'Deri në frymën e fundit', një histori dashurie që të ndjek pas gjithë jetën

Libra

'Deri në frymën e fundit', një histori dashurie që të ndjek pas gjithë jetën

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 19:16
Ilustrim

Si ndikon fëmijëria në jetën tonë prej të rriturish dhe si mund të çlirohemi prej saj?

Deri në frymën e fundit....

Informacion i përgjithshëm rreth librit 

Suedi, vitet ’70. Në një fshat të humbur pranë bregut të një liqeni, një vogëlushe me emrin Lo është vetëm 6 vjeçe kur takohet për herë të parë me Lukasin, natën e një zjarri të madh që kërcënonte komunitetin e tyre. Të dy fëmijë emigrantësh, të dy të dashuruar marrëzisht pas tokës, ata u bënë miq të ngushtë, pavarësisht pengesave të forta nga ana e familjes së Losë. Takohen fshehurazi në një shtëpi të braktisur buzë liqenit dhe të dy bashkë kalojnë verat kredhur në ujë dhe dimrat kruspullosur brenda shtëpisë, duke risjellë e ringjallur fragmente të filmit të tyre të preferuar “Deri në frymën e fundit”.  Fëmijëria e Losë së vogël rrjedh pothuajse e qetë. E ëma gjithnjë e këshillon t’i ruhet dashurisë, por pa ia shpjeguar arsyen. Fjalët e së ëmës krijojnë brenda së voglës pyetje pa fund, të cilave nuk di t’u japë përgjigje. Në çastin që Loja do të njihet me Lukasin 13-vjeçar, që mban përbrenda një plagë të pashërueshme, jeta e saj do të ndryshojë kryekëput. 

Ajo që lind nga takimi i tyre i parë ngjan se është fillimi i një dashurie adoleshence, një dashuri plot ëndrra, që duket e destinuar të zgjasë përjetësisht. Ajo lloj dashurie që ëndërrojnë të gjithë, pa asnjë kompromis.  Por adoleshenca merr fund shpejt dhe Loja e Lukasi gjenden të ndarë, miqësia e tyre do të marrë fund mes braktisjesh dhe tradhtish. Loja vendos të lërë pas krahëve familjen, Lukasin dhe fshatin e saj.

Se si mund të shkatërrohet një miqësi kaq e pastër dhe e pafajshme – dhe kaq rreptësisht e ndaluar – është një mister që shpaloset përgjatë udhëtimit të Losë në Berlin, Kopenhagen e deri në Nju-Jork, nga një takim dashurie në tjetrin, teksa duket e destinuar të endet nëpër një botë, të cilën e fajëson për ndarjen nga Lukasi. Një roman i magjishëm, me humor dhe ndjenja të thella.  Historia e dashurisë që na rrëfen Anne Swärd nuk ka asgjë tradicionale. Ndjenja që lidh Lonë me Lukasin është një prej atyre që të gjithë e kemi ëndërruar, të paktën një herë: e dinë që i përkasin përgjithmonë njëri-tjetrit, e dinë që s’mund të jetojnë pa njëri-tjetrin. Tragjedia është që e dinë edhe se nuk mund të jetojnë me njëri-tjetrin. As me ty, as pa ty. Me hijeshi të jashtëzakonshme, shkrimtarja suedeze na shoqëron në këtë rrugëtim të trazuar dhe pa destinacion, që i shtyn dy protagonistët të luftojnë për të gjetur atë fill që i lidh në mënyrë të pazgjidhshme: pushtetin e fshehtë të dashurisë së tyre të mbrapshtë.

Kritika

Kjo përrallë rritjeje dhe formimi ka të gjithë përbërësit e duhur: seks, vdekje, fëmijëri të humbur; por dallohet për rrëfimin mbresëlënës. 

Daily Mail  Psikologjikisht i thukët... Anne Swärd rrëfen rrjedhshëm për dashurinë, tradhtinë dhe komplekset e zemrës së njeriut.  

Independent

Në botën e autores Anne Swärd, atmosfera është përvëluese. Ajo shkruan për një dashuri që shpërthen si një zjarr mes pyllit. Kur çdo gjë është sterrë dhe e shkatërruar, mbeten krahët e ferrit, gati për t’u përflakur sërish.

Bodil Juggas, Arbetarbladet

Ndonëse, herë pas here, lexim disi i vështirë, historia provokuese dhe bindëse lidh mjeshtërisht marrëdhënien e prindërve të Losë me adoleshencën e saj, teksa eksploron këshillën e së ëmës “ruaju nga dashuria”.

Laura Temple, Irish Examiner

Autorja

Anne Swärd është shkrimtare suedeze mjaft e njohur në vendin e saj. Ka debutuar më 2003 me një roman që u bë pjesë e finalistëve August Prize (çmimi më i lartë letrar skandinav). Romani i saj i tretë, “Deri në frymën e fundit”, u shpall romani më i mirë i vitit nga Bokcirklar’s Stora Läsarpriset (Çmimi i Lexuesve). Librat e saj janë përkthyer në mbi tetëmbëdhjetë gjuhë. Në vitin 2019, ajo u bë pjesë e Akademisë Suedeze.

Fragmente nga libri

1)  [...] siç kishte lexuar diku, pasioni i dashurisë është një folie à deux. Tashmë, këtë e dinte nga përvoja e vet. Më e keqja ishte që mjaftonte të çmendeshin edhe vetëm përgjysmë të dy: përfundimi ishte sërish një çmenduri e plotë.

2) Dashuria të kap si ethet apo si falimentimi... jo, jo, ethe ishin ato që ia kishin mbërthyer trupin, sado që përpiqej ta freskonte. Dashuria nuk njeh ligje, shkon mes të dashuruarve si t’i teket. Ajo e urrente. E dashuronte. E dashuronte kaq shumë, sa e urrente. Vetëm sepse ai ekzistonte.

3) Rrënjët e holla në tokën e re, në dheun e zi e pjellor, kaq i ndryshëm nga toka shterpë prej së cilës ishin shpërngulur. Rrënjët e mia do t’i lidhnin më shumë me atë vend, aty ku dhe vetë nuk ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Dikush duhet të lindte aty, e ata do të mbërtheheshin pas certifikatës sime të lindjes si për të vërtetuar që i përkisnin atij vendi.

4) Ruhu nga dashuria, – tha mamaja dhe thithi helmin prej këmbës sime të ënjtur; pështyu një curril të verdhë e të gjatë në bar dhe shpëlau gojën me qumësht.

Nga dashuria dhe gjarpërinjtë.

Nga dashuria, gjarpërinjtë dhe autostrada.

Nga dashuria, gjarpërinjtë, autostrada, liqeni.

Nga dashuria, gjarpërinjtë, autostrada, liqeni. Dhe zjarri.

Nga lakuriqët e natës.

Nga shtyllat e tensionit të lartë.

Nga filmat horror.

5) Seks dhe pikëllim, në një përzierje të dëshpëruar. Tërhiqesha duke thënë jo. Ti gjithmonë thua jo, më thoshte vështrimi i tij. Më do, nuk më do, më do, por me ç’lloj dashurie? Mes nesh nuk mund të kishte seks.

6) Joeli më mësoi si të shijoj, ndërsa përmes tij mësova të mos ia kem nevojën kujt. Në fillim, u lidha pas seksit, mandej pas vetmisë. E shijoja si diçka që nuk më nginjte kurrë. Nisa ta ruaj si diçka që mund të ma vidhnin.

 

Titulli: Deri në frymën e fundit                                                                                                         

Titulli në origjinal: Till sista andetaget

Autorja: Anne Swärd

Përktheu: Entela Tabaku

Zhanri: Roman 

Data e botimit: shtator, 2020

Numri i faqeve: 292

Çmimi: 1000 lekë

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat