Hapet panairi i librit, kërkohet më pak asfalt që të rriten investimet për librin

Libra

Hapet panairi i librit, kërkohet më pak asfalt që të rriten investimet për librin

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 15:29
Hapet panairi i librit

Me një ceremoni të veçantë është hapur panairi i 21-të i librit në Prishtinë, i cili do qëndrojë i hapur deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë.

Me këtë rast, Shoqata e Botuesve të Kosovës kërkoi nga institucionet e vendit që të investojnë më shumë në biblioteka, e më pak në shtrimin e asfalteve.

Kryetari i shoqatës, Edon Zeneli, tha se institucionet e vendit duhet të rrisin vëmendjen e tyre për bibliotekat, në mënyrë që lexuesit të kthehen aty ku përkasin.

Ndonëse tha se mbajtja gjallë e panairit të librit në një vend të vogël si Kosova, përbën kryelajm, Zeneli shtoi se raportimi i ASK-së për numër të vogël të lexuesve në biblioteka kërkon angazhim institucional të menjëhershëm.

Zeneli: 2-3 km asfalte më pak, si shifër janë shumë për rrugën drejt dijes

“Shifrat që vijnë nga panairi tregojnë që interesi sa vjen e rritet, por bibliotekat tona publike nuk e kanë vëmendjen institucionale që duhet ta kenë. Këtë e them në nivel vendi... 2-3 km asfalte më pak, si shifër janë shumë për rrugën drejt dijes. Gjatë panairit do të kemi aktivitete të shumta. Po botohen libra më shumë se që janë botuar ndonjëherë, dhe kemi arritur të botojmë libra nga çdo fushë, nga secili interes. Janë të pranishëm rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Prezantohen qindra tituj të botuar nga panairi i vitit të kaluar, madje si shifër e tejkalon numrin prej 1500 tituj të kaluar”, tha ai.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin edhe përfaqësues të institucioneve, fytyra publike e shkrimtarë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se krejt ky organizim është meritë e Shoqatës së Botuesve.

Sipas tij, është jashtëzakonisht e mirëseardhur që edhe literatura angleze po gjen vend në mesin e librave që ofron panairi i librit.

Ahmeti: Duke lexuar ndërtojmë kulturën tonë edhe më tutje

“Ju uroj të gjithëve që të vizitoni sa më shumë panairin e librit, të blini libra, të lexoni libra, sepse me të vërtetë kjo është një prej themeleve dhe bazave të kulturës sonë nëse dëshirojmë ta ndërtojmë edhe më tutje”, tha Ahmeti.

Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi tha se është e jashtëzakonshme se si këtë vit Kosova feston 20 vjetorin e çlirimit të saj, derisa panairi shënon 21-vjetorin e tij.

Pas Tiranës, ai tha se panairi i dytë më i rëndësishëm është ky i Prishtinës.

Minxhozi: Derisa kudo në Kosovë shënohet 20 vjetori, panairi mbush 21 vjet

“Panairi në Kosovë ka filluar rrugëtimin në vitin e parë të dekadës së tretë. Kudo në Kosovë festohen 20 vjetor, ndërsa këtu sot festojmë 21 vjetorin. Është diçka unikale dhe e veçantë që Kosova, në kulmin e luftës festoi, hapi për herë të parë panairin e librit shqiptar. Një ngjarje madhor, historike, që libri krahas pushkës të binte lirinë”, u shpreh Minxhozi.

Shkrimtari, Fatos Kongoli, u shpreh i kënaqur që në panairin e librit do të takojë shumë lexues nga Kosova. Teksa u shpreh optimist se ky do të jetë një rast i ri për të si shkrimtar.

Kongoli: I detyrohem shumë Kosovës, për mbështetjen që gjej këtu

“Unë personalisht i detyrohem Kosovës, me gjithë kuptimin e fjalës, i detyrohem shumë sepse jam ndjerë i mbështetur nga lexuesit dhe nga shkrimtarët e Kosovës, nga mjedisi këtu. Kështu që shpresoj që edhe kjo ardhje kësaj radhe do të më jap një kënaqësi akoma më të madhe sepse vij edhe me një  libër të ri”, tha ai.

Në hapjen zyrtare të panairit, nuk munguan as autorët e huaj. Kështu, shkrimtari Juan Asensio, tha se ndjehet i nderuar që është ftuar të marrë pjesë në hapjen e panairit të librit në Prishtinë.

Asensio: Përmes përkthimeve po pasuroni jetën kulturore

“Më pëlqeu shumë fakti që përmes përkthimeve keni një jetë kulturore shumë të pasur. I kam parë emrat e shkrimtarëve më të mëdhenj këtu”, u shpreh ai.

E Fatlum Hetemi, përfaqësues i shtëpisë botuese “Albas” thotë se edhe këtë vit sikurse viteve tjera, kanë sjellë një numër të konsiderueshëm të titujve të rinj. Ndërsa ka folur edhe për pritshëmritë nga panairi.

Hetemi: Këtë vit vijmë me mbi 50 tituj të rinj

“Shtëpia botuese ‘Albas’ çdo vit sjellë shumë tituj të ri, për fëmijë e të rritur. Sivjet i kemi mbi 50 tituj të ri, kemi çmime me zbritje. Pritshmëritë janë që të kemi sa më shumë vizitorë dhe blerës”, u shpreh ai.

Në këtë ceremoni me një fjalë rasti para të pranishmëve foli edhe Daut Demaku, i cili porositi të rinjtë që të lexojnë e të debatojnë sa më shumë për librat, e jo me thashetheme.

Ndryshe, panairi i librit do të qëndrojë i hapur deri më 9 qershor, dhe do të jetë i hapur nga ora 9:00 deri në ora 20:00.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat