Anekdotat zbulojnë mësuesin popullor

Libra

Anekdotat zbulojnë mësuesin popullor

Nga: Dr. sci. Valdet Hysenaj Më: 12 korrik 2020 Në ora: 10:13
Ballina e librit

Pas një pune shumëvjeçare, kërkimore, të përkushtueshme dhe të zellshme gjatë mbledhjes së anekdotave (meseleve apo rrotllave si i quajnë në këto anë), shumicën e të cilave i nxori nga dora e parë, autori Qazim Berisha lexuesit i ofroi mjaft veçanti, sepse pikë të parë referimi kishte vetëm një personazh dhe historitë e tij, të cilin po ashtu e kishte të mirënjohur, me ç’rast përmes krijimeve të shkurtëra realiste në prozë, në njërën anë lartësoi virtyte dhe cilësi të mira të herrura në popull, përmes filozofisë së tij, kurse në anën tjetër përqeshi e vuri në lojë të meta dhe dukuri të këqija kundër të gjitha fuqive të errëta shoqërore.

Së këndejmi, duke mos anashkaluar elementin motërzues, të gjitha krijimet para lexuesit prezantohen për herë të parë, duke paraqitur larushi përmbajtësore si guxim, pacenueshmëri, ndjeshmëri, filozofi, retorikë, enigmatikë, thumbim, ilaritete, satirë etj., njëkohësisht duke i shfrytëzuar njohuritë njerëzore të shtresave popullore të cilat në të shumtën e rasteve thardohen përmes humorit.

Autori  ka shpenzuar qartë vite para se t’i publikonte duke i mbledhur, radhitur, redaktuar, qartësuar e gërshetuar… të dhëna këto me një shpirt të një tregimtari të mirë.

Supozimi im është se autori njëkohësisht është zhytur gjithashtu në treguesit burimorë të filozofisë popullore gjatë grumbullimit të tyre, sepse për të zënë një tregimtar të mirë, duhet të dëgjohen histori që janë thënë nga ai, e historitë e rralla si këto, me fjalë lidhen fort me njëra-tjetrën dhe s’do mend se Qazimi, si njeri i afërt me burimdhënësin (Nekë Berishën) ka dëgjuar shumë sosh nga ai dhe të tjerët, të cilat na dalin shumë më shumë se biseda rastësore, sepse secila shkakton tjetrën, i paraprijnë njëra-tjetrës dhe në vete ngërthehen si simbiozë.   Qëllimi i anekdotave të tij nuk është vetëm për të qeshur, por duke i dëgjuar ato, ne jemi gjithashtu të gatshëm të dëgjojmë mësimin për durimin. Kur i dëgjojmë, ndërtojmë një argument për pacenueshmëri të mendimit filozofik popullor, pavarësisht elementit situativ, kohës, vendit, ngjarjes, personazhit etj. Idetë e anekdotave nekjane ndërtohen si histori të shkurtëra për një person ose ngjarje të vërtetë, e që lexuesit i nxitë të mendojë për tema të caktuara, të cilat njëherësh diskutohen nga grupi i njerëzve të caktuar në situata të caktura, si larmi ngjarjesh.

Herë – herë i kalojnë kufijtë e anekdotës, por Ne i trajtuam si të tilla. Qëllimi i autorit, po ashtu është që përmes personazhit të caktuar anekdotist, të prezantojë dhe të sigurojë qoftë nga jeta reale, qoftë nga e imagjinueshmja, informacione mbi bazën e shtjellimit të çështjes që trajtohet, si një pikturim të një pamjeje të ndritshme për personin tjetër. Qëllimet e tij po ashtu i kuptojmë si porosi të mirëfillta nga personazhet, ku secili i tregon tjetrit pak nga prapaskenat e tyre, zakonisht për të krijuar mendimin e drejtë logjik sipas elementit situativ. Si qëllime parësore, pas historive të treguara dhe jo rrallë pas të qeshurave, thjeshtë ndriçohen edhe gjendjet shpirtërore të destinuara për t’i kthyer përsëri në kujtime të lumtura me porosi të dobishme për shoqërinë. Përmes anekdotave të kësaj përmbledhjeje kuptojmë shumëçka nga e kaluara, nga retrospektiva në mënyrë të favorshme avancohen momentet në jetën e thjeshtë të fshatarëve, në klasën punëtore, për vullnetin e tyre dhe për ndarjen e gëzimit të asaj kohe me të tjerët, bashkërisht, përmes aluzioneve të kujtesës. Anekdotat paralajmëruese të kësaj përmbledhjeje përcaktojnë rregulla efektive në funksion të mençurisë së gjediut popullor për individët, në funksion të shmangies së të padrejtës.

Përmes fuqisë natyrore të tregimeve, për të thjeshtësuar ndryshimin dhe për ta bërë strategjinë, që individi  të jetë më njerëzor dhe më tërheqës bëhen përmes bindjes dhe frymëzimit. Ndonjëherë njerëzit thjesht duan që të tjerët ta dinë se janë përballur me situata të ngjashme, anekdotat e Nekës na përcjellin porosi përmes shembujve frymëzuese në shërbim të qëllimeve të tilla specifike. Shpeshherë narratori paraqitet përmes bisedave të natyrshme me miqtë dhe familjen, një ndër mënyrat më të bukura për të njohur njëri-tjetrin dhe për të përçuar a transmetuar trope e mjete stilistike si aliterimi, hiperbola, paralelizmi etj., me retorikë, për t’i dhënë lexuesit një ndjenjë të përvojës së të jetuarit të të varfërve të zakonshëm dhe të atyre që konsiderohen anti-socialë, duke identifikuar njëkohësisht modele heterogjene të burimeve mbi jetën si skica normative. Koncepti i tij i humorit është i orientuar drejt edukimit të shoqërisë dhe ka karakter edukativ.

Para lexuesit na shfaqet një shumëllojshmëri tematikash që kanë të bëjnë kryesisht me jetën shoqërore. Në shumicën e tyre, nëpërmjet humorit, ne shohim një mësues popullor, i cili me një buzëqeshje të lehtë na jep mësim, gjithnjë përmes domethënieve që na bëjnë të mendojmë. Për këtë arsye, do të ishte gabim nëse këto anekdota do të përdoren vetëm për të qeshur. Përmes kritikës autori vë në pah  të metat në të gjitha dimensionet, me qëllim të formimit të opinionit të shëndoshë në gjykim, sjellje dhe veprim. Paraqitja elokuente e mendimit të popullit, jo sipas fjalimeve programatike e propagandistike të pushtetit, por sipas unit burimor të tij, me porosi këshillëdhënëse. 

Kemi mjaft pasqyrime metaforike, por edhe alegorike të realitetit tonë me të cilin përballemi çdo ditë. Këto tregime të zgjuara, që ishin karakteristikë komunikimi edhe tek shumë popuj të tjerë në të kaluarën, e në veçanti në disa treva shqiptare (ku akoma janë prezente, edhe pse të zbehura nga evoluimi kohor), arrijnë që përmes porosive të japin aspekte nga jeta, në dukje të vogla, por me vlerë përgjithësuese, duke i vënë në lojë klasat sunduese, pushtuesit, tradhtarët, qeveritarët, personalitetet publike etj., duke mos lënë pa thumbuar as problemet e ndjeshme sociale, ekonomike, politike etj. Autori na ravijëzon shkathtësitë e komunikimit të drejtpërdrejtë me dëgjuesin kudo e kurdo, duke u lënë vend të rëndësishëm në thesarin e kulturës shqiptare, por edhe në jetën e gjallë e aktive, përmes humorit të hollë dhe satirës therëse, madje edhe sot e kësaj dite.

Në fund mund të tumirim mendimin se lexuesi ndeshet me shumëçka nga rrëfimi dhe çuditë e përrallës, diçka apo shumëçka nga humori i barcoletës, diçka nga gjetja poetike e vjershës, diçka nga aktrimi dhe batutat e teatrit komik, diçka nga porositë filozofike universale etj. Prandaj dhe ato udhëtojnë tok me njeriun nga brezi në brez - është shprehur K. Mahilaj. Pa dyshim se prozës sonë gojore ju shtua edhe ky material që do të jetë një bazë e mirë pë të shpënë përpara studime edhe më të thelluara e të gjithanshme të këtij lloji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat