Promovohet libri “LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim - themeluese e UÇK-së”

Libra

Promovohet libri “LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim - themeluese e UÇK-së”

Më: 12 mars 2019 Në ora: 13:31
Promovohet libri “LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim - themeluese e UÇK-së”

Në ambientin e Institutit Albanologjik është përuruar libri për Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) dhe UÇK-në nga bashkautorët Sejdi Gega dhe Fazli Veliu.

Libri u vlerësua lart nga të pranishmit duke e cilësuar se tregon rolin që ka pasur LPK dhe UÇK në çlirimin dhe shtet-formimin e Kosovës.

Njëri nga drejtuesit e LPK-së, Rexhi Ibërdemaj, tha se ky libër dëshmon se në radhët e kësaj lëvizje ka pasur gjithmonë mendje të ndritura të kombit që gjithë idealin dhe dijen e kanë vënë në shërbim të atdheut.

“LPK dhe UÇK kanë pasur veprimtarë të punës dhe penës, këta kishin ideal dhe vetëdije të lartë që dijen e vuan në drejtim të atdheut”, tha ai.

Ndërsa, veprimtari tjetër i LPK-së, Hydajet Hyseni tha se ndër meritat e para të këtij botimi është se sjell në mënyrë kronologjike vazhdimësinë e historisë sonë kombëtare.

Sipas tij, LPK ishte trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare dhe në kuadër të kësaj lëvizje ka pasur veprimtar të shquar.

“Lëvizja jonë synonte bashkimin dhe ishte e bashkuar kur nuk ishte fizikisht e bashkuar”, tha ai.

Nga Instituti i Historisë, Fatmir Arifi tha se ky libër ka një vlerë më të madhe se librat e zakonshme, pasi gjenden në mënyrë autentike gjithë historia e Kosovës. Sipas tij, kjo lëvizje ka formuar tri ushtri çlirimtare dhe se roli i saj ka qenë shumë i rëndësishëm në shtetformimin e Kosovës.

Bashkautori i librit, Fazli Veliu, tha se ka qenë i nevojshëm botimi i një libri për LPK-në, pasi kjo lëvizje ka qenë gjithmonë për bashkim kombëtar.

Ndërsa, autori tjetër, Sejdi Gega tha se falë bashkëpunimit me gjithë veprimtarëve të LPK-së fillimisht ka marrë gjithë dokumentacionin e punës së kësaj lëvizje në mënyrë që të botojë këtë libër.

“Autori i këtij libri është baca Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla e shumë veprimtarë të tjerë”, tha ai.

Ndryshe, libri “LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim - themeluese e UÇK-së” u botua nga shoqëria “Lëvizja”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat