Thirrma e pasubjektsisë së (për)kohsme - Bota Sot
Thirrma e pasubjektsisë së (për)kohsme

Libra

Thirrma e pasubjektsisë së (për)kohsme

Nga: Nazif Zejnullahu Më: 13 janar 2020 Në ora: 10:31
Foto ilustrim

Poezia e librit “Truphija” të Nexhat Halimit, si për nga mënyra e procedimit libror, ashtu dhe për nga shumësia semantike e secilës syresh më vete, dallohet me tingëllimë të veçantë poetike, e cila përkatësisht është rezultat i stisje së saj sugjestive dhe inherente. Narracioni poetik shtrihet përgjatë gjashtë njësive ndarëse, të ashtu quajtura jo pa qëllim fragmente, të cilave u prin një vjershë hyrëse-manifestive. Pjesa e fundit, edhe pse e përfshirë në “fragmentaritetin” e këtij libri, qëndron në ndaj vënie me poezinë “Lulëzimi i gurit”, të cilat, bashkërisht, janë në varëshmëri me gjithë materien e përkufizuar artistike. Një strukturë e këtillë koncipuese, në pamje të parë përngjanë në torrlojë të llojit të vet, madje, do të thoshim ajo duket se është mjaft hermetike dhe thurimë e bazuar në lojë fjalësh gjë që është në kundërshtim me përshtypjen nga ligjërimi letrar i saj i vërtetë. Kësisoj, libri “Truphija” vë kontakt përmes një gjuhe poetike specifike dhe mjaft ezoterike, e cila, në thelb, është e drejtpërdrejt dhe e kuptueshme për recipientin e saj të dytë.

Botë preokupuese e këtij autori nuk është subjekti ose objekti i një kohe dhe hapësire të caktuar, por dytësia e tyre e përbashkët. Pasubjektësia e këtillë e (për)kobshme, e vështruar me prizmin e anës së përgjithshme, në librin “Truphija” formësohet nëpërmjet një vokacioni të rrjedhshëm sukcesiv, që do të thotë se ajo arrin të artikulohet me gjuhë të pasur poetike dhe semiotikisht të niveluar. Rrjedhimisht, libri i imponohet lexuesit me strukturën e tij metaforike-simbolike, e cila e kushtëzon edhe vetë aktin e leximit, duke e bërë atë që të jetë trampolinë e kuptueshmërisë së tij të mirëfilltë. Duke u marrë me tepër me anën meditative sesa me atë të veprimit (e inkurajimit këtu në fjalën e përngjitur të titullit të një vjershe dhe të gjithë librit) N.Halimi krijon poezinë e vet dhe të rrethit të tij jetësor, prandaj edhe thirrma ideo-artistike e ardhur nga kjo nuk kakofonohet as llojshmërisht e as për nga lartësia (gjegjësisht ultësia) e zërit të pranishëm gjithandej, sepse intenca e autorit nuk është e tillë assesi. Kështu, këtu gjen shprehje mendimi biblik i gjakut – jetë, ose ai i gjakut të përzier me ujë që par excellence është shenjë e pavdekshmërisë. Lidhja e dy borërave – tokësores dhe asaj hyjnores – e bërë përmes shkurtësisë, Sibilave, të cilat e mbajnë gjallë dialogun poetik me narratorin përbën hallkën kryesore të stigmatizimit të pasubjektësisë së përçmuar me meritë. Vargjet deri te olimpi ( vetëm hije) e varre (e brigje) e ujë (në rrugë) qerre të thyera (e kalorës të verbër), “Truphija” fq 8 dhe “toka e bardhë në malkurën (përrallën e gjakut) që hapësirë bëhet në një degë (zjarr bëhet) hi (lule përsëri feniks) (Aty, fq 118) të cilat i mbyllin përkatësisht poezinë prolog dhe “Përralla” të “Fragmentit 6” qëndrojnë në marrëdhënie shkak pasojë, ose, thënë më ndryshe, të diagnozës dhe të terapisë, ligjshmëri këto që në përgjithësi janë universale në kohë dhe hapësirë. Së këndejmi edhe preokupimi me tërësinë e raporteve ekzistenciale, të vështruara në relacione të ndryshme përcaktuese, ndikon që struktura tematike e këtij libri të jetë e prridhur horizontalisht dhe vertikalisht, e cila ngërthejnë vetveten elementaritet vokativ të ri e semantik të ditur.

Libri “Truphija” i N. Halimit, si thirrmë e pasubjektësisë së (për) kobshme, i sintetizuar tradicionalisht përsa i përket anëve formale kurse mjaft bashkohorë në planin metaforik-simbolik dhe përgjithësisht semiotik e semantik, paraqet tërësinë e gërshetimeve të refleksave poetike reale, të përcaktuara në mënyrë të padeterminuar. Ky raport i brenda për brendshëm, i vështruar në kahun e ndërtushmërisë së poezisë të ciklit dhe të librit në përgjithësi bën që poetika e tij të jetë e simplifikuar për nga shumësia e matjeve të krijimit të saj, kurse e ndërlikuar dhe mjaft konotative për nga kuptimi i botës së perceptuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Si e tillë, ajo ngrihet mbi bazën e kuptimësimit të ri të elementeve simbolike-figurative, të po atyre përbërësve të komunikimit lirik që hasën në letërsinë bashkëkohëse përgjithësisht, duke dialoguar me lexuesin në një mënyrë të mëvetësishme dhe letrarisht bindëse. Pasubjektësia e elementit jetësor, si dukuri e tukeqme e relacionit ndërmjet tërësisë organike dhe ecurinës mbastare të padëshiruar, të inkurajuar përgjithësisht në shumëkuptimësinë e poezisë së përveçme arketipe, esencialisht është thirrmë e saj e (për) kobshme. Prandaj do të thoshim, vënia në objektiv e këtyre ligjshmërive, shumë të rëndësishme në procesualitetin e gjallimit konkret, bëhet angazhimant poetik i kapshëm për lexuesin. Duke qenë e tillë, poezia e N.Halimit, kjo e librit “Truphija” e vështruar në tërësi, shndërrohet në thirrmë të subjektësisë së përhershme, si imanentë e ngarrisjes së kotë, të cilën autori i saj me të drejt e stigmatizon. Thirrma e pasubjektësisë së (për)kobshme, e përfshirë ndërmjet gjashtë fragmentesh të një tërësie të tërë, në përgjithësi, vë kontakt të drejtpërdrejtë me lexuesin, duke u bërë thirrmë subjektësisë së dëshiruar. Kësisoj, libri “Truphija” i N.Halimit i parë në prizmin e tij të gjithanshëm , paraqet një pasurim të këndshëm të poezisë sonë të sotme, duke u dalluar si me figurëshmëri të pasur ideo-artistike, ashtu dhe me procedim të përgjithshëm, të kënaqshëm, libror.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat