Vlerësim për librin me poezi “ për ty ”të poetes mevlyde mezini saraçi

Libra

Vlerësim për librin me poezi “ për ty ”të poetes mevlyde mezini saraçi

Nga: Naxhije Doçi – Prishtinë Më: 2 janar 2020 Në ora: 11:30
Foto nga prezantimi i librit

Përmbledhja me poezi “Për ty“ të poetes dhe shkrimtares, Mevlyde Mezini Saraçi është një realizim poetik me rëndësi e njëkohësisht edhe kompleks e përmbajtësor në thellësinë e mbarështrimit të botës emocionale. Në të shfletohen shqetësimet e autores për dukuritë e përditshme dhe përgjithësisht për realitetin e mjegulluar nëpër të cilin frymon Kosova dhe populli shqiptar i saj në dekadën e dytë të shekullit Njëzetenjë (XXI). Është një koncept i shkrirë në art të skalitur shkrimor e tematikë në brendinë e vet dhe paksa edhe si i veçantë në përmbushjen e paradigmave ligjëruese, ku poetja komunikon lirshëm me vargun për ta vënë në spikamë kohën vorbull në Kosovën e lirë, ende me brishtësi të vazhdueshme si shtet i ri në zemër të Evropës së madhe e kundërthënëse për të,”Evropa plakë sërish në skenë me skenar të vjetër”.

Vetë titulli simbolik i përmbledhjes “Për ty” na jep mesazhin e thellë e kuptimplotë për frymën e ngrohtë dhe për dashurinë e thellë që ndien poetja për Kosovën dhe për njerëzit e saj kontribues e sakrifikues, që edhe janë esenca e ndjeshmërisë, dhe e kuptimësisë logjike të librit.

“Të dua si yllin që ndritë në errësirë

sy shqiponjë e patrembur kohësh

shtrirë degët mbi rrënjët e atdheut”

Poezia “Për ty”

Për Kosovën dhe njerëzit e saj përkushtues poetes i /vlon në shpirt dashuria hyjnore/. Ata janë pashmangshmëria e ngërthyer që “oxhaku nxjerr shtëllunga tymi/ e /bloza e hirit mban prushin e ndezur”, të cilët edhe ne këtë të quajtur kohë lirie sikur nuk pushojnë së rropaturit me përjetime ngjarjesh të përvuajtura, radhitur nëpër shkallëzime të theksuara si histori.

Poetja, Mevlyde Mezini Saraçi është një shkrimtare tashmë e dëshmuar me vepra të shumta shkrimi zhanresh të ndryshme, si poezi, prozë, dramë e të tjera, nga të cilat kuptojmë se prirja e saj për të shkruar është shumë e thellë dhe do të thosha edhe krejtësisht e shkrirë në art. Pena e saj e sprovuar shkrimore flet natyrshëm dhe me gjuhë të çiltër ndjenjësie për realitetin e jetuar dhe të përjetuar nëpër kohë të padrejta dhe tepër të rënda për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi. Shtegun motivor të poezisë si gjuhë zemre poetja e trasoi që herët, e preokupuar në fillim për jetën fëmijërore e rinore, si moshë të mrekullisë dhe të çiltërsisë së patravaj, për t’u pasionuar pastaj edhe për vendlindjen e vajit dhe të buzëqeshjes së parë, Mitrovicën e saj me ar në thellësitë e tokës dhe ballëlartë në përqafim të diellit.

Ndër kapërcime motesh poetja do të shfletojë pamje të tjera motivimesh poetike, nga se rrethanat reale dhe të nduarduarta jetësore ia diktojnë frymëzimet e tilla, si edhe ia thellojnë sferat e pozicionimit në cepin e përkushtimeve krijuese, si ato për atdheun e robëruar dhe për shpresat e për përpjekjet e pandalura në shijimin sa më të shpejtë të lirisë së ëndërruar nëpër mote. Në brendinë e ndezur do t’i vrushkullojnë vargje edhe për gëzimin në kornizë përmallimi, si edhe për vuajtjen dhe për guximin që i gulmonte gjithmonë i pathyer në jetë:

”Poete më bëri malli i pa shuar

dashuria e madhe për atdhe,

poete më bëri guximi

jeta frymëzimi, etja për liri

Poezia: ”Si u bëra poete”

Në këtë recensim vlerësues nuk do të hyj në shpalosje të të dhënave biografike të autores Mr. Mevlyde Saraçi, se atëherë është e pamundur që të mos thellohem në veprimtarinë e bujshme dhe të përkushtuar atdhetare të saj. Do të ishte e pamundur, por edhe jologjike që të mos e preku edhe esencën e vështirësive të shumta jetësore nëpër të cilat kaloi dhe mbijetoi autorja, si edhe për përjetimet e saj nëpër burgjet tmerruese serbe, në Kosovën e fundviteve te nentëdhjeta të shekullit njëzet që shkoi. Recenzimin do ta orientoj kryesisht në raport me përmbledhjen poetike “Për ty”, duke u munduar që ta përfshijë në një masë të caktuar frymën përjetuese dhe rrugëtimin krijues të autores në paraqitjen e ngjarjeve dhe të ndodhive shqetësuese, që e rrethojnë dhe që e preokupojnë në këto kohë me larushi të shumta ndodhish.

Libri “Për ty” përmbanë 92 poezi lirike motivesh të ndryshme, të deshifruara me përkujdesje të përpiktë edhe me data shkrimi brenda gjysmës së parë dhe shumë ekplicit të vitit 2015, në Kosovë. Kjo përpjekje tregon për vigjilencën dhe përkushtimin që ka poetja në përcjelljen dhe në vlerësimin e situatave me shtresat e caktuara shoqërore, si edhe për përditëshmërinë e ngarkuar në Kosovë.

Vargu i shtjelluar në këtë përmbledhje poezish ka një muzikalitet të veçantë poetik, i mbushur edhe me figura të shumta stilistike, si edhe me metafora të qëlluara, duke e bërë kësisojit kuptimësinë thelbësore të veprës një mesazh të fuqishëm dhe shumëdimensional për lexuesin. Poetja ka ndjeshmëri të larta poetike në thurje të vargjeve, e nga zemërplasja shpesh herë del edhe shumë e guximshme në erupcionin e saj shpirtëror, se kërkon që jeta në Kosovën e lirë të ketë liri të vërtetë dhe të plotëfuqishme, të shtrirë në çdo cep të përkufizimit të saj gjeografik. Frymëzimi si emocion krijues e stlizon vargun e saj në ligjërim të stisur poetik që jeta në Kosovë dhe konkretisht në vendlindjen e saj në Mitrovicë të mos ketë ndarje me tela gjemborë “deri tek muri ndarës” veri-jug, që të mos “mbyllet jeta” me “Ura që ndanë zemra”, por që të krijohen ura përbashkimi dhe afrimi në jetë, nga se “mbarë bota ndërton ura”:

“Në vendlindje mbyllet jeta
ndahen zemrat njerëzit
ka kohë që se kam shkelë veriun
ec deri tek muri ndarës
kthehem e dëshpëruar prapë”

Poezia: “Ura që ndanë zemra”

Fjala ime (Recensuese) në perurim të librit “Për ty” të poetes, Mevlyde Saraçi-Gjakovë-14.12.2019

Në vëllimin poetik “Për ty” poetja Mevlyde Saraçi e shtjellon me brengosje të madhe shpirtërore edhe shpërnguljen e sërishme të shqiptarëve nga Kosova dhe atë me valëzime shqetësuese deri në zbrazje marramendëse. Autorja nuk e ka ëndërruar dhe as nuk është sakrifikuar me hovin e atdhedashurisë së zjarrtë për një Kosovë të lirë, që lejon dhe shpërfill shpërnguljen e sërishme të shqiptarëve nga vatrat e tyre jetike, refren ky tepër i dhembshëm dhe shfarosës nëpër mote të tjera trishti dhe robërie ndër shqiptarë.

”A ka zemër që rrah
a ka sy në këtë vend
për të parë tmerrin”

Poezia: ”A ka zemër”

Ngecja e proceseve të premtuara për ardhmerinë zhvillimore të Kosovës në liri dhe provokimi i situatave frymëzënëse në mbulim të intresave individuale dhe të njëanëshme sikur e ngacmuan qëllimshëm ndjeshmërinë e krijuar në vend dhe shpërthimin e ngjarjeve të dhembshme dhe përmalluese të shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova. Ngjarjet e tilla do t’ia thyejnë thellësisht ëndërrat dhe shpresat e poetes, duke e vënë para një pozicioni tepër prekës e shqetësues në pikëpamje dhe duke pyetur:

“Deri kur do të kullojnë gjak ëndrrat e mia plagë,

vallë a të bren ndërgjegjja edhe ty”

Nga zemërplasja e thellë, por edhe nga dhembja e madhe për zbrazjen e vendit nga njerëzit e dashur të saj, që: /larg atje në rrugët e humbura/

/Dremisni pyjeve me ëndrra mashtruese/, autorja sikur është e cytur nga brendia e lënduar e shpirtit që ta vëjë një lloj analogjie të pjeshme edhe mbi ndërgjegjen e masës që shpërngulej: /Ku po mbetet gjaku i të rënëve për liri/? Përballja me situatat të tilla lemeritëse të shpërnguljes, me shtëpi të mbyllura me dry, ku roje nderi bën heshtja trishtuese dhe ku nëpër shkolla, bankat sërish zbrazen munguar filizash, domosdoshmërisht që do të krijohen ndjeshmëri të thella emocionuese në vargjet e poetes:

“Në stacionin e pazareve të shpërnguljes

ankth loti i nënës vaji i fëmijëve

librat e fletoret në shtëpitë e mbyllura me dry”

Poezia: ”Pa titull”

Dhe të gjitha këto tabllo shpërthyese të shpërnguljes, që e trondisin thellësisht botën shpirtërore të autores, ndërsa në përgjithësi sikur /mbesin ngjarje dite si lajm/, realizohen me numër shqetësues njerëzish deri në pamundësi numërimi dhe atë në hapësirën e pandërprerë kohore ag e terr, të patrazuar dhe /para syve të tonë para syve të botës ikin/, që poetja me të drejtë do t’i parealelizojë si: /ikjet ilegale në formë krejt legale/

Në këtë përmbledhje poetike me kuptimësi të thellë artistike, një cikël i ndarë poezish me madhështi vargu dhe me gjuhë të stilizuar figurative, u dedikohen edhe personazheve të caktuara, të cilët për lirinë e Kosovës dhe për çështjen kombëtare dhanë atë më të shtrenjten, jetën e tyre, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e brezave dhe në analet e historisë. Si të tilla dallohen poezitë për dëshmorët e lirisë Urim Rexha, Mark Malota, Ismet Avdi Qorraj etj., që poetja do t’i përjetësojë në vargje duke jua dëshmuar kështu me thellësi shpirti dhe me krenari zemre vlerat meritore që i kanë:

”Me plumb në gjoks skuqe flamurin, lindi liria/

Ti jeton edhe përtej jetës ”

Poezia ”Përkushtim”

Për autoren e librit preokupim shpirtëror dhe poetik është edhe personazhi i nënës shqiptare, asaj heroine të gjallë të kohëve, së cilës i vriten dhe i kidnapohen djemtë dhe vajzat nga ushtria uzurpatore dhe vrastare serbe në Kosovë. Si krijuese vargu, por edhe si aktiviste e humanitare e dëshmuar poetja nuk mund të rrijë e patrazuar shpirtërisht duke e ditur shqetësimin e nënës shqiptare të shdërruar në pritje të lajmit për fatin e më të dashurëve të saj, që ia morën me torturime tmerruese, në shtëpi dhe para syve të saj, duke mos ditur më asgjë të saktë për fatin e tyre, andaj edhe thotë:

”Sot e zgjova agun në mesnatë
për ta shoqëruar vetminë
e nënëmadhes Ferdonije.
Asaj ia rrëmbyen dritat e syve
Vetëm shpirti i djemve i bën dritë”
Poezia: ”Ag i zgjuar në mesnatë”

Në këtë përmbledhje poezish me laryshi motivesh fjala artistike ka një ligjërim të pastër poetik në mbarështrimin e ndjeshmërive të ndryshme që sjellë jeta, ndër të cilat edhe ndjenjën e dashurisë së natyrshme njerëzore si kuptim jetik e të dashurisë si emocion shpirtëror dhe erotik,:

“Të dua çdo sekondë të jetës të dua pa dhuratë

Dashuri është jeta ime me ty çdo ditë natë e vit”

Poezia: ”Dashuria nuk zgjat vetëm një ditë”

Si përfundim mund të themi se poetja Mevlyde Saraçi, në këtë përmbledhje poezish ka një stil të dalluar poetik me një vizion real për jetën me hapësirë të pakontestueshme shpresash dhe me kalitje vullnetesh të reja për të ecur përpara, edhe nëpër vështirësi, vetëm që jeta në Kosovë ta ketë vlerën e vet meritore, të frekuentojë harmonishëm me të drejtë ligjore e njerëzore, si edhe në hap me kohën.

-Prishtinë, 14 dhjetor-2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat