Për romanin “Shtatori i gjëmës së madhe” të shkrimtarit Skifter Këlliçi

Libra

Për romanin “Shtatori i gjëmës së madhe” të shkrimtarit Skifter Këlliçi

Fani Bufi Nga Fani Bufi Më 31 dhjetor 2021 Në ora: 06:37
Ballina e librit

1

Vështrim i përgjithshëm për romanin

Autori Skifter Këlliçi i shmanget ndërtimit traditor të romanit, si: hyrja, pikëlidhja, zhvillimi, pika kulmore, zgjidhja dhe mbyllja, por na dhuron një ndërtim krejt ndryshe, si: pikëlidhja e menjëhershme, zhvillimi i ngjarjeve në lartësinë e pikës kulmore, pra zhvillohen ngjarjet si në një rrafshnaltë tejet të zgjatur deri në fund të romanit.

Në grafikun e emocioneve përngjan me grafikun e fjalisë pyetëse, e cila përfundon me intonacion të lartë. Çdo roman me ndërtim(kompozicion) të thjeshtë tek grafiku përngjan me grafikun e fjalisë dëftore, që fillon me intonacion të ulët, arrin pikën kulmore dhe gjatë zgjidhjes bie. Tek ky roman, kur lexuesi përjeton tmerret e pikës kulmore dhe pret të bjenë tensionet, që shkaktojnë  emocione të larta, nuk bjenë, ato mbeten në rrafshnaltën e pikës kulmore. Zhvillimet qëndrojnë kulminante në emocione.

Kompozicioni i ndërlikuar bën që lexuesi të përjetojë emocione të forta dhe ta çojë deri në fund leximin e romanit, në pritje të tmerreve, që mund të ndodhin. Të papriturat e shumta dhe të ndërlikuara, shtojnë interesin për të mësuar se çfarë do të ndodhë pas çdo çasti intrigues, se ç’zgjidhje do t’u jap autori ngjarjeve të reja shqetësuese me mëdyshjet e personazheve.

Në vështrimin e përgjithshëm romani ”Shtatori i gjëmës së madhe” mbetet një roman tepër tërheqës për lexuesin si për temën shqiptaro-amerikane që trajton, por edhe nga niveli letraro-artistik i paraqitjes në tërësinë e vet.

2

Niveli i ligjërimit

Në të gjithë romanin ”Shtatori i gjëmës së madhe” kushtuar ngjarjes gjëmëmadhe të 11-të shtatorit 2001, kujtimit të 2981 viktimave tek Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë, Nju Jork, autori ka përdorur një ligjërim të lartë dhe të tensionuar artistik të realizuar përmes sinonimeve të fjalëve të përdorura, të fjalëve të reja dhe ndërtimit sintaksor të fjalisë.

Ligjërimi i përpiktë i personazheve të trevave të shqiptarisë, bëjnë lokalizimin historik dhe trevëror. Ligjërimi i Marko Muzakës për historinë e dhimbshme të shqiptarëve, pas vdekjes së Skënderbeut, na çon në More dhe në kolonitë arbëreshe në Itali. Po ashtu tregimet e Besmirit nga Kosova që lidhet me Martën nga Mali i Zi, na njohin dhimbshëm me  luftën e shqiptarëve jashtë kufijve politik të Shqipërisë për të mbijetuar nga gjenocidi serb dhe malazezë.

Endjet: Kosovë, Shqipëri, Greqi, Itali, Amerikë janë përshkruar me fjalor të pasur dhe me figuracion artistik, ndërkohë përdorimi i fjalëve krahinore në të dy dialektet, japin një tablo të gjallë të zgjuarsisë, guximit, papërkulshmërisë, para çdo vështirësie, japin ruajtjen e dashurisë për vendlindjen me shpresën e madhe që të kthehen një herë në vendlindjen e dashur.

3

Pellgmbledhja e prurjeve krahinore

Pellgmbledhja e prurjeve të personazheve, tepër veprues në jetën e tyre në etapa të ndryshme historike brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, i japin romanit një frymëmarrje mbarë kombëtare.

Nëpërmjet telereportierit Stivi Ferguson, si personazh lidhës dhe përçues i veprimtarisë së dy shqiptarëve, realizohet subjekti i romanit në tërësinë e vet. Me veprimtarinë dhe historinë vetjake të personazheve shpaloset historia e dhimbshme në kohë të ndryshme, përfshirë edhe kohën e monizmit dhe të demokracisë së Shqipërisë. Zhaklina jepet me nota dhe tone tepër të qytetëruara, jepet si një punonjëse e përkushtuar, që nxit dhe hovon veprimet e personazheve.

Përpjekja për të realizuar një dokumentar mban gjallë gjithë zhvillimin e subjektit. Përjetimet e Zhaklinës në punë, në jetën shoqërore dhe atë dashurore rritin emocionet, ndërkohë çastet e bisedave bëhen më gazmore dhe të prekshme. Në përjetimet e saj lexuesi njihet dhe përjeton tmerret e fundit tragjik. Një kundërvënie e padëshiruar: dasmë-vdekje, antitezë tepër e dhimbshme, tragjike.

Marko Muzaka është arbëresh. Nëpërmjet këtij personazhi njihemi me historinë e dhimbshme të shqiptarëve të mërguar pas vdekjes së Skënderbeut. Shumë shqiptarë për t’i shpëtuar terrorit të pushtuesve turq morën rrugën e arratisë. Me sjelljen në kujtesë, me ndjenja të forta dhimbjeje endjet për shkak të persekutimit, mbetet gjallë atdhetaria dhe përçohet brez pas brezi.

Besimi nga Kosova me rrëfimet e tij emocionalisht të dhimbshme shpalos egërsinë e gjenocideve serbe, që synojnë pastrimin etnik të trevave të Kosovës me popullsi shqiptare. Endja e dhimbshme e Besimit drejt Shqipërisë, e mbushur me zhgënjim në Jugosllavi, me besim se në Shqipëri do merrnin fund vuajtjet, nuk i dha kënaqësi, zhgënjimi në Shqipëri i dha goditjen më e madhe.

Lidhja e Besmirit me Martën, vajzë nga Mali i Zi, i jep mundësi autorit, Skifter Këlliçi, të njehsojë mendimin famëkeq të shpopullimit të trevave shqiptare edhe në Mal të Zi. Endjet nga përndjekjet: Kosovë, Shqipëri, Greqi, flasin dhimbshëm për vuajtjet dhe tragjedinë e shqiptarëve në kohë të ndryshme të historisë së tyre. Shpërnguljet dhe degdisjet e shqiptarëve nga trevat e tyre historike përshkruhen me një ligjërim të pasur në fjalor, me fjalë të reja dhe sinonime me kuptime të larmishme. Në ligjërimet e personazheve shkrimtari Skifter Këlliçi, ruan fjalorin krahinor për ta bërë romanin gjithëpërfshirës të trevave të shqiptarisë.

Besim Istrefi nga Prishtina, Rrok Camaj nga Gruda, Marko Muzaka arbëresh, gazetari Sokol Kama nga Tirana etj. janë prurje të një pellgmbledhjeje në mbështetje të temës shqiptaro-amerikane kushtuar ngjarjes gjëmëmadhe të 11-të shtatorit 2001. Kohështrirja e veprimtarisë së përbashkët, e përshkruar me emocione të forta, i bënë më njerëzore marrëdhëniet midis tyre.

4                                                                                                                                                                             

Të papriturat në roman

Të paprituat, gjatë zhvillimit të ngjarjeve në roman, sjellin emocione të shumta, të cilat të nxitin të vazhdosh leximin për të përjetuar e njohur sfidat për çdo ngjarje. Në zhvillimet e përshkruara bukur të jetës së zakonshme me plotë vrull e përkushtim ndodh diçka e papritur. E papritura prish humorin, qetësinë dhe rrjedhshmërinë e çastit, shton dyshimin, trishtimin, frikën, se diçka s’po ecën mirë.

Dyshimet e personazheve: Sokoli dhe Fetia, gjatë kontrollit të pranimit të udhëtarëve, shkaktojnë, për çudi, përplasje me bosin. Ai do vetëm imazhin e mirë të kompanisë dhe nuk do të dijë për rrezikshmërinë, që u kanoset udhëtarëve. Bosi jo vetëm që nuk shqetësohet nga informacioni që merr, por i kërcënon për pushim nga puna.

Në kulmin  e gëzimit dhe të haresë, kur po ngrihej dolli për dasmën e Stivit me Zhaklinën, gjatë fluturimit në avion, ndodh e papritura makabre: terroristët sulmojnë. Çdo gjë përmbyset katrastrofikisht. Kur pasagjerët të befasuar kërkonin të dinin se çfarë po ndodhte, u gjendën para thikave dhe shisheve me sprait djegës. Kënaqësisë së udhëtimit dhe të dollive për dasmën e pritshme, befasisht, i shfaqet tmerri për jetë a vdekje. Këto dhe të papritura të tjera krijojnë drama shpirtërore tepër të dhimbshme.

5

Mosvlerësimi i tolerimeve në rregullore

Pakujdesia apo mosvlerësimi sa duhet i tolerimeve në rregulloren e pranimit të sendeve të udhëtarëve në pikën e kontrollir, solli gjëmën e madhe. Kontrollorët vërenin se futeshin brisqe jo më të mëdhenj sa fotodokumenti, shishe erëmbajtëse, që mund të shkaktonin viktima. Dyshimet e Sokolit, të përshkruara me një hamendësim të rrezikshëm, nxjerrin në pah zgjuarsinë në vlerësimin e mjeteve që mund të abuzohej dhe tregojnë korrektësi në kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë. Mangësitë e rregullores përshkruhen në luftëmotivet e kontrollorëve, të cilët përjetojnë emocione të forta, që e bëjnë tepër tërheqës romanin. Autori, Skifter Këllici, përjetimin e pasojave, që mund të vinin nga tolerimet, i përshkruan me ndjenja të forta dhimbjeje, të cilat e bëjnë tepër tërheqës romanin për lexuesin. Lexuesit, gjatë përjetimit të emocioneve, krijojnë simpati për kontrollorët e përpiktë në detyrë. Bosit i janë errur sytë nga ruajtja e imazhit të mirë të kompanisë, ndaj e qorton dhe e kërcënon Sokolin.

Dyshimet e kontrollorëve qenë lajmëtare të gjëmës së madhe, që ndodhi tek kullat binjake. Luftëmotivet e kontrollorëve janë të gjalla plot ngarkesë emocionale, që tek lexuesi krijojnë respekt për ata punonjës të rregullt në detyrë.

6

Përdorimi i fjalorit

Romani ”Shtatori i gjëmës së madhe”, në tërësinë e vet, përbëhet nga llojshmëri ngjyrash të bukura, si lulnajat e një pëlleje në një ditë të bukur pranvere, nga përdorimi i fjalëve me kuptim të larmishëm, të përzgjedhura për çka dëshiron autori të shpreh fuqishëm ndjesitë shpirtërore, në mënyrë të veçantë: gëzimin, harenë, trishtimin dhe dhimbjen.

Autori përdor fjalë të rralla që mbartin, nga ana semantike, ngjyrime që përdoren në krahina të ndryshme shqiptare, duke u përpjekur t’u japë qytetarinë e përdorimit në gjuhën shqipe normative. Duhet vlerësuar edhe për krijimin e fjalëve të reja me brumë nga të dy dialektet e gjuhës shqipe.

7

Lartësia emocionale e zhvillimit të ngjarjeve pas pikës kryekulmore.

Kush mendon se, me goditjen e kullave binjake, me përjetimin e dhimbjes së madhe, ngjarjet e mëpastajme do të ulin emocionet, ato do të jenë në rënie të forcës së përjetimit, gabon.

Fill pas tmerreve brenda avionëve, lindin ndjesi të reja tronditëse. Nuk ka rënie të kurbës së zhvillimit të ngjarjeve. Lufta për të mbijetuar fatkeqët në brendësi të kullave, ndesh me qëndresën e terroristëve, të cilët mashtrojnë dhe masakrojnë. Tensionet mbeten të ngritura si në brendësi të kullave edhe në avionët e rrëmbyer nga terroristët.

Lufta për jetë a vdekje e  mban të ndezur ndjenjën e urrejtjes, e cila u jep forcë udhëtarëve të çajnë përpara për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë.

Për shfaqja e përfytyrimit të ditës së dasmës tek Stivi në hotel, është përshkruar me nota kënaqësie dhe dhimbjeje. Përfytyrimi shërben si një mesazh për të vepruar në kohën e duhur, që në të ardhmen të mos përsëritet kurrë.

 

8

Pse duhet lexuar romani?

Në vazhdimësi të atyre që thamë më parë, tema shqiptaro-amerikane është një thirrje e fortë për t’u lexuar nga shqiptarët brenda kufijve politik dhe jashtë tyre për t’u njohur e përjetuar emocionalisht gjëmën e madhe të 11-të shtatorit 2001, pasi është i vetmi roman, që e ka trajtuat këtë temë, njëherazi është një kamban alarmi për ata që hartojnë rregullat e pranimit në pikat e kontrollit.

Nëpërmjet romanit përçohet mesazhi: terrorizmi nuk ka synim vetëm Amerikën, terrorizmi është vdekjeprurës për çdo liri njerëzore dhe, veçanërisht, për të mbajtur në skllavëri femrën.

Romani ”Shtatori i gjëmës së madhe” i shkrimtarit të mirënjohur Skifter Këlliçi, me temë shqiptaro-amerikane, është një dritare plotë dritë për të parë fitoren e përparimit mbi skllavërinë e tmerrshme të terroristëve, të cilët nuk ndalen kurrë para marrjes së jetës masive njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat