Roboti

Libra

Roboti

Nga: Nerimane Kamberi Më: 15 qershor 2020 Në ora: 13:07
Nerimane Kamberi

Sot mëngjes po i përngjaj një karikature që e ka ngjitur biri im në mur, në dhomën e tij, e më të cilën kam qeshur shpesh. Do të mundesha ta vazhdoj vizatimin, te poshtë, pjesën e trupit, të mos e lë vetëm këtë portret qesharak, ta përshkruaj me vija të holla mpirjen e çdo gjymtyre, ndjenjën që herë po shtangem, herë po më lëviz trupi, gjë që në gjendje normale do t’i kishte ngjarë ritmeve të para të një vallëzimi latino, por lëvizjet janë pa kontroll, e tash ndihem si një marionetë, një palaço i trishtë. Shikoj edhe njëherë karikaturën, duke e kthyer kryet me shumë mundime. Megjithatë arrij të buzëqesh, madje edhe të qesh.

Kur ishte e vogël, ajo gjithmonë qeshte, në ship, në shkollë, në oborr të saj, edhe kur rrëzohej gjatë lojërave të pafajshme kur i lëndonte gjunjtë dhe i rridhte gjaku deri poshtë çorapeve të bardha, edhe kur e kthente fytyrën kah mësuesja, qeshte, kaq. Kalonte. Ajo qeshte edhe kur prindërit grindeshin, shpeshherë duke bërë shumë zhurmë, dhe kur kojshitë vinin te dera për t’u ankuar kundër “këtyre të huajve pa edukatë e të mjerë.” Në fotot e klasës, atëherë kishte shumë nxënës në shkollat e fshatrave, ajo ishte e vetmja që qeshte, ashtu, si i kërkonte drejtori-fotograf, edhe pse nuk i kishte rrobat e bukura, ndoshta edhe ishte fustani i njëjtë me atë të fotografisë së vitit të kaluar, e prapë do të donte t’ia paguante mësuesja fotografinë, por sivjet ajo ishte rritur, i kishte fituar vetë paratë, ia kishte blerë bukën një plake te hyrja e banesës, një ditë edhe qenin ia kishte shëtitur. Në fund të ditës, ia kishte dhënë një grusht karamele- një e kishte hëngër menjëherë se i kishte shumë qejf- dhe dy para të hekrit. I kishte shti menjëherë në kutinë e saj kur ruante gjëra të vogla por të vlefshme për të.

E bëri një kafe më të madhe se ditëve të tjera dhe e zgjati kohën e pirjes së saj. Edhe ashtu trupi nuk donte t’i lëvizte. Nuk do të shkonte në punë sot edhe pse sa e kishte rifilluar pas dy muajsh mbylljeje, duke u fshehur nga një vrasës tinëzar, që zgjidhte si Sfinga antike viktimat e saj, pa mëshirë, e ditën e nuk e ditën përgjigjen në enigmën e saj. E gjatë atyre ditëve apo netëve, të strukur në shtëpitë e tyre, njerëzit kishin kohë të mendonin për enigmën e jetës, e ta mendonin edhe vdekjen. Ajo sot nuk do të shkonte në punë, ku të gjithë e kishin harruar se ç’kishte ndodhur, nuk e shihnin jetën, nuk e mendonin vdekjen.

Ajo kishte qeshur edhe kur dashuria e saj e parë e kishte braktisur ashtu, pa arsye, ndoshta se e donte tepër dhe kishte frikë se një ditë do të mund të mos e donte, as ai atë, as ajo atë. Ajo kishte qeshur edhe kur e kishte nënshkruar dokumentin, pa presion, pa shpërblim, ku ajo pranonte t’i bëheshin eksperimente, të shndërrohej në robot.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat