Promovim i harmonisë dhe solidaritetit interetnik

Libra

Promovim i harmonisë dhe solidaritetit interetnik

Nga: Baki Ymeri Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 00:02
Kopertina e librit

Drita Shqiptare e Bukureshtit u lind në momentin kur në trojet rumune shkëlqeu një plejadë e patriotëve shqiptarë, që nga Naum Veqilharxhi e deri te Elena Gjika, Nikolla Naço, Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ibrahim Temo dhe pasardhësit e tyre, personaliteti më i rëndësishëm duke qenë Dr. Xhelku Maksuti me origjinë nga Novo Sella e Kërçovës. Ishte një plejadë shqiptarësh me një dashuri të zjarrtë ndaj atdheut. Ishin shpirtërat e mëdhenj që u dogjën për gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar, një numër i madh mëmëdhetarësh të shquar që dhanë kontribut të denjë për bashkimin e kombit dhe realizimin e pavarësisë. Në kuadrin e këtij projekti jepen fragmente nga drita e mërgimtarëve që vinin nga konstelacioni shqiptar dhe shkëlqenin mbi pllajet mikpritëse të Rumanisë. Në këtë kontekst bëhet fjalë edhe për shoqëritë patriotike dhe kulturore që e mbajtën të pashuar flakën e atdhedashurisë shqiptare në diasporë, gjurmat e së cilës i gjejmë sot e kësaj dite në Bukuresht e provincë.

Është një detyrë e shenjtë e gjithë neve, për të na bindur se pranë shqiptarëve, maqedonasve dhe arumunëve të Maqedonisë së Veriut, gjenden edhe rumunët që i kanë pranuar, që i kanë inkuadruar, që kanë krijuar miqësi me ta, duke u dhënë të drejtën për një jetë normale, të shëndetshme dhe të bereqetshme. Këtë e themi përmes një logjike fisnike të dashurisë dhe të tolerancës interetnike për ripërfitimin e të drejtave të njeriut, jo vetëm në fushë të inkuadrimit në punë fizike si rojtarë, ndërtimtarë apo ëmbëltorë, por edhe në fushë të kulturës, e drejtë të cilën shqiptarët, maqedonasit dhe arumunët e Maqedonisë Veriore e kanë përjetuar në trojet mikpritëse të Rumanisë.

Në këtë kontekst, vlen të falënderojmë përzemërsisht Ministrinë e Jashte dhe Ministrinë e Diasporës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që e miratuan kërkesën tonë për mbështetje materiale për botimin e kësaj vepre me karakter publicistik. Aleanca e shqiptarëve, maqedonasve dhe arumunëve me popullin rumun, është rruga më e shenjtë për ta ripërfituar atë që e meritojnë, ngase vetëm duke duke e respektuar njëri-tjetrin në të gjitha pikëshimet e jetës, duke i dëshmuar Europës se edhe ne po pregaditemi të jemi qytetarët e saj të vërtetë. Lidhjet e popujve të Ballkanit me interesat nacionale të Rumanisë janë lidhje të shenjta. Motivet e dashurisë së rumunëve për popujt e Ballkanit, për lirinë dhe prosperitetin e tyre, për zhvillimin e kulturës së tyre, janë një kontribut i veçantë që dëshmon kontributin e Rumanisë për shqiptarët, maqedonasit dhe arumunët.

Në kuadrin e kësaj vepre do të ballafaqohemi me një tabelë kronologjike të personaliteteve më të rëndësishme që kanë ardhur nga trojet e Maqedonisë së Veriut, siç janë Dr, Ibrahim Temo, Petro Janura, Xhelku Maksuti e tjerë, të cilët i kanë përforcuar lidhjet rumuno-shqiptare me kontribute konkrete në fushë të kulturës, shkencës, historisë dhe gazetarisë. Për herë të parë për këto lidhje miqësore e kulturore, kanë shkruar me respekt Dr. Ismet Dërmaku nga Kosova, Dr. Xhelku Maksuti nga Bukureshti, Alush Kamberi nga Tetova etj. Drita shqiptare e Bukureshtit, Konstancës, Krajovës, Kluzh-Napokës dhe qendrave tjera rumune, ndërlidhet edhe me shqiptarët e Maqedonisë, si Daut Ismaili nga Piroku i Tetovës, Vehap Bariu nga fshati Gajre, Sabri Selmani nga Llakavica e Gostivarit, Lazim Rexhepi nga Shipkovica, Asllan Saliu nga Gostivari, familja Memishi nga Sllatina e Rumanisë, etj. (Fragment nga libri “Prezenca e Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në Rumani, Bukuresht 2019)

MIKPRITJA RUMUNE PËR POPUJT E BALLKANIT

Duke u bazuar në shkrimet paraprake të liderit të ndjerë të komunitetit shqiptar të Rumanisë, Dr. Xhelku Maksuti (1931-2018), historian rumun me origjinë nga Novo Sella e Kërçovës, konstatojmë me kënaqësi faktin se studimet e ballkanologjisë kanë njohur viteve të fundit një kthesë të rëndësishme, me tema gjithnjë më nxitëse e më kurreshtare. Këtë herë po e prekim njërën ndër to, një subjekt aktual sot e kësaj dite. Fjala është për një libër të jashtëzakonshëm të Baki Ymerit kushtuar mërgatës shqiptare nga Maqedonia Veriore në trevat e Rumanisë. Vepra respektive e sheh dritën e botimit përmes mbështetjes së Ministrisë së Jashtme dhe Ministris së Diasporës të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në faqet e kësaj monografie bëhet fjalë për emigrantët e ardhur në veri të Danubit përgjatë shekujve XIX dhe XX, me veçanti nga zona perëndimore e Maqedonisë, duke patur për qendra të rëndësishme Shkupin, Kumanovën, Manastirin, Strugën, Dibrën, Kërçovën, Gostivarin dhe Tetovën. Në këtë kontekst, nuk bëjnë përjashtim as shqiptarët e qendrave të tjera, të vendosur në Bukuresht, Plojesht, Krajovë, Konstancë, Xhurxhiu, Kluzh-Napokë, Piatra Neamc, etj., vala më e fuqishme duke qenë e regjistruar pas 1 Dhjetorit 1918, kur Rumania e realizoi Bashkimin e Madh Kombëtar, të huajtë duke ardhur këtu si pasojë e mikpritjes dhe intensifikimit të procesit të industrisë dhe tregtisë.

Përmes shfrytëzimit të një numri të konsideruar dokumentesh, librash dhe publikimesh, shumica të botuara në Rumani, autori dëshmon pjekurinë e kurorëzimit me sukses të një vepre të suksesshme. Hulumtimi është meritor për qartësimin e problemeve të shumta që ndërlidhen me motivet e emigrimit, funksionimin e lobit shqiptar në Evropë, Turqi, Amerikë e gjetiu, bashkëpunimin me kombet e tjera, sidomos me maqedonasit dhe arumunët, integrimi i tyre në shoqërinë rumune, lidhjet e tyre me vendlindjen, rolin e tyre në zhvillimin e shkencës, kulturës, tregtisë, qëndrimin ndaj disa evenimenteve nacionale e internacionale etj. Autori dëshmon intenca fisnike dhe përpjekje të sinqerta për afrimin e popujve dhe afirmimin e shpirtit shqiptar në mërgim, pa marrë parasysh faktin se disa nga këta kanë lënë vepra të botuara, siç është rasti i Dr. Ibrahim Temos, apo disa të tjerë, si Rexhep Novosella, Daut Memishi, Lazim Rexhepi, Xhemile Susliu dhe shqiptarë tjerë që kanë dhuruar nam parashë për funksionimin e shoqërive shqiptare dhe botimin e librave e të revistave, para dhe pas periudhës së diktaturës komuniste.

Emigrantët e ardhur nga Maqedonia Veriore, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, konfesionale apo rajonale, kanë qenë të mirëpritur në Rumani, sidomos ata që formojnë objektin e këtij studimi, duke qenë të shkrirë në gjirin e komunitetit të këtushëm shqiptar. Duhet të përkujtojmë me këtë rast faktin se shqiptarë të shumtë nga zona perëndimore e Maqedonisë kanë qenë personalitete të shquara në fusha të ndryshme, duke u shquar ndër ta dy përfituesit e Çmimit të Nobëlit: Nënë Tereza që shkriu jetën për më të varfërit në Indi, dhe Prof Dr. Ferid Murati në Amerikë, fitues i Çmimit Nobel për mjeksi, por edhe ata që erdhën nga Struga, Kërçova e Tetova, siç ishte Dr. Ibrahim Temo që e përmendëm më lart, udhëheqsi shpirtëror i shqiptarëve të Dobruxhes, pjesmarrës në revolucionin e Turqve të Rinj, i ndjekur nga autoritetet turke, i shpëtuar nga një grup studentësh arumunë, luftëtar i shquar në armatën rumune në kohën e Luftës së parë botërore, i dekoruar me gradën e kapitenit-mjek, apo tregtari Rexhep Selim Novosella, flamurtar i shquar i qytetit të Plojeshtit, Daut Memishi, burri i Gjulies nga Liseci i Tetovës, njëri nga atdhetarët më të shquar të Rumanisë me prejardhje nga Ollovjani i Gostivarit.

Dr. Maksuti theksonte para dy vitesh kur e shfletoi këtë dorëshkrim: “Si historian dhe pjesëbërës i Komunitetit Shqiptar, kam patur rastin që në 70 vitet e fundit të njohim pjesën dërmuese të shqiptarëve të Rumanisë, sidomos ata që kishin ardhur nga Maqedonia. Është ky njëri nga motivet që më shtyri ta pranojmë me kënaqësi dhe interes të veçantë këtë monografi, një shembull brilant që nxjerr në dritë fakte të reja mbi historinë e diasporës shqiptare. Autori shfrytëzon burime të rëndësishme dokumentimi, ndër të cilat vend qëndror zënë edhe autorët rumunë të një prestigji të lartë, si Nikolla Jorga, Bogdan Petriçeiku Hashdeu, Grigore Brënkush, shkrime të historianëve dhe shkrimtarëve shqiptarë si Vehbi Bala, Rexhep Qosja, Ismet Dërmaku, Rexhep Ismajli. Portretet e shqiptarëve të Rumanisë janë ndriçuar me korektësi. Mikro-biografitë janë komentuar në mënyrë diskrete dhe me kompetencë, edhepse, në këtë drejtim mund të rezultojnë punime të tjera shkencore, me inkorporimin e këtyre personaliteteve, disa më shumë e disa më pak të njohura në kontekstin historik të shqiptarëve të këtij vendi, që nga koha e Kongresit të Berlinit (1878) e deri në prag të Pavarësisë së Kosovës, kur ekziston nevoja për njohjen sa më të mirë të realitetit, duke i dhënë një kujdes më të madh studimit të historisë së Gadishullit Ballkanik në kontekstin e historisë shqiptare, rumune dhe universale.

Në konditat e sotme të aspiratave të integrimit europian, monografitë e këtilla janë të mirëseardhura, dhe në konkurencë me përpjekjet që po bëhen për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve kombëtare, për vendosjen e relacioneve ndërmjet popujve, në bazë të mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëpunimit, për evitimin e konflikteve raciste, interkonfesionale dhe interetnike. Shekulli XX ka qenë definitor për kristalizimin e Maqedonisë së sotme, multietnike, si shtet i pavarur, me shtigje të hapura ndaj integrimeve europiane, duke patur parasysh aspiratat e Kryengritjes së Krushevës (1903), kur qe themeluar një Qeveri e përbërë prej një përqindjeje të barbartë mes bullgarëve, shqiptarëve dhe arumunëve, me një Kuvend prej 60 përfaqsuesve (të të njëjtave përmasa proporcionale etnike), për të pasuar pastaj gllabërimi i Maqedonisë nga ana e hegjemonisë serbe (1913), inkorporimi Maqedonisë në kuadrin e Jugosllavisë komuniste (1945-1991), pavarësia e republikës, kryengritja dhe aspiratat e shqiptarëve për një kushtetutë të barabartë me arumunët dhe sllavët, në të gjitha pikëshikimet, përmes Marrëveshjes historike të Ohrit (2001).

Në përmbyllje, duhet theksuar faktin se këtij dorëshkrimi ia shtojnë vlerën ilustrimet e pasura, realizimi i tyre artistik, fotografitë që e kompletojnë tekstin e librit në mënyrë substanciale, duke patur parasysh faktin se disa botohen për herë të parë, kontribut elementar duke patur në këtë drejtim Baki Ymeri, bashkatdhetari ynë që sakrifikon ditët e netët për afirmimin e kulturës shqiptare në Rumani dhe të kombit shqiptar në botë. Presim me interesim kompletimin e këtyre informacioneve të vlefshme, me vëllime të reja, me përmbajtje shkencore dhe publicistike, të dobishme për të gjithë hulumtuesit e historisë së kulturës dhe civilizimit ballkanik, por edhe të publikut të gjerë, sidomos të pasardhësve të atyre që e përbëjnë objektin e kësaj vepre, duke u uruar sukses të plotë autorit për realizimin e qëllimit të propozuar, për të prezantuar një shëmbëltyrë sa më komplete të diasporës shqiptare në Rumani. (Alush Kamberi)

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat