Një vepër me peshë shkencore për Drenicën dhe Shalën e Bajgorës - Bota Sot
Një vepër me peshë shkencore për Drenicën dhe Shalën e Bajgorës

Libra

Një vepër me peshë shkencore për Drenicën dhe Shalën e Bajgorës

Nga: Fetah Bahtiri Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 08:47
Fetah Bahtiri

Vargut të shumë librave që peshojnë në krijimtarinë tonë shkencore të Profesor Fazli Hajrizit, së fundi i është shtuar edhe një libër i ri me titullin që zgjon kureshtjen e hulumtuesve të mirëfilltë të gjuhës, kulturës, folklorit dhe etnokulturës shqiptare në përgjithësi – “Të dhëna etnokulturore në Dranicë dhe në Shalë të Bajgorës”.

Ky libër bukur voluminoz, në 350 faqet e tij shtron materiale thjesht etnokulturore që kanë të bëjnë me trevën e Drenicës dhe të Shalës së Bajgorës. Me këtë vepër autori synon “për të nxjerrë në pah disa vlera kulturore të popullatës shqiptare në këto dy hapësira etnografike si njësi etnike” – gjë të cilën ai e thekson në parathënien e librit. Këtu gjejmë të dhäna të vlefshme për folklorin, gjuhën, toponomastikën, leksikografinë, historinë etj.

Që në fillim dua të theksoj se materialet kërkimore në këtë libër janë shtruar dhe prezentuar konform kërkesave dhe kritereve shkencore, gjithnjë duke u thirrur në burimet e të dhënave.

Përndryshe libri është i përbërë prej tre kapitujve. I pari i kushtohet Drenicës si krahinë e rëndësishme etnografike. Gjejmë këtu të dhëna shkencore për etimologjinë e emrit Drenicë, popullsinë, qendrat e banuara të Drenicës, begati folklorike nga kjo krahinë, të dhëna interesante për fiset, familjen, shtëpitë e banimit, kullën dhe odën, objektet ndihmëse, veshjet popullore, bujqësinë, blergtorinë, mjetet e punës, ushqimin, familjen (me shumë të dhëna edhe nga folklori) etj.

Janë cekur edhe gjurmuesit e mbledhësit më të dalluar të thesarit folklorik në trevën e Drenicës siç janë Anton Çetta, Halil Kajtazi, Mehmet Rukiqi, Feriz Seferaj, Xhemajl Bajrami, vetë autori – Fazli Hajrizi e të tjerë.

Autori ndalet në mënyrë të veçantë në prozën popullore që buron nga Drenica, e sidomos në folklorin i cili është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore, për t´u dhënë hapësirë të veçantë edhe anekdotistëve, pleqnarëve dhe kokave më të mençura nga treva e Drenicës që kanë lënë gjurmë, siç janë Dervish Goxhuli, Xhemajl Abria, Ramadan Shabani, Xhemë Lutani, Can Çitaku, Hysen Rrecaj, Adem Gashi, Mujë Loshi, Beqir Bajraktari, Islam Gashi e të tjerë.

Janë përmendur edhe autorë nga krijimtaria letrare e publicistike me prejardhje nga treva e Drenicës, si: Nebil Duraku, Halil Kajtazi, Rifat Kukaj, Ymer Elshani, Rifat Ismajli, Mehmet Kajtazi, Mehmet Haziri, Azem Deliu. Ndoshta për shkaqe modestie, ai nuk ka përmendur emrin e vet (Fazli Hajrizi) edhe pse Fazli Hajrizi është autor i më shumë se 20 librave voluminoze, monografive e të ngjashme në të cilat ka paraqitur të dhëna faktografike që nuk duhet t´i harrojnë kurrë gjeneratat e tanishme, e as ato të ardhshmet për tema historike, nga fusha e folklorit tonë, arsimit, shkollave etj.

Kapitulli i dytë ka të bëjë me gjurmimet dhe studimet e kulturës popullore në krahinën e Shalës së Bajgorës. Janë prezantuar hulumtimet e bëra nga Anton Çetta – folklori i mbledhur nga ana e tij, sidomos këngët kreshnike e historike si dhe këngëtarët nga të cilët janë mbledhur ato këngë, duke filluar nga lahutari Halim Dauti, pasuar nga disa të tjerë më të ri e më të vonshëm. Janë analizuar edhe shumë shkrime të këtij autori për kulturën popullore dhe folklorin e Shalës së Bajgorës.

Një vend i konsiderueshëm i është dhënë edhe autorit të këtij recensioni (Fetah Bahtirit), me ç´rast janë cekur vjelja e folklorit në Shalën e Bajgorës nga ana e tij, disa punime të tij me karakter shkencor të botuara në Gjurmimet albanologjike, në revistën shkencore ”Përparimi” dhe gjetiu.

Me kompetencë të plotë shkencore në libër shkruhet edhe për kontributet e Prof. Mr. Ahmet Malokut, për të vazhduar me Prof. Dr. Adem Zejnullahun, Dr. Latif Mulakun, Fadil Istrefin (Monografia e tij ”Shala e Bajgorës”), Prof. Dr. Zymer Nezirin dhe vetë autorin e librit – Fazli Hajrizin si dhe me autorë të tjerë veprash të ndryshme që kanë të bëjnë me trevën e Shalës së Bajgorës.

Në vazhdim autori u servon lexuesve edhe të dhëna interesante e të hollësishme për eposin e sotëm në trevën e Shalës së Bajgorës, ku përmendet begatia folklorike, sidomosa ajo që ka të bëjë me këngët kreshnike, rapsodët që atë folklor ua kanë dhënë mbledhësve. Këtu jepen shënime e të dhëna biografike për rapsodët Hasan Hasani nga Kçiqi, i lindur në vitin 1958, Kapllan Dauti nga Mitrovica me prejardhje nga Vllahia (1956), Sadri Shala – Barja nga Kurillova (1943), Ramadan Hamiti nga Zasella (1959), Iljaz Islami nga Selaci (1927), Ali Rexhep Ahmeti nga Strana (1930) etj.

Në vazhdim u bëhen analiza të thella e të hollësishme me kompetencë shkencëtari disa këngëve kreshnike,. Këngët në të cilat është ndalur më shumë autori Fazli Hajrizi janë: ”Kënga e Nikollë Bajraktarit”, ”Kënga e Belluh Kapetanit”, ”Kënga e Millosh Kapetanit”, ”Kënga e Ali Bajraktarit”, ”Zënia e Tale Budalinës jesir”, ”Kënga e Arrnaut Osmanit”, ”Kënga Krahina e Deli Jabanxhisë”, ”Kënga Ramë Bajraktari”, ”Kënga Aga Emin Aga”, ”Kënga Sejan Kapetani” dhe ”Kënga e Tanushës”.

Më tutje hasim në shkrimin për plisin si pjesë e kostumit popullor dhe simbol mijëvjeçar në Shalën e Bajgorës. Kjo dokumentohet edhe me disa foto të vjetra në të cilat kemi nxënës dhe qytetarë me plisa.

Edhe dasmës, ritualit dhe ecurisë tradicionale të saj i kushtohet një vend i merituar.

Është interesante pjesa e librit ku bëhet fjalë për figurën e Isa Boletinit në këngët popullore historike nga treva e Shalës së Bajgorës. Autori është thelluar në këtë temë dhe ka shkokëluar shumë këngë e çështje për jetën dhe veprimtarinë e Isa Boletinit.

Në kapitullin e tretë të librit paraqiten vlerësime për folklorin tonë me ç´rast përmenden disa vepra dhe emra nga kjo fushë e krijimtarisë, siç janë Halil Kajtazi, Adem Zejnullahu, Nikolla Spathari, Feriz Seferaj dhe Jakup Sahiti.

Dhe për të qenë çdo gjë plotësisht shkencore, Fazli Hajrizi është kujdesur që librin ta përfundojë me citimin e literaturës së shfrytëzuar, të dhëna këto që i paraqitet në tetë (8) faqe të plota.

Këtë recension po e përfundoj duke konstatuar me plot gojë se Drenica, Shala e Bajgorës dhe Mitrovica janë me fat që e kanë në mesin e vet profesorin e nderuar Fazli Hajrizi, i cili thellohet kaq shumë në temat etnokulturore të këtyre trevave dhe arrin kaq bukur t´i prezantojë këto vlera. Madje jo vetëm këto.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat