Shpendi Topollaj me një libër të ri

Libra

Shpendi Topollaj me një libër të ri

Nga: Kadri Tarelli Më: 9 tetor 2020 Në ora: 16:00
Kopertina e librit

Para pak ditësh doli nga shtypi, libri më i ri i shkrimtarit të mirënjohur Shpendi Topollaj, “KUR MENDJA BASHKOHET ME ZEMRËN”, ku përmblidhen rreth 65 shkrime të autorëve të ndryshëm, nga të gjitha trojet shqiptare. Pas dy librave “Të shkruash në liri” dhe “Liria e të shkruarit”, ky është vëllimi i tretë me shkrime kushtuar këtij shkrimtari, poeti, dramaturgu dhe kritiku zë bukur në letrat shqipe.

Për lexuesin kureshtar, po them se janë të shumtë ata që kanë shkruar, një galeri personalitetesh dhe penash të njohura në trojet shqiptare e më gjerë, një pjesë janë nderuar me medalje dhe tituj nderi. Mes tyre do të gjeni emra të shquar, doktorë shkencash dhe profesorë universitetesh, akademikë, ushtarakë, mjekë, juristë, artistë të skenës, filmit dhe muzikës, shkrimtarë e poetë, kritikë dhe studiues, deputetë e politikanë, botues librash, gazetarë e fotografë, përkthyes dhe drejtues emisionesh televizive, etj, etj. E gjitha kjo mjafton për të kuptuar, se librat dhe krijimet e njeriut të letrave Shpendi Topollaj, kanë tërhequr vëmendjen e një publiku të zgjedhur e të shumtë.

Është kënaqësi t’i përmend: Dr. Prof. Gjergj Zheji, Fatmir Minguli (Kritik romancier dhe studiues), Reshat Arbana, artist (Nderi i kombit), prof. Dr. Nuhi Vinca, prof. Dr. Osman Kadriu, Dr. shkencash Nevruz Zejnati, Magjistër i Historisë së kulturës, Shefik Stublla, Mehdi Ramohitaj, Luan Laze, Akademik Kopi Kyçyku, Kostaq Xoxa, Gladiola Busulla, Tuta Dhima, Luan Memishaj (Lepenica), Luan Jaupi, Kudret Mita, Namik Dokle, Isuf Kalo, Gjeneral Jani K. Lufi, Bardhyl Agasi, Maestro Zhani Ciko, Fatos Kulla (Gazetar), Nikolla Sudar, Ilir Malindi, Josif Doja, Bashkim Kadiu, Artur Korriku, Migena Sotiri (Gazetare TV. Adria Net), Akademik Isak Ahmeti, Kadri Tarelli, etj.

Titulli librit “Kur bashkohet mendja me zemrën”, flet shumë për atë ç’ka në brendësi. Unë po mjaftohem vetëm me këto pak fjalë të thëna dikur nga Stefan Cvajg: “Njeriu mund të gënjejë, të shtiret, të dorëzohet; portretin mund ta ndryshojë dhe ta bëjë më të bukur, libri mund të të gënjejë, letra po ashtu. Por në një gjë, gjithsesi, njeriu është i pandarë nga thelbi i tij i vërtetë: – Te shkrimi. Shkrimi e tradhton njeriun, do apo s’do ai. Shkrimi është i patjetërsueshëm, po ashtu si edhe vetë njeriu dhe, në ndonjë rast, rrëfen edhe më shumë, se për çfarë hesht njeriu”.

Këndonjësit i urojmë lexim të këndshëm!

Shpendit i urojmë jetë e shëndet, për vepra të tjera të arrira artistikisht dhe letrarisht!

Urime!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat