“Vendi ku nuk vdiset kurrë” nga Ornela Vorpsi vjen edhe në shqip

Libra

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” nga Ornela Vorpsi vjen edhe në shqip

Nga: Albert Sheqi Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 17:15
Ornela Vorpsi

Ky libër i sjellë në gjuhën shqipe nga Botimet Dudaj me përkthimin e rrjedhshëm të Parid Teferiçit është ndër romanet më të bukura që unë kam lexuar nga autorët bashkëkohorë shqiptarë. Absurditeti i realitetit të dhunshëm socialist të “vendit ku nuk vdiset kurrë” përshkruhet nga një këndvështrimi i dyfishtë, edhe ai i vajzës së pafajshme që e jetoi dhe provoi në lëkurë dhunën shumëplanëshe të regjimit, edhe ai i gruas së pjekur që reflekton mbi atë realitet të helmatisur, por tanimë nga një kohë dhe botë krejt tjetër me atë ku asaj i ra për hise të rritej si fëmijë. Ndërthurja e këtyre dy këndvështrimeve krijon në roman dy rryma të fuqishme: të vërtetat e dhimbshme dhe traumatike të rrëfyera nga pafajësia fëminore që përplasen fort me humorin e zi dhe sarkazmën therëse të “fëmijës së rritur” që i mbijetoi traumës së fëmijërisë së dhimbshme.

Në rrafshin e përbotshëm, romani trajton mekanizmat e përdorura nga superstruktura së shtetit diktatorial në përçudnimin e individit dhe shpirtit njerëzor qysh në fëmijëri. Këtu mund të nënvizojmë shkollën, me shoqen Dhoksi, “komunisten e thekur, me këmbë të shtrembra” apo “stërvitjen ushtarake” me komandant Kasemin. Rreth kësaj teme përbashkuese qendrore ndërthuren tema të tjera të rëndësishme. Agresioni shoqëror ndaj bukurisë, brishtësisë, dhe pafajësisë (i mishëruar në roman nga dhuna e përhershme fizike dhe verbale si edhe ndrydhja e skajshme kundër vajzës rrëfimtare, por edhe kundër vajzave dhe grave të bukura, në një shoqëri ku bukuria të kthehet në mallkim.)

Pikërisht ky agresion ndaj së bukurës nxjerr në pah edhe anën tjetër të medaljes: mbizotërimin e plotë të shëmtisë dhe imoralitetit që ai sistem e nxiste me aq zell.Temat të tjera kryesore janë: shpartallimi i familjes, sidomos nëpërmjet luftës së klasave, si një forcë shkatërruese që mbillte ngado në shoqëri pasiguri dhe tmerr të pandërprerë; dëshpërimi i skajshëm që përjetonin vajzat e reja që shpesh i shpinte në vetëvrasje; mbytjen e të gjitha dëshirave njerëzore, në atë shoqëri ku çdo gjë, përfshirë edhe fatet njerëzore, ishte e planifikuar nga të tjerët; uria për libra dhe art të mirëfilltë, që pafajësisht duhej të paguhej “me unazat apo vathët e florit të vjedhura të mamasë”.Galeria e personazheve të romanit është e jashtëzakonshme dhe ajo çka i bën këto personazhe të paharrueshme është se ato shërbejnë si sinekdoka shoqërore.

Në roman, lexuesi gjen: mësuese Dhoksin, me vizoren ndëshkuese që e skuqte mbi sobë; komandant Kasemin; Babakon, kapitalistin me prirje pedofilie; Bukurien me të bijën, Ganimeten; Blertën dhe Dorinën me fate tragjike; po ashtu gjen edhe dervishin e mrekullive; Nimeten, hajduten e bizhuterive dhe mjaft personazhe të tjera të paharrueshme.Romani duket se është ndërtuar duke përdorur episode tragjike të përzgjedhura nga shpirti i traumatizuar i një fëmije. “Vendi ku nuk vdiset kurrë” është një lexim shumë i këndshëm, për vendin që mëtoi se do të ndërtonte parajsën shoqërore ku çdo gjë do të blihej “pa para fare”, por përfundoi duke ndërtuar ferrin vrastar për të gjithë banorët e vet.Unë dëshiroj t’ju rekomandoj që ta lexoni këtë roman të veçantë dhe të shkruar kaq bukur, nëse e pëlqeni prozën artistike cilësore.Lexoni letërsi të mirë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat