Në poezinë e prof. Isuf Bajraktarit do të hasim në një kristalizim të vargjeve poetike, me shprehje artistike

Libra

Në poezinë e prof. Isuf Bajraktarit do të hasim në një kristalizim të vargjeve poetike, me shprehje artistike

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 14 tetor 2020 Në ora: 13:29
Hysen Ibrahimi

Poezia në librin e titulluar “Natë e trishtuar” e autorit Prof. Isuf Bajraktari, do t’i imponohet lexuesit me një varg vlerash poetike, sepse janë poezi me ide të shkëlqyera të sferës letrare e artistike. Para se gjithash, duhet cekur disa ide të këtyre poezive, që përkojnë me realitetin dhe individualitetin e këtij autori krijues, siç është prof. Isuf Bajraktari.

Që nga poezia e parë e autorit e deri te poezia e fundit do të hasim në një kristalizim të vargjeve

poetike me shprehje artistike e që, mund të themi, herë-herë edhe me transparencë, për dallim nga poetë të tjerë, që shumë shpesh e përdorin enigmën në vargjet e tyre poetike. Poezitë e këtij poeti shquhen me fuqinë e parimit apo vërtetësisë të cilën duhet treguar, qoftë edhe përmes vargut, sikurse në rastin e vargjeve të shkruara për vendin e lindjes në Mirash:

Në Mirash burojnë krojet e vjetra

Nga të lashtat disa kanë pushuar

Ujqërit po ulurojnë përreth krojeve

Pos vendeve të njohura prej të vjetërve.

Sikurse vazhdon edhe më tutje, kur mbështet realitetin e origjinës së tij, kur dihet se babëgjyshi i tij, Isuf Shaban Bajraktari, që ka qenë idol i rinisë përparimtare i çështjes kombëtare dhe, së fundi, duke qenë bashkëpunëtor i fundit i Gjon Serreçit. Rrugën e tij e ka vazhduar pinjolli i tij, në këtë rast edhe vetë Prof. Isuf Bajraktari, që e ka trashëguar emrin e babëgjyshit. Ndaj, poezia dhe vargjet poetike të autorit dëshmojnë se uji i burimeve nuk i ka fikur vatrat e Mirashajve:

Kohët e kalimit kurrë nuk ndryshken

Jeta e Mirashjanve në këtë vend nuk dihet

Oxhaku i parë i tymosur thonë se është TARA[1]

E uji i burimeve tona kurrë nuk i fiki vatrat. Në disa raste fshihet transparaneca në tërësi, duke mos dhënë as edhe një refleks poetik që ngjall emocione të fuqishme vepruese dhe i japin kualitet artistik përmbajtjes së poezisë, që shumë shpesh lidhet me realitetin e përditshëm të kohës kur autori i ka përjetuar. Një përjetim autori e shfaq në poezinë e titulluar “KUR TË VIJ NË QYTET”, në strofën e dytë:

Ti do të më pritësh n’takim

Unë emrin tënd e harrova n’fshat

Do ta mësojmë jetën e dashur më shumë

Ti u linde herët me këngën tonë.

Kjo poezi ka kuptim racional,[2] me tkurrje emocionesh, por që autori favorizon idenë poetike. I përkushtohet edhe fatit të jetës, por me

të drejtë, në disa raste, nuk identifikon personazhin.

Shumë herë, me të drejtë, poeti Bajraktari shfaq emocionet me nostalgji, ngase poeti e përjeton rëndë mallin për vendin e tij të lindjes, duke qenë i bindur se idealet e njeriut të gjallë nuk plaken kurrë.

Kroi një ditë ndalet

E lisit i bien degët nga të thatët

Dheu i thith yjet

Ideali i përbashkët nuk plaket.

Poezitë e tilla zakonisht përjetohen dhimbshëm edhe nga vetë autori, por edhe nga lexuesi, sepse shfaqen dukuri të të përjetuarit në një kohe kur poeti ka vepruar me vetëdijen e tij të plotë. Me të drejtë, poeti në këtë poezi përcjell mesazhe me elemente të përbashkëta, të cilat asnjëherë nuk do të plaken.

Autori, në brendinë e librit përfshin shumë figura kombëtare të të gjitha trojeve etnike, ku me shumë sukses arrin kombinimin e figurave dhe me shumë kualitet në vargun poetik, ku në të njëjtën kohë na kujton ngjarje me rëndësi historike.
Në veçanti, autori Prof. Isuf Bajraktari ngre prirjen poetike para lexuesit, në radhë të parë, me një përjetim të thellë dhe janë rezultat i një përvoje të kohës moderne në fushën e krijimtarisë poetike.

[1] Sipas gojëdhënave është familja e parë në fshatin Mirash.

[2] Që mbështetet në arsyen e shëndoshë, që është në përputhje me logjikën e ngjarjeve e të rrethanave të jetës; që është peshuar e llogaritur mirë

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat