Noli, simbol i përkthimit shqiptar

Libra

Noli, simbol i përkthimit shqiptar

Nga: Shpëtim Çuçka Më: 26 prill 2020 Në ora: 12:22
Fan S.Noli

Noli është ndër ato figura jo të shumta të historisë sonë, të cilat kanë spikatur me vlerat e veprimtarisë së tyre në të gjitha fushat, ku janë përfshirë. Ka qenë – po të përsërisim në njëfarë mënyre fjalët e Ofelisë, kur cilëson Hamletin – publicisti, politikani e burri i shtetit, poeti, kleriku dhe kritiku i letërsisë, historiani, muzikanti dhe përkthyesi.

Po i lëmë këtu mënjanë meritat e tij të padiskutueshme në fushat e tjera dhe po ndalemi te veprimtaria e tij në fushën e përkthimit. E para gjë që tërheq vëmendjen janë disa pyetje, që lindin në mënyrë logjike: Pse u mor Noli me përkthime? Ç’vepra përktheu ai? Si e kreu procesin konkret të përkthimit?

Përgjigjet për këto pyetje do të shërbejnë në mënyrë po aq logjike për t’i dhënë përgjigje edhe pyetjes: Si shpjegohet që Noli zë në historinë e përkthimit shqiptar një vend aq qendror, sa është e drejtë të thuhet që ai është kthyer në mënyrë gjithnjë e më të qartë e më të sigurt në simbolin e përkthimit shqiptar?

Në kohën kur Noli u mor me përkthime, domethënë në kohën kur ai jetoi praktikisht periudhën më aktive të jetës së tij shoqërore, ecuria e kulturës shqiptare ishte në një nivel që, pavarësisht punës së paçmuar të rilindësve, nuk u përgjigjej më as në vëllim e as në cilësi detyrave që historia shtronte përpara saj. Në thelbin e tyre këto detyra ishin: pavarësimi i vendit dhe ndërtimi i shtetit. Nëqoftëse do të hetohen objektivisht shkaqet e dobësive tona në të dyja këto drejtime themelore, do të dalë se rrënjët e gjithçkaje ishin te mungesa e një shtrese udhëheqëse me të vërtetë popullore.

Merita e Nolit – meritë e madhe kjo – është se ai e kuptoi si rrallëkush tjetër pikërisht këtë gjë. Dhe pikërisht ky kuptim i drejtë i nevojave historike të popullit tonë, domethënë edhe i detyrave që historia shtronte përpara veprimtarëve të politikës dhe të kulturës sonë, përcaktoi zgjedhjet e tij në fushën e publicistikës, të politikës, të fesë, të letërsisë, të përkthimit.

Në rastin konkret të përkthimit, të gjitha veprat e përkthyera nga Noli sillnin mesazhet e nevojës së çlirimit të popullit nga robëria dhe padituria, nevojës së çlirimit të tij nga shtresa kundërpopullore e parisë, së çlirimit të tij nga marrëdhëniet shumëshekullore patriarkale, feudale e filistino-borgjeze, sillnin mesazhet e nevojës së vendosjes së marrëdhënieve shoqërore të mbështetura në pushtetin e popullit. Le të citojmë disa analiza të vetë Nolit për veprat e përkthyera prej tij:

“Për fat të keq aristokracia norvegjiane ishte e shtypur dhe populli s’kishte udhëheqës. Pjesa më e madhe e parësisë ishin lidhur me danezët; pjesa tjetër ishin të përçarë a të vdekur…” (nga “Introdukta” për dramën “Zonja Ingra e Ostrotit”).

“Henrik Ibseni…ridikulizoi dhe diskreditoi idealet dhe institucionet e botës moderne plutokratike, pseudodemokratike dhe pseudokristianike…Qyteti, ku vepron doktor Stokmani, nuk është veç një pikturë e vogël e shoqërisë njerëzore kapitaliste borgjeze, e cila lulëzon me tregtinë e helmit dhe të kallpazanërisë…për shoqërinë borgjeze s’ka shpëtim… Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej… Kryemotivi i doktorit…është brezi i pastajmë, shoqëria e re e pritme… s’duhet harruar që njerëzit modernë e kanë humbur individualitetin aq sa janë bërë me të vërtetë kukulla… Teatri i përbotshëm, i vjetër a modern, s’ka një dramë tjetër, e cila të tallet aq bukur e aq thellë sa kjo me idealet borgjeze faqe me nder demokratike. Liria e fjalës? Po kjo nuk ekziston, posa u ngitet interesi kapitalistëve. Sundimi i shumicës me anë të votës? Po kjo shumicë është e verbër dhe e marrë, s’di ç’voton, hiqet për hunde prej kapitalistëve dhe kryqëzon mirëbërësit e saj. Parlamentet? Po këto s’janë veç komedira, ku bisedohen vetëm gjëra që u japin dorë kapitalistëve dhe për të tjerat s’bëhet fjalë fare, se nuk jep leje shumica e disiplinuar. Feja e krishterë dhe shkolla moderne? Po edhe këto përdoren si vegla për të shtrembëruar dhe për të robëruar mendjen e popullit në favor të kapitalistëve. Opinioni publik? Po këtë e kthejnë kapitalistët si mulli të erës nga të duan me anën e gazetarëve të blerë. ‘Jo, zotërinj! – konkludon me fjalë të tjera Ibseni. – Bota borgjeze s’ka veçse një ideal, të cilin e adhuron si perëndi, dhe ky është Plaçkitja me Çfarëdo Çmim’…” (nga “Introdukta” për dramën “Armiku i popullit”).

“Në Shqipëri kjo vepër (‘Don Kishoti’) do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Se atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar…dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefë bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën. Këto dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, mediavale, prapanike dhe reaksionare si atë të Turqisë së vjetër…se kështu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë” (nga “Introdukta” për romanin “Don Kishoti”).

Dhe ja një shembull domethënës nga vetë veprat e përkthyera prej tij, që lejon të kuptohen kriteret përzgjedhëse të Nolit si përkthyes:

“Armiku më i rrezikshëm i së vërtetës dhe i lirisë është shumica kompakte, e mallkuara shumicë kompakte liberale.” (Doktor Stokmani, “Armiku i popullit”).

Në mënyrë fare të përmbledhur mendimet e sipërpërmendura të Nolit na tregojnë qartë se përse ai u mor me përkthime: përkthimet për Nolin ishin një mision shoqëror dhe jo vetjak, ishin, për më tepër, një mision shoqëror përparimtar – sepse në shërbim të së vërtetës – dhe jo reaksionar. Me anë të tyre ai synoi të sillte në vëmendje të shqiptarëve ide e pikëpamje shoqërore, të cilat pjesa më e madhe e njerëzve tanë të kulturës për arsye të ndryshme nuk i formulonte e nuk i jepte.

Le të shikojmë tani edhe ç’vepra konkretisht përktheu Noli: “Hamletin”, “Makbethin”, “Jul Cezarin”, “Otellon”, “Zonjën Ingra të Ostrotit”, “Armikun e Popullit”, “Don Kishotin”, “Rubaitë”, “Prometeun e lidhur” etj. Vepra, ndër më të njohurat – jo ndër më fitimprurëset! – e letërsisë botërore, vepra të fuqishme nga idetë dhe të larta për nga ana artistike, vepra të kuptueshme dhe jo abstraksione të padeshifrueshme. Cili ishte qëllimi i tij? E qartë dhe e thjeshtë: pasurimi i kulturës shqiptare me krijimet më të qëndrueshme – domethënë, më të mira – të popujve të tjerë. Pra, sërish një mision shoqëror dhe jo vetjak, një mision shoqëror përparimtar dhe jo reaksionar.

Fakti që Noli i kushtoi kaq rëndësi kulturore veprimtarisë përkthimore, fakti që zgjodhi vepra me mesazhe të mëdha shoqërore dhe me vlera të spikatura, të shquara artistike, nënkupton që ai nuk mund të mos i kushtonte rëndësi të veçantë edhe vetë anës profesionale të përkthimit. Leximi i të gjitha përkthimeve të Nolit na bind se ai është përkthyesi i parë në kulturën tonë, i cili e zhvilloi përkthimin sipas parimeve dhe kritereve të mjeshtërisë profesionale.

Mjeshtëria përkthimore e Nolit është sendërtim i dy parimeve të mëdha.

Parimi i parë: përkthimi është shqipërim, domethënë kthim i një vepre nga një gjuhë e huaj në një shqipe letrare gjerësisht të kuptueshme. Këtij parimi iu përmbajtën edhe përkthyesit më të njohur të periudhës pas Nolit. Ai mbetet parim i patundur edhe sot për kryerjen e një përkthimi të pastër, sikurse mbetet kriter themelor për vlerësimin e një përkthimi, që të mos flasim për veprat origjinale. Dhe është një parim, i cili nuk pranon eksperimentime mendjelehta gjuhësore, pasi këto janë në kundërshtim të hapur me vetë frymën e shqipërimit, domethënë me frymën e të shprehurit shqip, qartë, kuptueshëm. Për fat të keq sot ka shumë përkthime që nuk janë shqipërime, domethënë nuk janë kthime tekstesh të huaja në gjuhën letrare shqipe.

Parimi i dytë: përkthimi është kulturë. Noli ishte njeri me kulturë të mirëfilltë, domethënë njeri i pajisur jo thjesht me kulturë informacionesh, të dhënash, por edhe e sidomos me kulturën e të menduarit, të arsyetuarit, të logjikuarit. Këtij parimi i janë përmbajur përkthimet më të shëndosha të periudhës pas Nolit. Ai mbetet i patundshëm edhe sot si parim pune dhe si kriter  vlerësimi për përkthimet. Ndërkaq shumë përkthime – madje edhe shumë shkrime origjinale – të ditëve tona vuajnë nga mungesa e kulturës së nevojshme.

Parë konkretisht përkthimet e Nolit nuk shquhen thjesht për gjetje të caktuara në fushën e fjalësit a të strukturës sintaksore, për forcën emocionale të shprehjes a mjeshtërinë e vargëzimit. Ato para së gjithash shquhen për qartësinë e tyre kuptimore, për faktin se edhe sot – pas pothuaj njëqind vjetësh, periudhë gjatë së cilës shqipja e shkruar, shqipja letrare, ka kryer përparime të jashtëzakonshme, epokale, që përbëjnë nder e krenari për shkencën tonë gjuhësore dhe për letërsinë tonë më të mirë artistike e shkencore – shqipja letrare e Nolit mbetet për lexuesin thelbësisht e kuptueshme, e qartë, estetikisht e këndshme.

Pikërisht për këto arsye madhore, pikërisht për faktin se parimet dhe – kryesorja! – frytet e veprimtarisë përkthimore të Nolit u përqafuan e u morën si shembull nga mjeshtrat më të mirë të përkthimit shqiptar, nga Dhimitër Paskoja e deri tek Afrim Koçi, tanimë në kulturën tonë është përforcuar pikëpamja që e sheh Fan Nolin si simbol të përkthimit shqiptar, domethënë si atë pikë zanafillore, në të vërtetë si atë përvojë madhore, që e ka kthyer përfundimisht përkthimin shqiptar – krijimet e tij më të mira, më të shëndosha, më të vyera – në pjesë përbërëse serioze, të domosdoshme dhe të pandashme të kulturës sonë.

Ne i detyrohemi aq shumë Nolit si publicist, si politikan e burrë shteti, si klerik, si historian, si poet e muzikolog. Ne i detyrohemi aq shumë atij si përkthyes. Ndaj dhe e kemi për detyrë ta nderojmë duke ecur më tej në rrugën, që ai hapi me aq mendje e me aq guxim qytetar (Milosao).

Tiranë, 19 nëntor 2015.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat