Moikomi dhe Universi në sirtar - Bota Sot
Moikomi dhe Universi në sirtar

Libra

Moikomi dhe Universi në sirtar

Nga: Mikel Gojni Më: 6 korrik 2019 Në ora: 12:11
Moikomi dhe Universi në sirtar

Leximi një proces tepër i ndëliqshëm

Brezi i poetëve e  shqiptarë, të cilit i takon  Moikom Zeqo. Ka disa veçanti që letërsinë shqipe  e bëjnë më të pasur  nga shumë pikëpamje. Me këtë rast do potencuar  interesimet tematike, mjetet dhe teknikat artistike, raportin ndaj objektit të këngëtimit, qëndrimin ndaj artit  dhe krijimit artistik në përgjithësi etj.

Interesimet  motivore  dhe tematike  të këta poetë  janë, në mos  më të gjera, atëherë gjithsesi  me specifike dhe jashtë rrethit  koncensional. Në këtë vijë shkohet  herë-herë  deri aty sa poezisë t’i jepet e drejta  të merret me vetveten, pra, të jetë një poezi ontologjike, si përkufizohet  ky fenomen  në teorinë bashkëkohëse letrare. Teknikat dhe mjetet e trajtësimit artistik janë po ashtu shumë më të gjera, duke ngërthyer  në vete përvojën e procedimeve  artistike të poezisë bashkëkohore.   

Sa i përket raportit subjekt-objekt në këto krijime  poetike, ndërkaq kemi një reduktim  e shpesh  edhe njësim. Procedimet  kryesore  artistike këtu  përqendrohen  në manovrimet me  gjuhën; fjala   dhe figurizimi  i saj  fitojnë  rolin qenësor. Në këtë  mëtim  shkohet  aq larg sa si pasojë  e hasim  shpesh  zbrazësinë kuptimore. Duke u konsideruar si material pune gati vetëm fjala, gjuha dhe  duke u lënë anësh  frymëzimi, krijimi poetic  na del  në këtë mënyrë vetëm si fryt i sferës reflektive, racionale të poeti, ndërsa sfera emocionale  abstraktohet tërësisht.  Në këtë mënyrë poezia hermetizohet  në vetvete, për t’u ushqyer  vetëm nga imagjinata e thellë  dhe inteligjenca  poetike. Të gjitha këto veprime  artistike  që për letërsinë tonë  ishin dhe janë një thyerje, si është bërë zakon të thuhet, Moikom Zeqo duke se është kapërthyer  më se shumti  brenda këtij rrethi, mbase, paragjykoj se ka shkuar  më larg se  të gjithë poetët  tjerë të brezit të cilit i takon.

Shkrimtari, publicist, eseisti, arkeologu dhe erudite i mirënjohur, Moikom  Zeqo, këto ditë lexuesve  iu ka dhuruar një libër të radhës, me një titull shumë metaforik dhe i cili ngërthen tema dhe motive  tepër të rëndësishme dhe me interes shumëdimensional.

Kuptimësia e sintagmës poetike “golgotë fluturash”

Libri, me një titull metaforik, “ Golgotë  fluturash”, i kushtohet poetit të shquar amerikane, Stephen Todd Booker.

Fillimisht në parathënien e libri, shkrimtari Zeqo shprehet se duke e riparë librin tim laboratorik “Golgotë fluturash”, të poezive të harkut konvencional kohor 1991-1999, kam ndjerë në

mungesë shekujsh praninë ngulmuese të Atij,- që ndali në Golgotë, ku ju shkatërrua “natyra njerëzore” .-për të mos i humbur “natyra hyjnore”.

“Golgotë fluturash”,  Po a ka diçka më efemeride se fluturat? A nuk janë efemeridë dhe njerëzit?

E tillë është dhe Golgotaja që grish gjithçka! Sa herë që shkruaj e shoh orën e dorës, për të kuptuar se mund të jem në një tjetër univers. Poezitë e këtij libri vetëm plotësojnë, - por jo për të mbyllur dhe ngurtësuar të Përsosurën. Reflektoj dhe meditoj mbi këto krijime që më kujtojnë

krahasimërisht kompozime që më ngjajnë me diçka prej Braque-u, Paul Klee, Juan Gris-i, ose me përfytyrime të mbartura nga ca “ndërmjetës të së Përtejmes”. Metaforat e mia shfaqen trazueshëm dhe fortunshëm si kindat e manteleve të pikturuara nga El Greco, plot “mosbindje

Luciferriane”. Janë një prirje si ai i pikturimit mitik të peizazheve kineze sipas zen-budizmit, ose si të nxjerra nga Koncerti C-Minor në piano i Mozartit të gërshetuar me madrigalet e Gesuoldos, për të mos harruar dhe përsiatjet tingëllore të Alban Bergut”, shton ndër të tjera shkrimtari Zeqo, i cili në vijim thekson se  duke punuar për këtë libër, në vitin e 70- vjetorit të lindjes

time, bëra një rravgim tek caku i 50- vjetorit, në 1999. “A bën kapërcime të tilla “makina e kohës”? Në të vërtetë lexoja, (rilexoja) esetë e Paul Valery-së për Stephane Mallarme-në. Këto ese janë idolatri shpirtërore, ku çdo gjë, apo ide e tejkalon vetveten. Por kjo s’më krijonte as alergji intelektuale, as shmangie. Tek Poezia Mallarme-ja shihte copëzat e një vepre universale,

të parandjerë mrekullueshëm, por edhe në mënyrë të errët, muzgore, ku, ende askush, prej njerëzve të mëdhenj, që kishin ekzistuar në botë nuk kishin mundur t’i ngjizte tërësinë, as

strukturën të Kohëhapësirës. Mallarme-ja e ndjeu si një detyrë të tijën, ndërmarrjen

thelbësore të gjinisë njerëzore, atë, që ai në intimitet e shpallte,  Moikom Zeqo duke thënë se gjithçka do ta përfundonte, duke u shprehur se bota është krijuar për të përfunduar në një libër.

Kështu Bukuria bëhet sovranitet i  Dukjes. Dhe gjuha transformohet nga transmutacionesh të fshehta dhe të drejtpërdrejta të dëshirave dhe  emocioneve, me një mistake të rrallë, përpirëse, demiurgase të rikonceptimit të gjuhës poetike. Atij sintaksa e zakonshme i ngjante krejt e aftë të shfrytëzonte pambarimisht të tëra kombinimet e pajtueshme me rregullat e saj. Kështu Poezia arrin të japë arritje të habitshme, vlera të papara me domethëniet e zakonshme të shekujve”, ka pohuar ndër të tjera shkrimtari Zeqo.

Poezia e M. Zeqos, si ajo e përparshmja ashtu edhe  kjo e librit  “ Golgotë fluturash” nuk mund të thuhet se  është një poezi pa objekt, pa objekt frymëzimi. Objekti që bëhet  nxitës i frymëzimit  dhe i krijimit, në këto poezi na del  i përcaktuar dhe identifikues, edhe pse për shumë lexues vargu që është i skalitur në poezitë, është një “kockë e fortë”, edhe pse është një varg  që na del i përcaktuar  në periudhën e kohësishme. Rrethi i frymëzimit është  i periudhës bashkëkohëse, ashtu si dhe rrethi kohor, që  del herë në formë  të reminishencave, e herë i rrethit kohor bashkëkohës. Ky nxitës që sëmbon objektin e frymëzimit,  në në vëllimet e  mëparshme poetike, ashtu edhe në këtë të fundit, ngjan të jetë e një fryme, e një ideje, një përsiatjeje, shpesh edhe për vetë krijimin artistik dhe krijuesin, mirëpo zgjedhjet  artistike janë të atilla që japin të kuptojmë  se edhe si të tilla, këto çështje  që shqyrtohen brenda vargut, e kanë burimin  në realitetin  objektiv. Mikrokozmosi dhe makrokozmosi sikur janë burim i thellë i idesë dhe i trajtimit të  çështjeve që merren për shqyrtim dhe  autori i shpalos me mjeshtri. Këtë fakt e dëshmojnë edhe mjetet, figuracionet dhe figurat tjera stilistike, që përshkojnë pothuajse të tëra vargjet e këtij vëllimi poetik.

Po ashtu fryma  e një filozofie të thellë sikur i jep shpirt edhe më tepër këtij vargu të  poetit Zeqo. “Filozofimet” e tij , në të shumtën  për krijimin, krijuesin, fjalën, bukurinë, që në “Golgotë fluturash”,  janë  motivues i vetëm  i këtij kërkimi dhe frymëzimi i dergjur në këtë varg.

Libri poetik, “Golgotë fluturash”, është i konceptuar si një tërësi e organizuar maksimalisht, ashtu që libri  përjetohet si një krijim  poetik.

 Në nismë të librit,  kemi vargjet: e poemthit të titulluar me të njëjtin emërtim sikurse  vetë libri, “Golgotë fluturash”:   

Me abstraksionet e aventurave

Rishfaq idetë e reja.

***

Them se të trillova ty, e dashur,

Dhe do të mbetesh patjetër

Dhe kur unë të zhbëhem!

***

Te çdo rrokje e peshoj vetë Kozmosin.

Si ta vjel tani lëngun e Jetës

Që nga Poezia?

***

Jeta është një endacakëri,

Mes tempujve të braktisur

Dhe simboleve të rinj,

Që na shpërdorojnë

Pa vetëdije,

Pafundësisht!

***

Kurse në fund të këtij poemthi  - vargjet:

Sa shpirtra detarësh të shekujve

Vijnë tek unë,

Për të më shndërruar në një anije, -

Të lundroj drejt Viseve hiperboreale!

***

Ja, ylberet,

Që lindin

Nga pentagramet

E George Ligetit!

***

Shpik krimba specialë për akullnajat.

Si mund të bëj

Beteja të imagjinuara

Mbi kuajt e drunjtë

Të cirkut?

Dhe tymtarët e qytetit

Fishkëllejnë mbi pullaze,

Si saksofone të Jahovait

Papritur...

 Poezia, “Golgotë fluturash”, fq. 9-35.

Libri, si del edhe nga këto vargje të hapjes së këtij poemthi dhe mbylljes së tij, është konceptuar duke u bazuar në ndjenja të thella, që ngërthejnë edhe filozofi  ku dominojnë  parimet e koncepti të  përsiatjeve shumë të thella dhe përmbajtjesore. Ndërkaq, sa u përket koncepteve  për krijimin artistik, për krijuesin, poeti na shfaqet  (me këtë libër0 në një dritë të re, të panjohur më parë tek poeti.

Nga e gjithë subjekti lirik  poeti na del si objekt, kurse krijimi, përkatësisht fenomeni krijim, fjala e magjishme artistike është subjekt  dhe në fund  rezulton me  moton; libri e shkruan poetin e  jo poeti –librin. Pra, fjala artistike  fetishizohet deri ne shkallën  e kërkuar me krijuesin dhe po ashtu ky relacion  qëndron në raportin subjekt-objekt.

Përkrah figurave të njohura , në “Golgotë fluturash”, hetohen edhe figura  të reja, të krijuara  dhe të huazuara  nga mitet e së kaluarës së lashtë që prekin shekujt.

Në gjithë vargjet e këtij libri frekuentojnë  figura të shumta stilistike, metafora dhe figura të tjera, që i dhënë shpirt këtij vargu dhe fuqizojnë vlerat ideore, por edhe ato artistike, duke i dhënë një frymë  të një natyrshmërie të thellë poetike. Fluturat ngërthejnë një metaforizim të thellë, yjet, Toka, meteorët,  hëna, koha, dielli, ylberi, gjithësia , eklipsi, engjëjt, vdekja, pavdekësia, vetmia, ishujt, meteorët, koha, muzgu, shtrëngata, lulet, langonjtë, përjetësia, muzgjet, agimi, bora, apokalipsi, kryqi, shkëmbi, qielli,   hyjnitë etj., etj.  

Poezi të ngërthyera me sërë figursha stilistike që i dhënë jetë vargut

Kështu, pra  simboli dhe metafora  janë mjetet më të dendura  të strukturës figurative të poezisë së  M. Zeqos, madje aq frekuentuese sa këtë poezi, shikuar  nga kjo pikëpamje, mund ta quajmë  poezi simbolike-metaforike. Thuajse  të gjitha vlerat  kuptimore artistike poeti i sendërton  ndërmjet procedimit  të simbolizmit  dhe metaforizimit, madje që  nga  nisma krijuese dhe në të gjitha  trajtat e angazhimeve tematike. Këto figura që e lartësojnë vargun e Zeqos  i vërejmë sidomos të poezitë vijuese të tij, si “Yllësia e mësuar përmendsh”,  “Kohë sferike”, “Trupi i rimëkëmbur i agimit”, “Plaka gjithësi”, “Ylberi palimpsest”, “Alfabet me pishtarët e erosëve”, “Bota e shpikur prej antimateries”, “Dashuri e rrezikshme”, “Durrësi fluturues”, “Buzët e kujtesë”, “Në Jeruzalemin e kibernetikës”, “Laookonti i gjallë mes bijve statuja”, “Alfabeti i shpresës” ( që është e konceptuar në dhjetë këngë) ; “Gjenealogjia ime prej pelikani”, “Shpirtrat e lodhur”, “Kapma dorën o i padukshëm”, ‘Gjyqi poest mortum i metaforave”, “unë lind përsëri”, “Kohërat e shqetësimit”, “Pritjet e mia”,  “Shën Maria me dallëndyshe mbi supe”, “Zjarre demonësh”, “Diell, martiri i madh”, “Fjalët e dashuruara”, “Një grip i Skënderbeut”, “Dorëshkrimi”, “Qyteti i pavdekshëm”, “Deti”, “Klithmën e Albatrosit” (Skënder Drinit),  “Peizazh jonik”, “Andre Breton-it”, “New York”, “Milingonat e anarkisë”, “Pemë e lulëzuar”,   “Francis Bacon”, “Se vdekja”, “O, hënë”, “Biri im”  (Epidamnit), “Nokturno”, “I varrosur nën lëkturën tënde”, “Eshtra poetësh në kozmos”, “Shpirtërat e vdekur”, “Të bisedojë me Gjon Buzukun”, “Tigri robot reciton Majakovskin|” dhe libri me poezi e saj përfundon me poezinë:

“Plaku i mijëvjeçarit të ri”:  

Palma lëkundet

Si bishti i një peshku në akuariumin shtrëngatë

Dhe arratiset skeleti im

Me mish Kozmosi!

Kam si hipotekë

Të Përjetësisë,

Vetë Poezinë,

Për ju vdekatarët e zakonshëm!

Poeti mund të rilindë që nga Vdekja

Më shumë se njëqind herë.

Vetë Krishti do të vijë më në fund

Si Plaku i fshehtë i Mijëvjeçarit të Ri!

Durrës 30 dhjetor 1999

Poezia, fq. 467.

Libër që ia vlen për ta lexuar disa herë

Në fund të librit kemi një ese në 70-vjetorin e lindjes së Moikom Zeqos, që mban titullin “Për Moikomin dhe kohën e tij”, të shkruar nga studiuesi Bedri Zenel Islami. Po ashtu, kemi edhe shkrimin tjetër studimor nga akademik Alfred Uçi, me titull “Moikom Zeqo, postmodernizimi shqiptar”. Në vijim kemi shkrimet tematike të studiuesve të mirënjohur,  si të Fazli Halitit, Silke Blumbachit, Fani Zgura, Arianit Lek ës,  Vangjush Zikos, Skënder Drinit, Mira Meksit, Arianit Bezhanit,  Koloret Cukollit, Petrit Ruk ës,  Enver Kushit, Petro Cerkezit etj.

Se Moikom Zeqo është  tepër i veçantë si  individualitet krijues,   plotësisht i formësuar, sidomos sa i përket llojit të  shkrimit poetik, shihet edhe në këtë libër, që më fare pak elemente për nga ndërtimi  i vargut ndryshon nga  librat të tjerë, sepse stili tepër i veçantë sikur  e përcjell  pothuajse e gjithë vargun  e Zeqos. Si në aspektet më të vogla, po ashtu edhe në ato më  të mëdha të këtij vargu, vërehet menjëherë se kemi të bëjmë  me një  individualitet  poetik të mirënjohur qysh më herët.

Prandaj, në fund mund të konsiderojmë se vëllimi me poezi i Moikom Zeqos, “Golgotë fluturash”, cilësohet  me të gjitha ato vlera të veprave të mëdha artistike dhe si i këtillë  dëshmon  për një nivel të lartë të vetëdijesimit poetik të poezisë bashkëkohore  shqipe në përgjithësi.

 Ky libër është me shumë vlerë për letërsinë shqipe dhe meriton lexuar disa herë.

Korrik, 2019

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...