Libri i ri nga Dorina Hoxha

Libra

Libri i ri nga Dorina Hoxha

Nga: Albert Z. Zholi Më: 18 mars 2019 Në ora: 07:24
Kopertina e librit

Ky libër është një përpjekje disavjeçare në fushën e publicistikës. Në realitetin shqiptar të saj u gjenda papritur kur u zgjova nga “gjumi kafshëror” që ne të gjallët na kap në përditshmërinë tonë  dhe nisa të kuptoj të vërtetën si ndjenjë, ashtu siç është e denjë për shpirtin njerëzor. Rruga për të ndjekur nuk ishin emrat e spikatur të kësaj fushe dhe gjurmët e tyre, rruga ime ishte e qartë, të rendja pas vetes me vullnetin për ta dashur botën. Metoda që ndiqja rridhte natyrshëm nëpër préklat e kompjuterit dhe unë ende s’e kisha kuptuar. Jemi një hap pranë së vërtetës për të kuptuar veten dhe botën, por ky hap na merr vite, ndonjëherë edhe tërë jetën. U gjenda mes dukurive shoqërore dhe nuk dija cilën të trajtoja më parë, nuk dija cila prej tyre më nxirrte më në pah ndjenjat humaniste. Në vitet e para të përpjekjeve të mia për të shkruar ndjeva rebelim duke përjetuar ngjarjet socialpolitike për t'i sjellë si ide që të ndaheshin me lexuesit të cilët, si unë, do të kishte prej atyre që do ta vuanin përbrenda mendimin që humbet në qorrsokakun e arsyes e nuk di si të dalë prej aty. Unë u ofrova një qasje, një të vërtetë sipas këndvështrimit tim, si një rrugëdalje nga tuneli i errët i mendimeve. U deshën disa vjet që artikujt e mi të ishin pjesë e rubrikave e të opinioneve në gazetat shqiptare e të publikoheshin edhe në mediat online brenda dhe jashtë kufijve, duke trajtuar çdo javë aktualitetin dhe çështjet sociale të vendit. E gjitha kjo më bënte të isha në kërkim të një hapësire të re, për një këndvështrim ndryshe të qasjeve të mia, hapësirë kjo që në vitin 2016 mori jetë në revistën “Psikologjia”, e shkrimet u publikuan çdo muaj në vijim. Duke qënë se numri i artikujve të botuar u rrit, lindi nevoja për një përmbledhje të tyre në një libër i cili do të jetë një kontribut në fushën e publicistikës. Nga 100 artikuj, ndër to intervista dhe përshkrime, m’u desh të përzgjidhja shkrimet të cilat nuk kanë në fokus shkrepjen e çastit, por një përjetim që pas disa vitesh do të më shkëpuste nga letargjia sociale me po të njëjtën fuqi të ndjenjës njerëzore. Libri përmban, pra, vetëm 60 shkrime. Shkrimet e përzgjedhura kanë të përbashkët reflektimin mbi katastrofat që mendja është e aftë të prodhojë në ditët me diell. Çorodia lind nga bashkëveprimi i dy forcave të kundërta brenda nesh, lind në hapësirën e zbrazët që lidh dy boshtet tona të vetvetes, të mirën dhe të keqen. Çorodia ngre krye atëherë kur dashuria nuk është e mjaftueshme dhe besimi është një çështje zgjedhjeje dhe jo zgjidhjeje. "Çorodia" është vetja jonë e mohuar, dëshirat tona të parealizuara, çorodia është aty ku përjetohet përjashtimi dhe përçmimi social.

Titulli i librit përfshin pikëpyetje që njeriu i shekullit ia drejton vetes dhe shoqërisë. Çorodia është një shqetësim që e ngre njeriun në një nivel tjetër të kërkimit të pritshmërive, gjatë së cilës duhet të kemi të qartë frazën siç thotë Mevlana Xhelaleddin Rumi në serinë e tij të Poemës Mistike Mesnevi[*], se “ Nëse ti zë një punë seriozisht, e meta e saj mbetet për ty e fshehtë…”

Image
Dorina Hoxha
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat