Doli nga shtypi libri i titulluar “Dardanët për Dardaninë”

Libra

Doli nga shtypi libri i titulluar “Dardanët për Dardaninë”

Nga: Prof. Fetah Bahtiri Më: 5 korrik 2019 Në ora: 22:09
Kopertina e librit

Autori i këtij libri, Rrahman Rrahmani i ka hyrë një pune bukur të vështirë dhe voluminoze, me një synim të vetëm: t’i shtrojë në këtë libër për lexuesit e sotëm dhe të gjeneratave të ardhme veprimtaritë e tij dhe të mjedisit ku ai ka jetuar e vepruar në shërbim të Kosovës ˗ atdheut të tij, të cilin e quan Dardani.

Ky është një libër me titull karakteristik - “Dardanët për Dardaninë” dhe është një pasqyrë besnike për atë që kanë bërë dardanët d.m.th. shqiptarët për Dardaninë – Kosovën.

Që në fillim të librit, autori paraqet të dhëna historike dhe gjeografike për Dardaninë, ilustruar edhe me harta.

Ky libër bën pjesë në llojin e shkrimeve dokumentare dhe faktografike, për arsye se krejt çka është thënë është argumentuar me dokumente origjinale, që autori i ka ruajtur në arkivin personal ose i ka grumbulluar nga burime të tjera të sigurta. Këtu bëhet fjalë për shumë veprimtari dhe aksione të shumta humanitare të cilave u ka prirë vetë Rrahman Rrahmani ose ka vepruar në bashkëpunim me bashkatdhetarët në mjedisin ku ka jetuar edhe gjatë kohës kur ishte në Atdhe – në Kosovë. Gjejmë këtu të dhëna edhe për shtegtimin e tij nëpër qytete e vise të ndryshme të Suedisë, si në Svalöv, Överum, në Norvegji, Åstorp, Aneby e së fundi në Ängelholm. Gjithashtu, në libër gjejmë të dhëna për angazhime dhe veprimtari, si të Lidhjes Demokratike të Kosovës, veprimtaritë për organizimin e njësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ambientin ku jetonte autori, por edhe organizime e pjesëmarrje në demonstrata nëpër tërë Suedinë për pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe kundër dhunës serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës. Autorin e hasim ndër të tjerat edhe si organizator të aksioneve të shumta humanitare për të ndihmuar bashkatdhetarët në mërgim, por më së shumti ata në Atdhe si dhe minatorët, në ndihmat për Drenicën, për shkollat e institucione e ndryshme në Kosovë – më së shumti për shkollën në Shupkovc, shoqatën e grave “Krusha” në Krushë të Madhe etj.

Një veprimtari e çmuar e dardanëve për Dardaninë është edhe veprimtaria e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Nëna Terezë” në Ängelholm, kryetar i së cilës është pikërisht autori i këtij libri – Rrahman Rrahmani. Në libër bëhet fjalë edhe për këtë shoqatë brilante dhe jepen ilustrime me fotografi të bukura.

E tërë kjo veprimtari e pasur e dardanëve për Dardaninë është argumentuar me dokumente transparente dhe me fotografi autentike. Në 390 faqet e këtij libri hasim 240 dokumente dhe fotografi, që librin e bëjnë plotësisht dokumentar dhe faktografik. Por, meqenëse libri është bukur shumë autobiografik, hasim këtu edhe shumë fotografi personale të autorit, të cilat, në njëfarë mënyre, e faktografojnë veprimtarinë e tij.

Në libër mund të lexojmë edhe opinione shumë pozitive të 26 individëve e veprimtarëve për figurën e autorit. Në këto opinione shihet se njerëzit e vlerësojnë lart punën dhe veprimtarinë e autorit Rrahman Rrahmani. Njerëzit e çmojnë atë shumë, kanë shumë respekt dhe besim në të dhe pohohet se, sa herë që ai ka qenë organizator i ndonjë aksioni humanitar, bashkatdhetarët kanë kontribuuar pa hezitim.

Në këtë libër i hasim të paraqitura edhe disa mirënjohje të cilat i janë ndarë Rrahman Rrahmanit për veprimtarinë e tij të begatshme në shërbim të Dardanisë. Ky fakt argumenton edhe një herë se puna dhe veprimtaria e Rrahman Rrahmanit është vlerësuar lart.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat