Ibrahimi: Të shkruash për atdheun e ke çelikosur ndjenjën për të

Libra

Ibrahimi: Të shkruash për atdheun e ke çelikosur ndjenjën për të

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 10 korrik 2019 Në ora: 08:33
Pamje nga promovimi i librit

Në Mitrovicë u përurua libri “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare, numër 10, të botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, si dhe katër libra të tjerë, të botuar nga kjo shoqatë: “Fjalor dhe fraza në shërbimet mjekësore suedisht – shqip”, pjesa e 2-të, autor Fetah Bahtiri; “Dëshmorët e Kombit, Abaz dhe Isak Ibrahimi”, autor Avdyl Uka; “Dardanët për Dardaninë”, autor Rrahman Rrahmani si edhe “Vepra 3”, autor Hysen Ibrahimi.

Në hapje të këtij manifestimi, kryetari i Shoqates së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, Hysen Ibrahimi, vlerësoi lartë kontributin e mërgimtarëve shqiptarë në Suedi, në veçanti të anëtarëve të shoqatës, që ai drejton, për angazhimin e pashoq për të shkruar dhe ndriçuar sa më shumë veprimtarinë e mërgimtarëve për çështjen kombëtare. Ai përmendi emrat veç e veç të atyre që tashmë janë dëshmuar. Ndërsa, theksoi modelin e punës në grupe, që kjo shoqatë e praktikon, me qëllim të saktësimit të shkrimeve dhe dokumentimin e tyre gjatë procesit për botim. “Nuk mund ta ngritësh veten duke i larguar të tjerët, përkundrazi, duke i afruar dhe ngritur të tjerët, ke ngritur vetvetën. Të punosh për atdheun e vulos ndjenjën për të, kurse të shkruash për atdheun e ke çelikosur ndjenjën për të”, tha Ibrahimi.

Ceremonia e përurimit u mbajt në lagjen Shupkovc të Mitrovicës, ku mërgata ka investuar shumë. Sinan Tupella, drejtor i shkollës fillore Sinan Tupella tha se ndihma e mërgimtarëve për shkollën dhe të gjithë banorët e Shpatit (Shupkovcit) do të shënohen në një segment më të rëndësishëm të historisë. Një vlerësim të veçantë pati edhe ish kryetari i Mitrovicës, Mursel Ibrahimi, i cili tha se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemneti Xi Albani”, është model i punës së mirë, duke inkurajuar anëarët e saj të vazhdojnë të sjellin vepra të tilla, me qëllim të ndriçimit të veprimtarisë shqiptare në mërgim, dhe jo vetëm.

Image

SHSHASHS “Papa Klementi XI Albani” ka ndërtuar tashmë një kredibilitet dhe për punën që ka bërë është dëshmuar dhe si rezulat ajo ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa institucione, agjenci shtetërore dhe institute, por edhe me asociacione të tjera, me qëllim të kërkimeve të përbashkëta. Një marrëveshje të tillë, shoqata e ka shkruar edhe me kryetarin e Lidhjës së Shkrimtarëve të Pejës, Esat Loshaj, i cili befasoi me dy çmime që solli në Mitrovicë: “Çmimin për vepër jetësore” prof. Fetah Bahtirit dhe “Çmimin special” për Hysen Ibrahimin, për gjithë çfarë ata kanë bërë në fushën e krijimtarisë.

Libri “Thesar Kombëtar i mërgatës shqiptare” nr.10 pasqyron ngjarje dhe dokumente, intervista dhe aktivitete të shumta të mërgatës, dhe është një seri e punës vulominoze që kanë bërë tashmë anëtarët e shoqatës “Papa Klementi Xi Albani” në Suedi. Për këtë numër të thesarit referoi Idriz Gashi, anëtar i kryesisë së shoqatës.

Kurse anëtarja e kryesisë së kësaj shoqate, Elhame Gjurevci, foli për Fjalorin me fraza në shërbimet mjekësore suedisht – shqip”, pjesa e 2-të, autor Fetah Bahtiri. Ky është një fjalor që ka mbi 12 mijë fjalë dhe shprehje, tha Gjurevci. Ky është i vetmi fjalor për shërbime mjekësore në Suedi, për pacientët shqiptarë me nevojë dhe po ashtu edhe për spitalet e qarqeve të ndryshme, byrotë ndërmjetësuese të përkthimeve dhe drejtëpërsëdrejti për stafin mjekësor për të komunikuar me pecientë.

Ndërsa, për librin “Dëshmorët e Kombit, Abaz dhe Isak Ibrahimi”, autor Avdyl Uka, referoi Fetah Bahtiri. Ai vlerëoi lartë figurën e dy vëllezërve Ibrahimi. Ai lidh heroizmin dhe të vetë autorit me trimërinë që ka treguar duke mbrojtur pragun e shtëpisë më 1990, dhe nevojën që ka shprehur për të shkruar për dy dëshmorët Abaz dhe Isak Ibrahimi.

Ndërkaq, libri “Dardanët për Dardaninë”, i autorit Rrahman Rrahmani, është një libër që sjell vetëm argumente, dokumente origjinale, që autori i ka ruajtur në arkivin personal ose i ka grumbulluar nga burime të tjera të sigurta. Këtu bëhet fjalë për shumë veprimtari dhe aksione të shumta humanitare të cilave u ka prirë vetë Rrahman Rrahmani.

Në fund u përurua edhe libri “Vepra 3”, e autorit Hysen Ibrahimi. Në librin “Vepra 3”, janë përfshirë, shkrime publicistike, përmbajtje të takimeve të temave dhe nivele të ndryshme, intervista, recensione të autorit dhe të autorëve të tjerë për veprat e botuara të autorit si dhe për libra të tjerë që lidhen me autorin dhe veprimtarinë e tij.

Në veprat e tij, autori insiston në nxitjen e pasqyrimit të veprimtarive kulturore, letrare, politike e kombëtare. 63 Tema janë përfshirë në librin Vepra 3.

Me këtë ceremoni SHSHASHS “Papa Klementi XI Albani”, nisi përurimet e botimeve të reja të saj.

Kështu, më 20 korrik do të ketë ceremoni përurimi në Cerrcë të Ibrahim Rugovës, më 22 korrik përurimi do të mbahet në Shkup, nën patronazhin e kryetarit të parlamentit të maqedonisë, Talat Xhaferi, më 25 korrik do të jenë në Boletinin e Isë Boletinit, më 27 korrik në Krushë të Madhe, për të nderuar të rënët për lirinë e Kosovës, ndërsa më 30 korrik do të jenë në Vlorën e Ismail Qemalit, për të përmbyllur kështu verën e përurimeve të librave të SHSHASHS me numrin e 10-të të organit të saj, Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat