Zbulohen dorëshkrimet e panjohura të Dritëro Agollit

Libra

Zbulohen dorëshkrimet e panjohura të Dritëro Agollit

Më: 13 tetor 2020 Në ora: 16:23
Dritëro Agolli

Sot i paharruari Dritëro Agolli do të mbushte 89 vjeç nëse nuk do të ishte ndarë nga jeta. Ligjet e natyrës janë të plotfuqishme, por ajo që na ka lënë të shkruar, është një trashëgimi e paçmuar, sa aktuale, aq dhe universale.

Për ta kujtuar në këtë ditëlindje të 89-të të tij, vajza e tij, Elona, përzgjodhi disa dorëshkrime të tij, problematika e të cilave është mjaft aktuale edhe sot. Në këto shënime, “patriarku” i PS-së komenton rikthimin e Fatos Nanos në PS, pas dorëheqjes dhe ardhjes në krye të saj të Edi Ramës.

SHËNIMI 1

Nga kthimet dhe rikthimet e Nanos drejt pushtetit njerëzit me mend nuk çuditen. Ata do të çuditeshin sikur ai të mos kthehej. I rënë nga pushteti, ai zhduket për një kohë kaçakqejfli nëpër Europë dhe nëpër Ballkan dhe si majmet pakëz, i përmalluar për atdheun dhe për partinë, kthehet duke dalë nga vetura në ndonjë shesh për ta parë njerëzit dhe veçanërisht gazetarët, lëshon në ajër ndonjë batutë që i duket moderne, po në të vërtetë është si një supë lakre e zierë dy herë dhe pas këtyre riteve, hyn krenar në ndonjë restorant VIPash i përcjellë nga 2-3 soc-jeniçerë.

E ç’thonë për mua?! – pyet soc-jeniçerët Pashai i rikthyer. Dhe këtu m’u kujtua një përrallëz e mësuesit popull. Një fshatari iu mbush mendja të ikte nga fshati dhe të dilte kaçak për të parë se çfarë buje do të bënte ikja e tij. Qëndroi nja gjashtë muaj apo një vit në male dhe një ditë fshehurazi-fshehurazi u kthye duke u tulitur prapa një ferre buzë rrugës. Kaluan dy fshatarë të njohur.

Ai kërceu nga prapa ferrës dhe i pyet: -Çfarë thonë në fshat për mua?! -Asgjë nuk thonë, por kthehu, mjaft qëndrove në male,- iu përgjigjën bashkëfshatarët. Si nuk bëri bujë duke ikur, filloi ta kërkojë bujën duke ngatërruar fshatin me thashetheme derisa e përzunë fare prej andej. Kur u përzu, filloi të bëjë bujë dhe fshati thoshte: -Mos na kthehet prapë ai i paudhi! Kështu është edhe puna e Fatos Nanos!

Nisur nga ajo që thonë se Fatos Nano është rikthyer me pretendimin për të shpëtuar PS-në nga modeli berishist dhe për të bërë katarsisin, unë do të mendoja të kundërtën: Nanua kthehet për t’ia hapur rrugën Berishës duke u përpjekur të shpërndajë Partinë Socialistë.

Ju e keni vënë re mendimin e tij në ato dy-tri fjalë që tha para derës së veturës së tij se qenkësh i pakënaqur nga PS-ja që po e sulmon shumë Sali Berishën. Pastaj katarsisin e bëri Sali Berisha më 3 korrik 2005. Tani ngecja e mendimit idiot në vrimën e katarsisit është një komplot i pandërprerë për pushtet. Kjo dihet, kush ngjitet disa herë në pushtet dhe zbret disa herë prej tij, asnjë mendim të ri nuk mund të sjellë në shoqëri; të rinj mund të sjellë vetëm kostumet, orët, parfumet dhe ndofta ndonjë të dashur!

SHËNIMI 2

Nuk është hera e parë që Fatos Nano zgjedh këtë kohë, më mirë të themi, këtë çast për të lëshuar tym dhe blozë nga skarpamentoja e tij politike. Në prag të zgjedhjeve më 1996- ën ai e quajti PS-në qyp me guralecë dhe kënetë, duke goditur edhe Servet Pëllumbin, një ndër figurat më të shquara tonat. Kjo ndodhi në prag të zgjedhjeve. Po në prag të zgjedhjeve të 2001-shit iu kërciti dhëmbët gjithë drejtuesve duke përfshirë dhe Pandeli Majkon.

Të vijmë në 2005-ën. Para zgjedhjeve, Nano u hodh kundër Ilir Metës, një personalitet politik me vlera të vërteta. Dhe këtu Nanua mori tatëpjetën i katarsizuar nga Berisha. Papritur u duk këto ditë duke imituar Napoleonin, kur u kthye nga Elba në Francë më 1815-ën dhe qeverisi 100 ditë. Napoleoni francez u kthye nga internimi të marrë qeverinë me topa, Tosi ynë u kthye nga turizmi nëpër Europë dhe Ballkan të marrë partinë me çarqe dhe me katarsisa.

Në PS disa thonë se rikthimi i Fatos Nanos është një dukuri atmosferike, disa të tjerë përdorin shprehjen popullore se “ai qen që leh, nuk të ha”. Por unë do të thosha se vërtet ai qen që leh nuk të ha, por me lehjen e tij nxit qentë e tjerë që të të hanë. Nuk pajtohem as me mendimin nënvleftësues se shfaqja e Nanos është një dukuri atmosferike. Unë e kam shtëpinë afër asaj shtëpie ku banonte Fan S. Noli në kohën kur ishte Kryeministër pas Revolucionit të Qershorit 1924. Ai kur po kthehej Ahmet Zogu për të marrë pushtetin, i binte gërnetës. I thoshin: Po vjen Zogu! Noli përgjigjej: E mo, ku vjen ai malok! Edhe socialistët që thonë se kthimi i Fatos Nanos nuk është ndonjë problem, kam përshtypjen se mendojnë si Fan Noli për kthimin e Ahmet Zogut.

Fatos Nanua është pehlivan në marrjen e pushtetit. Socialistët duhet në radhë të parë t’ia heqin Fatos Nanos drogën që quhet pushtet. Kjo drogë është më e fortë se kokaina dhe heroina që rriten në Kolumbi. Këtë drogë të etjes për pushtet, këtë drogë me emrin “Pushto”, socialistët duhet t’ia presin me sëpatë si në Lazarat kanabisin, vetëm se pa e vonuar këtë prerje dhe pa dëgjuar jeniçerët e Fatos Nanos që e nxisin për të marrë këtë drogë. Politika që ndjek Fatos Nanua, pavarësisht nga ideja dhe kredua e saj, në praktikë është organizimi sistematik i urrejtjes.

SHËNIMI 3

Rikthimi i Nanos më kujtoj një ngjarje nga koha e socializmit. Kemi qenë me një mikun tim që ishte përjashtuar nga Partia e Punës me shërbim në një fshat, unë si gazetar, ai si financier. Bashkë me ne ishte një burrë i rrahur nga jeta dhe me përvojë të madhe shoqërore. Në dhomën e asaj shtëpie ku kishim bujtur, nën tavan kishte trarë me gozhdë. Miku im, pas darkës, para se të flinim duke u menduar tha se kishte dëshirë për t’u futur përsëri në parti, pasi ishte përjashtuar. Burri me përvojë të madhe e dëgjoi i heshtuar dhe tha: E di kur mund të futesh në Parti? Shiko lart në trarët e tavanit. Kur të heqësh me bythë atë gozhdën në tra, atëherë mund të hysh në parti.

Kuptohet ku e kam fjalën. Edhe Fatos Nanua kur të shkulte ndonjë gozhdë me bythë nga ndonjë tra, mund të bëhet President më 2007-ën! Unë nuk u besoj shumë këtyre konspiracioneve të Fatos Nanos me Sali Berishën dhe me të tjerët si ndërmjetës, sepse jam mësuar t’i gjykoj gjërat dhe dukuritë vetëm me anën e fakteve dhe jo hamendësive enigmatike të gazetarëve, të shpërndara tashmë si anekdota. Por kam frikë se mund të ndodhë një gjë e tillë që Fatos Nanua të bëhet President, ngaqë të dy, si Nanua edhe Berisha, përdorin të njëjtën drogë, që quhet “Pushto”, d.m.th. pushtet. Dhe këta mund ta ndajnë këtë drogë për ta mbajtur sa më gjatë pushtetin në Shqipëri.

Të dy këta besojnë se vetëm një njeri, duke qenë në krye mund ta shpëtojë popullin. Në qoftë se edhe populli e beson këtë gjë, atëherë ai e meriton kërbaçin, thotë një filozof i mençur që nuk më kujtohet emri. Disa përkrahës socialistë të Fatos Nanos mendojnë ta bëjnë atë Shën Nano, që vetëm ai është shpëtimtari dhe këmbëngulin që Partia Socialiste të bëjë një dialog me “udhëheqësin historik”.

Po si mund të bëjnë dialog kur Fatos Nano vjen i freskët dhe i çlodhur nga gostitë e tij dhe nuk denjon t’i quajë socialistët njerëz, por qenie të shkurtra apo të gjata, megjithëse në këto qenie të shkurtra nuk e fut veten e tij, sepse duke u matur me hijen e mëngjesit, i duket trupi i tij i gjatë.

Të vjen çudi që disa socialistë me përvojë tashmë 15- vjeçare, që krekosen dhe e heqin veten si ideologë, ngulin këmbë të bëhet një debat i përgjithshëm me Nanon në krye për katarsisin e dytë, që të shkatërrojnë Patinë Socialiste në prag të zgjedhjeve vendore kur kërkohet një forcim i bashkimit të të gjithë të majtëve. Këta ideologë mua më kujtojnë dy reformat agrare që u bënë në Shqipëri: të paerën që bëri Ahmet Zogu në vitet ’30 dhe të dytën që bëri Enver Hoxha në vitet ’40. Kur iu ndahej toka fukarenjve në disa zona që jetonin të përulur ndaj bejlerëve, nuk donin t’i merrnin këto toka, këto ara, pasi thoshin se nuk donin t’ua prishnin qejfin bejlerëve.

Po kështu bëjnë edhe disa pjesëtarë si dhe deputetë të lidershipit socialist, që nuk pranojnë të marrin idetë e reja të kryesisë dhe kryetarit Edi Rama nga frika se mos ia prishin qejfin Fatos beut, të cilin e quajnë pronarin historik të “tokave të PS-së”. Megjithatë, mirë është të kujtohet ajo përralla e kaçakut të fshatit, që u kthye përsëri mes bashkëfshatarëve të tij. Po për bashkëluftëtarët e kryetarit historik të PS-së le të sjellim në mend tri vargje të Faik Konicës nga vepra e tij “Katër përralla nga Zullulandi”: “Ne jemi trima, / Edhe dalin nga vrima, / Zër’i i Zullulandit kur na thërret!”

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat