Në Viti u promovua vepra monografike për Tahir Z. Berishën - Bota Sot
Në Viti u promovua vepra monografike për Tahir Z. Berishën

Libra

Në Viti u promovua vepra monografike për Tahir Z. Berishën

Nga: Gani Bajrami Më: 15 mars 2019 Në ora: 09:53
Në Viti u promovua vepra monografike për Tahir Z. Berishën

Promovimi i veprës monografike “Tahir Z. Berisha - Një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare” tuboi në Shtëpinë e Kulturës në Viti dashamirë të librit, bashkëpunëtorë, familjarë dhe ish-nxënës të veteranit të arsimit, intelektualit të rrallë dhe veprimtarit të madh, Tahir Z. Berisha, i cili pas vetes la gjurmë të pashlyeshme, duke u bërë simbol jo vetëm i përkushtimeve të mëdha të arsimit kombëtar, po edhe përfaqësues i denjë i kulturës kombëtare. Veprimtaria e pasur dhe e larmishme, profesor Tahirin e bëri figurë të spikatur të arsimit kombëtar në Kosovë dhe më gjerë, përfaqësues të denjë, në radhë të parë, si intelektual me vlera të larta kombëtare dhe si udhëheqës e pedagog të veçantë të institucioneve tona arsimore në Kosovë, por edhe si veprimtar i kauzës kombëtare në çdo kohë dhe në secilën rrethanë.

Ky libër monografik i bashkautorëve Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, u botua nga Shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës dhe pas kryeqytetit për promovim u zgjodh Vitia si qendër komunale e vendlindjes së Tahir Z. Berishës. Ai lindi në fshatin Vërban më 31 korrik1928, ndërsa vdiq në Londër më 12 dhjetor 2013, duke lënë të botuara 10 vepra letrare e publicistike, ndër të cilat spikasin katër vëllimet enciklopedike “Emra që nuk harrohen” për arsimtarët veteranë dhe arsimin shqip në Kosovë e diasporë.

Redaktori i monografisë voluminoze dhe cilësore “Tahir Z. Berisha - Një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare”, Akademik Mehmet Halimi, në fjalën e rastit, theksoi se bashkautorët hartuan “një vepër madhore e monumentale, që përfaqëson një kryepërmendore kushtuar Prof. Tahir Z. Berishës, ku është përmbledhur e është shkrirë tërë jeta dhe veprimtaria jetësore e një vigani e kolosi dhe një korifeu të arsimit tonë kombëtar, i cili një jetë të tërë punoi e veproi në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare”.

Akademiku Halimi në vazhdim theksoi se bashkautorët e monografisë, Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, si dy projektues e arkitektë të mirë e të vyer, lëndën e tyre studimore e mbarështuan me kujdes e dashuri, me vullnet e përkushtim, me përgjegjësi e saktësi, duke e shtruar në mbi 700 faqe tekst libror.

Hamza Halabaku, njëri nga bashkautorët, para të pranishmëve tregoi se pikënisje inkurajuese që të jetë autor, ose bashkautor i një monografie siç është kjo që tani është në duart e lexuesve ishin shkrimet që më herët i kishte botuar në vazhdime në 75-vjetorin, 80-vjetorin dhe 85-vjetorin e lindjes së Tahir Z.Berishës, në gazetat “Zëri” dhe “Bota sot”. 

“Më duhet të theksoj se pas shkuarjes së profesorit Berisha në amshim e ndieja obligim moral të shkruaj diçka në formë monografie apo kujtimesh për te, por aq sa e ndieja këtë obligim moral, po aq e ndieja frikën se do ta kem të vështirë të pasqyrojë tërë atë që meritonte një personalitet i shquar i arsimit shqip, një veprimtar i palodhshëm, publicist i pasionuar  dhe atdhetar i devotshëm, siç ishte profesor Tahir Z. Berisha”, tha Hamza Halabaku.

“Angazhimin në shkrimin e monografisë për profesorin Tahir e konsideruam të ishte një privilegj, andaj i hymë punës me një përgjegjësi të shtuar, të vetëdijshëm se të përmbledhësh një jetëshkrim të gjatë e të begatë në një rrjedhë të qetë, për një personalitet shumë të veçantë në arealin kombëtar shqiptar, siç ishte profesori Tahir, vërtet, kërkon përkushtim dhe vetëmohim”, shtoi bashkautori tjetër, dr. Mujë S. Berisha. Ai rikujtoi se profesori Tahir, pa marrë parasysh pengesat dhe vështirësitë, asnjëherë nuk u zmbraps. Përkundrazi, me guxim e vendosmëri veproi për realizimin e idealeve: sa shtigjeve të dijes në misionin e shenjtë – mësues i popullit; sa në angazhimin për liri dhe bashkim kombëtar.

Në emër të institucioneve komunale të pranishmit në këtë promovim i përshëndeti zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ndërsa bashkautorët e monografisë u nderuan me nga një mirënjohje komunale. Në fund u shfaq edhe videodokumentari kushtuar jetës e veprimtarisë së Tahir Z. Berishës,  “Trokamat në jetën e një pene”  i regjisorit prof. dr. Fatmir Terziu, i cili bashkë me Zenun Rexhepin ishin dhe recensuesit e veprës monografike “Tahir Z. Berisha - Një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare”.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...