Parfumi i përmallimit të shenjtë

Libra

Parfumi i përmallimit të shenjtë

Nga: Baki Ymeri Më: 22 janar 2022 Në ora: 23:42
Foto e kopertines së librit

Poezia është çelësi i universit, shprehja e bukurisë, e lirisë dhe e mrekullisë. Me këtë libër të ri, Remzi Basha vjen në një festërim të përbashkët të erëtimës së fjalëve të gërshetuara me dashuri dhe sentimente tjera të zgjedhura. Fjalët janë ilaç i mirë për shpirtin dhe ushqim i mirë për ndjenjat. Shpirti i fjalëve nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekstet e këtilla lirike që përfaqësojnë shpirtin shqiptar të një poeti të jashtëzakonshëm.

Remzi Basha është një poet i mirëfilltë, një zë i sinqertë që synon të zgjojë kureshtjen tek lexuesit dhe admiruesit. Tekstet e tij janë të këndshme, mbresëlënëse dhe magjepsëse. Diskursi i tij lirik është modern dhe i drejtpërdrejtë. Ato janë një univers hijeshë të gërshetuara me mallin e emigrantit dhe me sprovat e jetës në vendlindje. Ato janë një mister i ndjenjave të mëndafshta të butësisë. Janë cilësitë që dalin nga të gjitha vargjet e këtij vëllimi ku ballafaqohemi me një shpërndarje spontane ngjyrash dhe tingujsh, një këngë e qartë, e pastër si vesa, si loti i reve, si dëbora e parë që e mbulon dhe e mbron grurin, si gruaja besnike e fisnike që e nderon dhe e mbulon burrin.

Poezitë e Remzi Bashës janë një art meditues i relaksuar, një kinema e vogël lirike që përpunon dhe pasqyron botën reale dhe imagjinare. Kush pat thënë vallë se është detyra e çdo poezie të bëjë punën e saj të lindjes. Kjo fytyrë (maskë) e re e reales, është dëshira e autorit për utopi, nga e dukshmja në të padukshme, nga trupi në shpirt. Është një opium, dhe poeti është arketipi, origjinali, dorëshkrimi dhe shkrimtari. Gjithçka është e gdhendur në gjakun e tij. Një lirikë transparente, që legjitimon aktin e krijimit si një akt përjetimi real dhe emocional, aspak i simuluar apo i falsifikuar. Një dëshmi e qartë se poezia e Remzi Bashës është prona e autorit, e jona dhe e të gjithëve.

Kjo lloj poezie na çon te burimet e lirizmit, te lëvizjet e saj të brendshme, te pulsi i saj autentik. Kjo lirikë huazon të gjitha atributet e gjakut. Poezia është dashuria që rrjedh nga shpirti si një kaskadë ndjenjash e përhapur në faqet e bardha të ndjeshmërisë dhe të dashurisë. Është malli që buron nga thellësia e zemrës dhe zjarri përvëlues. Ka disa rregulla të arta për një edukim të shëndetshëm dhe një jetë të ekuilibruar, pas së cilës lindin vepra të denja për t'u lexuar dhe admiruar. Gjatë gjithë evolucionit të tij historik, njeriu është lidhur me natyrën, me të cilën ka pasur lidhje komplekse, të pasqyruara në të gjitha hipostazat e jetës së tij shpirtërore.

Një vëllim i ri krijon gjithmonë burimin e një lumturie të madhe. Ai përfaqëson çastet më intime që i ka përjetuar autori, rrëfimet më të thella dhe mendimet më të larta të tij. Remzi Basha është një shpirt i mbushur me dashuri, mërgimtari I frymëzuar që ia ka dhurruar dashurinë familjes, gruas, fëmijëve, të afërmve dhe atdheut të tij, kaq shumë i përbujshëm dhe kaq shumë i përçarë. Poemat e Remziut nuk janë as telonovela, as shqetësime të shkruara, por ato janë një filozofi e jetës, mendime lirike dhe fisnike mbi një jetë të përbujshme kosovare, mërgimtare dhe atdhetare.

Jeta në lirikën tij kaplon dimensione reale dhe emocionale. Poezitë e Remziut janë produkt i përpunuar i një mundi të sinqertë. Në to shpërthen një gurrë e kristaltë përjetimesh të thella shpirtërore, falë përvojës së një jete që e përshkojnë dallgët e dashurisë dhe lumturisë. Autori i këtyre vargjeve, ka arritur në një mënyrë kaq sublime, të gërshetojë natyrshmërinë me ndjenjat e zjarta të atdhetarizmit dhe dashurisë, aq saqë disa tekste të tij shëmbëllejnë me një pikturë vlerash të veçanta artistike. Një vepër arti që vlen të lexohet faqe për faqe, sepse libri është një burim ujërash të bekuara, e jo një pemë që tenton t’ia lëmosh vetëm lëvoren, pa ia shijuar frytet.

Remzi Basha shpërnadan mesazhe të mirëfillta lirike, detaje jete, në të cilat trazohet bota njerëzore, nëpërmjet meditimeve të universit lirik. Në këto përbashkësi dhe bashkohësi ka gjurmëruar edhe fjala e bukur poetike shqiptare. Në themelet e modernitetit poetik, një kontribut meritor e ka dhënë emërmadhi, "babai" i romantizmit shqiptar, Naim Frashëri i cili u pasua nga një grup poetësh si: Zef Serembe, Gjergj Fishta, Ali Asllani, Asdreni, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja etj. Mbi themelet e këtij moderniteti poetik, në panteonin e letërsisë shqiptare, aktualisht militon edhe një grup i ri ku bëjnë pjesë: Sali Bashota, Dedë Preqi, Neki Lulaj, Jeton Kelmendi, Kolec Traboini, Sabile Keçmezi-Basha, Nexhat Rexha, Drita Nikoliqi Binaj, Arif Molliqi, Vitore Leka, Sabit Rrustemi, Hasan Qyqalla, Xhemil Bytyçi, Rita Saliu, Sadik Krasniqi, Miradie Maliqi, Remzi Basha, Sadije Aliti, Ajet Shala, Besa Januzi-Rexhepi, Servet Bytyçi, Miradije Ramiqi e tjerë. Ky grup poetësh bashkëkohorë po rikonstruktojnë godinën e modernitetit poetik autokton shqiptar me kodifikime të reja poetike, në sensin e risive nacionale dhe universale të fjalës së bukur.

Çdo poezi e lexuar duket se është një befasi, një hazard, respektivisht një ngjarje e papritur. Diçka që të mbush me shqetësim apo gëzim, një papritshmëri e bukur sa i përket ndjenjës, ritmit dhe formës. Kur vjen fjala për përmbajtjen, që i tejkalon pritjet tona, së bashku me domethënien, jemi të befasuar me shkrepje fjalësh direkte, të buta, të ndjeshme dhe të thjeshta. Para nesh kemi edhe një gamë shprehjesh elegante që i japin një domethënie më të thellë diskursit lirik. Në tekstet e tij, pos talentit dhe llojllojshmërisë së motiveve, del në pah edhe bujaria dhe qëndresa e trimërisë shqiptare. Dhuntia lirike e Remzi Bashës gërshetohet me një kulturë dhe edukatë të shëndetshme, duke joshur kështu edhe vëmendjen e lexuesit ndaj një lënde poetike që mbahet mend.

Remzi Basha dëshmon përmes këtij vëllimi se është një shërbestar besnik i penelit të shenjtë, duke i ofruar lexuesit bizhuteri kosovare mbi dashurinë dhe vdekjen, mbi heshtjen dhe mosheshtjen, mbi një botë emocionesh të gjalla, duke patur, përndryshe, një qëndrim ferm ndaj jetës, me vargje prekëse, aktuale, të ndijshme dhe herëpashere të dhimbshme. Ka edhe shumë për të thënë për poemat që autori i kësaj vepre na i vë në disponim, por tani ua lë juve të zbuloni valencat e shumëfishta të fjalëve të tij. Merrni si shembull duke medituar gjatë mbi këto vargje, ngase, siç thot Friedrich Nietzsche në librin “Tejmatanë mirësisë dhe ligësisë”: „Jo forca e ndjenjave të mëdha i bëjnë njerëzit të famshëm, por vitaliteti dhe jeta e tyre.”

Fjalët e poetit janë pluhur yjesh dhe dritë magjike që tregojnë ndjenjat e brendshme. Aty është shiu, pasqyra, e bardha totale. Poezia është pothuajse po aq e rëndësishme sa historia. Dallimi mes historianëve dhe poetëve është se të parët shkruajnë prozë, ndërsa të dytët vargje. Të parët përshkruajnë gjërat që ishin, të dytat punët që mund të bëhen. Për shkak të kësaj, poezia është shumë më filozofike dhe më e rëndësishme se historia, sepse pohimet e saj janë të një natyre shumë universale dhe shumë të veçantë të historisë. Poezia duhet t'i lërë përshtypje lexuesit sikur fjalët e saj të ishin mendimet e tij ose pothuajse një kujtim i jetës së tij.

Fjala si energji krijuese e bën jetën që të lëvizë, e bën njeriun të lumtur, e bën natyrën dhe gjithëçka në gjirin e saj, poetike, romantike, filozofike. Ajo i metamorfizon qëniet e gjalla, njerëzit i shndërron në mit dhe zotër të kësaj bote. Fjala udhëton në shekuj e mijëvjeçarë, bën e krijon subjekte, na sjell imazhe qytetërimesh të hershme që na bëjnë t’i duam e t’i admirojmë. Remzi Basha është një ndërgjegje e madhe poetike. Poezia e tij dallohet nga reflektimi i thellë, vazhdimisht polemizues, i vendosur në botë, si dhe në universin e brendshëm. Autori na jep tekste të një cilësie të jashtëzakonshme. Poezia e tij është një hapje drejt bukurisë, thellësisë, risisë dhe hyjnisë.

Bizhuteri mërgimtare me ndjenja dhe emocione

Kush pat thënë vallë se nëse në botën krijuese letrare, shikojmë dhe lexojmë vepra letrare të kohëve, shekujve e gjeneratave shkrimtarësh të niveleve cilësore, për nga vlera, do të dallojmë specifika, stile, individualitete, veçori të dukshme që do të na bëjnë të mendojmë thellë për jetëgjatësinë e tyre morale. Vargjet e Remzi Bashës kanë ardhur si ekzistencë shpirtërore, si një përmbajtje e një forme të kapshme ideore e strukturore, si një e shumë aspekte të një periudhe historike të racës njerëzore si zanafillë e jetës në tokë, e njeriut të veçantë, të zakonshëm e universal, i veshur me ngjyrimet psikologjike të kohës së tyre, të cilët, për letërsinë dhe shkrimtarin kanë sjellë objekte dhe subjekte jetësore e të gjalla e më pas ngjarje njerëzore.

Remzi Basha është poet i dashurisë dhe pronar i lirikës mërgimtare me ndjenja dhe emocione. Janë të shumta e të dukshme, si drita e diellit, vlerat morale e artistike të veprës së tij letrare për nga veçoritë dhe refleksionet kohore, për korpusin e shkrimtarëve në trojet e mërgimit dhe në të gjitha trevat shqiptare. Ato kanë ekzistuar dhe përsëri ekzistojnë në gjykimin e kohës dhe të subjektivizmit të njerëzve si lexues e individual, që do të thotë se vepra letrare dhe krijuesi shkrimtar janë në përballje të drejtpërdrejt të koherencës, ekzistencës dhe seleksionimit të përhershëm vlerash artistike dhe letrare. Remzi Basha dëshmon se koha është kriteri më i pashkëputshëm dhe më i paanshëm i seleksionimit të vlerave lirike dhe i shkrimtarit si autor dhe si krijues tekstesh të frymëzuara ku shkëlqen dashuria dhe atdhedashuria.

Historia e letërsisë vërteton se disa shkrimtarë, jo vetëm në botë por edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë, që mes shumë veprave me vlerë artistike në kohën e tyre, kanë mbijetuar pak, shumë pak apo aspak si të tilla. Kjo vlen për disa, por jo edhe për poetin e dashurisë. Për shkrimtarin, koha është vlerë morale, është jeta e tij e jetuar në kolektivitet, si individ dhe si krijues. Për të është barometër veçorishë të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. Kritika letrare thekson se në jetën e tij, shkrimtari mund të nxjerr shumë vepra letrare e artistike, drama, romane, e novela, vëllime me subjekte nga jeta e gjallë, me vërtetësi e detaje, me imtësi e saktësi të përpiktë të një kërkimtari të pashoq: Poezia e Remzi Bashës duket sikur ka një lidhje morale të pashkëputshme me atdheun dhe kohën, si dhe me ekzistencën e veprës dhe të emrit të tij si autor me identitet, moralitet dhe vertikalitet.

Ndonëse i aftë e i karakterizuar nga një imagjinatë, një vetëdije e shqetësuar që mund të shkaktoj çfarëdolloj konvertimi me kohën, jetën dhe njerëzit, ai përsëri, në atë që ka vendosur të arrij si krijues, është energjik, ngulmues, i duruar, i palodhur, i lindur për të punuar e sakrifikuar poet dhe patriot, si si moralist dhe idealist. Ky lloj krijuesi, përveç karakterit të fortë që ka e që shfaq, përbën gjendjen shpirtërore më të dukshme njerëzore e më të ndjeshme të asaj, për të cilën është i aftë njeriu si njeri e në të njëjtën kohë edhe si një përmbledhje të aftësisë së tij krijuese, duke na treguar vetveten si individ të moralshëm në shoqërinë e qytetëruar dhe të civilizuar. Autori i kësaj vepre është një nga personazhet e përjetshme të historisë së shqiptarizmit, idealist, sublim, ëndërrimtar dhe moralist. Në vargjet e tij, shkrimtari shihet një racë dhe një epokë, emri dhe vepra e të cilit është bërë një vlerë krijuese shpirtërore e njohur nga koha dhe njerëzit. E kjo e gjithçka tregon se shkrimtari si autor i ditës është një njeri i veçantë me talent, me shumë energji për të krijuar, i cili me sakrificë ka vizatuar artistikisht, portretin e shkrimtarit të vërtetë, të moralshëm, dhe se talenti i tij tashmë është ngritur deri te gjeni letrar.

Remzi Bashën e njohim edhe si romansier. Një shkrimtar i veprës morale njerëzore është në gjendje të krijojë dhe t’u japë jetë personazheve më të mëdha, në tërësinë e figurave të tij, vendos në qendër të subjektit të veprës personazhe të moralshëm, që bëjnë histori dhe epokë. Autori i mbushur me eksperiencën njerëzore, jetësore e krijuese i paraqet ndjenjat e moralin në mënyrë të njerëzishme tek personazhet. Që të arrij këtë dhe për t’u marrë me ta në jetën e tyre, krijuesit i duhet një njohje e thellë kritike, studiuese e kureshtare në aspektin profesional, sepse edhe mënyra e tyre e të shprehurit si personazh i shfaqur si objekt dhe subjekt për shkrimtarin, është sa i vlefshëm aq edhe kompleks. Edhe këto personazhe janë tipik, të veçantë, të cilët me aparencat fizike dhe çastet mbresëlënëse të sjelljes aktoreske bëhen mbizotërues dhe të nevojshëm për subjektin e veprës artistike të shkrimtarit.

Fjala si energji krijuese e bën jetën që të lëvizë, e bën njeriun të lumtur, e bën natyrën dhe gjithëçka në gjirin e saj, poetike, romantike, filozofike. Ajo i metamorfizon qëniet e gjalla, njerëzit i shndërron në mit dhe zotër të kësaj bote. Fjala e Remzi Basshës udhëton në shekuj e mijëvjeçarë, bën e krijon subjekte, na sjell imazhe qytetërimesh të hershme që na bëjnë t’i duam e t’i admirojmë. Shkrimtari me shpirtin dhe frymëzimin e tij e gatuan artistikisht realitetin jetësor. Ai me talent krijon e me fantazi sjell realitete imagjinare e fantastike nëpërmjet figurshmërisë e trillimit artistik. Fjala, në këtë krijim të rrallë, në tekstin e nëntekstin e veprës letrare merr karakter metaforik e simbolik. Ajo fillon me cilësi e aftësi çudibërëse, mrekulluese, magjike. Ajo ka peshë, ngjyrë, aromë, vëllim, thellësi. Ajo i shpirtëzon vlerat krijuese si të ishin ndjenja madhore në këtë jetë.

Vlet të ripotencohet fakti se Remzi Basha është poet i dashurisë dhe atdhedashurisë. Dashurinë nuk mund ta gjejnë njerëz që tjerrin e mendojnë hollë për të. Dashurinë nuk mund ta vrasin njerëz që nga halli a interesi e injorojnë. Dashuria është rrugë e pashkelur. Ajo nuk njeh orë e shina paralele e drejtime të paracaktuara. Dashuria nuk justifikon as qorton. Fjala si energji krijuese e bën jetën që të lëvizë, e bën njeriun të lumtur, e bën natyrën dhe gjithëçka në gjirin e saj, poetike, romantike, filozofike dhe psikologjike. Në faqet e romaneve të tij, Remzi Basha i metamorfizon qëniet e gjalla, njerëzit i shndërron në mit dhe zotër të kësaj bote. Vepra letrare e Remzi Bashës është një kërkim i zellshëm i fjalës, i vendosjes së saj me art në strukturën e tekstit. Remziu nuk është poeti i habisë apo i heshtjes. Ai është poeti i dashurisë dhe atdhedashurisë, një dhuratë hyjnore me një buzëqeshje arbërore. (Bukuresht, Janar, 2021)

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat