Recension i librit ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” i bashkautorëve Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti

Libra

Recension i librit ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” i bashkautorëve Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti

Nga: Lekë Mrijaj Më: 22 tetor 2020 Në ora: 09:46
Foto ilustrim

Në këtë libër, bashkautorët Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti si askund tjetër më mirë, japin fakte studimore për dom Shtjefën Kurtin, i cili ishte prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit të Tij dhe me në fund nga klika komuniste mesjetare enveriane u martirizua për Fe e Atdhe apo nën moton: "Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia". Vlen tē potencohët se tashmē I Lumi Dom Shtjefën Kurti u lind në Ferizaj të Kosovës, më 25 dhjetor të vitit 1898. U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921. Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946. Dom Shtjefën Kurti si një Prift dhe tashme disa vite nga Selia e Shënjt-Vatikani, është I Lumnuar i Kishës Katolike. I arrestuar me 1946 për shkak të dergimit të një letre Papes, i cili e informoi atë për persekutimin e Kishes në Shqipëri. Dënimi me vdekje i tij u ndryshua me vonë në 20 vjet burgim. Me 1963 ai është liruar nga dhënia e amnistisë. U arrestua serish me 1967 për shkak se rezistoi deri ne fund të sekularizimit të një ndertese të Kishës katolike dhe u dënua pastaj me punë të detyrueshme. U ri/arrestua prapë me 1970 nën arsyetimin se fshetas kishte pagëzue një fëmijë me ritet e katolicizmit. Ai u denua me vdekje dhe u ekzekutua nga nje skuader speciale pushkatimi me 20 nentor 1971. Libri është botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2018. Pikërisht në këtë monografi studiohen dhe hulumtohën zhanret të ndryshme tē jetës së dom Shtjefën Kurtit si dhe veprimtaria e tij jetësore, misionare, kombëtare e gjithëperfshirëse. Thënë më gjerësisht, ky libër mund të konsiderohet si një nder asetët me vlerë të çmueshme në sfondin e shkencës, kulturës, sepse mbi të gjitha është një libër që ka një qasje tejët objektive dhe realiste i cili është i pasuruar me burime të shumta të fusnotave, të cilat i japin nuanca të një kameleoni vetë këtij libri shkencor.

Bashkautori i dytë Nikolin Kurti, (nipi i klerikut të persekutuar dhe disidentit) që në fillim të librit potencon se ky libër është shkruar me rastin e 120 vjetorit të lindjes me këto fjalë: "I dashur axha Shtjefën, të vranë dhe të zhdukën për mos me tregue, por rrojtëm ne, që të kujtojmë e tregojmë për ty. Nuk vajtojmë se të kemi humbur, por jemi krenar që të kemi të tillë. I lumi Dom Shtjefën lutu për ne. I yti me dashuri dhe përkushtim Nikolin Kurti, data 6 dhjetor 2018".

Paraprakisht në parathënie të librit ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” me një fjalë hyrëse tejët koncize paraqitet Shkelqësija e Tij, mons. George Frendo O.P. Arqipeshkëv i Metropolit i Tiranë – Durrësit, i cili veq tjerash potencon duke thënë se është mjaft i njohur qëndrimi i Enver Hoxhës për besimet, për çdo besim. Por ai tregonte një urrejtje të veçantë për Kishën Katolike. Kjo duket shumë qartë në një fjalim të Enverit, në të cilin, pasi mburret për suksesin e tij në luftën kundër besimeve, përshkruan rezistencën e madhe që ka hasur nga ana e Kishës Katolike. Autorët e këtij libri siq thotë Mons. George Frendo O.P., nuk u kufizuan vetëm me historian e Dom Shtjefnit, por, me shumë hollësi, që do të thotë se i përshkruajnë shumë mirë rrethanat në të cilat ka jetuar dhe vepruar Dom Shtjefni. Për shembull, kur flasim për emërimin e tij si famullitar i Ferizajt, pikërisht caktimi i tij si sekretar i Kryeipeshkëvisë së Shkupit, japin një përshkrim të detajuar të historisë dhe gjendjes së këtyre qyteteve. Kjo e bën më interesant leximin e këtij libri. Ndërsa në vazhdim mons. George Frendo O.P., tha se libri përshkruan shumë mirë jetën shpirtërore të Dom Shtjefnit, zellin e tij baritor për ta drejtuar popullin drejt Krishtit dhe Kishës, aftësinë e tij si predikues, dashurinë e tij për popullin shqiptar të shpërndarë në Shqipëri, Kosovë dhe Shkup – dhe kjo tërhiqte vëmendjen e autoriteteve serbe. Në fakt, para se të bëhej viktimë e komunizmit të Enver Hoxhës, Dom Shtjefni ishte edhe objektiv i urrejtjes së serbëve kundër shqiptarëve në Kosovë. Libri bëhet ende më interesant kur flet për rolin e Dom Shtjefnit gjatë pushtimit fashist, luftës së dytë botërore dhe veçanërisht në periudhën e regjimit komunist. Autorët përshkruajnë shumë mirë fillimin dhe zhvillimin e persekutimit të kishës Katolike gjatë regjimit shumë mizor të Enver Hoxhës. Dom Shtjefni ka treguar një kurajo të jashtëzakonshme, duke mbrojtur dhe ndihmuar katolikët e burgosur. Sigurisht ju do të mbeteni të habitur duke lexuar se sa është përpjekur t’i mbrojë klerikët dhe murgeshat, viktima të sistemit ç'njerëzor dhe ateist. U dënua me njëzet vjet burg, por u lirua pas gjashtëmbëdhjetë viteve dhe gjashtë muaj, më 2 maj 1963, dhe u vendos në Gurëz. Shumë, janë faqet që flasin për muajt e fundit të jetës së tij nga arrestimi i dytë, më 11 qershor 1970 deri në vdekjen e tij më 29 shtator 1971, tha në fund të parathënies Shkelqësia e Tij, Mons. George Frendo O.P. Arqipeshkëv i Metropolit Tiranë – Durrës. Në vazhdim të librit, është konceptuar edhe një poezi apo një krijim poetik, kushtuar Dom Shtjefën Kurtit "O i lumnumi Dom Shtjefni" një poezi e shkruar nga poetja, Valbona Jakova, poete dhe përkthyese e njohur, fituese e dhjetra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, jeton në Itali.

Nga bashkautorët e këtij libri jepen të dhëna, prova e sqarime faktike e hulumtuese rreth prejardhjes dhe vendbanimeve ku banoi familja Kurti si dhe prejardhja e kësaj familje gjë qe argumentohet shumë mirë edhe nga Edith Durham, e cila veq tjerash argumenton dhe përmend se në vitin 1908 rreth 60 fshatra katolikë në rrethinat e Gjakovës dhe vëren se ata kishin pak kisha dhe mungesë të priftërinjve. Tre priftërinj dhe një frat nga Gjakova shkonin përmes rreziqeve të mëdha nga një fshat në tjetrin, duke bërë më të mirën për tu shërbyer njerëzve. Njëra ndër familjet që u largua nga Mirdita, e qe e ruajti kujtimin e prejardhjes së saj nga ai vend është dhe familja Kurti me të dy degët Kurti dhe Jakova. Në vitin 1883, konsulli austro-hungarez në Prizren, ndër krerët mirditas që i kishin dërguar atij një peticion, përmend edhe Bek Kurtin. Ndërsa në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, përmendet si mësues në shkollën shqipe të Gjakovës një mësues laik, i quajtur Mëhill Kurti. Në një bisedë të zhvilluar në Rrëshen në vitin 1995, shkrimtari Kolë Jakova, familja e të cilit ka mbajtur mbiemrin Kurti deri sa u vendos në Shkodër, kushëri me Kurtët e tjerë, ishte shprehur: “Ç’është e vërteta edhe unë jam me origjinë prej Mirdite, konkretisht prej Repsi. Prej atje të parët e mi kanë ikur në vitin 1720 dhe kanë shkuar e janë vendosur në një fshat në afërsi të Gjakovës, të quajtur Plangçorë”. Ndërsa i biri, Sokoli e sqaron më tej origjinën: “Familja jonë e ka origjinën nga Repsi i Mirditës. Bëhet fjalë për disa breza më parë. Për arsye ekonomike, paraardhësit tanë u larguan nga Repsi dhe u vendosën në rrethinat e Gjakovës, ndërsa një prej tyre u ndal në Prizren”. Edhe Nikolin Kurti thotë të njëjtën histori prejardhje të familjes, me pak ndryshime: “Prejardhja jonë rrjedh nga Mirdita. Rreth viteve 1750, Kolë Kurti me vëllezër: Sebën, Andrenë dhe Toninin janë shpërngulur për në Gjakovë”. Sigurisht si stacion i parë për emigrantët zakonisht ishin fshatrat, por në kushtet e mungesës së perspektivës në fshat, disa familje kaluan në qytet, ku punuan si shegertë te zanatçinjtë, ose u muarën me tregti, në kushtet e tregut të virgjër, të kërkesave në rritje të popullatës për rroba të reja, zbukurime ari dhe argjendi, nevojës për pajisje shtëpiake, etj... Sipas traditës gojore të familjes Kurti, “një pjesë e familjes Kurti, në vitin 1878, kur po ndërtohej hekurudha u transferua nga Gjakova dhe u vendos në Ferizaj. Në fakt, nga të dhënat e një libri për themelimin e qytetit të Ferizajve, shkruhet se në periudhën e themelimit të Ferizajve, këtu u vendosën edhe “20 shtëpi shqiptarësh katolikë të ardhur nga Prizreni dhe Shkodra”. Një lëvizje nga Gjakova në Prizren është e logjikëshme, po të kemi parasysh se Prizreni po fitonte përparësi si seli Kryeipeshkëvnore dhe diplomatike, ku u vendosën konsullatat e huaja, qytet zejtar dhe me shkollë shqipe. Duhet theksuar se edhe në Promemorien drejtuar Lidhjes së Kombeve, vetë Kurti e paraqet veten prizrenas bashkë me Gjon Bisakun, ndërsa Luigj Gashi nga Shkupi. Dr. Lazër Radi që e ka njohur nga afër Dom Shtjefnin e jep në librin e tij si të lindur në Prizren. Qytetarët e Prizrenit të cilët kishin gjetur punë në qendrën e re të Ferizajve ishin më të privilegjuar se të tjerët, për shkak të afërsisë që kishte vendbanimi i ri me qytetin e tyre. Sipas traditës, Zef Kurti, i martuar me Petrën nga Janieva, me të cilën kishin lindur katër djem: Jakun, Luigjin, Gjergjin dhe Tukun u vendos në Ferizaj, bashkë me katër djemtë e tij: Jakun, Luigjin (Dom Luigj Zef Kurtin), Gjergjin dhe Tukun. Në fakt, në Ferizaj u vendosën edhe Kurtë të tjerë. Ndër kryefamiljarët e parë Kurtë në Ferizaj përmenden: Anton Kurti, farmacist, i ati i Vilson dhe Marsel Kurtit, tregtar dhe Violeta Kurtit-Pufjës, veterane e arsimit; Luigj Kurti, klerik; David Kurti, teneqepunues; Gjergj Kurti, Gjovalin Kurti, berber, Jak Kurti, i ati i Dom Shtjefën Kurtit, Kolë Kurti, Leon Kurti, teneqepunues; Zef Kurti. Janë 8 familje, të cilët, nisur nga mbiemri i përbashkët Kurti, tepër i rrallë ndër katolikët shqiptarë, duhet t’i mendojmë si kushërinj në mes tyre. Nga ana tjetër, gjykuar nga emrat që mbajnë disa prej tyre: Anton, Luigj, David, Leon del se ata janë familje qytetare. Qytetari tregojnë dhe profesionet që ushtronin një pjesë e tyre: farmacistë, klerikë (në atë kohë), teneqepunues, berber.

Duke kaluar në qytet dhe ruajtur besimin katolik, familjet Kurti u bënë pjesë e aristokracisë katolike. Katolikët e qyteteve në kontaktet që kishin patur me të huajt, përmes shkollës shqipe dhe kishës katolike kishin fituar elemente kulture dhe qytetërimi. Ata u lidhën në mes vetes dhe krijuan një kastë të mbyllur dhe relativisht të pasur. Duke qenë se në kishat katolike filloi së pari arsimi shqip, patën avantazhin të mësojnë të parët shkrim dhe këndim në gjuhën amtare, duke u bërë nëpunës, sidomos në shërbim të konsullatave të huaja. Nisur nga statusi i tyre shoqëror, studiuesi Brahim Abdyli në librin “Mërgata shqiptare në Zvicër dhe roli i saj”, hedh hipotezën se një degë e Kurtëve, e emigruar herët në Zvicër ka hyrë në fisnikërinë zvicerane. Në Rapperswil, të St. Galles, familja Kurti (Curti) ka dhënë në disa breza udhëheqës në komunën e Rapperswil-it dhe Konfederatën e Zvicres. Sipas tij, “Kurtët janë shqiptarë, të ardhur nga Milano, që u vendosën në Rapperswil të Zvicrës dhe i kanë dhënë këtij shteti disa personalitete të njohura: Dr. med. Franz Josef Curti (1737-1818), kryeplak i fundit i Rapersvilit; Basil Ferdinand Curti (1804-1888), deputet i i Landit; Dr. med. Ferdinand Curti (1826-1921) Deputet i Landit; Teodor Curti (1848-1914) deputet i Kuvendit Kombëtar, i Landit dhe publicist; Franz Kurti (1854-1898), kompozitor; Dr. h.c. Franz Karl Curti (1880- 1948); Dr. iur. Alfons Curti (1882-1957), Kryetar i Komunës së Vendit dhe Prof. Merle Curti (1897-1996) historian. Sheshi i Rapperswil-it pranë liqenit mban emrin “Sheshi Kurti“. Nën kalanë e këtij qyteti janë zhvilluar luftërat nga vendasit kundër tyre”. Dihet se mbiemri Kurti gjendet te shumë popuj dhe në shumë vende. Por, sipas të dhënave të nxjerra nga studimet gjenealogjike, përhapjen më të madhe e ka në Shqipëri, me 33 %, çka do të thotë se një në tre persona në botë që e mbajnë këtë emër është shqiptar. Në vend të dytë vijnë ata që jetojnë në SHBA me 20 % dhe pastaj me rradhë: në Itali 9 %, Gjermani 6 %, e vende të tjera më pak. Mbiemri Curti në Zvicër është shkruar me ”C“ në vend të “K“, por me i-në shqipe në fund të fjalës.

Njëkohësisht në këtë pjesë të këtij artikulli si nenpjesë jepën të dhëna të tjera edhe rreth famullive (shënimi im) dhe katolikëve shqiptarë në Kosovë ndaj po e veçoj famullin time të Zllakuqanit e cila sipas të dhënave të bashkautorëve Loka e Kurti, kjo famulli ngrihet si famulli në vitin 1895, me shkëputjen nga Peja. Në atë kohë kishte 2 350 katolikë etj., mund ti gjëni nē faqet tjera të librit. Në pjesët tjera me radhë trajtohën të dhëna të tjera rreth prejardhjes dhe vendbanimeve ku banoi familja Kurti, vitet e para të jetës, fëmijëria, shkollimi, vitet e para të shërbimit meshtarak, promemoria, një monument atdhetarie, si famullitar në Kurbin dhe në Gurëz, famullitar në Tiranë (1938-1939), si klerik katolik në vitet e pushtimit, Kishë për të gjithë besimtarët, madje flitet për Konvertimin e Hebrenjve në katolikë, si dhe për klerikët e kishës sonë martire ku edhe u dënua për Fe dhe Atdhe si dëshmimtar i Kishës martire, I kryqëzuar si Krishti, si dhe Lumturimet nga Kisha, Ringjallja dhe përjetësia dhe në fund të këtij libri flitet për Dom Shtjefën Kurtin në publicistikë, poezi dhe në kujtime, Prima ante mortum etj.

Libri apo monografia në fjalë dedikuar dom Shtjefë Kurtit është një sintezë e shumë ngjarjeve nga periudha në fjalë dhe njëherësh përbën një kontribut të çmueshëm për historinë e popullit shqiptar e qe prapa vetës permban foto, dokumente, leterkembime e skanime të gazetave ditore faktike të shumta për të Lumin dom Shtjefën Kurtin të cilat hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe perskutimit të klerikëve shqiptar nga ana e Enver Hoxhës (shënimi im diktator mesjetar i Shqipërisë dhe shqiptareve pa dallim...).

Përmes këtij recensioni të këtij libri apo me konkret të themi të këtij prezentimi kemi shpalosur e prezentuar në pika të shkurtëra disa pikëpamje kruaciale të hulumtimeve shkencore të librit ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” i bashkautorëve Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti ndaj të dy bashkautorët i përgëzoj dhe i komplimentoj për këtë libër tejët frytdhënës dhe i'u dëshirojmë shëndet dhe suksese në rrugëtimet tjera akademike!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat