Enxhi Drapi, një rrëfim i pazakontë dhe mesazhe të forta

Libra

Enxhi Drapi, një rrëfim i pazakontë dhe mesazhe të forta

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 14:45
Enxhi Drapi

Enxhi Drapi është studente dhe shkruan poezi, prozë, ese, të cilat janë pjesë e kredos së saj shpirtërore, e përjetimeve emocionale, ku sillet graviteti i personalitetit të saj. Poezia e saj rinore përmban vrullet dhe pasionet e moshës, ëndrrën, iluzionin, mallin, dashurinë, kërkimin e mundësive të reja që i ofron jeta në kushtet e lirisë dhe modernitetit.

Enxhi synon që me anë të letërsisë të saj, të shkruar me pasionin dhe energjitë pozitive të moshës, të na sjellë rrëfime mbresëlënëse, gjendje, impresione, vizatime lirike, akuarele pikturale të fjalës së zgjedhur, që kumton me tekst dhe nëntekst, me anë të figurave letrare të gjalla e të freskëta.

Poezia dhe proza e saj përmban harmoninë mes ndjenjës dhe mendimit poetik, duke na diktuar një realitet të transfiguruar estetik, të cilin e përcjell me anë të ndjesive të holla dhe fine.

Kjo studente di se çfarë shkruan, shkruan me zemër në dorë, me lëkurën e saj, duke hedhur në letër përjetimet, gjendjet, imazhet që e shoqërojnë, të mbetura në kujtesën e saj si oaze që e përthithin dhe e shtyjnë drejt mendimit poetik, drejt impresioneve të vargjeve e strofave, që përmbajnë një gravitet të fortë emocional.

Një roman i saj, që sapo ka dalë dhe qarkullon nëpër libraritë në Shqipëri e Kosovë, por dhe ndër qarqet letrare të botës shqiptare, ka bërë jehonë dhe është mirëpritur nga lexuesi dhe kritika.

“Diku ku dielli nuk perëndon” është romani i saj, një titull i pazakontë dhe një histori e pa zakontë, një roman psikologjiko-social, i guximshëm në qasjen tematike dhe mesazhet që përcjell, i cili godet fort në mentalitetin e shoqërisë, ku rrëfehet historia e Helenës, një vajze në dukje të thjeshtë dhe e dobët por e cila arrin t’iu bëjë ballë sfidave, sëmundjeve dhe kërcënimeve jo të thjeshta. Vajza e një inxhinieri ndërtimi, i cili kthehet në një vrasës të sëmurë dhe herë pas here të pamëshirshëm. Mois, një njeri i cili pranon të bëjë gjithçka vetëm që fëmijët e tij të mos cënohen, por papritur e gjen veten në duart e një hebreu, Xhorxh, i cili e përdor dhe mundohet ta mbajë pas vetes në mënyrë që të mos e ketë rival.

Është një roman ku fatet njerëzore ngërthehen në një qendër graviteti të fortë emocional, përgjatë një historie rrënqethëse dhe dinamike, e cila trajton temën e krimit, dështimit, cmirës, paragjykimit, si pjesë të negativitetit të jetës së kujtdo, që kur përfundon me fitoren e pozitives, kthehet në mendësi çlirimi dhe progresi.
Shkruar nga një studente e drejtësisë, ky roman apelon për një jetë më të mirë e më të drejtë, duke filtruar pasionin njerëzor si një lokomotiovë që e shtyn njeriun përpara dhe e bën të triumfojë edhe në përballjet më të vështira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat