Hajrush Redenica “Gurrat e vendit tim”

Libra

Hajrush Redenica “Gurrat e vendit tim”

Nga: Zymer Mehani Më: 22 maj 2019 Në ora: 13:06
Kopertina e librit

Në vëllimin poetik për fëmijët “Gurrat e vendit tim” poeti i talentuar nga Kika legjendare, z. Hajrush Redenica na ka dhuruar vargje tejet të bukura për jetën shkollore, për natyrën (bukuritë e vendlindjes, malin, fushën, lumin), për shpendët shtegtarë (dallëndyshen, zogjtë etj), për shtazët (ketrin, drenushën, peshkun, lepurin etj), për dukuritë atmosferike (borën, shiun, rrezet e diellit, ylberin etj). Pra, vëllimi në fjalë është dedikim për fëmijët dhe për nxënësit e shkollave fillore. Këtë konstatim e mbështesim fuqishëm duke u bazuar në gjuhën e thjeshtë, por të pastër dhe në fjalorin, të cilin me shumë kujdes e përdor poeti në ndërtimin e vargjeve. Mund të themi se fjalë kyçe të kësaj përmbledhjeje janë fjalët: shkolla, mësuesi, abetarja, pastaj pranvera, vera, vjeshta, dimri, dallëndyshja, zogu, lepuri, ketri etj etj., që janë të pranueshme dhe të dashura për botën fëmijërore.

Autori Hajrush Redenica në përmbledhjen “Gurrat e vendit tim” ka trajtuar motive nga jeta shkollore, ku edhe mbretëron mbretëron atmosfera e shkollës.

Po ashtu, autori ka shkruar poezi të bukura edhe për stinët, pra shumë vargje përshkohen nga motivi i stinëve të vitit. Ndërrimi i stinëve te ne dhe te fëmijët shkakton edhe ndërrim të botës sonë ndjenjore.

Kur fillon të vijë pranvera, gëzohemi shumë, më tepër fëmijët. Ata galdohen nga lulëzimi i luleve, fluturimi i fluturave, i dallëndysheve, i lejlekut etj.etj. Po ashtu edhe ardhjes së stinës së verës më shumë i gëzohen fëmijët. Ta kujtojmë vapën e korrikut dhe të gushtit, lumejtë me ujë të dëlirë, pishinat, gurrat e vendlindjes, liqejt e detin, ku fëmijët ëndërrojnë për t’i kaluar pushimet e verës.

Edhe vjeshta pritet me dashuri të madhe, sepse ajo sjell shumë të mira për ne dhe për fëmijët. Fëmijët i gëzohen vjeljes së pemëve si rrushit, dardhës, mollës etj, por edhe shtatorit, ku sërish takohen në bankat shkollore me bashkëmoshatarët për të fituar dije.

Po ashtu, edhe stina e dimrit i ka bukuritë e veta, që fëmijët i gëzon shumë. Ta kujtojmë akullin, dëborën, fërfëllëzën, rrëshqitjen me saja e me ski me shokët e shoqet, pastaj gjuajtjen me topa dëbore, ndërtimin e dordolecit eti etj.

Disa poezi të autori Hajrush Redenica si personazhe kanë lepurin, pëllumbin, ketrin, dallëndyshen, fluturën etj., që janë shumë të dashura për çdo fëmijë. Këtu poeti Redenica përmes vargjeve jep edhe informacion të shkurtër për këto shtazë dhe shpezë, që janë të rëndësishme për t’i ditur fëmijët e moshës shkollore.

Dëshira e poetit Hajrush Redenica është që të shkruajë për fëmijët, me qëllimin e vetëm sa fisnik, po aq edhe njerëzor, që këta fëmijë  të rriten duke e formësuar karakterin e tyre të shëndoshë me virtyte të çmueshme dhe të bëhen të dobishëm për veten e tyre, për familjen dhe atdheun. Dhe vërtet,  me syrin e kritikut, me kompetencë konstatojmë se z. Redenica nuk e shohim ndryshe, veçse si poet që shkruan edhe për fëmijë, i cili, lirisht mund të themi se është zë premtues i poezisë shqipe për fëmijë.

Gjuha e poezisë së poetit Hajrush Redenica është e thjeshtë, por e pastër. Nuk janë hetuar shkarje nga gjuha standarde. Vargjet janë kryesisht të rimuara, përplot melodicitet, që janë të adhuruara nga mosha e fëmijëve, por edhe të pasura me figuracion poetik, të përshtatshme për moshën e re. Metri i vargut është i ndryshëm. Fjalori është i kuptueshëm për fëmijët.

Vëllimi “Gurrat e vendit tim”, pra është libri nëntë  i poetit, Hajrush Redenica.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat