Lirika mendimtare e një poeti të talentuar

Libra

Lirika mendimtare e një poeti të talentuar

Nga: Baki Ymeri Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 17:30
Ballina e librit

Poezia është lëngu i jetës dhe mjalta e fjalëve. Poezia e Nexhat Rexhës është pjesë përbërëse e qenies së tij. Poeti krijon një dialog peramanent dhe të mrekullueshëm me vetveten, me botën, me njerëzit. Me prezencën e poezisë në shpirtin e tij, ai kurë nuk ndjehet i vetmuar! Në këtë vepër me dy autorë ballafaqohemi me një numër të konsideruar poemash që përbëjnë një platformë planetare për njerëzimin dhe shëndetin e tij. Lirika meditative e Nexhat Rexhës është e gërshetuar edhe me subjekte kushtar përmallimit, diellit, rikthimit, dëshmorëve të kombit, me elemente meditative në korpusin e vargjeve të tij.

Poezia është një nga degëzimet e artit letrar, ku shtjellohet motivi në formë të vargëzuar dhe në kuptime të veçanta. Poezia është shpërfaqje jo e shkëputur e fjalëve të veçuara, e fjalëve a fjalive të radhitura njërën poshtë tjetrës për ta bërë një strofë dosido, por është një lidhmëri organike e fjalëve brenda vargut, e vargjeve brenda strofës dhe e strofave me tërësinë, është një transponim specifik unik i përjetimit, ndijimit a imagjinatës.

Nexhat Rexha është një poet i talentuar që e përjeton jetën letrare dhe atdhetare në trojet e bekuara të Kosovës sonë. Nga vargjet e tij kuptojmë se poeti merr flakë prej jetës, prej pluhurit të yjeve, prej ngjyrave të motit që na e stolisin kohën që e jetojmë, një kohë që është porsi prushi i zjarrit, porsi shtegtari që flakëron me kohën për të dalë drejt shtegut të lirisë, përtej mendimit e përtej shikimit poetik, duke i gërshetuar ndjenjat e tij si një prush i ndezur nga xixat e stralleve.

Poezia është testamenti i jetës, ndërsa bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që e posedon qenja njerëzore. Vëllimi respektiv është një kontribut i veçantë që reflekton meditimet e një poeti të talentuar të trojeve shqiptare. Nexhat Rexha tashmë e ka krijuar profilin e tij të veçantë letrar. Njeriu ka nevojë permanente për poezi, siç qielli ka nevojë për yje, siç pyjet kanë nevojë për pemë, siç bimët kanë nevojë për ujë, siç trupi ka nevojë për ushqim, siç mushkëritë kanë nevojë për ajër dhe siç syri ka nevojë për dritë.

 Autori na dhuron vlera reale dhe vargje briliante në kuadrin e kësaj vepre. Nexhat Rexha posedon urtësi, dije dhe mirësi. Vargjet e tij janë xixa të stralleve të cilat e marrin flakën e ndjenjës, për një flakë drite,  një poet i lindur që din ta afirmojë të bukurën, dhimbjen, lumturinë. Në kuadrin e kësaj vepre, ai shkëlqen me vargje të cilësisë së lartë, duke na dhuruar një monument të bukur të ndjeshmërisë dhe dashurisë me vlera nacionale dhe universale.

Poezia është një arti i pakufishëm. Fjalët e N. Rexhës nuk kanë kufij. Ato shërojnë plagët e shpirtit dhe hapin sytë e të verbërve. Fjalët e vërteta e ledhatojnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Buka është fjalë, drita është fjalë, urrejtja dhe errësira janë fjalë. Fjalë që shërohen dhe fjalë që vrasin, fjalë që ndriçojnë dhe fjalë që errësohen. Nevoja për të folur është një nga nevojat më të nxehta dhe më të domosdoshme të njeriut, së bashku me nevojën për ushqim, për veshje, për dashuri, për vërtetësi dhe për drejtësi.

Për një poet, nevoja për të thënë fjalë është si nevoja për të marrë frymë. Autori vjen para nesh me ndjenja dhe ide. Ai i përdor me kujdes fjalët që e ndihmojnë të shprehet, gjithmonë duke pasur diçka për të thënë: Fjala ime qiellore/ Ngarendë në mjegullën/ Përtej largësive/ Në pikturim të oazës/ Ngjyrat e zemrës dënesin/ Në deshifrim gjymtyrësh/ Për shikim të qepallave/ E matjen e pirgut qiellor/ Me bërrylat për flamurin/ Andej e këndej ngatërrim/ Për të prekë kulmin e shtëpisë/ Me lotin e nënës së Konstandinit (Qiellore)

Botimi i një vëllimi të ri me vargje të reja, përfaqëson një festë të shpirtit për lexuesit e poezisë. Lekturimi i një vëllimi të këtillë shndërrohet në një përjetim të thellë estetik që manifeston sentimentin e lindur në mënyrë të natyrshme, një ndjenjë e bekuar që bashkon trokitjet e dy zemrave të gërshetuara me fërgëllimën e zjarrit romantik, autori dhe lektori duke realizuar një binom komplementar, i pari duke ofruar, ndërsa i dyti duke receptuar intenzitetin e ndjenjave, thellësinë e përjetimeve, kuptimin e temave dhe sfondin ideatik që fshihen në zemrën e çdo poezie. (Bukuresht, Vjeshtë 2021)

Nexhat Rexha dhe stolia e artë e poezisë shqipe

Gjë kurreshtare, njeriu dhe koha nuk gjenden në pozita kundërshtare në tekstet e këtij libri - përkundrazi -, ky i fundit madje vepron në mënyrë të mrekullueshme, duke aktivuar energji krijuese për ta përforcuar njeriun të gjejë një “Dalje nga Ferri i Dantes”. Prej këtu përfitojnë vargjet në vlerë, përmes optimizmit që potencon subiekte, gjendje, rekonstituime jashtëzakonisht të ndritshme dhe mirëbërëse - përndryshe të trishtme, kur vjen fjala për konflikte, luftëra, krime e dhembje...

Te ky poet, e tanishmja nuk është veçse një pikë/lidhjeje ndërmjet një të shkuare të ndritur dhe një ardhmërie të mirë/aspektuar. Autori është përkundrazi një poet dhe një filozof që e njeh mirë të shkuarën historike, por edhe një profet i kombit të vet. Vetë fakti se defilojnë në libër vargje të datuara më 1999, demonstron tonalitetin profetik apo intuicionin e mirë që tashmë është konfirmuar, në kohën kur në Kosovë është instauruar qetësia dhe paqa. Vetëm lidhjet e lashta ndërmjet rumunëve dhe shqiptarëve, me rrënjë të përbashkëta në të shkuarën e largët dhe me lidhje miqësishë vëllazërore e të një fqinjësisë të mirë, na shpiejnë me mendimin në një leksion të historisë për fatin e kombeve të kësaj hapsire, aq e prekur nga shorti, por edhe te zëri i poetëve shqiptarë që në të tanishmen na impresionojnë me  misionin e mesazhit të tyre për paqë.

Shpeshherë fjalët e një poeti prodhojnë një rezonancë shumë më të madhe se sa e bëjnë ata të politikës. Duke lexuar vargjet e Nexhat Rexhës, ne, këta me zemër rumune, nuk mund mos të ndjejmë në rendin tonë, një dhembje të ngjashme që na i përkujton vëllezërit tanë tejmatanë Prutit (lumi që e ndan Rumaninë me Basarabinë), vëllezër të një gjaku që e kanë thithur të njëjtin qumësht të gjuhës sonë të ëmbël. Historia është nganjëherë e nevojshme për ta rishkruar nga një faqe, duke e njohur se është vështirë të pajtosh realitetin me të vërtetën, aq kohë sa mbi atë faqe bien pika gjaku. Këtë gjë ia sjell në kujtesë, pra, historisë, dhe politikës, dhe diplomacisë, por edhe rezonancën e do fjalëve magjike për të vërtetën në shpirtin e një kombi. – Më kot bien pika loti që lajnë gjurmët e gjakut! -, do të thotë ajo, duke u përpjekur të mbetet neutrale, duke dëgjuar, megjithatë, këngën e poetit, që, i ndihmuar nga vargu i tij, do t’i shpërlajë faqet e historisë nga më shumë lotë. Atëherë, gjaku i shkronjave do të shndërrohet në ar duke shkruar: paqë dhe dashuri. (Monica Mureşan)

Image
Nexhat Rexha

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat