Dhimbjet dhe trazimet dashurore, si nëntekste dhe mesazhe të epërme estetike

Libra

Dhimbjet dhe trazimet dashurore, si nëntekste dhe mesazhe të epërme estetike

Nga: Dukagjin Hata Më: 8 gusht 2019 Në ora: 19:37
Kopertina e librit

Kur lexova librin me poezi “Dallgë në zemër” të poetit nga Tetova, me banim në Austri, Besim Xhelili, u përballa me disa të vërteta të fshehta të unit, që zakonisht, për shkak të disa kondicioneve ”etike”, “morale” etj., (aq të huaja për poezinë) rrijnë nën ujë, si ajzberg, pa dalë në sipërfaqe të gjrave. Leximi i këtyre lirikave më krijoj ndjesinë e një endjeje të pafund, ku imazhet dhe gjendjet këmbëhen pambarimisht dhe kujtesa si mesazh dhe si emocion kthehet në semantikë të identifikimit të derivateve poetike.

Në lirikat e tij lëviz e pulson ankthi dashuror, i trupëzuar si mungesë, si keqkuptim, si narrativë e papërmbushur, si klithje dhe pamundësi, si nevojë urgjente për rrëfim e çlirim, si shpresë në dritëhijet e konturimit të saj. Poeti e konfiguron figurën dhe imazhin poetik me anë të transfigurimit estetik, duke e kthyer kërkimin e unit në një mënyrë të identifikimit të “fiksioneve” vetjake, që marrin shtrirje dhe dimension universal.

Besim Xhelili e ndërton fabulën poetike në përputhje me strukturën liriko-epiko-dramatike të vjershërimit dhe përjetimin e gjendjes vetjake si emocion, që buron nga pavetëdija e tij poetike, nga ato trajta arkitipale, që duke u përthyer në vetëdijen estetike të poetit, kthehen në mesazhe gjithëkohore.

Thellësia e sondës së tij poetike nxjerr në sipërfaqe gjendje dehëse e trallisëse të unit dhe të jashtësive të tij, kërkimet e një shpirti, i cili nuk pajtohet me të rëndomtën dhe lyp konture në ikje, që vazhdimisht largohen nga fokusimi fillestar dhe kthehen në vizatime të shkujdesura, më dorë të lirë. Kjo thellësi e çon atë në përcjellje të një kujtese, mbrese dhe emocioni të fortë, ku mpleksen e ndërthuren harmonkisht në vargje e strofa, të renditura në ritmet e brendshme dhe strukturat e një lirizmi harmonik e spontan, klithmat e një shpirti që kërkon të çlirohet nga tabutë dhe keqkuptimet e një epoke të sëmurë.

Shndërrimi i dhimbjeve dhe trazimeve dashurore në tekste, nëntekste dhe mesazhe të epërme, është i vjetër sa vetë akti shkrimor estetik, por në poezinë e poetit të mirënjohur Besim Xhelili, kjo përmasë kthehet në veçanti shenjuese dhe përcaktuese në fatin e rrugëtimit të tij poetik. Kur lexon librin e tij me poezi “Dallgë në zemër”, të cilat autori i etiketon si “108 lirika të dhimbshme dashurie”, lexuesi përjeton një ballafaqim ballë për ballë e sy më sy me vetveten, pasi uni i trazuar, kërkues dhe plotërues i poetit, drejt flakërimit të së bukurës, që kulmon tek magjia femërore, tek dashuria dhe erosi, janë dimensione të thella të shpirtit njerëzor, modele përmbushëse të unit.

Ka diçka nga ankthi dhe vuajtja danteske, në perceptimin që Besimi ka për vajzën e trazimeve të tij, ku gërshetohet lirizmi dhe drama e brendshme deri në një soj tragjizmi e ku nëpër labirinthet e një vetëdije të grimcuar, nga faqja në faqe, nga lirika në lirikë, konturohet e plotë, klithëse dhe provokuese, pa filtra dhe rekuizita jashtësie, drama ekzistenciale, allakafkiane e poetit, në kërkim të plotërimit të epër dashuror.

Në gjakimin e tij drejt përsëosmërisë së aktit dashuror, drejt pikëtakimit të pamundur të ëndrrës me realitetin, poeti zbulon vetveten, frikërat dhe dyzimet e tij, ankthet dhe mungesat, derivatet e ëndrrës dhe zhgjëndrrës, që përkundën në një karusel të ngarkuar me imazhe dhe gjendje, të cilat shkojnë përtej konstatimeve të rëndomta, duke na përftuar një gjendje afeksioni të gjithëkohshëm transhendent.

Ankthi, vetmia, mungesa, moskuptimi që vjen nga inkoherenca e dy personazheve dashurore nuk është fatal; një shtjellë drite, e imët dhe e luhatur në muzgun e ëndërrimit vjen e qaset në vargjet e poetit, si një mesazh “freskues”, në gjithë këtë “vapë” frymëmbajtëse: “Prishur mendsh jam nëse të thonë/ma zgjat dorën dhe në kohën betohu/për dashuri kurrë nuk është vonë/zemra ime të pret, ti vetëm afrohu”…

Ajo që të befason dhe të bën të reflektosh pas çdo lirike që lexon, është bota e pasur shpirtërore e poetit, ku harmonia dhe bukuria shikohen si një kërkim i etshëm, me dorë në zemër, në magjinë e bukurisë dhe hirit femëror, jo thjeshtë si një përmbushje erotike, por si një plotërim shpirtëror reciprok, i çliruar nga kondicionet sociale dhe aspekte të tjera të përditshmërisë së rëndomtë.

Me demonët n’amshim shpirti kur t’më bashkohet

Atje ka të vuajë dhe të tmerrohet përjetësisht,

Do të digjet, për çdo lotin tënd do të ndëshkohet

Dhe për kokëfortësinë që të desha çmendurisht…

Poezia e Besim Xhelilit është një mozaik kërkimesh të etshme dhe të vetvetishme në shpirtin e fshehtë të dashurisë dhe erosit, të dritëhijeve të tyre, të gjendjeve dehëse e trallisëse, që sjellin me vete kërkim e rrënim, rënie e rilindje. Heroi i aktit poetik të poetit është vetë uni i tij, ajo vetvete e trazuar, e pjesëtuar me kohën dhe bashkëkohësinë, me kujtimet, mbresat, emocionet, të ndodhurat. Autori di të ruajë ekulibrin mes ndjenjes dhe mendimit, mes figurës dhe imazhit, mes gjendjes dhe mesazheve që burojnë nga materia poetike.

Poezia e Besimit është një poezi e dhimbjes, iluzionit, vetmisë, shpresës, ëndrrës, zhgjëndrrës, ankthit, mungesës dhe teprisë së dashurisë, poezi e strukturave moderniste, që iu përkojnë gjendje dehëse e trallisëse të një shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë dhe harmonisë universale, ku gëlon shpresa dhe plotëria, si relieve që lëvizin në thellësi, por konturohen qartë dhe dukshëm në vargjet e poetit...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat