Unë, “armiku i popullit”!? - Bota Sot
Unë, “armiku i popullit”!?

Libra

Unë, “armiku i popullit”!?

Nga: Frank Shkreli Më: 4 korrik 2020 Në ora: 17:21
Frank Shkreli

Në shtator të vitit 2018 isha në Shqipëri për të marrë pjesë në promovimin e tre vëllimeve të librit tim, “Demokracia Nuk Pret”, por kisha vendosur që të mos largohesha nga Tirana pa vizituar Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 (AIDSSH). Autoriteti, i themeluar në bazë të një ligji të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015, është i hartuar, kryesisht, në bazë të modelit të ligjit gjerman mbi regjistrat e Stasit, ish-policisë sekrete të Gjermanisë Lindore komuniste, “Me përgjegjësinë për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to…”.

Vizita ime në zyrën e AIDSSH, dy vjetë më parë, ishte një përvojë e veçantë, ku pata nderin dhe kënaqësinë të takohesha me Kryetaren e AIDSSH, Zonjën Gentiana Sula, me anëtarin e Autoritetit, Zotin Simon Mirakaj dhe me zyrtarë të tjerë të atij enti. Kryetarja Sula dhe ndihmësit e saj më ofruan mua dhe bashkshortes një pritje tepër miqësore dhe plot respekt. I falënderoj të gjithë ata, veçanërisht, për gatishmërinë dhe ndihmesën që më ofruan, me atë rast, në procesin e aplikimit për nxjerrjen e dosjes që kishte përgatitur për mua ish-Sigurimi i Shtetit gjatë sundimit të regjimit komunist.

Vizita tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 përfundoi pas aplikimit, falë ndihmës së stafit të Autoritetit,për hapjen e dosjes time, brenda një periudhe të shkurtër, dosje të cilën, natyrisht, e lexova me vëmendje, por që pothuaj asgjë nuk më habiti nga ato që kishte brenda. Dokumentimi, identifikimi dhe hapja e dosjeve për individë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është një objektiv me rëndësi i punës së përditshme të Autoritetit. Më vonë, gjatë një vizite që stafi i AIDSSH bëri në Nju Jork, më sollën -- në disk -- kopjen e dosjes time personale të përgatitur nga Sigurimi i regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Sipas renditjes në listën e emërtimit të dokumenteve që përmban dosja ime prej 60 faqesh, duket se interesimi i Sigurimit të Shtetit rreth meje kishte filluar aty nga viti 1984-85 kur unë kam qenë Shef i Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës dhe ka zgjatur deri në datën 20 Mars, 1991, kur është mbyllur, që është pikërisht dita që unë dhe tre anëtarë të Delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit kemi zbritur në Tiranë për hapjen e ambasadës dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e para pluraliste, nja një javë pas nënshkrimit në Washington të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Kopertina e dosjes time

Dihet se gjatë gjithë historisë së tij, Zëri i Amerikës ishte ferrë në sy për regjimin e Enver Hoxhës dhe për Sigurimin e Shtetit, sidomos gjatë viteve të 1980-ave, kulmi i Luftës së Ftoftë dhe i lëvizjeve pro-demokratike në Evropën Lindore, sidomos në Poloni, që filluan me lëvizjen e punëtorëve polakë, Solidarnost dhe që u përhap më vonë anë e mbanë Evropës Lindore, përfshirë Shqipërinë, në vitin 1990.

Dosja e Sigurimit më përshkruan sikur të isha dy metra i gjatë, i rrezikshëm për regjimin komunist po se po, pasi konstatohet, gabimisht, se unë, “Si zevendës drejtor në Drejtorinë për Evropën Lindore në Departamentin e Shtetit, Frani ka në mbikqyrje edhe Zërin e Amerikës në terësi”, duke shtuar se, “Nga të dhënat del se Frani është mjaft i aftë dhe i specializuar në drejtim të vendit e njeri mjaft i besuar i amerikanëve”, duke lenë të nënkuptohet se si i tillë, mund të jetë edhe i rrezikshëm. Prandaj në dokumentin sekret të datës 4 -6-87 bëhet thirrje që, “Bazuar në sa sipër dhe me qëllim për të zbuluar e mësuar veprimtaritë dhe detyrat që i janë ngarkuar e kryen në drejtim të vendit tonë në fushën politike, propagandistike, studimore e subversive sipas orientimeve të Departamentit të Shtetit e zbulimit amerikan”, vendoset që, “Fran Shkreli të merret në përpunim aktiv”, ndërkohë që vendimit për të “zbuluar veprimtarinë armiqësore të Fran Shkrelit”, i bashkangjitet edhe “plani përkatës i masave agjenturoro-operative” prej nja 14-pikash kundër meje.

Në një dokument i përfshirë në dosje, kërkohet që “për zbulimin e veprimtarisë së objektit në vendin ku jeton kundër vendit tonë… të mendoni dhe na propozoni për masa presioni e demaskimi ndaj objektit që do të ishin më me efekt për ta larguar atë nga veprimtaria armiqësore kundër vendit tonë, e për ta demaskuar në radhët e emigracionit “shqiponjas”, arbëreshe e shqiptare, si spiun i të gjitha vendeve ku kaluar etj.”. Unë, poli-agjent, mos ma çoni gazin bre!

Duket se Sigurimi ishte i konfuzuar me të dhënat, pasi nga qëllimi për të më shpallur poli agjent për veprimtarinë kundër regjimit, në një dokument tjetër thuhet se sipas një burimi, “Fran Shkreli është me qendrim të mirë” ndaj Shqipërisë dhe “nuk lejon që ndokush të flas keq për të”. Madje në të njëjtin dokument thuhet se ai “dëshiron të vizitojë Shqipërinë, por mendon se nuk do ti lejohet kjo gjë, ndoshta nga qeveria jonë, por mendon që edhe amerikanët mund të mos e lejojnë”. Në të njëjtin dokument të datës 19.12.1989, ndërkohë që duket se në Tiranë po diskutohej mundësia për marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, oficeri raporton se sipas një burimi, “Frani ngul këmbë në bindjen e tij se vendi ynë do të afrohet e lidhë marrëdhënie me Amerikën, gjë që po ndodhë, ai e vlerëson si hap shumë të zgjuar diplomatik të qeverisë tonë”, thuhet në dokumentin në fjalë.

Në një letër drejtuar operativit resident të Sigurimit në Nju Jork i kërkohet që për të ndjekur gjithë veprimtarinë time “armiqësore” në punë dhe në familje, të angazhohen të pakën gjashtë veta, të cilët identifikohen vetëm me numra, njerëz që sipas të dhënave në dosje, “më njohin mirë” mua, sepse sipas një dokumenti tjetër në dosje, “Nga analiza e të dhënave rezulton se Fran Shkreli… është mjaft aktiv kundër vendit tonë”, e që “ndiqet nga ana juaj në përpunim 2A”, (grupi i të akuzuarve për agjitacion e propagandë) -- i shkruan nga “pozita” një agjent i Sigurimit një agjenti tjetër, jo më heret se me 25 tetor, 1989, d.m.th. më pak se dy javë para shembjes së Murit të Berlinit. Është interesant se ndërkohë që komunizmi në Evropën Lindore po jepte shpirt, Sigurimi i Shtetit Shqiptar ishte I angazhuar në ndjekjen e personave si unë. A nuk e shihnin a po nuk donin ta shihnin furtunën anti-komuniste që po vinte – fillimin e mbarimit të komunizmit!

Bazuar në dosjen që kam në dorë, megjithëse jetoja dhe punoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm që ndiqesha nga Sigurimi i Shtetit komunist të Enver Hoxhës për veprimtari armiqësore por sipas një “Ekstrakti” sekret në dosjen time të Sigurimit të Shtetit thuhet se, “Frani ndiqet edhe nga organet e shërbimit të sigurimit të shtetëror jugosllav për veprimtari kundërshtare dhe për ketë ushtrohet masa e kontrollit dhe e vezhgimit…”. A mos vallë punonin së bashku këto dy shërbime të Sigurimit secret ballkanas?

Në një dokument tjetër sekret -- që përmban dosja – dokument i lëshuar në Tiranë me datën 3/8/90, vetëm një vit para rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, udhëzohet “Rezidentura e Nju Jorkut” që, “Problemi i Fran Shkrelit të ndiqet me përparësi dhe me shumë kujdes”. Fatbardhësisht, ky urdhër i Sigurimit që unë të ndiqem “Me përparësi dhe kujdes” nuk u zbatua, ose më mirë të themi nga rrethanat botërore u hodhë në koshin e plehrave të historisë, atje ku përfundoi edhe komunizmi shqiptar dhe ai ndërkombëtar me shembjen e Murit të Berlinit.

Dosja prej 60-faqesh – pjesa më e madhe me të dhëna të gabuara ose pa kurrfarë vlere për një shërbim sekret inteligjence, mbyllet me një dokument sekret i datës 20 Mars, 1991, i titulluar “Autorizim”, me nënshkrimin e Zëvendës-Ministrit të Punëve të Brendshme, Veip Proda, sipas të cilit: “Autorizohet p.op. Islam Seferi, efektiv i degës dytë të Drejtorisë Parë, të tërheq nga Drejtoria e Tretë dosjen 2A të objektit Frank (Frano) Gjeto Shkreli, i cili vjen në vendin tonë si përfaqësues i ambasadës Amerikane në Tiranë.”

Dokumenti i fundit në dosje ku jepet autorizimi për tërheqjen e dosjes time në të njëjtën ditë që kisha arritur në Tiranë me delegacionit e Deprtamentit të Shtetit.

Fatbardhësisht, dhe falë nderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe punëdhnësit tim – qeverisë federale të Amerikës për 30-vjet – unë nuk kisha asnjë problem gjatë asaj kohe me askend, por nga dosja e Sigurimi të regjimit komunist të Shqipërisë del se Sigurimi i Shtetit debatonte se si të merrej me “problemin” që paraqiste për ta Frank Shkreli. Nuk di se ku e paskan pasur hallin pasi jeta, veprimtaria dhe puna ime ishte, siç thonë amerikanët një “open book”, një jetë aq publike dhe transparente sa nuk ishte nevoja që regjimi enverist komunist i Tiranës dhe as ai sllavo-komunist i Beogradit – të harxhonin buxhetin e shtetit dhe të keqpërdornin fondet nga mundi dhe djersa e popujve të tyre të varfër, për të punësuar agjentë spiunë për të ndjekur mua ose edhe shumë të tjerë si unë, në punë të vet, jashtë vendit, duke punuar për familjen. Për veten time, ndryshe nga shumë informacione falso të Sigurimit të përfshira në këtë dosje – për 30-vjetë në Washington, vërtetë se unë kam punuar në detyra të ndryshme, por gjithmonë për të njëjtën organizatë – Zërin e Amerikës dhe në të njëjtën ndërtesë në kryeqendrën e këtij enti në Washington. Po të kishte ardhur ndonjë agjent ose spiun i Sigurimit para derës së ndërtesës ku punoja në Washington, do ishte bindur se unë nuk përbeja asnjë rrezik për askend. Do më kishte parë çdo mengjes duke hyrë aty dhe çdo mbrëmje duke dalur prej aty për të shkuar në shtëpi pranë familjes. As nuk iu fshehja kujt as nuk kisha frikë askend --as Sigurimin e Shtetit komunist të Enver Hoxhës dhe as Sigurimin Shtetëror Jugosllav UDB-ën, sepse nuk kisha asnjë arsye që t’i kisha frikë – isha në punën time.

Jam matur për një kohë të gjatë nëse të përmend publikisht këtë dosje të Sigurimit ose jo dhe kisha vendosur të pres pak. Nuk e di se pse. Me thënë të drejtën mora guxim dhe frymëzim të flas për këtë dosje -- pa hyrë shumë në hollësi rreth përmbajtjes së saj -- nga vizita që bënë të martën në Shkodër zyrtarët e lartë të AIDSSH, përfshirë Kryetaren Genta Sula, ku kishin shkuar për t’i dorëzuar personalisht Dom Gjergj Simonit dosjen e tij të Sigurimit.

Mora guxim, por mora edhe frymëzim prej Dom Simonit, për mënyrën se si e pranoi dosjen e tij të Sigurimit me një mesazh publik, si i dënuar dhe i burgosur nga regjimi komunist, për poezitë që kishte shkruar dikur. Thashë me vete hapja dhe pranimi i dosjes, është në të vërtetë një dëshmi, që për mirë a për keq, duhet të ndahet me të tjerët, të shërbejë si një subjekt për krijimin e një atmosfere për dialog mbi të shkuarën komuniste të Shqipërisë. Për mirë, se me hapjen e dosjeve na jepet mundësia që me njohjen me këto dosje, ose me vet ekzistencën e tyre, ndoshta ndërgjegjësohemi si individë, por më shumë edhe si shoqëri, për të kaluarën e një regjimi diktatorial kriminal, nën të cilin Kombi shqiptar ka pasur fatin e keq të jetonte për pothuaj një gjysëm shekulli. Hapja e dosjeve të Sigurimit mund të konsiderohet nga disa edhe si një dëshmi e keqe ose të pakën si diçka që nuk na bën të ndihemi mirë, ndoshta për arsyen se shumica e atyre që kanë dosje ose familjarët e atyre që mund të kenë shkuar në atë jetë tanimë, presin ende – përtej hapjes së këtyre dosjeve – zbardhjen e së vërtetës dhe duan drejtësi për ata vet dhe për viktimat e komunizmit, në përgjithësi. I dashur lexues, kjo është edhe arsyeja që unë po i ndaj këto rreshta me ju për ekzistencën dhe për hapjen e dosjes time të Sigurimit të Shtetit komunist shqiptar, si një përpjekje, ashtu siç shpresojmë të gjithë, madje edhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit -- për një fillim të ri për Kombin shqiptar-- duke reflektuar për të kaluarën dhe duke shpresuar për një të ardhme të re më të mirë – ku shpresojmë që e kaluara komuniste të mos jetë më objekt ndarjesh e përçarjesh midis shqiptarëve, as sot dhe as në të ardhmen! Unë jam i bindur se konfliktet politike dhe gjëndja e përgjithëshme aktuale në Shqipëri në 30-vjetë post-komunizëm, përfshirë problemet me sistemin juridik, janë pasojë e drejtë për drejtë e mospajtimit dhe e mostrajtimit të krimeve të komunizmit, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste në Evropë. Duam ose nuk duam ta pranojmë, mos përballja serioze e klasës politike shqiptare me të kaluarën komuniste, vazhdon të jetë një barrë e rëndë për të ardhmen e lirisë dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat