Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, me librin më të ri me poezi, “Ofelia nuk kthehet më...”

Libra

Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, me librin më të ri me poezi, “Ofelia nuk kthehet më...”

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 18:29
Kopertina e librit

Doli nga shtypi libri më i ri me poezi, “Ofelia nuk kthehet më...” i shkrimtarit dhe publicistit Sejdi BERISHA. Ky libër sikur është sublimë e këndimit të veçantë e këtij krijuesi, i cili kësaj radhe, në këtë vepër opinionit dhe lexuesit i ka ofruar veçantinë e themeltë të së bukurës, të dhembjes dhe lumturisë, shenjtërisë të tokës dhe atdheut, e cila ka një histori, që edhe poezia e përjetëson dhe e bën tharm të këngës, mall, dhembje e hidhërim, të cilat aq bukur komunikojnë në mes vete për ta bërë ngritur në piedestal mesazhin dhe metaforën, edhe si peshë, edhe plagë...

Për atë, autori edhe na i ofron vargjet si zë qortues por edhe me kuptimin e thellë filozofik e shumë dimensional: “...Pëlcit si kokrra e kripës/Që mallin ma ngarkove/Si shpatë që pret e vret...”!

Në librin më të ri, “Ofelia nuk kthehet më...”, poezitë ndërlidhin edhe historinë dhe periudhat kohore, të cilat, duke i lexuar ato, sikur shndërrohen në roman apo edhe në ngjarje historike, që vargun e bëjnë me peshë, joshës, por edhe e “reshin” me plot pyetje që vështirë u jepet përgjigja. Për këtë, edhe vetë poezia “Ofelia nuk kthehet më...”, të cilin titull e mban edhe libri, ndoshta tek lexuesi, përveç përjetimit të thellë e plotë ryse, hapë edhe shumë kapituj të së bukurës dhe të madhërishmesh të shoqëruar me dhembje e ndoshta edhe me tragjedi: “...Ofeli/Atëherë do të bindemi/Sa larg është e vërteta/Sa rrenë ka jeta...”!

Në këtë libër, në të cilën sikur shkrimtari dëshiron të na bëjë me dije për përmbylljen krijuese, ai na i sjellë edhe dy-tri mendime të miqve dhe krijuesve për krijimtarinë së tij:

“Miku im, je i madh si njeri dhe si krijues.

I gjunjëzohem burrërisë dhe krijimtarisë tënde. Zoti ta shpërbleftë mundin dhe uroj që gjithmonë të kesh harmoni me vetveten dhe me familjen...” (Adem Zaplluzha, qershor 2019)

* * *

“Njerëzit e shenjtë e dinë rëndësinë e vendit të shenjtë! Ka fat ai vend ku shkelë këmba jote aty...”! (Sadik e Remzije Isufi, qershor 2019)

* * *

“Për punën tuaj të vazhdueshme krijuese, studimore, për evidentimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave etno-kulturore të trevës së Pejës, ju duhet të ishit shpallur me kohë qytetar nderi i këtij qyteti...”! (Agim Bajrami, shkrimtar nga Durrësi, 25 qershor 2019)

Ndërsa, në ballinë, me arsye na ofron edhe këtë mendim të vetin: Vlerat shpirtërore, kulturore, letrare dhe historike, kanë peshë fondamentale për kombin. Ashtu është edhe me letërsinë, artin dhe me teatrin, të cilave që në rini të hershme u qëndrova besnik. Këto madhështi kombi u përpoqa t’i bëj të pavdekshme, i lavdërova, i afirmova, por edhe i qortova dhe luftova të gjitha t’i shndërroj në përjetësi. Çdo ngjarje e pjesë të historisë ta përjetësoj, dhe si të tilla t’ia ofroj popullit, dashamirëve të kulturës, kombit dhe më gjerë...!

Libri “Ofelia nuk kthehet më...” është vepra e 41-të e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA. Ndërsa, redaktorë të librit janë: Prend N. Buzhala (Kosovë) dhe Iliaz Bobaj (Athinë), kurse recensentë janë: Agim Mato (Sarandë) dhe Agim Bajrami (Durrës).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat