Ngjarjet historike të shprehura në artin tonë letrar kombëtar

Libra

Ngjarjet historike të shprehura në artin tonë letrar kombëtar

Nga: Akademik Mehmet Halimi Më: 1 gusht 2019 Në ora: 11:21
Akademik Mehmet Halimi

“Atdheu është si buka,mjerë ata që nuk e kanë

e mjerë ata që e kanë e nuk e duan.” (Popullore),

Shkrimtari ynë i shquar dhe i çmuar i letërsisë shqipe,Ibrahim KADRIU,i lindur,i rritur dhe i selitur rrëzë maleve të larta të Karadakut,atje,ku ai për herë të parë thithi ajrin e pastër dhe atje ku ai piu ujin e gurrave të kthjellët kristalor të këtyre bjeshkëve krenare,ai u rrit dhe u burrërua me bukën e kripën e një familjeje fshatare, bujare e fisnike,i cili duke ndenjur i cucërruar në një qoshe të odës së burrave,gjithnjë kureshtar dhe i etshëm që me zgjuarsinë e kthjelltësinë e tij mendore,tregoi interesim e kureshtje të jashtëzakonshme të dëgjojë për të bëmat dhe të kaluarën historike të popullit të vet. Ai që në fëmijërinë e tij të hershme kishte dëgjuar për luftërat e popullit të kësaj ane,të tërthores së Karadakut, në veçanti dhe të Anamoravës, në përgjithësi. Popull ky,i cili nën udhëheqjen e strategut dhe kreshnikut të Karadakut – Idriz SEFERIT, personalitet ky,i shquar historik i Rilindjes sonë  Kombëtare,i cili  ishte si një lis,që bënte hije për një fis, për një popull e për një komb,nën hijen e të cilit u tubuan dhe u edukuan,u frymëzuan dhe u betuan në besën shqiptare, malësorët e kësaj malësie se do t’i dalin zot trojeve të tyre autoktone stëgjyshore,duke luftuar vijimisht kundër robëruesve e pushtuesve shekullor: turq,serbë e bullgarë.  Janë këto luftëra e ngjarje si vërshimë lumi të tërbuar e si stuhi shtërngate e trazuar,nga njëra anë,por edhe si frymëzim për të shprehur pezmin e mllefin dhe urrejtjen shekullore kundër pushtuesve  e robëruesve shekullorë për të mbijetuar si popull e si komb,nga ana tjetër.

Prandaj,është krejt e natyrshme dhe e logjikshme e kuptimplote, që e solli fati i mirë e hera e mbarë që nga kjo malësi kreshnike e madhështore,me bukuri të rralla natyrore dhe  me një mjedis epik e luftarak,me burra  të denjë  e bujarë, luftëtarë të vendosur e të paepur,të na shfaqet një shkrimtar me cilësi e virtyte njerëzore dhe me aftësi e prirje  mjeshtërore të një talenti gjenial e universal,si orator e mjeshtër i fjalës,në sajimin e hartimin e romaneve historike.Palla e tij është penda e mprehtë,e cila e frymëzuar dhe e trimëruar nga pushka vrastare e luftëtarëve vullnetarë të strategut Idriz SEFERIT, i cili kurrë “as n’kuvend  nuk u ngut,as n’ mejdan nuk u tutë”,autori i romanit në fjalë, i cili me fuqinë  e fshises magjike të arsyes dhe fjalës së tij të fuqishme artistike, vret të shtrembëtin,të padrejtin dhe shpirtërisht e historikisht  mposhtë  armikun e robëruesin tonë shekullor.

Tash së fundi,shkrimtari ynë i shquar, i vyer dhe i rryer në mjeshtërinë e përdorimit të fjalës artistike, sepse   “ asgjë në jetë s’është më reale”se fjala e vërtetë, Ibrahim KADRIU,nxori nga atlantidat e tija dhe  nga arsenali arkivor  dhe imagjinata e tij e pasur,një temë interesante dhe të paprekshme,të patrajtuar e të pashestuar deri më sot në historinë tonë kombëtare. Ndaj, ai na gëzoi dhe  na befasoi  me romanin e tij historik, që vjen me një titull simbolik paksa edhe enigmatik,ku ngjarja fillon në Kosovë e mbaron në një vend të largët aziatik,në Siri,që shpreh çudi dhe habi “ VARRI I SHITUR NË DAMASK”,aq larg nga Vrella e Istogut të Kosovës...

Në këtë roman,autori integron gjithë realitetin historik,ku duke përshkruar e pikturuar bukurinë e peisazheve të vendlindjes së protogonistit,SOKOL AVDYLIT,nga Vrella e Istogut e të atdheut të tij,Kosovës,në pëlhurën e imagjinatës së tij të endur në vekun mendimor, që heshtojnë e vlojnë në stuhitë e rrungajat e tij shpirtërore.

Mësuesi i të urtit është e djeshmja,ndërsa e sotmja do të duket më qartë,kur ajo bëhet e djeshme.    Shqiptarët: “duke qenë gjithmonë në ikje,mbase ata gjithmonë në rrugëtim lanë djersën e gjakun, ama për të tjerët,me atë insistimin vetjak,pra me ambicie individuale,përpiqeshin të tregonin afinitete. Prandaj,kanë mbetur emra që i duartrokasin të tjerët,emra dhe gjurmë në faqet e historive të të tjerëve”.(fq.6).

Romani historik, “VARRI I SHITUR NË DAMASK”,me një titull që në fillim na duket si një enigmë misterioze e mistifikuese,që fsheh në vete një gjë sekrete,si një gjë e gjëzë,që kërkon zgjidhje,që kërkon shpjegim e saktësim dhe shtjellim e qartësim të së kaluarës sonë të ngjethtë e të trisht,për të kuptuar më drejtë,më qartë e më saktë, gjendjen tonë të sotme. Sepse secili individ ka pjesën dhe ndihmesën e vet

në shoqëri,të nyjëtuar e të shtjelluar qartë në ndërtimin e shtetit dhe në pasurimin e kulturës sonë kombëtare,artistike e historike. Sepse kulturën e historinë e një populli  e ndërton: fshatari,zejtari e intelektuali ,( pikërisht ashtu siç të gjitha pjesët e mullirit që drithin e bluajnë dhe e bëjnë miell,e miellin brumë,e brumin  bukë dhe jetojnë,sepse  “buka është shpirti i shpirtit”,pa të s’ka jetë.).Por , mbi të gjitha shkencorisht e studion historiani,por e shpirtëzon,e hijeshon dhe e zbukuron dhe i jep gjak e jetë, gjallëri e bukuri dhe frymëzim artistik e kombëtar,poeti e shkrimtari,duke na i bërë ngjarjet më të afërta,më të ardhura e më të ndjeshme (më të gëzueshme apo më të  trishtueshme) e më të kuptueshme.

Dallimi ndërmjet historianit e shkrimtarit qëndron në faktin se historiani na sjell fakte e argumente të thata,të zhveshura e të lakuriquara,si drurët dhe shkurret,në stinën e dimrit,pa gjethe e pa gjelbërim. Ndërsa,shkrimtari,Ibrahim KADRIU,këto fakte e argumente skeletore, të marra nga realiteti jetësor apo të nxjerra nga arsenali arkivor, i mishëron,i mveshë ,i hijeshon dhe  i zbukuron artistikisht,i gjallëron e  i madhështon,i  bënë ato më tërheqëse , më bindëse  dhe më të kapshme për publikun e gjerë lexues.

Romani i Ibrahim KADRIUT në fjalë,“Varri i shitur në Damask”,dallohet nga romanet e tij të tjera ,nga vetë metoda e shtrimit,e trajtimit dhe e organizimit .Kësaj here,në këtë roman, ai na shfaqet me një risi,që dallon nga romanet e deridjeshme.

Që në hyrje, autori na njofton  me tematikën e romanit,ngjarja e të cilit zhvillohet,në dy rrafshe truallsore, në dy hapësira gjeografike,që zhvillohen e ndodhin,jo vetëm në truallin stërgjyshor,por edhe në troje të huaja,si mërgimtarë,si gurë i luajtur që ka marrë rrëknimin e nuk dihet, ku do të ndalet,si njerëz të dëbuar nga atdheu i tyre,në Greqi, në Turqi e në Siri. Pra,ballafaqohemi me ngjarje historike tragjike,me plot të papritura,me shpërngulje masive e biblike të popullatës shqiptare nga Kosova, të shtrënguar nga terrori shtetëror i  Malit të Zi e  të Serbisë,që në fillim të shekullit XX dhe më vonë pas Luftës së Parë Botërore nga Jugosllavia monarkiste e deri tek ajo e diktaturës komuniste,  titiste,rankoviqiste e totalitariste.

Autori,veprën e vet e organizoi dhe e mbarështroi në gjashtë shtylla,të ashtuquajtura në GJASHTË PJESË,ku secila  pjesë prej tyre në korniza të caktuara trajton një ngjarje të gjeografizuar  hapësinore e kohore,por duke mos e mbyll ngjarjen  me  nye,por e lë me vegëz vazhduese,që hepohet e përcillet në pjesën vijuese,që si një fill i kuq vijon e vibron fund e krye romanit, e ndërlidhur me boshtin kurrizor të veprës në fjalë,gjithnjë duke e ndërplotësuar e duke e pasuruar me ngjarje e ndodhi të reja, me të cilat ballafaqohen me situata e sakrifica të papritura personazhet e protogonistët e romanit në fjalë.

Ndërkaq,  PJESËT   i  ndanë, siç mund të themi, në nëntituj,por ai këto i emërton me një veçanti gjuhësore e me përmbajtje të re kuptimore.Siç mund të kuptohet,në shumësinë e ngjarjeve të nduarnduarta dhe në shumësinë e ngjarjeve kohore e hapësinore,të veçohet diç ndërmjet dy kohëve,ndërmjet dy ngjarjeve apo ndërmjet dy  trojeve mjedisore,ku zhvillohet jeta e personazheve të dëbuar me dhunë e forcë të romanit, që kanë marrë botën  kah këmbët sytë,pra që thotë populli  “ndërmjet të laktit e të thatit” gjendu si të mundesh e si të dijsh. Pra e ka përdor një term të drejtë gjuhësor NDËRKOHË,e jo MESKOHË,siç po përdoret në mediat tona,  në mes(Prishtinës e Beogradit),në vend të  Ndërmjet.( Prishtinës e Beogradit).

Ndërkaq, PJESA E GJASHTË dhe e fundit është sajuar dhe emërtuar me një titull episodik dhe simbolik,që na vjen dhe shërben si një rezimim e sublimim,si një përfundim e sintetizim i tërë lëndës së trajatuar e të shqytruar,e që shërben si kulmar përfundimtar, si lëmeztë e mullarit, për një ngjarje tragjike,si shembull i shumë ngjarjeve tjera, të rrëfyera  në  një vepër artistike të përkryer..

Përmbajtja e shkurtër e romanit e ndarë në gjashtë pjesë,e pjesët të ndara në nëntituj të ashtuquajtur NDËRKOHË,  zhvillohet në dy ambiente,në dy mjedise gjeografike: në Vrellë të Istogut të Kosovës dhe në vendet aziatike: në Turqi e në Siri si dhe  në Greqi gjatë kalimit,në rrugëtime sipër.

PJESA E PARË, ngërthen një të tretën e faqeve tekstore të romanit.Aty përshkruhet jeta e vështirë nën sundimin e malazezëve,më 1912 dhe të Serbisë më 1918 – 1941 e tutje deri më 1956,kur filloi reforma agrare e konvertimi i fesë,nga ajo muslimane e katolike në atë ortodokse të ushtruar me gjenocid e terror të paparë shtetëror mbi popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur shqiptare.Si protoip, personazh dhe protogonist kryesor, autori merr njërën nga shumë familje të të fshatrave të Dukagjinit,familjen e SOKOL AVDYLIT, nga Vrella e Istogut,që përbëhej nga tre vëllezërit: Sokoli,Neziri e Halili dhe gratë e tyre,Azizja (Ziza) me të bijat Hanifen 8 vjeçe  e Zekijen dhe një vajzë të vogël,e cila vdiq rrugës gjatë dëbimit, Shana e Nezirit me të birin Kadriun,Halili me nusen dhe të birin – Idrisin. Pas konfiskimit të dy hektarëve tokë dhe presionit e terrorit të vazhdueshëm shtetëror,Neziri del kaçak në mal, e për shkak të tij,xhandarmëria serbe e marrin dhe e torturojnë Sokolin,e pastaj edhe gruan e Sokolit- Azizen. Ndërsa,Nezirin, nëpërmjet spiunimit të polakut Emërllah Gexhës,xhandarët i qesin prit dhe e vrasin. Punën e ndytë të spiunimit e vazhdon i biri i tij Hysni Gexha,i cili pas vrasjes së babait të tij, kinse vetëvaret,por atë në shenjë hakmrrjeje e vrasin kaçakët,shokët e Nezirit t ndjerë. Mirëpo,siç thotë populli: “gjaku ujë nuk bëhet”,sepse Selman Kadria,ndonëse ishte nip i serbëve,ai e vrau Miliq Kërstën,i cili torturonte e vriste shqiptarë të pafajshëm. Pas këtyre ngjarjeve,qëndrimi i familjes së  Sokol Avdylit  në truallin e vet stëgjyshor u bë i papërballueshëm,ndaj ai me ata anëtarë ,që i mbetën mori rrugëtimin e gjetjes së strehimit e qetësimit nëpër  Selanik e Greqi për në Turqi.Mirëpo,meqë në Turqi nuk pranoi ta ndërrojë emrin e mbiemrin,gjuhën dhe kombin,ku nuk i lejonin ta barte veshjen kombëtare shqiptare dhe ta barte plisin,shenjtërinë e shenjtërisë kombëtare,ai vazhdoi  rrugëtimin për Siri dhe u vendos në Damask,ku plisi i bashkoi me Bekimin e Gjilanit. Këtu gjetën shumë shqiptarë,që kishin shkuar më heret,e pastaj ndërtuan edhe lagjet e tyre shqiptare,siç ishin  Divanie, që njihej si   Mëhalla e Arnautëve.Ndërkaq,shumë shqiptarë ,kryesisht llapjanë,kthehen nga Turqia në Kosovë,sepse nuk kishin pranuar të bëheshin turq,nuk i kishin përfill diktatet e qeverisë turke,që ua ndërronin emrat dhe mbiemrat, veshjen ,gjuhën e përkatësinë kombëtare.

Këtu, në Siri,Sokoli u njoh me shumë shqiptarë nga vise të ndryshme shqiptare,si nga: Gjilani e Maqedonia,nga Shkodra e Shqipëria,me personalitete të shquara,si: Muhamed Nasrudin Albani, Shuaib Muharrem Arrnauti,Haxhi Sulejmani,Shefqet Gavoçi,e shumë të tjerë. Shqiptarët e dëbuar,që vajtën në Siri, në shtëpi flisnin vetëm shqip,martesat i bënin shqiptarët ndërmjetveti, Sokoli – plisin e barti deri në vdekje e askush nuk e pengoi.Megjithatë,malli dhe nostalgjia për vendin, erën e aromën e dheut të vendlindjes,nuk  u shuhej as nuk u hiqej kurrë. “Plaku është si pema e vjetër,po e shkule nuk do të lëshojë rrënjë në truallin e ri”. Kështu pra,kur Halili mori rrugën për Kosovë për të shitur pasurinë, që u kishte mbetur atje,kullën dhe tokën,një plakë heshtake, e mbetuar e vetmuar,që shpesh fliste  edhe vetmevete dhe askush nuk ia vente veshin se ç’thoshte,iu lut Halilit që kur ai të kthehej nga Kosova t’ia sillte një grusht  dhe  nga vendlindja. Ja si e përshkruan nostalgjinë e mallin e saj autori: “Rrëfimi për të mund të ishte shumë i gjatë sikur t’i bëhej një analizë biografisë së saj.Por ajo biografi përfundoi atë ditë kur u kthye Halili nga Vrella. Ai ia kishte sjell dheun të mbështjellë në një kuti letre.Ja dha asaj,kurse ajo me ngadal e hapi kutinë. Kur e pa dheun,e afroi te fytyra t’i merrte erë.E mbajti pak çaste ashtu dhe mbeti pa ndjenja.Kur u shtri në tokë,dheu i ra mbi trup.I sollën ujë.Ia lanë fytyrën,por ajo tashmë kishte vdekur”.

Kjo ngjarje vërtetë ishte e prekshme dhe e habitshme, “ishte nostalgjia,malli i papërballueshëm për vendlindjen,për njerëzit që i kishin lënë atje për të cilët dëgjonin vetën rrëfime trishtuese.”

 Autori Ibrahim KADRIU, në këtë roman na shpërfaqet me njohuri universale,si poet e  si shkrimtar,si historian e psikolog,si etnolog e pedagog,dije e njohuri  këto, që i mishëron dhe i trupëzon në dijen si mjeshtër i romanit historik me veshje e petk artistik,në përshkrimin e peisazheve pikturale dhe përshkrimin e analizave psikologjike e shpirtërore të personazheve artistike,nxjerrë nga arsenali arkivor  i historisë sonë kombëtare.

Autori si një etnolog përshkruan në mënyrë magjike, me simpati e dashuri nostalgjike  veshjen kombëtare,e veçanërisht plisin që është si një shenjtëri e shenjtërisë kombëtare që të përvetëson  si rrezet e diellit me bardhësinë e tij. Plisi ta shton dashurinë dhe  të bënë të ndjeshë simpati e pastërti shpirtërore ndaj tij nga njëra anë, kurse lexuesi shpreh respekt,  ndaj shkrimtarit, kolosit titanik,i cili me veprimin dhe mendimin e tij artistik e historik , sjell një frymë dhe pasion të ri,si një dukuri e re  në letërsinë romanore botërore.Ndaj mund të thuhet se ai me dorën e tij të talentuar dhe të bekuar nga nëna e tij fisnike dhe nga mendja e tij e kthjellët dhe e mprehtë,përshkruan ngjarjet si piktori në pëlhurë,i këndon ato me aftësi magjike, si këngën në muzikë ,të veshur e të praruar me art të përkryer, ai vepron me vërtetësi historike,vërtetësi kjo e ngritur në majat e lartësisë dhe të përsosmërisë artistike,  të frymëzuar e të gatuar nga brumi e lënda mjedisore nga na vjen personazhi kryesor i romanit në fjalë. Me ç’rast autori ,duke pasuruar nduarnduarshmërinë e ideve,ai ndërplotëson dhe lartësuon vlerën e romanit, triumfon si një ngadhënjimtar i dëlirë,duke lënë gjurmët e veta në këtë botë gjigante. Sepse “s’e formon momenti njeriun,por është njeriu ai që e krijon epokën”.Se sa ishte Sokoli i lidhur dhe i dashuruar me plisin si një amanet i shenjtë nga tradita stërgjyshore e të parëve të tij, dëshmon përshkrimi artistik i shkrimtarit: “Plisi magjik,ai plis i bardhë që në rrezet e diellit dukej se kishte më shumë bardhësi,u ruajt në kokën e SOKOLIT  për inat të atyre që e shkelnin dhe e urrenin.Sa ishte në Vrellë,Sokoli nuk e kishte hequr kurrë,edhe kur ia shanin,edhe kur ia gjuanin në tokë, në baltë,dhe kur ia shkelnin. Ato raste jo që e detyronin Sokolin të mos hiqte dorë prej tij,përkundrazi e motivonin edhe më shumë që ta ruante,si diçka hyjnor.Poshtrimi dhe urrejtja ndaj plisit,Sokolit ia shtonte dashurinë ndaj tij,e shtynte të betohej se kurrë nuk do ta hiqte nga koka,siç nuk e largonte as në Damask,kur e shikonin me kureshtje tek ecte rrugës... njësoj siç e shikoi edhe orëtari Said-al-Ahmari,sapo Sokoli me Kadriun hyn në dyqan,ku do të kërkonte që orëtari ta pranonte Kadriun që të mësojë zanatin e tij”.(f.217), i cili ia pëlqeu fortë,ndaj orëtari e pranoi Kadriun të mësojë zanatin e orëtarit,por njëkohësisht edhe t’ia sjell një plis nga Kosova,të cilin Kadriu ia dhuroi plisin e Sokolit pas vdekjes së tij(Sokolit) për të dëshmuar me këtë rast BESËN SHQIPTARE,që ruhet si  bardhësia e shenjtëria e plisit.

P ë r m b y l l j e

Romani historik i shkrimtarit,Ibrahim KADRIUT; “VARRI I SHITUR NË DAMASK”,të cilin autori e titulloi kështu,sepse kur vdiq nipi i Sokolit – Beqiri,Haliti i njofoti  xhematin,se ai e kishte shitur varrin e Sokolit për bukë,titull ky që është shumë tërheqës dhe intrigues për temat e tij interesante dhe kureshtare.

Në radhë të parë për tematikë historike dhe shtjellim patriotik e nostalgjik,ku njeriu vështirë shkulet nga vndi i vet,e më vështirë pema e rritur ngulet e lëshon rrënjë në truall e në vend të huaj. Megjithatë,pipi dhe dega gjithnjë kërkon afërsi e dashuri dhe synim për bashkim me rrënjën e vet. Këtë e dëshmon Prof.dr.Muhamed Mufaku –Arrnauti,sot drejtor i Institutit të Orientalistikës në Fakultetitn Fililogjik të Universitetit të Prishtinës.Pra,pipi (dega) iu bashkua rrënjës dhe  ajo po jep fryte (rezultate) në truallin e të parëve të tij. Ndërsa në radhë të dytë për gjuhën e ëmbël  e gjakun e  shtrenjtë arbëror,për truallin,vendlindjen e atdheun e shenjtë. Sepse  “Guri i rëndë peshon në vend të vet”, aty ku njeriu thithi ajrin, ku piu ujin prej gurit e shkëmbit , “ ku hëngri bukën prej gurit,ku edhe shokët i ka prej gurit,ndaj edhe veten e ndjen më të fortë se guri.”Aty,ku është ngulitur me rrënjë e  me gëdhënj si një lis apo rrap shekullor,e ndjen veten më të fortë e më madhështor. Onomastikoni i vendlindjes,emërtimet e vendbanimeve e ojkonimeve,toponimeve e hidronimeve,zoonimeve e fitonimeve,ku banorët vendës i kanë emërtuar çdo pëllëmb e çdo tëthore në gjuhën  e ëmbël,të shnenjtë e të shtrenjtë amtare  shqipe,veshjet,doket e zakonet,besa e virtytet fisnike të mikpritjes e bujarisë,luftërat e përpjekjet për të mbrojtur trojet stëgjyshore. E kur pushtuesit e huaj përpiqen të dëbojnë me  presion e dhunë,me terror e me forcë shtetërore nga këto troje dhe duan          edhe  të zhbijnë e të zhdukin edhe fizikisht  nga faqja e dheut,njerëzit i kaplon frika   e nostalgjia,sepse duke humbur atdheun,ata humbin edhe gjuhën e kombin, e mbesin njerëz pa atdhe. E  “Atdheu është si buka,mjerë ata që nuk e kanë; e mjerë ata që e kanë e nuk duan”(fj.urtë,popullore).

Një popull që ballafaqohet me këto fatkeqësi,të cilat përbëjnë dramën dhe tragjedinë e tij kombëtare,me të cilat populli ynë ndër shekuj u përballë dhe i përjetoi këto tragjedi kombëtare,dhunë e terror shtetëror nga pushtuesit e robëruesit e huaj shekullorë,por fatkeqësisht nuk mësoi sa duhet prej këtyre pësimeve e dështimeve, ndaj edhe sot,në shekullin XXl, ende po sorollatet ndër meridiane të rruzullit tonë tokësor,e nuk po mund ta gjejë rrugën e zhvillimit normal,rrugën e   e bashkëpunimit dhe të përparimit e  të ndërtimit shtetëror kombëtar ashtu si duhet e si na ka hije si popull,si komb e si shtet i pavarur e sovran, nga njëra anë.

Ndërkaq,shkrimtari Ibrahim KADRIU,në këtë roman,si edhe në romanet tjera përdorë një gjuhë të pastër me kthjelltësi të qartë kuptimore si uji kristalor i gurrave të bjeshkëve të Karadakuit madhështor. Ai po shtien në përdorim një leksik të zgjedhur nga gurra e pasur e gjuhës popullore,duke e pasuruar atë edhe me fjalë të urta e frazeologjizma,me urime e me mallkime, që përfaqësojnë margaritarët e thesarit tonë leksikor. Thesar ky, i mësuar dhe i përvetësuar nga nevoja e përvoja e gjatë shkrimore e  krijimtarisë së tij të pasur e shumë produktive letrare. Siç janë frazeologjizmat: e shikoi me bisht të syrit, kah sytë këmbët; ku rafshim,mos u vrafshim! duke ia shkelur syrin; fjalë me bishta, vajti pa shenj mbi tokë, etj. Fj.të urta: Vëllai ta thyen krahun; Rrugët e shkurta bëhen të gjata; I ka ra shi në kallamoq, etj. Urime:Zoti ia faltë shëndetin! Syri i keq mos e paftë! Ngushëllime: Me lot e mërzi nuk arrihet asgjëj;Qofshim ne shëndoshë,se Neziri na ka lanë!  etj. Autori,përdorë fjali të shkurtëra e të sakta,të qarta e të kuptueshme, me një sintaksë të logjikshme,shquhet për përdorimin e mjeshtërisë së fjalës,të stilit të rrjedhshëm që të mahnitë për kthjelltësinë  e thellësinë mendimore dhe për muzikalitetin melodik të  tekstit të artikuluar aq natyrshëm përmbajtësisht e semantikisht, me ç’rast kemi të bëjmë, jo vetëm me ngjarje historike e  ndërtim artistik,por edhe me një filozofi të thellë të ndërlidhjes së shkaqeve e ngjarjeve,fakteve e argumenteve aktuale e universale, nga ana tjetër.

Shih për këto arsye,të zëna ngoje  në vështrimin tim analitik, romani i autorit, Ibrahim KADRIU, “Varri i shitur në Damask”, shquhet sa për tematikë interesante,po aq kureshtare për metodën e trajtimit dhe shestimit të lëndës së romanit,që të tërheq dhe të zgjon interesim e të shton kureshtjen, sepse ngjarjet janë paraqitur e përshkruar me dendurinë e tyre intensive që të mbajnë të lidhur, ndaj nuk mund ta lëshosh librin nga dora, ndaj ai lexohet me ëndje të madhe dhe me një frymë. Dhe kur t’i dalësh romanit në fund dëshpërohesh e mbetesh i etshëm e i uritur përse mbaroi e m’u shkurtua kënaqësia e leximit të një vepre të përsosur artistike . Pra,shkrimtarit,Ibrahim KADRIUT,hartimi dhe shkrimi i romaneve,veçanërisht atyre historike po i shkon për dore,sepse .ai ia ka marrë dorën dhe iu ka bërë , jo vetëm profesion,por edhe pasion. Ndaj,duke e përgëzuar autorin për punën e tij të suksesshme dhe madhore,kolosale e universale dhe për rëndësinë e një vepre shumëdimensionale: letrare e historike të këtij romani,i urojmë shëndet e jetë të gjatë,duke pritur e shpresuar edhe romane të tjera të kësaj natyre e të kësaj tematike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat