Çështjet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë trajtuar në librin e Mahi Nesimit

Libra

Çështjet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë trajtuar në librin e Mahi Nesimit

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 11:40
Foto

Ish ambasadori Mahi Nesimi sot ka promovuar në Universitetin e Evropës Juglindore librin “Shqiptarët e Maqedonisë dhe Ardhmëria e Shtetit”, në të cilin ka trajtuar tema të ndryshme që kanë të bëjnë me shqiptarët e Maqedonisë por edhe me problematika të përgjithshme të vendit, transmeton Portalb.mk.

Në 14 kaptina autori Mahi Nesimi ka trajtuar ndaras çështje të ndryshme, si: Maqedonia e paskonflitit 2001; Marrëveshja e Ohrit; Përdorimi i gjuhës shqipe në RMV; Përdorimi i flamurit shqiptar; Projekti “Shkupi 2014” dhe tema të tjera.

“Libri flet për zhvillimet e përgjithshme duke filluar nga viti 1990 ku shpesh herë duke u kthyer prapa ka tema që asnjëherë nuk janë përpunuar. Libri ka 14 kaptina, janë tema në vete çdonjëra, shfaqen mendimet e mia lidhur me mundësinë e kantonizimit të Maqedonisë, mundësinë e ndarjes së Maqedonisë, elaborohen ligjet për përdorimin e gjuhës duke përfshirë edhe këtë të fundit, jepet një pasqyrë e asaj se çka paraqet “Shkupi 2014””, tha autori Mahi Nesimi.Në libër, sipas tij, jepet një pasqyrë e asaj përse maqedonasit e kontestonin ndarjen territoriale në vitin 2004, jepet një pasqyrë për përdorimin e gjuhës shqipe dhe historikun e përdorimit të flamurit shqiptar, e asaj se çka ndodhi para pesë viteve me zgjedhjet presidenciale.

Ai theksoi se në libër ofrohet një model i ri se si do ishte më mirë të zgjidhet kryetari i republikës, edhe pse, tha ai, ky model nuk është ideja e tij por e dikujt tjetër që ai e ka paraqitur në libër.

“Në libër thuhet edhe se ka më tepër votues se sa banorë dhe jepen dëshmi përkatëse, thuhet se rajoni i Pollogut prodhon shumë pak dhe ne as së afërmi nuk i plotësojmë nevojat tona në prodhim”, theksoi Nesimi.

Ai tha se në libër janë të përfshira edhe rasti “Monstra”, Kodra e Diellit, helmimet në Tetovë, ngjarjet në Gjorçe Petrov, vrasjet e ndryshme që kanë ndodhur brenda këtyre vendeve. Thuhet se marrë në përgjithësi maqedonasit na e shitën shumë shtrejtë  Marrëveshjen e Ohrit, thotë ai, sepse ajo nuk i plotëson nevojat e shqiptarëve për një jetë më të barabartë dhe më të mirë.

Jeton Shasivari, i cili ishte pjesëmarrës në promovim dhe njëkohësisht është recensues i librit tha se ky libër i trajton disa çështje për herë të parë në gjuhën shqipe, edhe atë shumë objektivisht.

“Themi si revolucionar, në cilësinë e recensuesve, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por për tërë rajonin për herë të parë në gjuhën shqipe trajtohen mjaft objektivisht pa doreza, pa droje disa nga tematikat që janë të ndaluara edhe për vetë politikbërësit”, tha Shasivari.

Ai tha se e veçanta e këtij libri është se autori i jep vlerësimet e veta, i paraqet problematikat, i paraqet pikëpamjet e ndryshme dhe në fund paraqet zgjidhje konkrete për secilën problematikë. Ai theksoi se zgjidhjet e paraqitura nga autori mund të shërbejnë edhe për politikbërësit por edhe për ata që merren me studime të politikës, por edhe të shkencave juridike, ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat