“Libri i luftës”, zë kujtimesh

Libra

“Libri i luftës”, zë kujtimesh

Më: 3 mars 2019 Në ora: 13:58
Është promovuar “Libri i luftës” i autorit Nuhi Bytyçi

Është promovuar “Libri i luftës” i autorit Nuhi Bytyçi, libër në të cilin autori paraqet përvojën dhe punën e tij dhjetëra vjeçare në gazetari.

Në këtë promovim u tha se ky është libri i luftës për thyerjen e cenzurës në Televizionin e Prishtinës, libri i luftës për të vërtetën e Kosovës, libri i luftës së UÇK, të Kosovës së lirë, i luftës për shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, libri i luftës për mbrojtjen e UÇK-së në Tribunalin e Hagës dhe libri i rrugëtimit për pavarësi.

Pas shfaqjes së një film dokumentar, fjalën e morri  recensenti Bajram Kosumi, i cili tha se Nuhiu gjatë viteve 98 mungonte në Prishtinë por nuk mungonte në Drenicë, Dukagjin, Llap dhe çdoku ku luftohej.

Ai shtoi se si njeri ai rrezikoi shumë, vetveten, familjen dhe miqtë e tij për gazetarin në kohën e luftës.

Kosumi: Krejt fokusi është në çështjen e lirisë

“Libri i Nuhi Bytyqit ka një ligjërim pothuajse bisedor, kjo do të thotë se është i këndshëm për lexim jo veç për historianin, jo veç për politikanin, jo veç për atë që ka kaluar në këto periudha por për çdo lexues mesatar. Ata që kanë kaluar kur ta lexojnë librin do të përjetojnë shumë më detajisht, shumë më thellë periudhën që e kemi kaluar dhe ata të tjerët  që nuk e kanë kaluar e që çdo ditë rriten më shumë, do të kuptojnë se si është e mundur që në periudha të caktuara, krejt fuqinë që e ka njeriu në jetë e fokuson vetëm në një çështje, në çështjen e lirisë, të gjitha tjerat janë të dorës së dytë“, tha ai.

Redaktori i librit, Haqif Mulliqi tha se momentet më të mira për gazetarin, janë ato të kohës kur një popull e ka më së vështiri. Këtë u përpoq të na dëshmoi gazetari dhe publicisti Nuhi Bytyçi.

Mulliqi: Në këtë libër shohim një zë kujtimesh

“Libri i luftës na thotë se zëri i Nuhi Bytyçit është një zë i rrallë dhe i guximshëm në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare në përgjithësi, prej më të veçantëve. Është ai zë që e tipizon gazetarin e mirë duke e shkëputur atë nga ...., atë gazetar që lë gjurmë të pashlyer në jetën dhe historinë e njerëzve me punën e tij, është siç e shohim edhe në këtë libër voluminoz një zë kujtimesh, i cili tingëllon qartë në mjedisin nga i cili buro dhe të cilit i përket tërësisht, zë i pa mëdyshur dhe i pa ngulfatur nga kushdo që e mëtoi këtë dhe i cili dha jehonë për të tëra ato ngjarje, ndodhi dhe protagonistë për kohën e vet dhe brezat që do të vinë“, tha Mulliqi.

Udhëheqësi i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj, tha se në ‘Librin e luftës’, është i jashtëzakonshëm dhe kur mungojnë fjalët shpjegimi për ngjarjet i shpjegojnë 1000 fotografi.

Dakaj: Libri i luftës është libër autobiografik dhe biografik

“Pjesa më e madhe e librit është e mbushur me luftë, prandaj edhe quhet libri i luftës dhe është shkruar dhe botuar në shenjë nderimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë nderimi dhe kujtimi për heronjtë, dëshmorët, martirët, viktimat civile, invalidët, veteranët dhe udhëheqësit politik, diplomatik dhe ushtarak të UÇK-së. Libri i luftës është libër autobiografik por edhe biografik“, tha ai.

Autori i librit Nuhi Bytyçi ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar gjatë luftës por edhe ata që kanë kontribuar në botimin e këtij libri.

Bytyçi: Gazetari gjithmonë është në luftë për të vërtetën

“Puna e gazetarit nuk është aspak e lehtë, gazetari gjithmonë është në luftë për të vërtetën, në shërbim të së mirës së atdheut të tij dhe të njerizimit, në shërbim të publikut, prandaj unë kështu gjithmonë e kam kuptuar gazetarinë dhe në këtë frymë jam angazhuar me përkushtim në të gjitha kohërat. Në këtë ngjarje kam një mesazh si gazetar për liderët institucional politik të Kosovës dhe Shqipërisë që t’i lënë interesat personale dhe partiake dhe të bashkohen në një front për punuar dhe vepruar në një front unik për të avancuar çështjen tonë kombëtare sepse siç dihet çështja jonë kombëtare ende nuk është zgjidhur ashtu sic kemi aspiruar ne dhe shumë gjenerata përpara“, ka thënë ai.

Bytyçi shtoi që ajo që e ka motivuar që pas shumë vitesh pune ta finalizon këtë libër është mbesa e tij, Jona Bytyqi, e cila më pas, para të pranishmëve recitoi një vjershë të shkurtër.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat