Tregime që sjellin imazhe dhe ngjyrime jetësore

Libra

Tregime që sjellin imazhe dhe ngjyrime jetësore

Nga: Gani Bajrami Më: 13 maj 2019 Në ora: 11:59
Kopertina e librit

Shkrimtari dhe publicisti, Hamza Halabaku, opusit të tij krijues, këto ditë i ka shtuar librin e tij të nëntin me radhë. Autori Halabaku, kësaj radhe, para lexuesve vjen me vëllimin më të ri me tregime me titull “Ecje rrathëve të ferrit”, vëllim ky që sa po ka dalë nga shtypi, në botim të shëtisë botuese “Lena Graphic” në Prishtinë, me redaktor Gani Bajramin dhe recensues Ibrahim Kadriun e Sulejman Dërmakun.

Në këtë vëllim janë përfshirë 15 tregime të autorit Hamza Halabaku, të cilat për temë kanë jetën reale të njeriut tonë në kohë dhe rrethana të caktuara. Ato janë rrëfime mbi ngjarje interesante, të cilat ndërthurin në vetvete emocione me të gjitha ndjesitë njerëzore, që nga dashuria e urrejtja, gëzimi e hidhërimi, suksesi e zhgënjimi...

Edhe pse motivet që trajton autori janë të ndryshme, karakteristikë e përbashkët e këtyre tregimeve është jeta e njeriut të truallit tonë, i cili jo rrallë u detyrua të ecë labirinteve të jetës sikur nëpër rrathët e ferrit. Aty ballafaqohen fate njerëzish, pikëpyetje dhe mëdyshje, kujtime për të djeshmen, preokupime e shqetësime ankthi për të sotmen dhe shpresë për të nesërmen më të mirë.

Tema e motive nga realiteti jetësor i popullit tonë

Në cilësinë e redaktorit të librit mund të them se Hamaza Halabaku, i cili është autor edhe i tetë librave të tjerë letrar e publicistik, me temat dhe motivet që trajton, ia del me sukses që në këtë vëllim me tregime të shpërfaq lëndën jetësore me ngjyrime nga realiteti i kohës, me përshkrime të thukëta dhe dialogë racionalë, duke përdorur herë pas here edhe retrospektiva të shkurtra, madje edhe monologë meditativë. Kjo mënyrë e shkrimit bën që ngjarjet e rrëfyera lexuesin ta futin në mënyrë të natyrshme në rrjedhën e përjetimeve të situatave të caktuara herë me ndjesi të thellë emocionale gëzimi e hidhërimi, e herë me një dozë humori deri në ironi e sarkazëm.

Në këtë vëllim tregimesh autori sjell ndodhi, situata e imazhe të gëzueshme e tronditëse të realitetit jetësor të popullit tonë bashkë me përjetimet e ngjyrimet e ndjenjave që shpalosin dimensione të jetës, në mes të varfërisë e shpresës, gëzimit e dëshpërimit, mbijetesës e përndjekjes nga ana e pushtuesit...

Në tregimin “Ecje rrathëve të ferrit”, nga i cili merr titullin edhe ky vëllim, Nënë Ramizja rrëfen për situatën në të cilën u gjenden shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore, kur kin­se ishte çliruar vendi, por prapë ishte luftë dhe shqiptarëve u duhej të ecnin si nëpër rrathët e ferrit. Ajo tregon se ata që erdhën të vinin pu­­shtetin, partizanë u thoshin, pasi kishin uniformë partizanësh, por çetnikë ishin në zemër e në sjellje. Në kujtesën e saj ka mbetur i freskët trishtimi i një dite dhjetori të vitit 1944 kur ata “çlirimtarët” i tubuan të gjithë meshkujt e fshatit. I zgjo­dhën 15 më të mirët dhe pasi i rresh­tuan përkrah njëri-tjetrit, i lidhën dorë për dore me litar. I dërguan prapa varrezave në një luginë dhe i pushkatuan.

“Ishte një kohë e tmerrshme lufte, edhe pse, kinse ishte pas lufte. Atë kohë ishte skamje e madhe. Skamja kishte prekur të gjithë ata që kishin mbetur. Me mua, dhe jo vetëm me mua, kishin mbetur trishtimet, ska­mja dhe jetimët. Pas asaj masakre, në fshatin tonë të vogël, mbretëronte një pasiguri e papërshkruar” - tregonte Nënë Ramizja.

Një temë jo shumë e largët me të cilën ishin ballafaquar shqiptarët e Kosovës në dy dekadat e fundit të fundshekullit kaluar ishte ajo kur ushtarët shqiptarë ktheheshin në arkivol nga ushtria serbo-jugosllave. Tregimi “Të vrasin natën e të qajnë ditën” sjell emocione të thella dhembje e pikëllimi jo vetëm në familjen e Bardh Malit që kishte mort, se djali po u kthehej në arkivol, por edhe ndjesi të veçantë, sepse ata që të vrasin natën të qajnë ditën.

Në këtë tregim gërshetohen edhe motive që kanë të bëjnë me kodin e mikpritjes dhe kodin e besës, por edhe me një dimension human të jetës, faljen e një gjaku. Bardh Mali i fal gjakun për vrasjen e të birit para dy-tre vjetësh Arianit Bjeshkës, i cili mori guximin si gjakës dhe i shkoi të parit në mort për djalin e kthyer në arkivol nga ushtria.

Tregimi “Nënëlokja” shpalon sekuenca nga familja tradicionale shqiptare shumanëtarëshe ku spikasin rregullat e odës, me të zotin e shtëpisë në krye të oxhakut, që për dikë ishte vëlla, për dike tjetër baba, xhaxha, gjysh e besa edhe stërgjysh. Aty është edhe e zonja e shtëpisë, Nënëlokja, si e quan autori atë grua të autoritetshme, e cila rrezaton jo vetëm me qëndrimin e saj stoik, por edhe me atë edukativ tek të rinjtë, të cilët duhet të mësohen të arrijnë ujdi në kërkesat e tyre të përbashkëta.

Personazhe që luftojnë për mbijetesë në kohë dhe rrethana të caktuara

Te tregimi “Neza ynë” pasqyrohet fati jetësor i njeriut të thjeshtë e të varfër, i cili tërë jetën thuaja ishte në shërbim të bagëtive të të tjerëve, madje edhe pa e ditur vetë çmimin e punës së tij, pasi marrëveshjen me pronarin e bagëtisë e bënte axha i tij. Neza dinte vetëm të sodiste kënaqësitë e të tjerë­ve dhe të ruante bagëtinë e fshatit. Dhe ja vjen edhe një kohë kur Neza ankohet se nuk ka punë, pasi të gjithë njerëzit e fshatit të tij i kanë shitur bagëtinë.

Derisa te tregimi “Hapja e rrugës” ndeshemi me urtinë e bamirësinë për të evituar një ngatërresë ndërmjet dy familjeve, te tregimi “Pagëzojeni me emrin e nënës!” kemi situata të këndshme të ndjesisë prindërore për të mos bërë dallim në gjininë e fëmijës, ndërsa te tregimi “Zjarrmia pranverore në qytetin bregdetar” spikasin puna pa hile dhe dashuria e sinqertë dhe e pakushte ndërmjet dy të rinjve.

Tregimet “Kush i pari e sheh lindjen e diellit”, “Gjallë e i varrosur” dhe ”Mos mi trazoni eshtrat e skeletit tim” sjellin ndodhi, imazhe, përjetime e ngjyrime jetësore dhe shpalosin dimensione humane të jetës, si dhe zgjojnë ndjesinë e respektit për përvojën njerëzore, ndërsa tregimi “Frika nga lugati që nuk ekziston” vjen paksa i mbështjellë edhe me një vello humori.

Në disa tregime rrëfimi ka ngjyrime të një doze humori, por me një ironi që kulmon me satirë e sarkazëm. Ironia dhe sarkazmi ndaj pushtetarëve që nuk mendojnë për popullin shpërfaqen te tregimi “Ndihmëtari fallxhi”, ndërsa ironia dhe sarkazmi për vesin e keq të mashtrimit shpërfaqen te tregimi “Xhemë dallaverja”. Në tregimin “Kur të vijë komunizmi...” shkrimtari me imagjinatën e tij krijuese, duke e përdorur satirën e sarkazmin e vë në lojë idenë për ko­munizmin, si rend ekonomiko-shoqëror më i lartë, që do të vinte pas socializmit.

Në tregimet e Hamza Halabakut defilojnë kryesisht personazhe që luftojnë për jetën e thjeshtë, për vetëqenien dhe për mbijetesën në kohë dhe rrethana të caktuara të një harku kohor brenda një shekulli. Tregimet e tij, para së gjithash, i shquan rrëfimi përplot ndjesi mbresëlënëse që zgjojnë kërshërinë e lexuesit edhe për faktin se në pika të veçanta rrëfimore tërhiqet diagonalja kuptimore e veprimit të personazhit. Pra, tregimet e Hamza Halabakut lexohen me kënaqësi nga të gjitha moshat, sepse autori, jo vetëm se në themel vendos ngjarje reale të përjetuara nga vetë ai gjatë jetës, por edhe sepse për t’u dhënë këtyre ngjarjeve formë sa më emocionale, ai përdor përshkrimin dhe trillin e tij krijues artistik për ta bërë sa më atraktive ngjarjen.

Autori me përkushtim ka ndërtuar personazhe që mbeten në mendje për karakterin e veçantë, për atmosferën dhe mesazhin që përcjellin, por edhe për dimensionet njerëzore me të cilat janë veshur, si dhe botën e tyre të brendshme në të cilën nganjëherë me sukses depërton shkrimtari.

Librin e pasuron gjuha e pastër e autorit, me fjali të ndërtuara mjeshtërisht e me kolorit të pasur leksikor, duke përdorur fjalë të vjetra e toponime karakteristike nga vendlindja e tij dhe përgjithësisht nga Anamorava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat