Pjesë nga libri “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare” i autorit Shaban Braha, nr. 9 - Bota Sot
Pjesë nga libri “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare” i autorit Shaban Braha, nr. 9

Libra

Pjesë nga libri “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare” i autorit Shaban Braha, nr. 9

Nga: Gjokë Dabaj Më: 17 maj 2020 Në ora: 12:21
Gjenocidi

“Më 15 shkurt 1920 në lagjen e qendrës në Istog janë rrethuar 98 shqiptarë, burra, gra e fëmijë, janë djegur krejt 52 shtëpi dhe është rrëmbyer gjithë pasuria e lagjes me vlerë 50000 napolona flori dhe vetëm nga një shtëpi janë marrë 1500 lira floriri turke.” (f. 282)

“Po atë ditë, 15 shkurt 1920, janë vrarë brenda tri orësh 100 vetë, burra, gra, fëmijë, pleq e plaka.” (f. 282)

“Më 3 mars 1920, në Bjellopojë të Istogut, gjithsej 22 vetë i kanë lidhur dhe i kanë çuar, në mes të natës, në pyllin e Hamet Begut, ku i kanë therur që të gjithë me bajoneta.” (f. 282)

“Më 13 korrik 1920 Raknica u rrënua me artileri dhe në vendin e rrënuar u gjetën 43 kufoma shqiptarësh.” (f. 282)

“Më 17 korrik 1920 në Uçë të Istogut i morën 9 vetë dhe i mbyllën në një kullë të fshatit Kovac. I lidhën këmbë e duar, i vunë zjarrin kullës dhe i dogjën për së gjalli. Pastaj hynë në katund dhe rrëmbyen 20000 bagëti të trasha e të imëta, 25000 kuintalë drithë dhe pajisje shtëpie me vleftë 6000 napolona flori.” (f. 282)

“Në 41 vendbanime të Plavës e të Gucisë sërbo-malazezët kanë kryer shumë krime. Kanë vrarë 1046 fëmijë, kanë vrarë 954 gra dhe kanë vrarë 2066 burra! Gjithsej 4066 banorë të këtyre viseve janë masakruar. Shtëpi të djegura 6050, bagëti të imëta të grabitura 73884, bagëti të trasha të grabitura 17842 krerë, ndër to 3937 kuaj. Djegur vetëm në Plavë e Guci dhe në 26 fshatrat përreth 1017 shtëpi dhe plaçkitur 1780 shtëpi.” (Krs. f. 284)

(Gj. D. Shënim: Nën titullin “Pasqyrë e pjesshme e tragjedivet në Plavë-Guci”, shifrat e mësipërme, tronditëse deri në shkallën e pabesueshmërisë, autori Shaban Braha i ka dhënë të detajuara në formën e një tabele, siç thotë edhe vetë, të pjesshme, në faqen 283. Unë po i sjell ato të renditura në formë teksti, me qëllim që të jenë më të përshtatshme për t’u lexuar:)

Në Guci: Të mbytun 180 burra, 40 gra dhe 50 fëmijë.

Të djeguna 5 shtëpi dhe 1 xhami, të plaçkituna 50 shtëpi, 170 dugaja dhe 15 hotele, të rrëmbyme 5000 dhen e dhi, 1500 lopë dhe 50 kuaj.

Në Vuthaj: Të mbytun 110 burra, 60 gra, 70 fëmijë.

Të djeguna 200 shtëpi dhe 2 xhami, të plaçkituna 250 shtëpi dhe 2 dugaja, të rrëmbyeme 2000 dhen e dhi, 601 lopë dhe 58 kuaj.

Në Kolinë: Të mbytun 26 burra, 16 gra, 15 fëmijë.

Të djeguna 8 shtëpi, të plaçkituna 54 shtëpi e 2 dugaja, të rrëmbyme 860 dhen e dhi, 100 lopë dhe 31 kuaj.

Në Kroshavë: Të mbytun 15 burra, 11 gra, 18 fëmijë.  

Të djeguna 18 shtëpi, të plaçkituna 40 shtëpi e 1 hotel, të rrëmbyeme 580 dhen e dhi, 113 lopë dhe 22 kuaj.

Në Vishnjavë: Të mbytun 11 burra, 8 gra, 6 fëmijë.

Të djeguna 11 shtëpi, të plaçkituna 30 shtëpi, të rrëmbyeme 720 dhen e dhi, 140 lopë dhe 30 kuaj.

Në Bodovicë: Të mbytun 10 burra, 6 gra, 9 fëmijë.  

Të djeguna 4 shtëpi, të plaçkituna 12 shtëpi, të rrëmbyeme 332 dhen e dhi, 71 lopë dhe 5 kuaj.

Në Hakaj: Të mbytun 14 burra, 7 gra, 8 fëmijë.

Të djeguna 20 shtëpi, të plaçkituna 42 shtëpi, të rrëmbyme 1110 dhen e dhi, 105 lopë dhe 16 kuaj.

Në Vojnasellë: Të mbytun 20 burra, 9 gra, 12 fëmijë.

Të djeguna 31 shtëpi, të plaçkituna 33 shtëpi, të rrëmbyeme 1237 dhen e dhi, 152 lopë dhe 21 kuaj.

Në Gjyriç: Të mbytun 5 burra, 50 gra, 8 fëmijë.

Të djeguna 10 shtëpi, të plaçkituna 13 shtëpi, të rrëmbyeme 300 dhen e dhi, 62 lopë dhe 5 kuaj.

Në Jasenicë: Të mbytun 4 burra, 6 gra, 5 fëmijë.

Të djeguna 15 shtëpi, të plaçkituna 15 shtëpi, të rrëmbyeme 311 dhen e dhi, 51 lopë dhe 6 kuaj.

Në Hot: Të mbytun 15 burra, 5 gra, 10 fëmijë.

Të djeguna 45 shtëpi, të plaçkituna 40 shtëpi, të rrëmbyeme 500 dhen e dhi, 60 lopë dhe 5 kuaj.

Në Bogajç: Të mbytun 25 burra, 15 gra, 21 fëmijë.

Të djeguna 40 shtëpi, të plaçkituna 42 shtëpi, të rrëmbyeme 1507 dhen e dhi, 151 lopë dhe 25 kuaj.

Në Përnjanor: Të mbytun 30 burra, 9 gra, 14 fëmijë.

Të djeguna 20 shtëpi, të plaçkituna 75 shtëpi, të rrëmbyeme 1205 dhen e dhi, 124 lopë dhe 22 kuaj.

Në Livadhaj: Të mbytun 33 burra, 9 gra, 14 fëmijë.

Të djeguna 35 shtëpi, të plaçkituna 85 shtëpi, të rrëmbyme 507 dhen e dhi, 54 lopë dhe 15 kuaj.

Në Plavë: Të mbytun 172 burra, 53 gra, 42 fëmijë.

Të djeguna 70 shtëpi dhe 2 xhami, të plaçkituna 376 shtëpi, 90 dugaja, 11 hotele, të rrëmbyeme 5110 dhen e dhi, 1242 lopë dhe 256 kuaj.

Në Luz të Bahinës: Të mbytun 5 burra, 3 gra, 8 fëmijë.

Të djeguna 15 shtëpi, të plaçkituna 14 shtëpi, të rrëmbyeme 1005 dhen e dhi, 157 lopë dhe 11 kuaj.

Në Jarë: Të mbytun 15 burra, 5 gra, 3 fëmijë.

Të djeguna 30 shtëpi, të plaçkituna 35 shtëpi, të rrëmbyeme 562 dhen e dhi, 53 lopë dhe 5 kuaj.

Në Mesehet: Të mbytun 16 burra, 12 gra, 9 fëmijë.

Të djeguna 60 shtëpi, të plaçkituna 65 shtëpi, të rrëmbyeme 840 dhen e dhi, 92 lopë dhe 5 kuaj.

Në Komaraçë: Të mbytun 20 burra, 8 gra, 10 fëmijë.

Të djeguna 35 shtëpi, të plaçkituna 45 shtëpi dhe 1 hotel, të rrëmbyeme 508 dhen e dhi, 63 lopë dhe 11 kuaj.

Në Skoc: Të mbytun 13 burra, 8 gra, 10 fëmijë.

Të djeguna 30 shtëpi, të plaçkituna 36 shtëpi, të rrëmbyeme 400 dhen e dhi, 50 lopë dhe 15 kuaj.

Në Nokshiq: Të mbytun 22 burra, 8 gra, 7 fëmijë.

Të djeguna 60 shtëpi, të plaçkituna 65 shttëpi, 2 dugaja, 1 hotel, të rrëmbyme 840 dhen e dhi, 92 lopë dhe 6 kuaj.

Në Arzhanicë: Të mbytun 17 burra, 9 gra, 7 fëmijë.

Të djeguan 12 shtëpi e 1 xhami, të plaçkituna 19 shtëpi, 3 dugaja, 2 hotele, të rrëmbyeme 530 dhen e dhi, 65 lopë dhe 12 kuaj.

Në Popaj: Të mbytun 15 burra, 7 gra, 9 fëmijë.

Të djeguna 35 shtëpi, të plaçkituna 40 shtëpi, 1 dugajë, 1 hotel, të rrëmbyeme 422 dhen e dhi, 50 lopë dhe 15 kuaj.

Në Brezovicë: Të mbytun 15 burra, 7 gra, 10 fëmijë.

Të djeguna 35 shtëpi, të plaçkituna 40 shtëpi, të rrëmbyeme 2102 dhen e dhi, 124 lopë dhe 22 kuaj.

Në Martinaj: Të mbytun 60 burra, 40 gra, 50 fëmijë.

Të djeguna 95 shtëpi, 1 xhami, të plaçkituna 96 shtëpi, 2 dugajë, 1 hotel, të rrëmbyeme 2230 dhen e dhi, 720 lopë dhe 32 kuaj.

Në Dolni Reçan: Të mbytun 9 burra, 22 gra, 33 fëmijë.

Të djeguna 72 shtëpi, të plaçkituna 95 shtëpi, 1 dugajë, 1 hotel, të rrëmbyeme 1215 dhen e dhi, 343 lopë dhe 21 kuaj.

Në Vërmosh: Të mbytun 15 burra, 5 gra, 10 fëmijë.

Të djeguna 3 shtëpi, të plaçkituna 20 shtëpi, 2 dugajë, 3 hotele, të rrëmbyeme 150 dhen e dhi, 52 lopë dhe 10 kuaj.

Në Bucel: Të mbytun 5 burra, 2 gra, 8 fëmijë.

Të djeguna 13 shtëpi, të plaçkituna 13 shtëpi, të rrëmbyeme 200 dhen e dhi, 60 lopë dhe 5 kuaj.”

(Mbyllet “Pasqyra e pjesshme e tragjedisë në Plavë-Guci”. Gj. D.)    

“Në krahinën e Rekës së Gjakovës u vranë 6 njerëz. Në Përdrin dhe në Drenicë sërbët vunë zjarrin dhe thikën dhe, vetëm në muajt gusht-shtator 1920, shkatërruan dhe dëmtuan 153 fshatra , plotësisht ose pjesërisht, ku, veç vrasjevet, grabitën edhe 37072 dele e dhi, 6228 qe e lopë dhe 1535 kuaj.” (f. 284)

“Në Dibër u dogjën dhe u shkretuan më shumë se 300 katunde dhe u shtërnguan të ikin për në pjesën tjetër të Shqipërisë më shumë se 30000 shqiptarë.” (f. 284)

“Më 12 dhjetor 1920 Bajram Curri i drejtohej qeverisë sovjetike, ku, ndër të tjera shkruante: Në emrin e 1550000 (një million e pesëqind e pesëdhjetë mijë) të shtypurvet (që pjesërisht i kaluan Malit të Zi, pjesërisht Sërbisë dhe pjesërisht Greqisë), marr lejen e Ju lutem për sa vijon: Zemrat e popullit shqiptar kërkojnë që t’u jepen territoret e poshtëshënuar: Ulqin, Tuz, Hot, Grudë, Triesh, Plavë, Guci, Rozhajë, Preshevë, Bujanovc, Bilar, Ziberc, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Prespë, Resnjë, Xhevatos, Çamërinë me 150000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) banorë.” (f. 285)

*     *     *

Kombi shqiptar nuk duhet kurrsesi t’i lejojë vetes, që edhe këndej e tutje, të rrijë indiferent ndaj masakravet që janë kryer mbi të parët e tij. Nëse nuk duam të na përsëriten kasaphana të këtilla, nëse e duam jetën e fëmijëvet tanë dhe nuk dëshirojmë që një ditë të vijë dikush e të na i vrasë, të na i therë, të na i hedhë në zjarr, në zjarrin e shtëpivet tona të përfshira nga flakët, ne jemi të detyruar të ndërmarrim diçka, që të mos na hiqen kurrë nga mendja ato që na kanë ndodhur.

Dhe, mënyra më e mirë për të mos e zënë gjumi kombin tonë përpara rrëziqevet, është që ne, qysh në këtë vit, 100 vjet mbas 1920-s, të caktojmë NJË JAVË ZIE MBARËKOMBËTARE. Ndoshta asnjë komb tjetër, madje as kombi hebre, nuk ka nevojë për javë zie më shumë se kombi shqiptar.

Kjo javë, e cila mendoj unë, duhet të jetë 7-ditëshi para 28 Nëntorit, dmth, nga 21 nëntori deri më 27 nëntor.

Kjo javë duhet të përcaktohet si java e përkujtimit, java e pelegrinit në vendet ku kanë ndodhur plojat dhe java e ndezjes së qirinjvet në çdo vend ku historia na dëshmon se është kryer vrasje njerëzish të pafajshëm.

Në atë javë shqiptarët duhet të vishen me të zeza. Burrat të vënë rub të zi mbi kokë. Edhe burrat, edhe djemtë. Nëse mbajnë kapele ose plis të bardhë, ta mbështjellin me rub të zi, nëse nuk mbajnë kapele, ta mbulojnë kokën me rub të zi. Gratë dhe vajzat të mos veshin ato ditë asgjë me ngjyra të çelura, përveç së bardhës, dhe sipër kokës e mbi supe të vënë mbulesa të zeza, ashtu siç veprojnë kur dikush u ka vdekur në shtëpi.

Në mbrëmje, për 7 net rresht, në çdo familje duhet të bëhet traditë të lexohen libra që flasin për vrasjet që na janë bërë në cilindo vend të atdheut tonë. Filluar nga Suli, Pramithia e Hormova, deri në Tivar, Plavë, Bihor e Nish. Librat me të këtila përmbajtje duhet t’i lexojë njëri pjesëtar i familjes, zakonisht një i moshuar, ndërsa të tjerët duhet të dëgjojnë solemnisht.

Mjetet e mediavet audiovizivë, radiot e televizionet shqiptarë, në ato 7 ditë nuk duhet të japin koncerte me këngë e muzikë të gëzueshme, por vetëm muzikë serioze, lajme dhe pjesë nga librat ku përmenden apo përshkruhen masakrat dhe vrasjet, sidomos të fëmijëvet dhe të gravet.

Në kohën kur kombi ynë do të ketë ndërtuar Fjalëmira të Gjuhës Shqipe, të gjitha ceremonitë lokale do t’i organizojë dhe udhëheqë Fjalëmira e Gjuhës Shqipe, dhe atëherë do të jetë shumë më lehtë për t’u kryer këto punë.

Është e domosdoshme të kihet kujdes që kombi shqiptar, duke organizuar javën përkujtimore të viktimavet të veta, nuk shpreh kurrfarë mllefi ndaj asnjërit prej fqinjëvet tanë aktualë dhe kjo për dy arsye: E para, sepse krimet ndaj nesh nuk i kanë kryer këta të sotmit, por dikush prej të parëvet të tyre, të cilët edhe vetë kanë vdekur prej kohësh. E dyta, për vrasjet që na janë bërë, vërtet kanë qenë fajtorë të parët e fqinjvet tanë, por përgjegjësi kanë pasur edhe të parët tanë. Në këtë mënyrë, duke praktikuar një javë zie në kujtim të qindra mijë jetësh të humbura pa faj, ne nuk do të ndezim zjarre. Përkundrazi, do t’i shuajmë zjarret, jo me armë, por me rrobat tona të zeza.

Njëra nga ditët e kësaj jave zie, para Festës së 28 Nëntorit, do të caktohet, (psh, e premtja), më e zeza e të gjithavet, për vizita në familjet që kanë “për të marrë” gjaqe. Ajo ditë do të konsiderohet dita e mbylljes së çdo gjakmarrjeje brenda kombit tonë. Familjarëvet që kanë humbur njerëzit e vet, do t’u thuhet: “Ne nuk po u kërkojmë gjaqe popujvet që na rrethojnë. Prandaj s’ka kuptim ta vrasim për gjak fqinjin apo bashkëkrahinasin tonë, sepse, gjithsesi, edhe ai mund ta ketë pasur një arsye që e ka vrarë njeriun e kësaj familjeje.”

Fajtorët, ndërkaq, qoftë të jashtmit, qoftë gjakësit e brendshëm, kombi ynë duhet të mësohet t’ua dorëzojë gjyqevet dhe të kërkojë me këmbëngulje që ata fajtorë të ndëshkohen sa më rëndë.

Unë e di që, këto që po them, nuk do të arrihen përnjëheresh. Madje, mund të ndodhë që pakkush t’ua vërë veshin, ose, edhe më keq, askush të mos ua vërë veshin. Por, a s’është më mirë të shkruhen, që ky popull t’i ketë këto gjëra të shkruara, apo të lihen pa shkruar?!

Të shkruhen, në mënyrë që, një ditë, në u detyroftë ky popull të varrosë disa qindra mijë viktima të tjera, të mund t’i kujtohen këto që i kemi shkruar dhe, ndoshta, mbasi ta ketë pësuar përsëri, edhe mund t’i mbushet mendja për t’i vënë në jetë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat