Recencion për librin “Pesë letra drejtuar kombit”

Libra

Recencion për librin “Pesë letra drejtuar kombit”

Më: 22 maj 2019 Në ora: 15:08
Kopertina e librit

Sot, më 20 maj 2019, shtypshkronja dhe SHB LenaGraphic, nxori në dritë librin e Skënder S. Kapitit nga Durrësi, me një titull simbolik ”PESË LETRA DREJTUAR KOMBIT”. Në cilësinë e redaktorit, librin e lexova dhe e rilexova qysh në dorëshkrim, andaj edhe e tumira botimin e tij.

Skënder Sadri KAPITI, duke qenë i formësuar me trashëgimi, me bindje dhe me edukatë të thellë kombëtare, kundër ideologjisë së gënjeshtrave dhe të pavërtetave, kundër letërsisë e historicizmit të realizmit socialist sllavo-bizantin ai edhe ka shkruar vepra me tematikë patriotike-kombëtare si:

Kryeveprën “TRIUMFI I KOMBIT”,

Veprën filozofike “NJERIU FILOZOF, ETIK E POLITIK” dhe

Librin “MORALOKRACIA” (si studiues i fesë, moralit, të drejtës romake, angleze, gjermane, amerikane kryesisht).

Në veprat, opinionet dhe në kritikat e Skënder KAPITIT, argumentuar me fakte reale prej tij, vërteton se kjo frymë, jo vetëm politike, por edhe letërsie e historie, vazhdon akoma edhe të shkrimtarët dhe letrarët edhe të sotëm në Shqipëri, dhe jo vetëm tek ata, por edhe mediat, drejtësia dhe shoqëria civile në Shqipëri janë dhe kanë akoma frymë autoritariste, anshmërie e shërbimi e servilizmi ndaj politikës dhe pushtetit.

Dhe, për ndryshimin e këtij realiteti të sotëm, për daljen nga ky udhëkryq dhe realitet i hidhur dhe i pakëndshëm, bllokues e pengues, i zhvillimit dhe progresit, mendojmë se janë edhe motivet që e kanë shtyrë Skënder KAPITIN që ai t’i drejtohet Kombit me këto pesë letrat e tij, pasi në mënyrën se si praktikisht zbatohet demokracia në Shqipëri ajo deri më sot rezulton si një mashtrim i ri, si një thashethemnajë demokratike, larg demokracisë reale dhe të vërtetë.

Skënderi shprehet në opinionet e tij se dhe në paskomunizëm, në Shqipëri pushteti vetëm sa ka ndërruar maskën, pasi ka mbetur si premtimmashtrues, demokraci pa demokracitet, si demokraci, e cila nuk po gjendet në popull, por larg tij, si demokraci oligarko-partizane dhe e korruptuar.

Përveç këtyre librave kryesorë të tij, ai ka shkruar edhe shumë vepra filozofike dhe morale, ka shkruar e botuar shumë e shumë analiza, opinione dhe ese me tematika për demokracinë dhe për patriotizmin real kundër demokracisë spekulative dhe patriotizmit fals.

Është një kritik i ashpër i atyre, të cilat ai i quan mashtrimdemokraci dhe si “të këqijat demokratike”. Demaskon amoralitetin politik, keqbërësit publik të pushtetit të keq, mashtrimin e tradhtinë publike e kombëtare të politikës dhe politikanëve të pushtetit dhe manipulimin e manipulatorët, spekulimin e spekulatorët dhe hipokrizinë demokratike.

Ai ka dhënë një kontribut të madh në ndërgjegjësimin dhe në propagandimin për miratimin e VETTING-ut në Shqipëri, të cilin për nga rëndësia jetike e quante reformën më të madhe pas Pavarësisë Kombëtare.

Skënder KAPITI në këto letra të tij kërkon që të çmontohet në Shqipëri sistemi i korrupsionit, të krimit politik dhe të atij gjyqësor, duke studiuar kundër injorancës, duke vepruar e guxuar me trimëri e mençuri kundër pushtetit të keq, politikës së kriminalizuar dhe kundër drejtësisë së korruptuar, duke bërë thirrje për një VETTING gjithëpërfshirës.

Nga krijimtaria e gjerë dhe e thellë shumëdimensionale e Skënder Sadri KAPITIT, në momente mjaft të rëndësishme, të gjendjes kaotike, doli si një trakt i domosdoshëm edhe libri i tij më i ri, me titullin transparent “PESË LETRA DREJTUAR KOMBIT”, i cili, padyshim se është i rëndësishëm për progresin, demokracinë, për integrimin demokratik, ligjor e kombëtar. Ai, para së gjithash, duhet të reflektojë në ndërgjegjësimin e politikës sonë kombëtare!

Suksese të reja autorit, Skënder Sadri Kapiti!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat