Kaosi dhe dashuria në librin poetik “Ikje nga vdekja” të Din Mehmetit - Bota Sot
Kaosi dhe dashuria në librin poetik “Ikje nga vdekja” të Din Mehmetit

Libra

Kaosi dhe dashuria në librin poetik “Ikje nga vdekja” të Din Mehmetit

Ma. Blerina Hajdini - Murselaj Nga Ma. Blerina Hajdini - Murselaj Më 18 maj 2019 Në ora: 18:12
Din Mehmeti

Libri poetik Ikje nga vdekja botuar më (1978) i poetit Din Mehmeti, vjen në radhë të parë deklarim i fuqishëm poetik, duke mos iu nënshtruar ligjit natyror po themi figurativisht që në këtë gjendje e deklamon në poezinë e tij në fjalë. Emri i librit në fjalë konstrukton në vete një vetëqendrim të përhapur para një gjendjeje shpirtërore dhe shoqërore.

Ndërsa studiuesi Agim Vinca, për poezinë e Din Mehmetit thekson se: poezia e tij ka një lidhje të ngushtë me vendlindjen dhe njerëzit e saj, me vuajtjet dhe dhembjet e tyre, me dilemat dhe brengat që përcaktojnë ideotematikën e emocionale të subjektit lirik 

Poezia e tij është medium ku gërshetohet reagimi emocional dhe reagimi intelektual, ndonëse poezia e Din Mehmetit më tepër mund t’i detyrohet elementit të parë (gjendjes emocionale)., ku tensioni emocional është një veçori në vete, në poetikën e Din Mehmetit dhe krysisht te librat poetikë  Heshtja e kallur dhe Ikje nga vdekja.

Opuset letrare e poetike të poetëve tanë në mesin e të cilëve gjendet edhe poeti Din Mehmeti, në këtë rreth poeti qëndron në një hapësirë, ku në një rrafsh të vetëm shtrihen dhe përpiqen të zënë vend emocionalja dhe refleksivja.

Bota e ndjenjave në këtë libër poetik udhëton, çasteve të jetës, të cilat çaste bartin në vete emocionin për jetën. Libri në fjalë është i mbushur me emocion ku njeriu gjendet para një udhëkryqi se çka  do të ndodh në të vërtetë me të.

Vargu Këndo ose vdis pa klithmë  që njëherësh është titulli i një poezie, ku brenda kësaj poezie paraqitet një emocion shpirtëror, që subjekti lirik paraqet një emocion në vete, por që gjithësesi do të përballet me një gjendje të tillë që mbizotron.

Ky varg (titull poezie), paraqet një alternativë poetike, që na kujton prozën e Migjenit, Ose ose ku në këtë rast jepet një alternativë me zgjedh se cila mund t’i përshtatet gjendjes shpirtërore.

Këtu në këtë varg jepen zgjedhjet, por në formë të prerë se çka mund të zgjedhë subjekti lirik.

Por ajo që e karakterizon këtë varg është se duhet patjetër t’i përshtatesh ose këngës që në këtë rast del qëndrim ndaj një fortune të jetës, ose t’i nënshtrohet një pushteti pa asnjë fjalë.

Sipas studiuesit Basri Çapriqi, subjekti lirik nuk ka dilema dhe nuk dorëzohet as përpara fatit të paradhënë si në librat poetikë Ikje nga vdeja dhe Fatin tim nuk e nënshkruaj.

Në këtë libër vdekja deklarohet me jetën e përditëshme por që kërkohet të dilet nga kjo gjendje e cila po e preokupon njeriun, ikja këtu simbolizon jetën për të cilën duhet të luftohet në çfarëdo mënyre, sepse vdekja ndoshta është zgjidhja e fundit për njeriun e robëruar por para së gjithash kërkohet një zgjidhje. Në të gjithë ciklin e parë Koha i dënon mëkatet hapet kjo gjendje e rëndë emocionale e subjektit lirik, por në mënyrë figurative.

Jam shtrirë në barin përrallor

Diku në fshat

E marrë frymë thellë:

Çlirohem robërohem

Lindi vdes

E bëj ç’dua vetë…

Poezia Lindi e vdes bëj ç’dua vetë

Deklarimi i tillë poetik si në vargjet e lartëpërmendura shfaqin një dëshirë të pafund, të subjektit lirik që është i mbushur përplot me emocion, ku njëherësh dëshiron të vendos vetë për fatin e tij. Vetëm dy vargjet e fundit shfaqin një deklarim poetik emocional, që simbolizon dëshirën e brendshme emocionale.

Në këto vargje përveç që na shfaqet gjendja emocionale e subjektit, në të njëjtën kohë na shfaqet një lloj refuzimi që lind si rezultat i gjërave të imponuara, e që subjekti nuk mund të pajtohet me një imponim të tillë. Vdekja në poezinë e poetit Din Mehmeti, është sa figurative, po aq reale në kuptimin e gjendjes shoqërore; por ajo çka e fuqizon vdekjen është jeta, sepse në jetë mbeten të gjitha shpresat, të cilat esencializohen në çdo moment, për t’u tejkaluar kjo gjendje shpirtërore, në kuptimin emocional.

 

Jam pakëz i  ndrydhur pakëz i çliruar

Pakëz i zverdhur pakëz i frikësuar

Jam pakëz i ngrirë pakëz i shkrirë

Pakëz i rrahur pakëz i ndjekur jam

 

Poezia Pakëz ëndërr pakëz zhgëndërr

Në këto vargje që i paraqitëm këtu, shohim se kemi të bëjmë me një gjendje emocionale të përzier për faktin se në secilin varg ndërron gjendja emocionale, ku na paraqitet figura e krahasimit që përdoret për të përshkruar gjendjen e subjektit lirik brenda vargjeve, e që këto vargje shfaqin hapur dyshimin, frikën, pasigurinë, etj., por në asnjë moment nuk paraqitet zbrapsja e subjektit, si shenjë e peripecive që i përjeton ai.

Ndërsa studiuesi Agim Vinca, për këto vargje thekson se: drama jetësore e njeriut i ngjan një lufte ndërmjet jetës dhe vdekjes, ndërmjet ëndrrës dhe zhgëndrrës pra, një paradoksi specifik. 

Në mes të dy gjendjeve që shfaqen në këtë poezi gjithmonë kërkohet, ajo që është më e mira, për t’u tejkaluar kauza që në forma të ndryshme, në njërën anë gjendja e rëndë bëhet shtytje në kërkim të më të mirës.

 Në këtë libër poetik Ikje nga vdekja të poetit Din Mehmeti, gërshetohet kaosi, dashuria, realiteti që të gjitha lidhen për emrin Kosovë, duke pasur parasysh tanimë emri Kosovë lidhet ngushtë jo vetëm në këtë libër poetik, por në një pjesë të madhe të krijimtarisë letrare të poetit Din Mehmeti. Tematika që realizohet në këtë libër poetik, paraqet një gjendje emocionale në vete ku e përcjell subjektin lirik gjatë gjithë kohës, por që shpesh herë subjekti lirik kalon nëpër sfida të ndryshme si: nëpër kaos, dashuri, realitet shpirtëror dhe shoqëror, që mund të themi se subjekti lirik në këtë libër poetik është i pathyeshëm përball gjendjes shoqërore.

Përmes alegorisë, përshkruhet jeta reale në Kosovë, sepse gjendja emocionale e subjektit që jepet për Kosovën, që edhe ashtu në poezinë Rembi i blertë i diellit e shfaq jetën tipike në kohëra të vështira në Kosovë, po njëashtu edhe poezia nuk lenë shumë enigmë por që e përcepton vendin Kosovën.

Ndërsa kur jemi te ky libër poetik i poetit Din Mehmeti, një gjendje emocionale të përzier na e shfaq dhe poezia Kosovë zog i diellit, ku na shfaqen shumë pamje, shumë emocione, shumë dëshira të subjektit lirik, që njëherësh të gjitha janë gjendje emocionale që i përjeton subjekti. Por studiuesi Agim Vinca, për kë poezi shprehet: përmes kësaj gjuhe ngapak solemne e retorike, por njëkohësisht dhe metaforike, poeti arrin ta portretizojë fytyrën e vendlindjes dh eta përgjithësoj dashurinë ndaj saj.

Pra, libri poetik Ikje nga vdekja pasqyron një botë të tërë emocionale dhe nacionale, ku gjithmonë e para ndërlidhet me të dytën si rezultat i një dëshire që paraqet në vete subjekti në tërësi të librit. Ndërsa kur jemi te tematika e këtij libri, duhet të theksojmë se ky libër përbëhet prej temës së dashurisë dhe temës shoqërore, që natyrisht ndërlidhet një tematikë mjaft kompakte. 

 

Përfundimi

Qasja ime mbi librin poetik Ikje nga vdekja të poetit Din Mehmeti, është një qasje që ndërlidhet me metodën psikanalitike, dhe që paraqes përfundimet e mia, lidhur me këtë libër, por që natyrisht arritja deri këtu është një rezultat ku synoj që qasja dhe interepretimi im të mos jenë mendime përfundimtare mbi poezinë e këtij poeti, por ky punim të jetë kontribut sado i vogël mbi poezinë e Din Mehmetit.

Lidhur me metodën e përdorur jemi fokusuar më tepër rreth gjendjes emocionale të subjektit lirik, që është një qasje sa analitike po aq psikilogjike, ku jam munduar të ndjek paraqitjen e gjendjes emocionale të subjektit brenda librit poetik në fjalë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...