Epoka e një diktature me pasoja historike

Libra

Epoka e një diktature me pasoja historike

Nga: Tahir Bezhani Më: 20 prill 2020 Në ora: 10:58
Kopertina e librit

Epokat e diktaturave të tmershme në botë e posaçërisht në Evropë, për një kohë të gjatë,kanë lënë pas tyre tmerrin e paparë ndaj qenjës njerëzore, si individ, por edhe në aspektin universal. Janë të papara pasojat e pamëshirshme nga diktaturat me eksponent të pushteteve totalitare,të cilat pa asnjë mëshirë ua pinë djersën edhe gjakun popujve,duke ua shkelur edhe dinjitetin deri në palcë të ashtit.

Pas një gjysëm shekulli jete në verbëri, arritën erërat shpëtimtare, për ta larguar një të keqe të madhe e cila ishte ulur këmbëkryq mbi kurrizin e thyer të njerëzimit. Këto erëra lirie,në fund të viteve të 90-ta,freskuan edhe shpirtin e popullit shqiptar,i cili përjetoi diktaturën më të egër në Evropë,duke qenë të mbyllur hermetikisht ,në epruveten eksperimentale të dhunës së egër të një partie.

Koha e rimëkëmbjes në të gjitha aspektet e jetës; atë ekonomike, politike, sociale, psikologjike,kulturore,fetare,të traditës e shumë aspekte të tjera,gradualisht po ripërtërihen në shtratin e gjenezës së saj.

Pas hapjes së një dritareje për një jete krejt ndryshe,shtresa e intelegjencës kombëtare,pendat e ndrydhura kohë të gjatë, filluan një nga një të hedhin në letër përjetimet e tyre,në mënyra e forma të ndryshme,përjetime të cilat medoemos përmbajnë tërësisht tharmin e një epoke nën një diktaturë tepër të rëndë. Inteligjenca (shkrimtarë,poetë e arte të tjera) ,pasqyruan më së miri jetën e klasës punëtore në gjirin e ferrit komunist,si kudo në Evropë.

-Koha e vërshimit të penave të reja.

Pas rënjes së diktaturës,u hapën rrugë të reja mendimi e veprimi në shumë aspekte të jetës. Sytë shikonin ndryshe jetën dhe punën,ecjen dhe kërkesat e mendimit kishin synim,atje ku njerëzimi ka lirinë e mendimit dhe fushën e hapur të shprehjes së dijes.

Në këtë aspekt,lindën shumë pena të reja nga krijimtaria letrare,si poetë,prozatorë,dramaturgë e gjini të tjera,ku asnjeri, nuk mundi të tejkalojë pa e “prekur” me majë lapsi periudhën e zezë të diktaturës enveriste. Sikur të fillonim numërimin e tyre,do mbushnim shumë fletë me emra të krijuesve të tillë.

Në objekt vështrimi këtë radhë, në optikën time,kam krijuesin e mirëfilltë tropojan, autorin e gjashtë romaneve,pesë librave me tregime dhe dy novelave.Madhështia e tij krijuese qëndron në aftësinë e trajtimit të temave me tematikë të kohës së shkuar dhe të tashme,vepra të cilat,me mesazhet e tyre përtej kohëve,do jetojnë gjatë.

Në veçanti më pëlqeu pafund romani “Mjegulla e Kuqe”,botim i “Nacional” Tiranë në vitin 2016, të cilin e lexova këto ditë me një kërshëri të posaçme.

Ndonëse me vonesë leximi e shkrimi ,por qendron një arsye që nuk kalohet pa e theksuar.Kohëve të fundit, është realitet i pamohueshëm bashkëpunimi i ndërsjelltë i përurimit të librave Tiranë-Kosovë e anasjelltas nga autorë të ndryshëm. Bile, më së tepërmi prin në këtë drejtim relacioni Gjakovë-Tropojë (Malësi e Gjakovës). Por,nuk është bërë edhe aq sa duhet në transferin e librit dhe me shkrime të ndërsjellta për libra të botuar.

-Romani “Mjegulla e Kuqe” një mesazh i kohës së hidhur

Autori i romanit “Mjegulla e Kuqe”,z. Idriz Ponari, në këtë vepër ka shkrirë gjithë mendjen e ndritur,potencialin e tij krijues,për t’ia dhënë lexuesit pasqyren e një kohe, pasqyrën e dhimbjes,ditët pa gëzime,dashurinë pa liri,skamjen dhe varfërinë si përditshmëri e jetës;mbylljen e mendimit personal në kutinë e Pandorës,mbylljen e gojës,mosbesimin ndaj njëri tjetrit, brenda gjirit familjarë etj.

Të gjitha këto elemente,që bëjnë jetën skëterrë,i gjejmë në romanin “Mjegulla e Kuqe”,në afër 300 faqe ,te shkruara rrjedhshëm ,bukur ,qartë, pa trajtime filozofike. Në fakt filozofinë e përbën brendësia e vet librit, për faktin se të durosh dhe të jetosh jetën në aso rrethana,nuk ka filozofi më të arrirë. Suverimi i jetës në diktaturë të tillë,fillon akoma pa dalur në errësirën e dritës së vërbuar.

Këtë fakt e argumentojnë protagonistët e veprës “Mjegulla e Kuqe” ,tre studentët e shkëlqyer,Antoni,Arturi e Admiri,të cilët përkundër sukseseve gjatë shkollimit dhe ambicjeve pas studimit, hasin në vështirësi ta papara në realizimin e aspiratave të tyre djaloshare.

Kur Admiri (Adi) mbaron studimet për xehtari ,dërgohet në veri të vendit për të kërkuar xehet nëntokësore si kuadër i ri. Atje shkon me shumë pasion pune ,duke lënë në qytet të dashurën e vet, Marten, një profesoreshë e gjuhëve të huaja. Adi kërkon e zbulon xehen e kërkuar në Bardhaj, por has në kundërshtim me paaftësitë e Selam Kolës, një burokrat i padije dhe një bashkëpuntor i sigurimit të shtetit.

Duke parë aftësitë e Adit,Selam Kola fillon ta “gjurmojë” biografinë e Adit. Shkon deri aty ku përmes Erës,punëtore e postës,ia përcjell telegramet dhe letrat Adit e Martës. Pastaj zgjeron rrethin “armiqësor”të Adit,duke e paraqitur te Vasili,zyrtar i sigurimit,në prokurori.Pra fillon gjahu i pafund ndaj një kuadri me talent dhe dije,ku jeta i bëhet e zezë dhe e padurueshme.

Ndjekjet nuk ndalen me kaq por vazhdojnë me të fejuarën,Martën,duke e trajtuar si armike, sepse babai i saj, kishte rënë në burg me grupin të dëmtimit të rezervave si pasuri e shtetit. Nuk ngelet vetëm me kaq ,Adit ia detyrojnë fejesën me Erën ,puntoren e postës ,e cila e kishte axhën në post të lart të partisë. Me që Adi kundërshton, fillojnë reprezaliet, ndjekjet e pasosura. Ndërkaq ,të dashurën, Marta, e punësojnë si pastruese të rrugëve të Tiranës ,duke e vënë në shënjestër të dyfishtë për babin dhe tani edhe për Adin.

Pra,duke zhvlerësuar skajshmërisht një vajzë të pafajshme e të bukur. Adi i nervozuar së tepërmi,shpesh thotë me vete,”jetë qeni”, “ika si i tërbuar me zhgënjimin tim”….

Autori e ka spikatur bukur edhe peshën psikologjike të klasës punëtore, nën atë diktaturë të marrë.Pas një mori vuajtjesh,Adi lirohet nga ndjekja,prokurorie e shpall të pafajshëm ,por nën mbikëqyrje,me kushtin e martesës me Erën. Kur Adi ia zbulon Erës veprimet e saj në postë,lidhur me letrat e Martës,e refuzon kategorikisht per fejesë .Bile,në bisedë e sipër e quan”gjarpnusha ime….”

Era si hakmarrje,anise e kishte nrgitur në postin e drejtorit në një tjetër vendburim xehje,definitivisht fillon kalvarin e mëparshëm,duke e shantazhuar me një rreth akoma më të gjërë,dhe përfundimisht,Adi(Admiri) përfundon në qelitë e burgut deri në përfundim të diktaturës. Ndërsa të dashurës se tij,Marta,i vdes babai në burg dhe nëna në shtëpi , gjithmonë në vuajtjet e tyre…

Natyrisht se në një roman të tillë me afër 300 faqe, ka akoma peripeti e përjetime të thella ,në njëjës e shumës , me pak ose me shumë vuajtje se sa u cekën më lart, por pesha e librit, fillim e mbarim ,qëndron bindshëm mbi parimin sublim të autorit.

Siç u cek edhe nga fillimi,ky roman nuk është i pari e as i vetmi që trajton tematikën e regjimit monist në Shqipëri,peshën dhe pasojat e tij.

Por te “Mjegulla e Kuqe”,specifika qëndron se autori ka lavruar me këmbëngulje imtësi përjetimet indivuale, që përfshijnë atë universalen,duke u thelluar skutave të ndërtimit dhe të renjës së hierarkive të pushtetit lart e poshtë,poshtë e lart,falë një ndërtimi të degjeneruar moral e politik.

Pastaj një karakteristikë tjetër që josh, është ndërlidhja e temës me logjikën e argumentuar,me realen, që nuk le hapësirë hamendësie.Pasuri e mjeshtëri autoriale janë fjalët dhe frazeologjitë e shprehura në lidhmëri të materies, janë një pasuri e përvojë prozaike, janë si një melodi tërheqëse gjatë leximit.

-Mesazhi si uvertyrë e rrugëtimit njerëzor,por edhe politik.

Të gjitha botimet pas diktaturës në Shqipëri,por edhe ato të pasluftës në Kosovë,nuk mendoj se janë vetëm si një shfryrje emocionale,por konsideroj se përshkrimi me aq mjeshtri e pasion frymëzues,ka edhe ,që logjika njerëzore duhet ta prekë vetëdijen e brendshme për kthesa të domosdoshme,pra një thirrje ndërgjegjies njerëzore e kombëtare.

Kanë kaluar përafër tridhjetë vite pas rënjes së diktaturës në Shqipëri,njëzet vite pas luftës së përgjakshme në Kosovë dhe prapë jemi dëshmitarë të mbjelljes së pushtetit me elemente burokratike e diktatoriale,duke lënë anash tërësisht atë për të cilin kemi vuajtur dhe jemi përcaktuar,për demokraci,jetë të barabartë dhe në harmoni e dashuri me njëri tjetrin.

Në romanin e sapo lexuar ,mund të konkludojmë për elementë krahasuese mes kohëve,që na i jep autori me sakrificën e tij prej një krijuesi të spikatur. Ndyshe, nëse nuk kemi aftësinë e të nxjerrurit të porosive ,atëherë pse po lexojmë libra?!...

Për këtë Vaso Popaj në veprën e tij,”Dritë në humbëtirë”,shkruan:

“Bjeri pragut të dëgjoi dera!....”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat