Sipas Agim Vincës, dhjetë librat shqiptar që duhen lexuar

Libra

Sipas Agim Vincës, dhjetë librat shqiptar që duhen lexuar

Më: 15 maj 2020 Në ora: 15:09
Agim Vinca

Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Agim Vinca, propozon dhjetë libra shqiptar që duhen lexuar. Ai përmend autorë si Migjeni, Fishta, e Poradeci.

“E ndiej se u kam bërë padrejtësi De Radës, Serembes, Naimit, Nolit, Mjedës, Konicës, Koliqit dhe mjeshtërve të tjerë të fjalës shqipe të së kaluarës, që edhe sot lexohen me ëndje, por edhe shumë kolegëve të mi poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, që krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe që kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen”, thotë ai.

Vargjet e lira, Migjeni

(1936).- Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë. E re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative. Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrit. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës. Sinteza më e fuqishme poetike e kohës. “Kangë a vaj? Ç’je? Thuejma, zemër kombi!”.

Ylli i zemrës, Lasgush Poradeci

(1937). Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj. Libër-himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë; festë e fjalës së kulluar shqipe. “Tungjatjeta! tungjatjeta/ Vend o Vend ku çel junapi”.

Lahuta e Malsis, Gjergj Fishta

(1937).- Ep nacional. Enciklopedi e jetës shqiptare. Glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

Psallme Murgu, Asdreni

(1937).- Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Vepër me rimarium të pasur. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar.

Net shqiptare, Mitrush Kuteli

(1938).- Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.

Lumi i vdekur, Jokov Xoxa

(1965).- Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese. Sagë e fshatarësisë shqiptare, ku jeta transponohet në totalitetin e saj, pra në mënyrë integrale. Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, çfarë janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik me prosede tradicional e gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.

Kronikë në gur, Ismail Kadare

(1971). Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezësui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.

Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja

(1974). Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.

Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli

1975) – Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.

Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli

(1993). Libri i parë postsocrealist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit; krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat