“Bukuri e gurëzuar’’ libër që analizon kohën

Libra

“Bukuri e gurëzuar’’ libër që analizon kohën

Tahir Bezhani Nga Tahir Bezhani Më 8 nëntor 2020 Në ora: 10:39
Tixhe Rexha Gërqari: “Bukuri e gurëzuar” poezi, SHB Klubi letrar  “Gjon Nikoll Kazazi”,2020  Gjakovë.

Libri i parë me poezi i autores Tixhe Rexha Gërqari, prezantohet si  një paranjoftim meritor tek  lexuesi hapësirave tona, duke na  njohur në detaje me synimet e rrugëtimit të një poeteje serioze ,e cila  mjeshtërisht harmonizon unitetin e mendimit personal në kohështrirje  të caktuar, për gjëra të preferuara e të adaptuara me  përjetimet nëpër kohë të ndryshme. Autorja e librit poetik ”Bukuri e gurëzuar”, nuk është e  “sotme”, por një poete me prirje poetike  shumë kohë më parë, madje e adhuruar me paraqitjet e saja para dashamirësve të artit letrar,në revista e gazeta vendore.

Vetë jeta është begatia më e mirë, ku përvoja  individuale ose kolektive, reflektojnë në procesin e shpërthimin krijues për të identifikuar veten dhe të tjerët nëpër kohë. Kur e dimë se autorja është bartëse e shumë aktiviteteve që nga vitet 80-ta,bashkë me shumë shokë, studentë e studente të Mitrovicës e jo vetëm, atëherë mjafton të dimë edhe për peshën e vargut nga libri “Bukuria e gurëzuar”.

 Poezitë e bartura gjatë në subkoishencën e saj si ngarkesë, si përjetime e frymëzime, si perceptime të futura në thellësi të qenies, dëshmojnë në vazhdimësi subjektin poetik ku është gjithmonë njeriu, vuajtja ,liria,  atdhedashuria, varfëria, padrejtësia, okupimi nga i huaji, pra përpëlitjet shpirtërore;që poetët gjithmonë e mbajnë në thellësi shpirti gjithë lirizmin poetik, deri në vlimin e ekstazës shpirtërore, si autorja  e librit “Bukuri e gurëzuar”.

Vargjet e librit ”Bukuri e gurëzuar”, janë  shkoqitje copash nga shpirti i ndezur dhe përjetimet flakëruese “që ndezin flakë shpirtin” nëpër hallkat e jetës  së vuajtur. Momentet nuk vijnë kurdo që i dëshiron ,ato ofrohen duke u sjellë rreth e rreth ngjarjeve jetësore,që njeriu  duhet ti shfrytëzojë në interes personal dhe kolektiv. Këtë “formulë” si zgjedhje e ofron poetja me elegancë në poezinë e saj ”Koha e koka” në faqen 26 të librit kur shkruan:

”Koka s’e mati kohën/Koha s’e mati kokën/Koka e nënvlerësoi kohën/Koha e zbardhi kokën/Koha e koka/Jeta jonë me dy rrota!”

Se sa përmbajtesor dhe i fuqishëm është intimiteti poetik i zonjës Tixhe Rexha Gërqari, vërehet në këto vargje që reflektojnë edhe peshën filozofike të vet vargut poetik. Pra ,çka ofron dilema në momente të veçanta jetësore?!

Një refleksion i tillë filozofik reflektohet edhe në disa vargje të  tjera, të cilat librit ia shtojnë vlerën dhe cilësinë harmonizuese. Kur një poete, në vargjet e veta paraqet edhe kulturën e saj letrare, karakterin dhe edukatën e pjekur  kombëtare si tani poetja në fjalë, poezia si mbretëreshë e letërsisë, merr krahë në këto kohë të zymta për krijuesit. Poezia “Koha është”, paraqet një korpus mendimesh në aspektin kombëtar, duke shtruar para lexuesit trimërinë dhe guximin ,atdhedashurinë, urtësinë ,maturinë, dhe paqen ndërnjerëzore, që në këto momente, përcjell një mesazh të fuqishëm.

Sjellë poezinë në fjalë:

“Koha është të kaluarës t’ia mbledhim/kockat copë-copë/e të themi: Te këtij skeleti jemi!/Koha është/të tashmes me urtësi t’i themi:  Mos i trego dhëmbët/se epidemi e tyre është tani! Koha është/të ardhmes t’i themi: Zgjati duart se të bashkuar do jemi!”...

Vargje madhështore  për t’i shijuar,  edhe antologjike për t’i analizuar.....  

Temat shoqërore dhe satira....

Poetja, Tixhe Rexha Gërqari, siç e cekem më lart, duke qenë e angazhuar dhe  kontributdhënëse në moshën e saj të re,  përmes  ngjarjeve historike të viteve 80-ta e deri te liria, ka bartur gjithë pezmin e përjetuar nëpër vite . Për të shprehur gjithë unin e saj të brendshëm, artin poetik e përdor si arenë lufte ndaj të keqes, si “opozitë” ndaj të pamirës në mënyrën e shtetndërtimit të vendit tonë.

 

 

Duke dalë nga një luftë e tmerrshme,ku armiku nuk kurseu asgjë nga vetja për të shkatërruar këtë vend e këtë popull liridashës, poetja në vargjet e veta reagon ashpër duke parë se gjërat nuk ecin ashtu siç e kishte idealizuar lirinë në shpirtin e saj.

Në poezinë “Zhgënjimi”, vërejmë gjithë pezmin e saj  tronditës, por shumë real. Mes tjerash autorja shkruan :

”E ndrydha zemrën/helm më pikoi/Nga zhgënjimi/ ka harruar të gjakojë. Kosova ime/bishti doli në kokë/koka në fund mbeti...”

Njëherit edhe tek poezia “Nuk blihet...” ndeshemi në një reaksion të fuqishëm poetik ,si shkak i situatave të pavolitshme në shtetndërtimin e vendit:

”Nuk blihet terapi për dhembjen e shpirtit/Nuk blihet dashuri e fëmijës/Nuk blihet edukatë e shtëpisë/Nuk blihet dritë dielli për terr....”

Poetja Tixhe Rexha Gërqari, me talentin e saj  dhe vizionin e poetik të theksuar, më vargje të zgjedhura, i referohet “demokracisë” ne mesin e shoqërisë sonë, me një stil karakteristik, do thoja fannolçe, ku ironizon mrekullueshëm këtë term, retorikë ditore, që nuk po e gjen veten në mesin tonë shoqërorë. Ja vargjet:

”Para diellit e padielluar/ Para lumit e pafreskuar/ Para ahengut e padisponuar/Para gëzimit e pagëzuar/Para buke e urtuar/Para ujit e eçtuar....”

Librit poetik “Bukuri e gurëzuar”, me një volum prej 150 faqeve, ndarë në katër qerthuj, kap një gamë të gjerë të problematikës njerëzore e shoqërore, duke  vjelë gjithë nektarin frymëzues të shpirtit të saj të pasur. Autorja mrekullueshëm i përkushton vargje rinisë së saj të përvuajtur, njerëzve meritorë  në kulmet e ngjarjeve të historisë sonë, të cilët popullit i shërbyen kurdoherë si frymëzues dhe prijës të ngjarjeve të mëdha, siç janë Ibrahim Rugova, Adem Jashari, poetëve Din Mehmeti, Halil Haxhosaj, Ragip Syla, njerëz adhurues të poetes  etj.

Mjaft indikative dhe me peshë, si pjesë e këtij libri, është edhe poezia “Binjaket tona” ku poetja me një stil ironizues vendos në pah politikat e gabuara të dy binjakeve, (Shqipëri-Kosovë), në drejtimin e kombit kah qëllimet madhore, ku synohet me shekuj, bashkimi i kombit.

 Poezia:

” Binjaket tona shumë ngjasojnë/në çdo përditshmëri gabojnë/Duke garuar me u ul në karrige/kanë harru edhe me u rrit,/binjaket tona Kosovë e Shqipëri/e plasën në zemër të madhen shqiptari...”

 

Poezia më emblematike e këtij libri, e cila përmban (sipas mendimit tim) gjithë tharmin poetik, gjithë vlerën e egos poetike të autores, është poezia më gjatë e librit, ”Bacë,a u krye?!”. 

Poezia si art, ka ndjeshmërinë e thellë shpirtërore, më të thellë se mendimi ynë sipërfaqësor. Ndjeshmëria e shprehjes poetike është një spontanitet shpirtëror që ka lidhje të  fortë emocionale me autorin. Të dyja së bashku paraqesin si të pandarë egon shpirtërore dhe atë njerëzore. Si një reflektim në pasqyrë duhet të ngjasojë e brendshmja poetike me krijuesin e artit. Ndryshe, prezantojmë  artin anemik.

Në këtë kuptim, lexova disa herë dhe kuptova poezinë “Bacë, a u kry?” të autores Tixhe Rexha Gërqari. Poezia, përmes idesë artistike të autores i bën një analizë  sintetike kohës që nga vitet 90-ta e deri në ditët e sotme. Në veçanti, fillimi dhe mbarimi i luftës ku u derdh shumë gjak për lirinë e këtij populli, dhimbja dhe pesha e vuajtjes, janë të skalitura artistikisht. Në fund të çdo strofe poetja nxjerr pyetjen madhore “Bacë, a u kry?!...” që nënkupton se paslufta ka qenë me dështime të mëdha në shtetndërtimin e vendit tonë, me shkaktarë korrupsionin padrejtësitë, mashtrimet, abuzimet e çdo gjë e keqe brenda shoqërisë sonë.

 

Me guximin dhe talentin e saj të fuqishëm, autorja përmes kësaj poezie të gjatë, i bënë një analizë kohës, sa do mahniste edhe analistët profesional të sistemeve shoqërore.  Pyetja imagjinative, që autorja ia shtron komandantit legjendar Adem Jashari ,në poezinë e saj, “Bacë,a u krye?!”,është mjaft sinjifikative  për kohën dhe në brendi përmban embrionin e njerëzores universale.

Pas lufte autorë të ndryshëm kanë botuar mjaft poezi te kësaj lamie, përkushtuese, por poezi analitike me frymën e shëndetshme kombëtare, nuk kam lexuar deri me tani.

Marrë në tërësi, libri “Bukuri e gurëzuar,” me autore Tixhe Rexha Gërqari, ka plotësuar dhe begatuar poezinë shqipe me fondin e larmishëm përmbajtjesor e cilësor poetik , duke argumentuar poezinë si art me rëndësi   shoqërore e  domosdoshmëri njerëzorë.

Sikur të merreshim me analizën e gjitha poezive të autores, do duhej të shkruheshim faqe analitike nga shumë këndvështrime, por në esencë, ky libër botuar kohëve te fundit, është një dhuratë e mirë për gjithë dashamirët e librit dhe një pasurim i bibliotekave tona  në përgjithësi.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat