Hapet Panairi i Librit, lista e librave që nuk duhet t’i mungojë bibliotekës

Libra

Hapet Panairi i Librit, lista e librave që nuk duhet t’i mungojë bibliotekës

Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 18:37
Ilustrim

Nuk është një panair libri si çdo vit tjetër ai që çelet sot e do të vijojë deri më 15 nëntor, megjithatë titujt nuk do të mungojnë. Në një kohë kur kufizimet e lëvizjeve janë shtuar dhe qëndrimi në shtëpi është më shumë i këshillueshëm, orët e “argëtimit” jashtë mund të zëvendësohen fare mirë nga shoqëria e një libri.

Ndërkohë që vizitoni faqen online të panairit të librit, do të gjeni edhe shumë tituj të propozuar nga shtëpia botuese “Pegi”, e cila, si çdo vit, edhe këtë herë ka disa sugjerime librash në këtë kohë.

Tituj dhe ngjarje që i shkojnë për shtat kohës që po jetojmë, histori që kalojnë imagjinatën dhe ju fusin në një botë tjetër fare natyrshëm, personazhe të jashtëzakonshëm që veprojnë e sillen në rrethana të jashtëzakonshme. Historitë, me pak fjalë, do t’i gjeni edhe në përshkrimin e çdo libri më poshtë.

Titulli: Jeta e gënjeshtërt e të rriturve

Titulli në origjinal: La vita bugiarda degli adulti

Autorja: Elena Ferrante

Përktheu: Agim Doksani

Zhanri: Roman

Data e botimit: nëntor, 2020

Numri i faqeve: 344

Çmimi: 1400 lekë

 

Libri me një fjali

Elena Ferrante e zhyt bisturinë e saj mes hipokrizive të borgjezisë moderne, nxjerr në pah mashtrimin dhe vetëmashtrimin që përdorin njerëzit për të përligjur veprimet e veta.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Xhovana është një vajzë në prag të adoleshencës, pikërisht në atë kapërcyell të jetës mes fëmijërisë dhe moshës së rritur. Fytyra e saj e bukur prej fëmije po shndërrohet dalëngadalë dhe po merr tiparet e një adoleshenteje të shëmtuar dhe të egër. Por a është vërtet kështu? Dhe në cilën pasqyrë duhet të shihet për të gjetur dhe për të shpëtuar veten? Xhovana kërkon pasqyrimin e saj në dy faqe të një qyteti që e kanë frikë dhe e urrejnë njëra-tjetrën: Napoli i sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napoli i poshtëm, vendi i vulgaritetit dhe lapërdhive. Ajo kapërcen sa nga njëra anë e qytetit në tjetrën, në kërkim të së vërtetës, por asnjëra anë nuk duket t’i japë përgjigje apo shpëtim. Në kërkimin e saj të dëshpëruar, Xhovana do të zbulojë jetën e dyfishtë të prindërve të saj, mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre, të cilat do ta hedhin vajzën në qorrsokakë të tjerë.

Për të përballuar jetën dhe përditshmërinë, njerëzit gënjejnë, mbi të gjitha gënjejnë veten. Në çastet kur faji dhe turpi i kanosen ndërgjegjes, kur këto ndjenja tronditin bindjet tona më të thellë për imazhin që kemi për veten, gënjeshtrat apo “përrallat e bukura” duket se na vijnë në ndihmë për të na mbrojtur nga përballja me realitetin. Rinia e trazuar, lidhjet familjare të rreme dhe mbytëse, dashuria, e vërteta lakuriqe, tradhtia, dhe jo vetëm ajo bashkëshortore, miqësitë e sëmura, krizat e identitetit përbëjnë brumin mbi të cilin Ferrante sfidon mitin e familjes së lumtur dhe na shoqëron në këtë udhëtim të vështirë rritjeje.

“Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” ka të bëjë, para së gjithash, me adoleshencën – një periudhë kur mashtrimi dhe vetëmashtrimi janë në shkallën e tyre më të lartë dhe, të rritesh, do të thotë t’i nxjerrësh të palarat në shesh vetes dhe të tjerëve. Por jo vetëm kaq. Personazhet e Elena Ferrante-s jetojnë me emocione të jashtëzakonshme, pasione përpirëse dhe, sado ata bëjnë çmos të fshehin gënjeshtra të dhimbshme, jeta u nxjerr në pah të vërteta tronditëse.

Kritika

Struktura e thellë e psikikës së personazheve është e njëjta: dashuria mbetet në qendër të jetës së këtyre vajzave më shumë se ç’duhet; dashuria ngatërrohet me seksin; dëshira më shumë sesa i verbon personazhet, u rrëmben aftësinë e gjykimit dhe e vë këtë në shërbim të saj.

New York Times

Personazhet më të gjalla të Ferrante-s janë gjithnjë të hapura ndaj ndikimit reciprok. Ata ndryshojnë dhe zhvendosen pikërisht aty, në fletë, kundër vullnetit të tyre, mu përpara syve tanë.

The National Book Review

Pastërtia e adoleshencës spërkatet vazhdimisht me gjak, spermë, intimitet të tradhtuar, papërshtatshmëri shoqërore dhe kulturore, një “dhembje e trazuar pa shëlbim” që, faqe pas faqeje, gërmon gropën që do ta ndihmojë Xhovanën të rritet.

Il Fatto Quotidiano

Nuk ka asnjë dyshim, botimi i romanit “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” do të jetë ngjarja letrare e vitit.

Elle Magazine

Ferrante vë përballë njëra-tjetrës klasin dhe vlerën, fenë dhe besimin, besnikërinë dhe sekretet, seksualitetin dhe virgjërinë si mënyra për të humbur dhe për të fituar pushtet.

The Book Reporter

Autorja

Elena Ferrante është autore e shumë romaneve të suksesshme, tashmë e njohur në gjithë botën. Shumë prej librave të saj kanë shërbyer si bazë për vepra të mira kinematografike.

Botime Pegi ka sjellë prej saj sagën e njohur napolitane me vëllimet: “Mikesha gjeniale” (2016), “Mbiemri i ri” (2017), “Histori arratie dhe qëndrese” (2017) dhe “Historia e vajzës së humbur” (2018), vëllim me të cilin Elena Ferrante ishte finaliste në Man Booker International Prize, 2016.

Në vjeshtën e vitit 2018 u transmetua në Itali, në Rai 1 dhe TIMVISION, si dhe në Shtetet e Bashkuara në HBO, sezoni i parë i serialit të bazuar në romanin “Mikesha gjeniale”, me regji të Saverio Costanzo-s.

Elena Ferrante vijon ende të shkruajë me pseudonim dhe preferon më tepër anonimatin sesa bujën.

Fragmente nga libri

1) Dy vjet para se të largohej nga shtëpia, im atë i tha sime ëme se isha shumë e shëmtuar. [...] Gjithçka ka mbetur e ngrirë. Kurse unë kam rrëshqitur dhe vazhdoj të rrëshqas edhe tani, brenda këtyre rreshtave që mëtojnë të më japin një histori, kur në fakt nuk janë asgjë, asgjë imja, asgjë që të ketë filluar vërtet apo që të jetë përmbushur përnjëmend: thjesht një lëmsh i ngatërruar që kurrkush, as kush po shkruan në këtë çast, s’e di në përmban fillin e duhur të një rrëfimi apo është veçse një dhembje e gafrruar, pa shpëtim.

2) Më duket vetja e shëmtuar, e ligë, por prapë kërkoj të më falin dashuri.

3) Ndonjëherë, kur rrëmbehej së tepërmi pas diçkaje, kuturiste në një përrua të trazuar ligjërimesh sqimatare dhe emocionesh të pafre. Kurse herë të tjera i binte shkurt, me fjali të prera, kaq të sakta e me peshë, sa askush s’i kthente më fjalë. Ishin dy etër mjaft ndryshe nga ai që doja unë.

4) Nuk isha më e pafajshme, mendimet fshihnin të tjera mendime, aq e pat dhe fëmijëria. Përpiqesha shumë e megjithatë s’i kthehesha dot më atij naiviteti fëminor, ata lot që më digjnin sytë vazhdimisht, s’ishin aspak provë e pafajësisë sime.

5) Dashuria është e pistë si xhamat e dritareve të haleve.

6) Gënjeshtra, gënjeshtra, të rriturit t’i ndalojnë, kurse vetë i lëshojnë lumë.

7) Edhe pas takimit të sheshit Amedeo dhe takimeve të shpejta rastësore që kishim pasuar, nuk e kisha përfytyruar kurrë se si do të mund të më hynte brenda, madje, po ta mendoje hollë, ato pak herë që kisha pasur fantazi në atë sens, më ishte dukur një veprim vulgar. Vetëm në Milano, kur mëngjesin e ditës së shkuar e kisha parë në shtrat me Xhulianën, m’u desh ta pranoja që, si çdo mashkull, edhe ai kishte një seks të shkrehur ose të ngrehur, ia fuste brenda Xhulianës me një të shtyrë dhe do të ishte i gatshëm ta fuste edhe brenda meje. Por as ky konstatim nuk kishte qenë vendimtar.

8) Rashë në pikëllim, në ditët që vijuan, ligështia u përtëri, lehtësohesha disi vetëm kur fërkohesha me vrull mes këmbëve për t’u trallisur nga kënaqësia. Por sa poshtëruese ishte ajo harresë e vetvetes, më pas ndihesha edhe më e pakënaqur se më parë, ndonjëherë madje edhe e neveritur.

9) Ndjeva se çasti, të cilit i druhesha më shumë, ishte bash ai kur im atë do të kthehej nga kushedi se ku me çantën plot libra dhe do të puthte në buzë atë grua, siç kishte bërë ngaherë me tjetrën, dhe do të thoshte që ishte shumë i lodhur, e megjithatë do të bënte shaka me ne fëmijët, do të hiqej sikur na donte fort, do të merrte Idën në prehër dhe do ta ndihmonte t’iu frynte qirinjve dhe do të këndonte urimet e datëlindjes dhe pastaj, befas akull i ftohtë siç dinte të ishte ai, do të tërhiqej në një dhomë tjetër, në studion e re, funksioni i së cilës ishte po ai i asaj në rrugën San Giacomo dei Capri, dhe do të mbyllej aty, dhe Kostanca do të thoshte siç kishte thënë gjithnjë ime ëmë: “Flisni me zë të ulët, ju lutem. Mos e shqetësoni Andrean, duhet të punojë”.

10) – Sapo isha te një miku im mjek këtu në rrugën Kerbaker, është thjesht një acarim i lëkurës.

– Nga se shkaktohet?

– Kur të detyrojnë të bësh gjëra që nuk do, por prapë bindesh, bëhesh keq nga koka, nga gjithçka.

– Bindja mos është ndonjë sëmundje lëkure?

Titulli: Kapitulli i Xhuljanit

(Mrekullia vijon)

Titulli në origjinal: The Julian Chapter

Autore: R. J. Palacio

Përktheu: Ilir Baçi

Zhanri: Roman

Data e botimit: Nëntor, 2020

Numri i faqeve: 136

Çmimi: 600 lekë

 

Libri me një fjali

Sillu mirë me të tjerët, se askush nuk e ka jetën fushë me lule.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Mbi një milion njerëz në gjithë botën kanë lexuar romanin “Mrekullia” dhe u ka hyrë fort në zemër Agi Pullmani, një djalë i zakonshëm, me një fytyrë të pazakontë. Por të gjithë e mbajnë mend edhe Xhuljanin, shokun e tij të keq dhe mizor.

Tashmë në “Kapitullin e Xhuljanit” vetë ai do të na rrëfejë historinë që nga njohja e parë me Agin, armiqësinë që ndjeu ndaj tij, talljen me fytyrën ndryshe të tij, si dhe grindjet me shokët e tjerë. Por pse e nëpërkëmb Xhuljani shokun e klasës? A është vërtet i lig ai apo ka diçka më tepër në këtë mes?

Ndërsa lexuesi përballet me anën e errët të Xhuljanit, do të zbulojë jo vetëm frikërat e tij dhe përpjekjet për t’i fshehur ato nën petkun e djalit “të fortë”, por edhe ndjeshmërinë e një djali që zbulon mirësinë brenda vetes, teksa dëgjon e kupton historinë e trishtë të gjyshes së vet.

Nëpërkëmbja dhe dhuna janë vetëm dy prej aspekteve kryesore në këtë libër të dytë, por dalëngadalë do të zbulojmë që e keqja nuk vjen vetëm nga fëmijët. Ndonjëherë, edhe prindërit, të nisur nga dashuria e madhe për ta, bëjnë gabime, duke i mbështetur veprimet e tyre jo të mira.

Në “Kapitullin e Xhuljanit” tregohet që njeriu mund të ndryshojë dhe të gjejë të mirën e pendesën e sinqertë brenda vetes.

Kritika

Ndonëse fillimi i librit është tepër i parashikueshëm, historia e Xhuljanit është e mbushur me befasi që theksojnë temën e dhembshurisë jo vetëm ndaj viktimës, por edhe ndaj dhunuesit. Fëmijët do të mësojnë se ç’do të thotë të futesh nën lëkurën e tjetrit, kur të zbulojnë se çfarë e shtyn Xhuljanin të sillet aq keq.

School Library Journal

Lexuesit e njohin Xhuljanin si “i forti” që e bëri të vuajë Agin, por kjo histori hedh dritë mbi anët e errëta të tij, duke nxjerrë në pah të vërtetën e tij.

Booklist

I thellë dhe njerëzor, në shumë pak faqe, rrëfehen kaq shumë emocione. I shkruar mjeshtërisht.

Joy Court, eksperte editoriale për fëmijë

Që të gjithë – të rinj e të moshuar – duhet të lexojnë “Mrekullinë. Kapitullin e Xhuljanit” i jep vlerë edhe më të madhe historisë së “Mrekullisë”. Na sjell ndër mend rëndësinë e dhembshurisë në jetën e përditshme.

BBC Radio 4

Një ide gjeniale që do t’i gëzojë të gjithë admiruesit e “Mrekullisë”.

Sun

Autorja

Autorja jeton në Nju Jork me bashkëshortin dhe dy djem. Ajo ka një eksperiencë të gjatë pune si drejtore artistike dhe dizenjatore kopertinash për autorë të ndryshëm. “Mrekullia” ishte libri i saj i parë. Falë suksesit të jashtëzakonshëm ai u ndoq edhe nga dy libra të tjerë, të frymëzuar nga i pari:

The Julian chapter dhe Mr. Brown's precepts book. Tashmë, lexuesit shqiptarë mund të kenë në dorë “Kapitullin e Xhuljanit”.

Fragmente nga libri

1) ... Ndonjëherë urrejmë ato gjëra, të cilat i kemi frikë.

2) Sillu mirë me të tjerët, se askush nuk e ka jetën fushë me lule.

3) Kur e pashë për herë të parë Agustinin, nuk e di, por desha të mbyllja sytë me duar e t’ia mbathja me ulërima. E di, është e shëmtuar kjo që po them dhe kërkoj falje. Por është e vërteta. Dhe kushdo që thotë se nuk i vjen kështu, kur shikon për herë të parë Agi Pullmanin, ta dini se gënjen. Seriozisht e kam.

4) Por jeta ka një të mirë, ndonjëherë, mund t’i ndreqim gabimet. Mund të mësojmë prej tyre. Ato na ndihmojnë të bëhemi më të mirë.

5) Se bëre një gabim, nuk do të thotë që je njeri i keq.

Titulli: Biblioteka e shpirtrave

Titulli në origjinal: Library of souls

Autorja: Ransom Riggs

Përktheu: Agim Doksani

Zhanri: Roman Fantasy

Data e botimit: nëntor, 2020

Numri i faqeve: 482

Çmimi: 1000 lekë

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Aventura që zuri fill me “Sekretin e shtëpisë në ishull” dhe vijoi me “Qytetin e magjepsur” mbërrin në një përfundim drithërues me “Librarinë e shpirtrave”. Xhejkobi 16-vjeçar zbulon një aftësi të re, tepër të fuqishme, dhe shumë shpejt do të kridhet në histori për të shpëtuar shokët e tij të veçantë nga një kështjellë e ruajtur fort mirë. Në udhëtimin e tij, Xhejkobin e shoqërojnë Ema Blum, një vajzë me zjarrin në mollëzat e gishtave, dhe Adisoni, një qen që nuhat fëmijët e humbur.

Ata udhëtojnë nga Londra e ditëve të sotme nëpër shtigjet labirintike të Devil’s Acre, një nga lagjet më fundërrina të epokës viktoriane. Është një vend ku do të vendoset njëherë e përgjithmonë fati i të gjithë fëmijëve të veçantë kudo që gjenden. Ashtu si dhe në librat e mëparshëm, në “Libraria e shpirtrave” bëhen bashkë fantazia emocionuese me fotografitë e vjetra, të pabotuara kurrë më parë, për të krijuar një përvojë të rrallë leximi.

Kritika

Lexuesit e këtij libri do të kridhen lehtësisht në faqet e kësaj përralle të jashtëzakonshme.

Booklist

Autori

Ransom Riggs është rritur në Florida, por tani shtëpia e tij gjendet në tokën e fëmijëve të veçantë, në Los Angeles. Që i vogël, ai është ushqyer me histori fantazmash dhe komedi britanike, gjë që me gjasë shpjegon dhe llojin e romaneve që shkruan. Ka të ngjarë që tani ai të jetë dhe në shtëpinë tënde, duke të vëzhguar që nga poshtë shtratit. (Shko kontrollo, ne të presim këtu.)

Nëse s'e gjen atje, mund ta gjesh me siguri në Twitter @ransomriggs.

Fragmente nga libri

1) Iu kthye punës teksa ne po largoheshim, ndonëse duart e mpira nga artriti mezi e shtrëngonin bishtin e fshesës. S’di pse pashë diçka mbretërore tek ai, një lloj dinjiteti fisnik të admirueshëm. Ishte aty dhe s’jepej, nuk pranonte ta braktiste vendin e tij. Dukej si rojtari i fundit para fundit të botës.

2) Adisoni lëshoi një psherëtimë. – Gjithnjë duke ia mbathur, – tha me ton të neveritur, a thua se ishte ndonjë shijues ushqimesh që sapo i kishin vënë në hundë ndonjë fetë djathi të prishur. – Më duket se këtu mungon fantazia. S’mund të përvidhemi? Të ngatërrohemi me të tjerët? Kjo po që është art më vete. Pastaj, thjesht, të largohemi me takt, pa rënë në sy.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat