Mbi librin “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” të autorit Rrustem R. Berisha

Libra

Mbi librin “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” të autorit Rrustem R. Berisha

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 18:13
Skënder Sadri Kapiti

Libri “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”  i autorit Rrustem R. Berisha është një  studim politik, akademik dhe historik me vlera jashtëzakonisht të mëdha, vepra e të cilit ka një rëndësi edukativo-kombëtare, patriotike dhe historike për ta mësuar ndërgjegjja kolektive shqiptare sot dhe e brezave që do të vijnë, për ta mësuar  atë se çfarë ka bërë barbarizmi antihuman dhe genocidist serbo-malazez  mbi shqiptarët.

Unë këtë krim genocidial serb e kam quajtur holokaust, dhe e falënderoj z. Berisha që në një vend të Studimit të tij Autori  e ka vendosur në volumin e tretë të këtij studimi edhe shkrimin tim. Autori ka meritën e madhe sepse ai na sjell sot të vërtetën e madhe historike të gjenocidit serb mbi shqiptarët, gjë që është aq shumë e nevojshme dhe e duhur në momentin historik edhe aktual.

Këtë vepër të z. Berisha është mirë që ta kenë shkollat, universitet dhe akademitë, libraritë dhe çdo familje shqiptare, dhe sidomos ta kenë  në zyra: kryeministrat, presidentët, pushtetarët dhe politikanët shqiptarë, në mënyrë që ta dinë mirë se cila është përgjegjësia e tyre para ligjit, para kombit, para atdheut dhe para vuajtjeve,  sakrificave e qëndresës mbinjerëzore shqiptare për mbijetesën kombëtare dhe shtetërore, pa të cilët nuk do të kishim as Shqipërinë dhe as Kosovën si shtete shqiptare.

Ky Libër dhe studim  është një thesar me vlera dhe si  porosi e madhe historiko- kombëtare.

Askujt nuk i lejohet që për interesa politike, personale, korruptive e pasurore që të spekulojë me sakrificat, me vuajtjet dhe me jetët njerëzore  dhe as me vlerat e larta kombëtare të bashkëkombësve të vet, të brezave të së shkuarës, të sotëm  dhe as të atyre që do të vijnë më pas.

Duke ekspozuar dhe demaskuar publikisht por edhe ndërkombëtarisht gjenocidin dhe holokaustin serb mbi shqiptarët, autori në këtë rast në mënyrë intuitave bën njëkohësisht edhe përjetësimin e qëndresës dhe të vitalitetit kombëtar shqiptar: rezistencën, sakrificat dhe qëndresën politike, diplomatike dhe sidomos atë luftarake e heroike të shqiptarëve në shekuj, si: Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, luftën heroike 35 vjeçare 1878-1912 me kryengritjet e Kosovës së Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit, Idriz Seferit, Azem Galicës etj.; të qëndresës kundër gjenocidit sllavo-serb të krajlëve e të komunzmit shovinist jugosllav e deri të Luftës paqësore, politike e diplomatike të Ibrahim Rugovës dhe luftës herioke të armatosur të UÇK-së, e që si pasojë e kësaj qëndrese mbi 150 vjeçare sot kemi edhe shtetin e Ri shqiptar të Kosovës.

Shkurtimisht, kjo është një konsideratë e imja për rëndësinë dhe vlerat e  Librit të Rrustem R. Berishës i cili duke paraqitur  në këtë libër historikun dhe përmasat çnjerëzore të gjenocidit serbo-malazez  dhe pushtimin e trojeve shqiptare shërben për atë që politikanët shqiptarë ta kenë gjithmonë parasysh  se çfarë krimi, gjenocidi e holokausti kanë kryer sllavët, serbët e malazeztë kundër shqiptarëve dhe trojeve shqiptare; dhe politikanët shqiptarë nuk duhet të harrojnë e të bëjnë korrupsionin, padrejtësitë me papërgjegjshmërinë para atdheut e kombit por duhet t’u shërbejnë shqiptarëve, shtetit dhe kombit, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjnë as tradhtinë duke u falur si Shqipëria hapësirën ujore Greqisë dhe as Kosova nuk ka troje për t’i falur Serbisë, por përkundrazi Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që u janë rrëmbyer territore, dhe se Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë shtete të ngritura e që mbajnë  akoma të pushtuara e të okupuara troje shqiptare.  Në mbyllje urime dhe sukses të mëtejshe autori, Rrustem Berisha.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat