçka, sepse e di që liria është jeta, ndonëse ende vazhdon të jetë larg, shumë larg, atje në fund të tunelit të udhëtimit njerëzor. Nuk pajtohet me krijimin e njeriut të ri të sistemin komunist, as me pjellat e tyre që e plaçkitën këtë vend. “Na klonuan / Me luftën e klasave, / Lirimohuar, shpirtvrarë, / Zëmbytur, shijeshpëlarë, / Vështrimkëputur...”.

Me mjeshtëri ai shpreh pakënaqësinë ndaj zyrtarëve të lartë e të mesëm, të cilëve ua veshim ne pushtetin, por s’mund t’ua zhveshim më, edhe atëherë kur na tundin para syve çelësat e thesarit. Duke folur për pangopësinë e njerëzve në pushtet, në poezinë “Thonë, ...s’thonë”, poeti shkruan: Pushtetin njeriu po e mori, / Për ta mbajtur arrin në marrëzi... Malushi hedh në letër vargje të tilla sepse e di që përparimin e pengon padrejtësia shoqërore, lakmia dhe pangopësia e individëve, që bëjnë gjithçka për të patur pushtetin dhe shuar lirinë, ngaqë liri për ta është liria e tyre, e cila i ngazellën edhe më, sidomos kur dhunohen të tjerët.

Për të gjitha këto, autori ndjen “Zhgënjim”, sepse juve njerëz të pushtetit: “Humanizëm kërkoj e më jepni grykësi, / Tolerancës, hakmarrjen i vini pritë...”.

Për shkak të menaxhimit të keq të pasurive të Shqipërisë, korrupsionit dhe paditurisë, poeti e cilëson pushtetarin: “...Ujk gojëshqyer që dhëmb ngul, / Shushunjë që firon e thanë damarët...Shakull që fryhesh ditë e natë, / Tartabiq që trupin na mbush me pulla...”.

Poeti Petrit Malushi nuk ndihet i qetë, pasi bashkëqytetarët janë tmerruar nga premtimet boshe të politikës, për të rritur të ardhurat nga ekonomia e vendit, përmirësuar mirëqënien, ngritur rrogat, pensionet, për luftën kundër korrupsionit. Në të vërtetë nuk bëjna asgjë. ...Për tollombac-premtimet, / Xhepfryrje-zotimet, / Nga ne heshtje kërkoni... Sipas poetit kjo ndodh sepse, parti e pushtet janë, të lidhur më mënyrë të pazgjidhshme me korrupsionin, me paranë. Parti - Pushtet-Para! / Tri fjalë lidhur gërshet, / Gurosur e bërë kala! / S’i tund asnjë tërmet!

Me të drejtë poeti Mihal Gjergji thotë diku, se në rininë e tij, dinte se kishte vetëm një vdekje, se ajo ndodhte vetëm një herë dhe ishte atribut i zotit. Më vonë mësoi edhe për vdekjen e dytë, shpikjen e madhe dhe të shpifur të njerëzimit, politikën, sepse “përmes dhe nën pushtetin e saj vdesim çdo ditë nga pak”. Dhe më tej citon Oliver Kromëellin që në shekullin e 18-të, do të deklaronte në Parlamentin Britanik: “Ju jeni një kope vagabondash mercenarë, dhe, ashtu si Isau, do të shisnit vendin tuaj për një gjellë çorbë, dhe ashtu si Juda do të tradhtonit Zotin tuaj për të mbushur xhepat”. Aty është dhe politika jonë. Jeton në shekulliun e 18-të anglezëve, pasi vet ata jetojnë shekullin e 21-të.

Duke qenë i ndjeshëm në zhvillimet politike dhe përjetimet e shoqërisë civile, person që nuk e pranon të keqen dhe për pasojë s’mund ta duroj atë, përpiqet të ruaj balancën në këtë shoqëri njerëzore, megjithëse e ka të vështirë. Beson sepse jeton me shpresë. Vlerat të cilat i dëshiron dhe beson, mund të arrihen nëse punojmë dhe kemi dëshirë t’i pranojmë të bëhen pjesë e jona, pa menduar kurrë që mund të zbresë parajsën në tokë. Për këto arsye ai fshikullon paaftësinë që ka pushtuar administratën shtetërore, fallsitetin e politikës, që premton se do të vlerësoj të aftin, kur militantët e partive kanë mbërthyer zyrat kryesore dhe nuk hapin rrugë, ashtu sikurse ndodh, kur në një rrugicë të ngushtë, vihet gomari para kalit. Ndaj poeti pyet psikologun: Ç’shpjegim jep psikologjia, / Kur në krye, dalin fitues / Të shoshiturit nga paaftësia?

Petrit Malushi prek dhe një tjetër plagë të shoqërisë, atë të konfliktit që ka mbjellë politika, pasi për interes të karriges së pushtetarëve kanë humbur jetën shumë njerëz, në mitingje apo pranë kutive të numërimit të votave. Kjo armiqësi midis njerëzve nuk ndodh për shkak të zhvillimit ekonomik, për mirëqenie, por vetëm për tifozllik. Poeti thotë se njerëzit e besimeve të ndryshme në Shqipëri, respektojnë njeri tjetrin, jetojnë në paqe, sepse nuk kanë asnjë fije armiqësie midis tyre. Në kishë një mysliman shkon ndez qiri, / Një të krishteri s’i mbyllet dera në xhami... Ndërsa kur janë pjesë e partive të ndryshme: Harrojnë ç’u mëson Bibla e Kurani, / Shpirt e zemër ua pushton shejtani...

Malushi bën apel për sjellje e dashuri njerëzore, pasi të gjithë lindin të barabartë dhe ikin si të tillë, ku i pret varmihësi që u ka hapur 2 metra vend, ndonëse në jetë bëjnë dallime të mëdha me njëri - tjetrin. Dhe kjo diferencë, jo për shkak të garës së ndershme, por sepse: “...Ti grykës e kthetranxjerrë, / I pangopshëm në pushtet e prona. / Unë oreks pak, gjumëqetë, / Ç’nuk më takonte, s’e kërkova...”.

Me vargjet e tij fshikullon pushtetarët mediokër, që nuk mendojnë për të ardhmen e këtij vendi, por vetëm për karrigen e tyre; që nuk durojnë mendimin ndryshe; që s’mund të pajtohen me të vërtetën; që nuk punojnë për një Shqipëri të zhvilluar ekonomikisht, me shoqëri të emancipuar; me njerëz të lirë e pushtetarë që prodhojnë respekt, në vend të dhunës; përballet me nëpunës që përpiqen të rrisin të ardhurat, me zyrtarë që robërojnë të drejtat dhe liritë njerëzore, që mbjellin varfëri dhe detyrojnë rininë të iki në kërkim të hapësirave pa dhunë dhe punës së munguar. Sepse mungesa e lirisë dhe padija rrinë bashkë. Sa më shumë dituri që grumbullon një popull, aq më shumë liri dhe emancipim shoqëror gëzon, sa më e thellë të jetë padija, aq më shumë fshihet liria. Ndaj poeti bërtet për paudhësinë e politikanëve, të cilët nuk e duan lirinë, ngaqë pëlqejnë errësirën, me të cilën poetët nuk mund të pajtohen. Privimi i lirisë nuk ndihet vetëm në burg, por edhe jashtë tij, në jetën e lirë të shoqërisë me demokraci të cunguar, ndaj poeti godet në emër të këtij ideali dhe guxon të përplaset me ingranazhet e shtetit të sotëm shqiptar që vazhdon të prodhojë padituri.

që shpalos autori në 100 poezitë e tij është mjaft e larmishme. Sipas tij Shqipëria mund të bëhej shumë më e mirë nga sa është, nëse paratë që vidhen investohen po këtu dhe jo të fshihen në bankat mafioze të botës. Kur hidhën po këtu, hapen vende pune, rriten mundësitë turistike, lëviz ekonomia dhe paraja. Duke qenë se kjo nuk ndodh, në poezinë “Ikje e kthim”, Malushi të trondit me faktin e zbrazjes së popullsisë së Shqipërisë, përgjysmimit të saj në 30 vite, të ikjes së rinisë pa ditur se ku. Atje ku shkojnë nuk e gjejnë shtruar, por zvarriten, raskapiten e plaken pa e gëzuar jetën si duhet. “Kthehen, / Djemtë burra, vite përcëlluar, / Vajzat gra, ëndrra gremisur, / Burrat pleq, shpinë zhguar, / Gratë gjyshe, shpirt molisur”.

Në vjershëm “Sinjale jetime” ai godet servizmin dhe mosmirënjohjen e njerëzve, që dinë të buzëqeshin vetëm për interes. Për drejtorin shtrohen dreka e darka pa fund, thuren lavde, i dhurohen sende, para, e deri te trupi, por nëse ai kthehet në ish-drejtor, as telefoni nuk i hapet. Këtu nënkuptohet mënyra si e keqpërdor pushtetin një drejtor, por dhe një ves i shoqërisë që është mosmirënjohja.

Petrit Malushi i këndon dashurisë, si shumë autorë të tjerë dhe nënvizon: Rrëmbyer, a falur, puthja e parë / Të deh me tepër se sa vera. Dhe kjo puthje bëhet me buzë, me po ato buzë që edhe pështyjmë. Ndaj nuk e ka kursyer fantazinë e vet për të shkruar një poezi edhe për “Buzët, ah buzët”, ku thotë: Gëzimndjellëse, / Joshëse.../ Kur puthim.../ Pështironjëse.../ Kur pështyjnë... Poeti bredh në “Gjurmë jete” të kujtoj vegjëlinë, kur luante e këmbët gjakoste, kur rrinte para shtëpisë rrethuar me trëndafila e jargavanë, mes pemëve drufrutore gjithllojshe, e deri në rininë e pjekur, në përqafimin e parë.

Autori e do vendlindjen, i njeh rrënjët e lashtësisë të kombit të tij, ndaj shkruan poezinë “Kalaja”. Aty gjëmon historia, gjenë dashuri për të gjallë e për të rënë, lexohet udhëtimi në shekuj, vuajtjet dhe gëzimet e shqiptarëve. Realiteti jetësor në poezinë e tij shfaqet si realitet poetik, korrekt, kalorsiak, plot kumte të larmishme, të guximshme njëkohësisht, që të trondisin shpirtin. Në vjershën “Ikja e nënës”, autori ngre në shkallën më të lartë dashurinë për të, sepse ajo është diçka tokësore. Kur na mungon, mbetemi para saj të mahnitur. Tërë jetën do të luftonim për të merituar një shkëndi dashurie që t’i ngjante asaj të nënës. Por më kot.... Ne do të mbeteshim njerëz të vërtetë, sa kohë do të qëndronte brenda nesh vlaga e dashurisë së saj, jehona e klithmave të ëmbla të dashurisë së nënës! “Do t’më mungosh, qetësindjellës, / Në çaste lodhje, me stres”. Duke lexuar vargjet për nënën, secili zhytet në meditim. Kujton lotët e nënës së vet dhe do të donte, që në ata lotë, të mos kishte pjesë dhimbjeje ai vetë. Por ja që secili ka, sado pak, pjesë në lotët e saj, pasi ndonjëherë bijtë e vrasin dashurinë që nëna u jep. Dhe vdekja e vëllait të trondit, sepse “Buzëqeshjen tënde s’do ta dëgjojë, / Si valë deti e patrazuar”.

Malushi e jeton çdo ditë faktin që shumica e drejtorëve janë militantë. Por jo vetëm kaq. Mbi të gjitha janë të paaftë. Në shumë raste nuk kanë asnjë lidhje me mësimin. Kjo bënë që mësuesit e vërtetë, mësuesit profesionistë e të ditur, të ulin kokën, t’u binden të paaftëve. S’kanë rrugë tjetër, pasi ata të hedhin në rrugë, të lënë pa punë. Kjo është shoqëria shqiptare e shekullit XXI. Siç shihet, poeti nuk përkulet para pushtetit të të paaftëve, i cili shfaqet brutal për të mbuluar paditurinë. Në këtë shtet zotërojnë kriminelët, të korruptuarit, ata që vjedhjen e kanë parim të pasurimit, për realizimin e të cilit ushtrojnë dhunë ndaj shpirit të lirë e të panënshtruar. Ndaj, për ta mbyllur po them dy fjalë dhe për poezinë “Korifej të dijes” e cila u kushtohet mësuesve, atyre që janë bërë dhe bëhen pjesë e udhëtimit të fëmijëve drejt rrugës së dijes, që me durim i përgatisin nxënësit për t’i bërë ballë të nesërmes, moralisht e profesionalisht. Mësuesit ushqejnë dashurinë për brezin e ri, të cilit i trasmetojnë gjithçka që dinë dhe, ashtu si brumi që gatuhet para se të piqet bukë, edhe fëmijët brujten me dituri që, kur të rriten, të jenë të aftë të marrin përsipër përgjegjësitë e duhura. Por nxënësi nuk e kupton mësuesin si duhet dhe në kohë. Megjithatë, sërish edukatorët nuk e zbehin dashurinë, kalitin durimin dhe ruajnë qetësinë. “E thjeshtësia ua shton madhështinë, / N’dekada burime që s’shteroni, / Kurora lavdie brezat u rrinë, / Korifej dijesh në vite qëndroni”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat