Mark Gjetja, pesha e fjalës dhe forca e mendimit

Libra

Mark Gjetja, pesha e fjalës dhe forca e mendimit

Nga: Baki Ymeri Më: 9 gusht 2019 Në ora: 13:07
Kopertina e librit

Zoti na ka krijuar të shkruajmë libra. Ky libër u kushtohet gjithë shqiptarëve që e donin apo e duan Shqipërinë si gjithë vendet perëndimore me demokraci të zhvilluara! Mark Gjetja shkruan me zërin e zemrës dhe me dritën e shpirtit. Ai din ta nxjerrë shpirtin prej vetes dhe t’ia dhurojë personazheve që kërkon t’i përjetësojë. Kështusoj, ai din të meditojë, krijojë dhe begatojë bibliotekën e sentimenetev letrare me një libër të dashur për lexuesin.

Marku defilon në faqet e kësaj vepre me aforizma dhe poezi. Aforizmi është të shprehurit ne formë të shkurtër, të thjeshtë dhe te thënë në mënyrë koncize dhe të mprehtë, duke dhprehur një ide shpirtërore e përmbledhur dhe e thënë në formë paradoksale. Ndër të parët, aforizmin e përdori Hipokrati në përmbledhjen e këshillave të shkurtra mjekësore „Aphorismoi”. Si shembull tipik i të shprehurit, aforizmi ka misionin që me pak fjalë të thuash shumë. Në kuadrin e aforizmave të autorit të kësaj vepre, ballafaqohemi me mendime për familjen, fëmijët, jetën, pasurinë, mirësinë, bujarinë, dashurinë, mërgimin, atdheun etj.

Atdhetarizmi si ndjenjë e shenjtë, nuk do të humbet kurrë. Forca vjen nga familja dhe nga Qielli, për ta shkruar përrallën e dashurisë në yje. Marku krijon një perandori fjalësh të ngarkuara me peshën e tyre dhe shpirtin e dashurisë. Autori vjen para nesh me fuqinë e mendimeve të qarta, konstruktive, impresionuese dhe të shëndetshme. Ai kërkon moral ideal, integritet dhe vertikalitet. Poeti është mbret, por mbreti nuk është poet. Mark Gjetja boton rregullisht mendime aforistike në profilin e tij në Facebok. Ato janë personale, origjinale dhe mbresëlënëse. Poeti defilon në faqet e kësaj vepre me thesarin e mendimeve të brishta. Janë mendime të skalitura me fjalët që burojnë nga thellësia e shpirtit.

Duke deshifruar thelbin e mendimeve të tij, metaforikisht kuptojmë se fjalët kapen dorë për dore dhe ngjiten shkallëve të qiellit, për të vajtur në planeta tjera, duke na mahnitur me kuptimin e kohës, me kuptimin e jetës dhe me dritën e së vërtetës. Para nesh kemi një botë ideshë të përlindura ku fjalët fejohen me fjalë. Kuptimi i kohës është guximi dhe aftësia për të vajtur nga drita në dritë. Duke e shkundur pluhurin e fjalëve, autori din të lexojë, të meditojë dhe të krijojë nga të një tufë të bukur fjalësh që nuk vdesin kurrë.

Mendimet e Markut premtojnë harmoni, ndjeshmëri dhe dashuri. Dashuri ndaj Zotit, ndaj librit, ndaj familjes dhe atdheut. Për justifikimin e kësaj që thamë më lart, po i citojmë disa nga aforizmat e tij: *Sikur i gjithë njerëzimi të punonte dhe të dhuronte dashuri me ndërgjegje si bletët, bota do të ishte me shekuj përpara. Nuk do të kishte varfëri, por do të kishte vetëm begati, dritë dhe lumturi. *Njeriu gjatë jetës së tij duhet të flasë pak e të durojë shumë, që të mos bjerë në lumë. *Natyrisht dhe normalisht, akujt shkrihen në pranverë, por ka edhe akuj në zemra që nuk shkrihen asnjëherë.

Faltorja është ndërmjetësuesja mes Zotit dhe njerëzve, poeti është i zgjedhuri i Zotit, ndërsa poezia balsam i shpirtit dhe univers energjishë hyjnore. Poezia është një dritare e hapur në zemër të qiellit dhe nata me puthje të zjarrta. Poezia është mbretëresha e shpirtit dhe një zog, fluturimi i të cilit nuk mund të ndërpritet, aq kohë sa drita e ndriçon në shpirtin tonë dhe jetën tonë. Poeti Mark Gjetja del në pah me librin e tij më të ri „Erë dashurie”. Në vargjet e tij: Era shtynte valët drejtë bregut/ Muzgu afrohej i heshtur/ Këmbët e mia lageshin/ Sikur duar i prekënin/ E freskohëshin nga rëra/ Që i kish djegur. Vargje emblematike me vlera reale: Ca fëmijë luanin në breg me rërën/  dhe minutat më trishtonin/ Ata murë ndërtonin/ E sytë e mi sa larg në horizont kërkonin.

Dashuria dhe poezia janë Drita e Përjetësisë

Vëllimi respektiv vjen si një forcë magnetike emocionesh që sajojnë fjalorin e mençurisë. Repetitio est matere studiorum. (Përsëritja është nëna e studimeve). Po e përsërisim se poeti shkruan për jetën, për dashurinë, për atdheun, për botën, për kuptimin e jetës dhe pavdekësinë. Poezia është drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës e të dashurisë së sinqertë për të çliruar shpirtin. Nuk mund të jesh poet pa poseduar vetitë pozitive të karakterit që njeriun e bën njeri. Poeti ka një shpirt të shenjtë që ia ka falë Perëndia. Dashuria është subjekti elementar i frymëzimeve të poetit Mark Gjetja: Ti erdhe pranë meje/ E si vena me nxehë/ Zemra në gjoks vallëzonte e mëndja sa larg shtegëtonte/ Sa ëmbël përshendetje e në syrin tënd loti shkëlqente. Dashuria është fuqia e parë. Shëmbëlltyra e saj është drita që e shemb errësirën, duke i shndërruar bjeshkët në anije fluturuese.

Poeti duket si një fëmijë i degdisur nëpër etapat e epokës së tokës që fluturon në univers. Në poezinë “Valë deti”, poeti i drejtohet të dashurës: Mos më thuaj kur ra nata/ Se nuk qaje ti për mue./ Lotët e tu porsi kristale/ Binin poshtë nga sytë e tu.// Hap dritaren natë e heshtur,/ Hëna sillej midis reshë/ Fllad i lehtë frynë parreshtur/ Me freski shpirtin ma veshë./ Kur të pashë me sytë nga qielli/ Edhe yjet morën flakë/ Buzët prush ngjyrë trandafili/ Puthnin rrezet ngjyrë artë./ Duke pritur jam buzë detit/ Herë mbi valë e hërë në breg/ Nëpër valë mëndja m’ka tretur/ Sa shumë malli po më djegë. Dhe më tej: Bregut dua t’ia puthë këmbët,/ Bashkë më valët t’i përkëdhelë,/ Flladë i freskët mi zgjon ëndërrat,/ T’i prekë flokët përmbi bel.//Si dy brigje kur bashkohen/ Si dy zjarre flakëruar/ Që bëjnë dritë kur dashurohen/ Ngrohin zemra ngrohin duar.

Shpirti i fjalës së tij e zbulon qiellin dhe ik edhe përtej diellit fjala e tij, për të zbuluar ndonjë univers të ri. Marku vjen me ujëvarë fjalësh të denja për arkivim në rafte bibliotekash. Shpirti i tij luan si loti në syrin e fëmijës. Aq plak duket poeti kur mbetet pa fjalë, saqë asnjë vdekje s’mund ta prekë. Thonë se janë të çmendur poetët! Por asnjë spital s’ia jep këtë diagnozë. Gjaku i fjalëve të tij e skuq universin, dhe vjen pajtimi me faljen e harresën. Fjala e poetit e kurdis besimin e shpresën. Lulet, femrat, idealet dhe fjalët janë pjesa më e bukur e natyrës. Poeti din ta shndërrojë çastin në përjetësi. Bota e poezive është bota e ndjenjave, që e lidhin tokën me qiellin. Arti është jetë dhe jeta është art. Krenaritë e artistëve janë aq të mëdha, saqë edhe Himalajet  janë të vogla para tyre. Poeti din të vallëzojë me përjetësinë Duke ëndërruar një botë të përmbushjes së plotë, ku nuk ka dhimbje, shqetësime, pleqëri e vdekje, por vetëm dashuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat