I prirë nga njeriu me vullnet, vrull e energji të jashtëzakonshme - Hysen Ibrahimi, shoqata shpejt u shndërrua në një lloj akademie

Libra

I prirë nga njeriu me vullnet, vrull e energji të jashtëzakonshme - Hysen Ibrahimi, shoqata shpejt u shndërrua në një lloj akademie

Nga: Prof. Fetah Bahtiri Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 14:16
Kopertina e librit

Në botën në të cilën jetojmë, asgjë nuk është e përjetshme. Çdo ngritje ka rënie. Mbesin vetëm kujtimet. Lumë ai që lë gjurmë pas vetes! Zonja e respektuar Hyrë Tejeci – Murati, Anëtare Nderi e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi i hyri një pune serioze për ta përgatitur një libër album me foto, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me zotëriun Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, pozitë kjo të cilën ky e ushtroi që nga themelimi i Shoqatës në vitin 2011 e gjer më sot, e që pikërisht në këtë fushë ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe për disa gjenerata të ardhshme. Këtë ide të zonjës Hyrë dhe angazhim të mbajtur sekret nga personazhi i këtij libri album e përqafuan të gjithë anëtarët e Shoqatës, ndërsa unë personalisht e ndjeva veten të nderuar e të lumtur që të jem redaktor i tij.

T´i kthehemi fillimit të veprimtarisë së Shoqatës…Dua të jem i kuptueshëm dhe i sinqertë: Pak kush ka menduar dhe ka besuar se brenda një kohe prej tetë vjetësh Shoqata do arrijë këtu ku është sot. Por, e prirë nga njeriu vizionar me vullnet, vrull e energji të jashtëzakonshme – Hysen Ibrahimi, Shoqata shpejt u shndërrua në një lloj akademie intelektualësh e veprimtarësh. Doktorët e shkencave, veprimtarët eminentë të kombit, kritikët dhe ekspertët emblematikë nuk ngurruan të deklarojnë se Shoqata me punën e vet ia kalon Akademisë së Shkencave! Madje deklarojnë edhe se ”atë që nuk po e bën Akademia e Shkencave, sot po e bën Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi”.

Rrugëtimi i Shoqatës deri në këtë nivel është i lidhur me një emër: Hysen Ibrahimi, i cili diti dhe mundi t´i organizojë e t´i rreshtojë të gjithë në shërbim të Atdheut. I tërë ky rrugëtim është i mbushur me kujtime, përjetime, gëzime, sakrifica, por edhe me ditë e periudha të mundimshme e edhe të bukura. Ky libër album vetëm pjesërisht mund t´i ilustrojë të gjitha këto, sepse për ilustrimin e plotë të veprimtarisë së Hysen Ibrahimit në kuadër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi nevojiten disa libra të këtillë, për arsye se angazhimi dhe veprimtaria e tij në Shoqatë është marramendëse: tetë vjet të plota i la më anësh të gjitha, e la më anësh familjen dhe i shërbeu Atdheut, i shërbeu Kombit, i shërbeu Shoqatës, kurrë pa u ndalur, kurrë pa hezituar.

Ne që ishim bashkëpunëtorë të tij gjatë kësaj kohe në këtë rrugëtim përjetuam dhe kaluam nëpër situata nga më të llojllojshmet. I bënim të gjitha punët që duhej kryer vetëm e vetëm të arrijmë për ta vënë ndonjë gurë në themelet e shtetit që quhet Republika e Kosovës, duke ndriçuar me fakte dhe me dokumentacion angazhimet e bashkatdhetarëve të mërgatës në Suedi e më gjerë, duke u mbështetur në fakte. Ne ishim të vetëdijshëm: nesër do të jemi të gëzuar e të lumtur kur ta shohim të nxjerrur në dritë numrin e librit që e quajtëm Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi! Kjo ishte lumturia jonë, ky ishte gëzimi ynë më i madh.

Gjithnjë më duket si një ëndërr puna e pandërprerë së bashku me Hysen Ibrahimin edhe nga 10 – 15 orësh në ditë për të arritur në cak: nxjerrjen në dritë të vëllimit pasues të librit Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi.

Gjatë këtij rrugëtimi bashkë me Hysen Ibrahimin kemi mbledhur e grumbulluar aq shumë kujtime të bukura, sa që do t´i mbajmë në kujtesë përjetë, deri sa të shkojmë në amshim. Prandaj, ditët nëpër të cilat kaluam gjatë viteve nuk do t´i harrojmë kurrë.

Dua ta theksoj edhe një gjë të rëndësishme: Gjatë këtij rrugëtimi kam pasur nderin të punoj, të bashkëpunoj, t´i takoj dhe të shoqërohem me aq shumë personalitete të ndritura e eminente të kulturës, shkencës, artit, politikës, për çka unë i jam mirënjohës pikërisht angazhimit të zotëri Hysen Ibrahimit. Nuk mund t´i lë pa i përmendur edhe punët e tjera në përgatitjen e librave të tjerë të anëtarëve të Shoqatës sonë, ku prodhuam intelektualë, shkrimtarë të frytshëm, me vullnet këmbëngulës për të arritur në cakun e ëndërrimeve. Hysen Ibrahimi gjithnjë ishte më i gëzuari, më i lumturi për arritjet e këtilla.

Por, konsideroj se suksesi më i madh i Hysen Ibrahimit është bashkimi i shqiptarëve nga të gjitha trojet tona etnike, nga të gjitha shtetet e globit ku jetojnë ata, në angazhimet për t´i shërbyer Atdheut dhe Kombit, në forma të ndryshme. Është shumë e vështirë të përmenden personat e individët që bashkëpunuan dendur me Hysen Ibrahimin për realizimin e synimeve kombëtare nëpërmjet Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, sepse ata janë të shumtë. Ata i gjejmë në anëtarësinë e gjerë të Shoqatës, por, edhe gjithkund, në të gjitha këndet e botës ku jetojnë vëllezërit dhe motrat tona, e ku ne u paraqitëm me Thesarët tanë: në Shqipëri, Dardani, Iliridë, Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, Çamëri, në Evropë, Amerikë…

Në këtë rast nuk dua ta harroj edhe një gjë: si redaktor i disa numrave dhe si kryetar i Komisionit për redaktim të librit ”Thesar kombëtar i shqiptare” në Suedi përzemërsisht i falënderoj të gjithë shkrimtarët e mbështetësit e Shoqatës për një bashkëpunim të ndershëm, të pastër, patriotik, shkencor, kombëtar, por edhe për kritika të rastit të cilat i kanë ndihmuar Hysen Ibrahimit në ushtrimin shumë të suksesshëm të rolit udhëheqës në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Unë mendoj se edhe Hysen Ibrahimi pajtohet që në këtë rast ta falënderojmë përzemërsisht edhe një armatë referuesish e moderatorësh nga të gjitha trojet etnike, të cilët në mënyrë të këndshme, argumentuese dhe bindëse shfletuan vlerat e Thesarëve… tanë, gjithnjë duke theksuar angazhimin dhe kontributin e veçantë të tij.

Mbi te gjitha, dua t´i falënderoj me plot zemër mbështetësit e Shoqatës të cilët praktikisht me punë vullnetare e edhe me lekë ndihmuan rregullisht funksionimin me sukses të plotë të Shoqatës sonë. Mbështetja e tyre ka qenë vendimtare dhe e flakët për mbarëvajtjen e Shoqatës.

Le të thuhet qartas se të gjithë anëtarët e Shoqatës, bashkëpunëtorët e Hysen Ibrahimit, mbështetësit e adhuruesit e tij, janë Hysen Ibrahima dhe janë shpirt i Shoqatës. Prandaj konsideroj me të drejtë se këta kanë energji, ide, vullnet, kohë, aftësi dhe dëshirë për ta vazhduar bashkëpunimin dhe arritjen e sukseseve edhe më të mëdha në vazhdim.

”Së bashku” dhe puna në grupe ishin motot e Hysen Ibrahimit sa herë që merrte lëvdata nga ndokush që admirohej me arritjet e Shoqatës. Mendoj se këto moto duhet të vlejnë edhe në të ardhmen, për çka unë shpreh admirim të paskajshëm.

Unë si redaktor i këtij libri album shfrytëzoj rastin që sinqerisht ta falënderoj autoren Hyrë Tejeci – Murati për punën e saj serioze dhe që na ka servuar këtë dokumentar të rëndësishëm e kuptimplotë për Hysen Ibrahimin, figurën e ndritshme të mërgatës shqiptare në Suedi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat